Rivrasja e Heronjve të Vigut

August 21, 2017 11:12

Rivrasja e Heronjve të Vigut

 Meditim në kohën e heqjes së monumentit të Heronjve nga sheshi qendror i Shkodrës. Kush i hoqi dhe pse? Zemërimi i veteranëve, sëmundja e papritur e skulptorit Shaban Hadërit dhe thirrja e autorit: Po ku je, o Dritëro Agolli!

Xhelal Gjeçovi

Pesë heronjtë e Vigut, Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Ndoc Deda, Hydajet Lezha, pesë yje të pashuar, pesë djem të rinj, që u vranë mizorisht e pabesisht nga të pabesët në vitet e Luftës, tek përçonin, anë e kënd, shtëpi më shtëpi, idetë e saj, nuk janë më aty ku qenë vendosur, aty ku qëndronin prej vitesh, madhështorë, të gdhendur në bronz nga mjeshtri i madh, Skulptori i Popullit Shaban Hadëri. Ashtu siç u vranë në regjimin e okupacionit, ashtu dhe u hoqën në vitet e demokracisë, kaçakçe, në mënyrën më të pabesë, përsëri nga të pabesët. U hoqën nga qendra e qytetit, per t’u degdisur në një cep, në periferi, madje pranë plehrave, me qëllim që të jenë sa më larg qytetarëve të Shkodrës, që i donin e i çmonin, ata dhe veprën e tyre.

***

Nuk më harrohet kurr ajo ditë kur pashë, për herë të parë, sheshin bosh, pa heronjtë, atë shesh që ata e zbukuronin, sheshin nga i cili ata lëshonin mesazhe paqeje, shprese e bashkimi, duke ia shtuar qytetit traditat,vlerat historike-kulturore, duke i dhënë kuptimin e duhur jetës, të sotmes e të ardhmes.

Sapo isha kthyer nga një qëndrim disi i gjatë jashtë vendit dhe kisha ardhur në Shkodër, qytetin tim të lindjes, për t’u çmallë me të, me të afërmit e mi të dashur, me miq e me shokë, që i shoh  gjithnjë e më rrallë, por dhe  me më shumë mall. Njeriu në këtë  moshë i kërkon të gjithë, të gjithë, më shumë se kurrë, ata që janë e ata që s’janë, për t’u çmallë me ta, për të biseduar e për të kujtuar vitet e shkuara, që edhe ashtu, të mbushura me halle e me varfëri, ishin të bukura, ishin të çiltra, të sinqerta, plot dashuri e respekt. Takimi me të gjithë këta, të gjallë e të vdekur më ngjalle kujtime të hershme, më mbush me emocione, me nostalgji, një nostalgji e shëndetshme, që më duket se më jep dhe forcë, më ripërtërin. Kjo është jeta dhe asaj s’i ikim dot.

Xhelal Gjeçovi

Por, ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe përjetova një trishtim, një dhimbje disi të veçantë tek shikoja, për herë të parë sheshin e qytetit tim, sheshin e qytetit të tyre, pa Ata, pa Heronjtë, pa bijtë e denjë të Shkodër loces, të Lezhës së njohur për mirësi, të Mirditës së trimave, bij të të gjithë Shqipërisë, të këtij vendi që ka nxjerrë gjithnjë heronj si këta, për t’i dalë zot në ditë të vështira, për të mos lënë që të nëpërkëmbet flamuri, dinjiteti; të rrezikohet ekzistenca, si popull e si komb. Monumenti i ngritur për të nderuar e përjetësuar veprën e tyre, heroizmin e tyre, ishte një simbol i luftës për liri, por dhe i paqes, mbi të gjitha një simbol bashkimi, bashkimi pa dallim feje, krahine dhe ideje,siç ishin bashkuar edhe ata, në ditët më të vështira për vendin, për të mos u ndarë kurrë më, edhe të vdekur; një simbol që i jepte kuptim të shkuarës e të sotmes, që i  lidhte ata  pazgjidhshmërisht e me një shikim të qartë për nga e ardhmja.

