Robert Elsie dhe gjuha shqipe

January 5, 2018 11:01

Robert Elsie dhe gjuha shqipe

 

Robert Elsie i deshi shqiptarët dhe tokën e tyre, e deshi gjuhën e historinë e tyre, e deshi të shkruarën e të pashkruarën për ta, e deshi këngën e vajin e tyre, e deshi ndershmërinë e ashpërsinë e tyre. Për ta la pasuri të madhe e të paçmueshme kulturore, vlera e kuptimi i së cilës do të shumëfishohen nëpër kohë…

Prof. Shefkije Islamaj

Ndonëse në një intervistë të zhvilluar më 2008, botuar në gazetën “Shqip”[1] në pyetjen: “Shumë lexues do të ishin kuriozë të dinin si ndodhi që një anglez si ju, të bëhej një nga përkthyesit më të njohur të shqipes”, Robert Elsie do të përgjigjej ”Nuk e mendoja kurrë që shqipja do të bëhej pasioni im”, ai qysh herët ia kishte mësyrë Shqipërisë, me kureshtjen e një të posadiplomuari të shkëlqyer, me dëshirën e një të riu për të vëzhguar e gjurmuar dhe me pasionin e një studiuesi që ngarend pas të panjohurës.

Kur  Robert Elsie erdhi për herë të parë në Shqipëri më 1978[2] për qëllime studimore, ai ishte 27 vjeçar dhe e dinte gjuhën shqipe – e kishte mësuar në mënyrë autodidakte. Ky vit mund të konsiderohet si vit i fillimit të lidhjes së tij të përjetshme me shqiptarët, me gjuhën shqipe, me letërsinë, me historinë, me kulturën shqiptare. Ata që e kanë njohur asokohe thonë se që atëherë ai “fliste shqip me një fjalor jo shumë të pasur, por i shqiptonte shumë saktë të gjitha zanoret dhe bashkëtingëlloret e gjuhës sonë dhe nuk mund ta dalloje se cila ishte gjuha e tij amtare”.[3] Ai njihte mirë, pos gjuhës se tij amtare – gjermanishtes, edhe gjuhë të tjera si frëngjishten, keltishten, italishten, serbishten etj.

Nga ajo kohë e deri në tetor të këtij viti, kur Robert Elsie iku nga kjo jetë, janë mbushur 40 vjet. Këto 40 vjet Robert Elsie i ka mbushur me shumë përkushtim, zell, punë, pasion, mbi të gjitha me shumë dashuri për shqiptarët, për gjuhën e kulturën e tyre, për të shkuarën e të tashmen e tyre. Këtë më së miri e dëshmojnë veprat e tij të botuara në gjuhën shqipe, por më të shumtat në gjuhë të huaja, në anglishten; këtë e dëshmojnë numër i madh punimesh e artikujsh të botuar për çështje të ndryshme që lidhen me gjuhën shqipe, me letërsinë e shkruar e letërsinë gojore, me etnografinë, antropologjinë e mitologjinë, me figura e personalitete të botës shqiptare e të huaj, që janë marrë me gjuhën, me historinë dhe kulturën shqiptare; e dëshmojnë gjurmimet e zbulimet për të kaluarën e jetës shpirtërore e materiale të shqiptarëve. Gjuha shqipe e kultura shqiptare, e them me siguri të plotë, nuk kanë pasur misionar më të mirë për t’ia paraqitur ato botës me aq përkushtim e me aq vërtetësi.

Që nga botimi i Fjalorit të letërsisë shqipe (Dictionary of Albanian literature), më 1986, e deri te Alfabetet e shqipes: të huazuar dhe të krijuar, më 2017, vepra e tij e fundit, ai  botoi më  se 60 vepra, fushash të ndryshme filologjike, përkatësisht albanologjike. Ndër këto vepra, më të shumtat janë nga fusha e letërsisë, letërsisë gojore, antropologjisë, historisë e të kulturës shqiptar, por interesimi i tij nuk ka munguar as për gjuhën shqipe e dialektet e saj dhe as për historinë e të tashmen e saj. Edhe pse numri i shkrimeve të tij me karakter gjuhësor nuk është i madh, ato shquajnë si me temat e trajtuara ashtu edhe me shumësinë e të dhënave të reja që sjellin. Ato janë botuar kryesisht në periodikun shkencor në Londër, Nju Jork, Berlin, Mynih, Gëtingen, Birmingen, por edhe në Tiranë, Prishtinë e gjetiu.

