Ristrukturim i borxhit për 35 korporatat që kanë 65% të kredive të këqija

February 27, 2016 09:21

Ristrukturim i borxhit për 35 korporatat që kanë 65% të kredive të këqija

Banka e Shqipërisë pritet të dalë me një zgjidhje përfundimtare për mënyrën se si do të veprohet me 35 borxhlinjtë më të mëdhenj në vend, dhe që përbëjnë rreth 52 për qind të totalit të kredive të këqija. Kjo konfirmohet nga raportimi që autoritetet shqiptare kanë bërë së fundmi për Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). “Në fund të marsit 2016 në do të hartojmë një plan të detajuar për trajtimin e 35 mbajtësve më të mëdhenj të kredive të këqija”, thuhet në letër. Sipas rishikimit të planit të masave për uljen e kredive me probleme, deri në fund të muajit prill të këtij viti, Banka e Shqipërisë do të miratojë gjithashtu masat për të përshpejtuar uljen e kredive me probleme përmes përdorimit të ristrukturimit të borxhit jashtë gjykatës.

Hartimi i ligjit për falimentin

Me asistencën teknike të Bankës Botërore dhe FMN-së, Ministria e Drejtësisë do të paraqesë ligjin e ri të falimentimit në parlament deri në fund të qershorit 2016. Ai do të përfshijë praktikat më të mira ndërkombëtare, me të cilin do të lejojë miratim të përshpejtuar të riorganizimit të planeve. Deri në fund të shtatorit të vitit 2016, do të paraqiten në kuvend ndryshimet e Kodit të Procedurës Civile dhe Ligji për përmbaruesit private, me të cilat synohet rritja e efikasitetit të proceseve gjyqësor, mbledhjes me forcë të detyrimeve. Në kuadër të uljes së kredive me probleme ekzekutivi do të paraqesë ndryshimet në parlament për Ligjin e Barrëve Siguruese dhe Ligjit për Regjistrimin e Pronave të Paluajtshme për të mbrojtur më mirë kolateralin financiar dhe në rritjen e sigurisë ligjore. Trajtimi i kredive me probleme është e domosdoshme për lehtësimin e rreziku që po pengon ringjalljen e kredisë.

Cilët janë kreditorët me probleme?

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes që është në rolin e koordinatorit për zbatimin e planit, në krye të 13 masave ka vënë miratimin në kuvend të projektligjit të ri të falimentit, me anë te të cilit më pas do të nisë trajtimi i 35 korporatave. Ligji i ri po hartohet për t’i dhënë zgjidhje pikërisht korporatave të mëdha, të cilat tashmë kanë shpallur pazotësinë për të paguar kreditë bankare, të cilat kapin vlerën e 600 milionë eurove. Pasi drafti i falimentit të ketë kaluar kuvendin, bankat tregtare në vend do të mblidhen së bashku ketë vjeshtë për të analizuar bilancet e kompanive dhe borxhet që ato kanë. Duke qenë se, disa prej kompanive kanë kredi të pakthyera jo në një, por në shumë banka, plani sugjeron ristrukturimin ndërmjet bankave dhe kredimarrëseve për të gjetur një zgjidhje, por duket se falimenti për 50% të këtyre korporatave është i pashmangshëm, pasi nga analiza e deritanishme kanë rezultuar raste pa asnjë shpresë. Për kompanitë pjesërisht të shëndetshme, rekomandohet të gjejnë burime alternative jashtë bankave. Këtu mund të ndërhyjë qeveria për të blerë një pjesë të borxhit ose kolateralit të këtyre korporatave në mënyrë që atyre t’iu sigurohen likuiditetet e nevojshme për ristrukturimin. Pjesa më e madhe e kredive të humbura ose në rrezik serioz arkëtimi nga bankat zotërohen nga rreth 80 kompani dhe korporata të mëdha, të cilat mbartin 80% të portofolit të kredive me probleme, ndërsa vetëm 35 grupe ndajnë 65% të portofolit të kredisë së pakthyeshme.

February 27, 2016 09:21
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*