Më pushtoi një ankth. S’po e mbaja dot veten; s’po arrija të kuptoja atë që kishte ndodhur, s’po  kuptoja përse ishte kyer një veprim i tillë makabër. Aman more, thashë me vete, po me këta ç’patën, çfarë u kanë bërë këta të shkretë; ata të vdekur janë; prona nuk kërkojnë, se nuk kishin, pasi ishin të varfër; punë nuk duan, pasi nuk kanë takat; korupsion nuk bëjnë dot, që t’u hyjnë në hise pushtetarëve; po atëhere c’patën me ta. Ta bënte këtë kryetari i komunës, që organizoi pritën dhe vrasjen, sipas urdhrit të kapidanit, bash në Vigun e burrave e të besës, që këto tradita të përdhoseshin, kjo edhe mund të mendohej, pasi ai dhe shokët e tij, ende i trembeshin hijes së tyre, i frikësoheshin madhështisë së tyre, rrezatimit te tyre, që edhe ashtu të vdekur përcillnin mesazhe pajtimi e bashkimi; por kush i do sot ato.

Rrija e vrisja mendjen, kush urdhëroi që ata të hiqen nga sheshi i qytetit dhe sinqerisht nuk jam në gjendje që t’i vë gishtin ndonjërit, pasi më duket se janë bërë të tërë njësoj. Po pushtetarët e Shkodrës ç’patën more amani, ata janë dhe demokratë, janë dhe vendalinj; e bënë në kokën e tyre, që t’u bëjnë qejfin atyre lartë, apo u tha dikush nga Tirana; a thua Jozi, që e ka dhe në patronazh Shkodrën, që kujdeset për të, si një nënë e madhe, si një nënë e mirë! Apo Berisha që e do e përgjërohet për Shkodrën e demokracisë? Po përse gjithë kjo urrejtje ndaj bijve të saj, ndaj heronjve? Po çfarë u kishin  bërë, more aman, këta të shkretë, ashtu të vdekur, sic janë; apo u vrisnin sytë, u kujtonin luftën. Po luftën ata dhe shokët e tyre e bënë për të çliruar vendin; more amani, ç’bëni kështu? Para se të ishin komunistë, ata ishin shqiptarë; ishin patriotë shqiptarë, këtë s’e kuptoni? Doni t’u bëni qejfin, t’i inkurajoni bashkëpunëtorët e fashizmit. Kot e keni;ata kanë marrë fund. Kauza e tyre gjithashtu. Një fjalë e urtë e popullit thotë, çfarë të bësh, do të të bëjnë. Po, unë nuk e dua more as këtë, nuk dua që të vazhdojmë të vrasim njeri-tjetrin, as të vdekur dhe as të gjallë; po jemi pak more mjerë, thoshte shkodrani Vaso Pasha, që të luftojmë e të asgjësojmë në këtë farë feje njeri-tjetrin, sa jemi gjallë dhe pas vdekjes; po a nuk e shikoni more sa halle ka ky vend; merruni more me to; ç’kini që merreni me të vdekurit; ata s’u bëjnë gjë, s’u japin e as nuk u marrin gjë; prona po merrni, korrupsion po bëni, pasuri po veni, e ata të shkretët s’po u pengojnë, s’po u ngacmojnë, s’po u thonë as gjysëm fjale. Po atëhere ç’patët me ta, more!.

Veteranët e shkretë i kisha patur ndërmend gjithë ato ditë, kushedi sa janë merzitur, sa janë dëshpëruar, sa janë ligështuar, kur e kanë parë sheshin bosh, aq më tepër kur e kanë marrë vesh se ku i kanë çuar, ku i kanë degdisur. I kishin miq, i kishin shokë të një ideali, të dashurit e zemrës, me ta kishin dalë malit për të luftuar, për t’i sjellë vendit lirinë. Me ta çmalleshin çdo ditë, tek i shikonin ashtu në bronz, u dukej se ishin gjallë.

A i shkruan ata Berishës, apo është e kotë, pasi Berisha ka punë të mëdha, po merret me historinë, me gjenocidin; me Zogun, me monarkinë, me qëllim që t’u kthejë  “shkëlqimin”që kanë patur, me shpresë se mos u kthehet mendja shqiptarëve dhe kërkojnë rivendosjen e saj dhe ai vetë të bëhet mbret. O bobo, çfarë mendimesh më vërtiten në kokë, po ai është demokrat, është republikan;  po atëhere ç’po kërkon të bëjë me Zogun, me Esat Pashën, e me të tjera figura të errëta, që përpiqet t’i  ngrejë në piedestal. Po vetë ai, ku do ta vendosë veten; edhe ai e do një vend në histori; ka ardhur koha që edhe për këtë të mendojë!

