Niko Xhufka, “Riviera shqiptare”, album i ri i një mjeshtri “të vjetër”

August 11, 2014 19:34

Niko Xhufka, “Riviera shqiptare”, album i ri i një mjeshtri “të vjetër”

Dhimitër Shtëmbari 

Katër dekada me aparat fotografik në duar. Në qytete. Në fshatra. Në kantiere ndërtimesh. Në reparte ushtarake. Në festivale këngësh. Në olimpiada sportesh. Në parada ushtarake. Në kufirin shtetëror. Në plantacione pemësh. Në brezare ullinjsh. Në ekspozita figurative. Në hekurudha. Në Universitet. Kudo …

Vetëm fiksonte me objektivin e aparatit të tij. Diçiturat, në mjaft raste, nuk ishin  të tijat. Se ia “zbukuronin” të tjerë edhe me pak politikë brenda.

Niko Xhufka fotografonte duke qëndruar në këmbë. Nga sipër një ndërtese. Nga lart një kodre. Nga sipër një helikopteri. Nga brenda një anijeje. Nga …

Mjeshtri i madh vetëm sa merrte orientimin prej redaksisë së gazetës “Zëri i popullit”, pa temën e fotografisë e gjente vet. Në tërësinë e objekteve që i sugjeronte realiteti, ai dinte të përzgjidhte. Shkonte pranë atij që djersinte. Pranë atij që hapte tunel. Që shtronte shina. Që qëndiste kodra me brezare. Që montonte e vinte në lëvizje turbina …

Në qoftë se Albumi “Ritme të jetës shqiptare” u pëlqye aq tepër prej shumë  artdashësve, kjo ndodhi se mjeshtri Xhufka u ofroi atyre një realitet të ngritur në art. Në artin e magjishëm të fotografisë

riviera 001Në vitin 1996 fotografi i talentuar Niko Xhufka botoi albumin e dytë tepër  interesant: “Arbëreshët e Italisë”.  Dhe që nga kjo kohë, ai do të kryente një veprimtari sa të dendur, aq dhe interesante me artin e fotografisë. Çeli ekspozitë fotografike në Romë, në Bari e në Kalabri. Por jo vetëm në Itali, por deri edhe në Francë, Belgjikë e Gjermani. Vizitorë të shumtë. S’munguan dhe vlerësuesit.

Kohët e fundit Nikoja nxori nga shtypi dhe hodhi në qarkullim Albumin e tij më të ri “Riviera shqiptare”, në tri gjuhë. Një vepër që të ofron kënaqësi estetike.

– Kam gati material fotografik edhe për pesë – gjashtë albume të tjerë, – na thotë Nikoja.

Dhe na i përmend këto Albume: Parashikon që këto t’u kushtohen turizmit, Skënderbeut, Beratit, kështjellave të vjetra shqiptare, Dritero Agollit etj.

Kur Niko Xhufkën të tërë ata që e njohin e thërresin “Mjeshtër”, a nuk do të ishte logjike që këtij talenti tepër të veçantë Presidenti i Republikës t’i akordonte titullin që meriton: “Mjeshtër i madh”?

 

I mirënjohuri Xhufka

– Po ku, o mjeshtër? – dëgjojmë t’i drejtohet kështu dikush Niko Xhufkës, këtij fotoreporteri të mirënjohur.

Nikoja vë buzën në gaz dhe, ashtu qetë – qetë, ia kthen me modesti:

– Kompliment të madh po më bën …

– Jo, – ia ktheu tjetri, – mbase nuk kam qenë plotësisht i saktë. Më duhet të them: o mjeshtër i madh …

August 11, 2014 19:34
Komento

1 Koment

  1. Dritan Haxhia August 12, 06:50

    Shume respekt per fotografet si Niko Xhufka qe me aparatin ne dore, dhe me pasionin ne shpirt, perjetesuan me mijra ngjarje dhe vende me fotot e tyre. Respekt.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*