Po autori i veprës, artisti i madh Shaban Hadëri, kushedi ç’siklete ka hequr, ç’hall ka patur, kur ka parë veprën e vet, krijesën e vet, të hequr, të degdisur atje ku deshën pushtetarët “demokratë”, pa dinë e pa iman, siç thonë shkodranët. Kam lexuar ato ditë një intervistë të tij; shprehte, siç shprehen artistët, me një gjuhë të matur, të qytetëruar, gjithë hidhërimin, trishtimin, dhëmbjen, mosspajtimin me fatin e krijesës së vet; e kishte krijuar që të rrinte gjatë, shumë gjatë madje dhe për jetë, aty ku qe vendosur; si rregull veprat e mëdha të artit qëndrojnë aty ku vendosen, nuk lëvizen më, bëhen si të thuash banorë të përhershëm. Por ja që, jeta paska dhe përjashtime të çuditshme. Kjo me siguri e ka dërrmuar shpirtin e tij, shpirtin e një artisti të madh, të një njeriu të mirë; dhe kishte të drejtë; i qe hequr një pjesë e trupit, e mendjes, e shpirtit, e jetës së tij; pas këtij momenti mora vesh se shëndeti tij bëri teposhtë, deri sa ndërroi jetë, duke mbetur në sytë tanë, ashtu siç ishte, i vlersuar, i nderuar, i respektuar, nga njerëzit, nga shokët, nga miqtë, nga Shkodra e nga e gjithë Shqipëria, për jetën e  pastër, për botën e pasur e shpirtin e madh, prej artsiti të madh e njeriu të mirë, shumë të mirë, si heronjtë e vet, si vepra e vet. Pushtetarët shkojnë e vijnë, e nisin dhe e mbyllin karrierën e vet, dikush me nder e dikush me turp. Kurse ai, skulptori i madh, artisti i madh dhe vepra e tij nuk vdesin kurrë.

 

***

Shetis i vetëm në bulevardin e qytetit tim, mendoj e flas me veten, për kohët që kanë ardhur; ndryshimin e duan të gjithë, por jo në këtë mënyrë; akte të tilla nuk i dëshiron e nuk i miraton asnjeri. Gjuha thonë shkon atje ku dhëmb dhëmballa; edhe mua mendimi më shkon e më qëndron tek ata. Po me këta djem të rinj, ç’patën more aman; ata luftuan për lirinë e Shqipërisë dhe u vranë nga reaksioni, nga shërbëtorët e fashizmit. Aman more, më thoni, kështu të vdekur, kujt i prishnin punë, kujt ja prishnin qetësinë, ke linin pa gjumë, këtë nuk po e kuptoj dot.

Më sillet e më vërtitet mendja dhe më në fund mendimi më ndalet te Dritëro Agolli që i ndrittë shpirti në jetë të jetëve! Dhe a e dini përse? Për herë të parë, historinë e heronjve, aktin heroik të këtyre djemëve të rinj e kam mësuar nga një shkrim i Dritëroit, një shkrim plot frymëzim, plot dhimbje e përmallim, i botuar në Zërin e Popullit, rreth gjysmë shekulli më parë, në fundin e viteve 60-të a fillimi i viteve 70-të, në një përvjetor të vrasjes së tyre, më 21 gusht; sapo kisha mbaruar studimet dhe isha emëruar pedagog për të dhënë historinë e kësaj periudhe; ai shkrim nuk më harrohet e nuk më ndahet nga mendja, sidomos këto ditë kur ndiej dhimbje e trishtim. Dhe kam të drejtë. Ai shkrim, i shkruar nga një pendë e artë, i ngrinte në piedestal, siç e meritonin heronjtë, këta djem të rinj që, siç shkruante Dritëroi, ishin pjekur para kohe nga hallet e nga dertet e popullit, që vuante nën thundrën e pushtuesit fashist.

Por le të kthehemi edhe njëherë tek ajo ditë kur e pashë sheshin e Shkodrës pa pesë Heronjtë.

Ai shkrim i Dritëroit mua më ka mbetur në mendje dhe sot më duket sikur më ngushëllon, më qetëson.

Rrij e mendoj e them me vete:

Po ku je o Dritëro, a e shikon se ç’bëhet, se ç’kohë erdhën. Unë jam i sigurt se ti poeti i luftës për liri, poeti i idealeve të mëdha, i halleve të njerëzve, të njerëzve të thjeshtë, të njerëzve të varfër; ti poeti “rebel”që s’u pajtove kurrë me të keqen, me padrejtësinë, që u ngrite të luftoje kundër fashizmit, kur ishe i ri, fare i ri, si ata; ti që s`u pajtove as me të këqiat e diktaturës, por e as me këto të demokracisë, më mirë të them të palodemokracisë, që kemi sot; Jam i sigurt që ty të trishton dhuna, të trishtojnë akte të tilla dhune; ato ty të vrasin në shpirt. Ah të ishe të paktën dhjetë vjet më i ri, aq sa afërsisht jam unë sot; të ishe pa thinjat, pa vitet e takatin e rënduar që e shoqërojnë  jetën e njeriut të shkretë, do të ishe ngritur jo vetëm të shkruaje përsëri për ta, t`u qaje hallin,të kuvendoje me ta, si dikur, në vitet 70-të, por do të shkoje dhe në Shkodër, në Shkodrën që të do e të respekton shumë, do të shkoje me siguri dhe  në vendin ku i kanë degdisur heronjtë, per t’u çmallur me ta, për t`u vënë dhe një buqetë me lule të fresketa, këtë  përvjetor të vështirë për ta, por jo vetëm për ta, i dashur Dritëro, i madhi Dritëro, që të duan e të respektojnë njerëzit pa dallim, që krenohen me ty, me brezin tënd, brezin e idealeve të mëdha, e pse jo dhe realizimeve të mëdha, që demokratet po kërkojnë t`i perdhosin e t`i shkaterrojnë,sepse janë bërë nga komunistët(!),sikur këta nuk ishin bij të popullit. Fali o zot se nuk dinë ç’bëjnë, nuk kuptojnë se në to është derdhur gjaku, djersa, mundi dhe sakrificat e prindërve të tyre, njerëzve të thjeshtë, punëtorëve, fshatarëve, intelektualëve, gjithë popullit. Prandaj nuk do t’ia dalin t`i zhdukin e t’i shkatërrojnë. Zemërimi i popullit, por dhe durimi tij kanë një kufi, që do t`i detyrojnë t’i thërrasin mendjes, t’i kthehen arsyes. E keqja do të kalojë dhe njerëzit do të bëhen më të arsyeshëm,më të dashur,më të sjellshëm,me njeri tjetrin,me ata që rrojne e me ata që nuk janë më. Shpresoj,i dashur Dritëro,shpresa thonë vdes e fundit!

 

August 21, 2017 11:12
Komento

11 Komente

  1. Arben August 21, 15:37

    VRASESIT ME PAGESE TE UDB-SE DUHET

    TE JETE TITULLI

    EDHE NJEHERE

    VDEKJE KOMUNIZMIT

    VDEKJE SIGURIMIT TE SHTETIT

    SLLAVO-KOMUNIST

    Reply to this comment
  2. Mark uk August 21, 16:10

    Sh Gjecovi per dijeni ata u vran ne Vig dhe atje duhet te ishin vene qysh ne fillim.nAta u vran ne luften civile qe komunister e hapen.Ata nuk u vran ne luft me armikun,po ne luft mes shqiptarve.atje kishin shkuar per te hapur idet komuniste qe i kushtoj kti popull nga ai rregjim mijra te. Vran e mijra te burgosur politik.Ata qe u perpoqen te mos hapej kjo ide duhet nderuar.ti si fanatik i komunizmit shko e ban homazhe atje ku u vran se aty nuk ju takon te jen.Pse duhet te jet Isa boletini ne Shkoder kur vetem nje her ka kaluar ne ket qytet.Ne Mitrovic e ka vendin.

    Reply to this comment
  3. sabo August 21, 17:45

    Heqja e monumentit Herojt e vigut eshte nje nga poshtersit e shumta qe jane bere gjat sundimit te sali -jozefina demokratve

    Reply to this comment
    • Barbarosa August 22, 09:58

      Po, është poshtërsi, dhe autori i shkrimit e pasqyron këtë fakt me humanizëm, ndërgjegje qytetare dhe kombëtare e meriton respekt. Sabo e Mark uk nuk ia vlen të komentohen, shiko se si shkruajnë, as shqip nuk dinë të shkruajnë…….

      Reply to this comment
  4. Adi August 21, 20:12

    Lavdi Pese Dedhmoreve te Vigut , qe rane per clirimin e Shqiperise !
    Pergezime te zjarrta autorit te ketij shkrimi me shpirt atdhetari.
    Ky far Arben(udebashii) dhe Mark Uke
    (koketrashi) jane pjestar te bandes se Sllobodankes-Liri Berisha dhe asaj te Vicidolit qe drejtohet nga Sali Serbi, prandaj mos u vini re ketyre ndyresirave qe lehin e klithin si hienat ne xhungel per Beligradin dhe Cetinjen.

    Reply to this comment
  5. Agim Hadroj August 21, 21:23

    Vazhdo me daulle.

    Reply to this comment
  6. vera e nxehte August 21, 23:11

    Ky brez qe pushtetroi keto vite dhe ca kalamaj qe bejne sikur i dine te gjitha e varferuan shpirtin shqiptar deri ne mohim. Do kene per te ngrene e pire,per te bredhur me viza e pa viza, do ti kene te gjitha ato qe shpirti ti do por mendja nuk ti pranon per dinjitet dhe moral, do kene plot, por do terhiqen zvarre ne jeten e tyre pa e kuptuar se kush i terheq, ashtu si u terhoqen deshmoret qe nje pjese e ketyre te sotemve shkel me kembe mbi gjakun e tyre. Nuk ish e nevojshme te arrinim deri ketu. Akoma me mire do te kishim qene po te mos shkaterronim Shqiperine dhe shpirtin e saj, por hakmarrja qe bente sikur flinte dhe shikonte me njerin sy, duket qe e beri punen e saj ne bashkepunim dhe e stimuluar nga njerez brenda vendit qe i njohim te gjithe, por te tretur ne llumin e tradhetise. Pse kush eshte tradheti , te beshe vila ne Lalez? Apo konçensione ne Kongo?

    Reply to this comment
  7. Nje shqiptar August 22, 10:21

    Pese Herojt e Vigut, qe nuk ishin komuniste por atdhetare, u nisen drejt Miredites per te biseduar qe te mos behesh gjakederdhje dhe lufte ndermjet shqiptareve. Ata u nisen jo per te vrare por per te biseduar dhe sqaruar idealet e Luftes Nacional çlirimtare qe ishte lufte ndaj pushtuesve te huaj. Vrasja e tyre ne nje prite cubash dhe pa asnje paralajmerim, ishte nje poshtersi qe as vete mirditoret asnjehre nuk e pranuan.. Heroizmi i tyre, perpjekja e tyre per te dialoguar me vllezerit shqiptare qe mendonin ndryshe, sakrifica e tyre mbetet nje shembull per tu ndjekur ne historine tone kombetare.

    Reply to this comment
  8. Vladimir August 22, 20:49

    Kurresesi ata nuk duhet te qendrojne me tej aty ku i kane braktisur. Ata i bejne nder çdo qyteti shqiptar me aktin e madh qe kryen e qe na rreshtoi nga ana e fitimtareve te Lll boterore, ndryshe nuk dihet si do kishim perfunduar. Por edhe dalta e Shaban Haderit meriton nje vend mes nesh. ka aq drite, aq energji e shprese ne ate Grup.
    Ne se shkodranet nuk kane nje vend me te mire, une besoj se Tirana, Vlora, Korça, Fieri, Lezha, do te ishin te lumtur ta kishin atë Grup Skulpturor ne nje nga sheshet me te mira te tyre.

    Reply to this comment
  9. Boris Godunov August 22, 21:40

    .Djepi I kultures,qe nuk perkundet me,ose “perkundet” per faqe te zeze nga pushtetare te korruptuar,e ka bere shurren historikisht kunder rrjedhes dhe eshte lagur e bere qulle vete.Tani po vuan pasojat.Eshte per te ardhur keq,kur s’ka respekt per ata,qe kane dhene jeten per Atdhe dhe i tthuren lavde krimineleve,dhe hajduteve.

    Reply to this comment
  10. MH August 23, 13:35

    Populli i kuptoi dhe i nxorri per te dyten here 23 qershor 2013 dhe 25 qershor 2017 jasht pushtetit te mberthyer ne cader keto mbrojtes te kriminelave dhe tradhetarve te atdheut e te popullit.
    Demokracia erdhi per te injorue luften nacinal clirimtare dhe per te riabilituar llumin dhe plehun e parardhesve te Mark uk e sabo,tradhetare te atdheut.
    Reabilitimit i Zogut te kurves nga Mati,qe mbathi opingat dhe ia dha vrapit te mbante pushken ne gjoks te pakten per te mbrojtur mbretenin.I dekorimit te ballistave e diversanteve nuk mund te bahesh pa i degdisun heronjet e luftes.
    Keto u degdisen nga kopilica xhozefina dhe fendcuku i vicidolit.
    E ka per detyre qeveria e Rama 2 te vendosin ne vendin e rrespektuar,aty ku ishin shume te nderuar,qe na nderonin dhe neve,keto bij te popullit,keto filiza te Ri qe dhane jeten si me le per liri.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*