Mund të thuhet se në të shumtën e herës trajtesat e tij me tematikë gjuhësore kanë karakter kritik, zbulues, shpjegues dhe problematizues. Këto shkrime shquhen me veçanësinë dhe origjinalitetin e tyre dhe, sidomos, me argumentimin bindës, të saktë e të pasur me të dhëna të nevojshme dëshmuese. Shquajmë ndër to këto shkrime: Dorëshkrimi Elbasanas i ungjijve 1761 dhe lufta për krijimin e një alfabeti shqiptar[4]; Letërsia shqipe në dorëshkrimet greke: tradita ortodokse në shekullin tetëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit nëntëmbëdhjetë në shkrimet shqipe[5]; Një vjedhje në Dubrovnik dhe dalja në skenë e gjuhës dhe kulturës shqiptare[6]; Të dhëna të hershme të ekzistencës së gjuhës shqipe[7]; Leksiku shqip i Evlija Çelebiut i vitit 1662 dhe ç’duhet të dijë dervishi shtegtar[8], Fjalorthi i Arnold Von Harfit 1497[9]; Fati i Gjon Buzukut[10], etj.

Në kontekstin e asaj që u tha më sipër dhe duke marrë parasysh tematikën e këtyre trajtesave gjuhësore, karakterin dhe akribinë shkencore, mund të bëhet një përcaktim i përafërt se cili është kontributi i Robert Elsie-t në fushën studimeve gjuhësore. Ja çka krejt e përbën atë kontribut të tij studimor:

  1. zbulim dhe aktualizim i gjetjeve të tij të reja për të dokumentuar lashtësinë e gjuhës shqipe, historinë e shkrimit shqip dhe të alfabeteve të tij, gjithnjë të vështruara në raport me kontekstin kohor e hapësinor, natyrisht fryt ky i ngulmimit të tij për të gjurmuar nëpër arkivat e shteteve evropiane e më gjerë, sidomos në dosjet e albanologëve më të mëdhenj joshqiptarë, që janë marrë me shqipen dhe me historinë e saj;
  2. rivështrim, shpesh edhe plotësim dhe riinterpretim i studimeve të albanologëve vendës dhe të huaj për të dhëna e dukuri të shqipes. Jo rrallë Robert Elsie e ka zbuluar arsyen dhe qëllimin e shkrimeve këtyre shkrimeve të tij: “Mua më intrigon mënyra e saktë sesi të huajt e kanë studiuar Shqipërinë”[11].
  3. rimarrje e rivështrim i dokumenteve të para të gjuhës shqipe e i veprës së Buzukut dhe në këtë kontekst më e rëndësishmja që spikat është  përpjekja e tij për ta lëvizur kufirin më tej të shkrimit të shqipes, së paku tre shekuj para tyre, duke sjellë të dhëna të reja të shekujve 11, 13, 14, të cilat dëshmojnë se “kur hyjnë shqiptarët në skenë të historisë së shkruar pasklasike”[12]; dhe
  4. 4. vështrime e vëzhgime mbi gjuhën shqipe, historinë dhe të sotmen e saj, si dhe klasifikim e regjistrim zanor i të folmeve shqipe nga një areal i gjerë gjeografik -gjuhësor.

Pavarësisht se në këto trajtesa për gjuhën shqipe mund të gjenden edhe çështje të diskutueshme nga ana shkencore, çështje të cilat nuk janë argumentuar mjaftueshëm, çështje për të cilat gjuhësia shqiptare tashmë ka dhënë përgjigje meritore shkencore ose, më fund, edhe mendime me të cilat ose pajtohemi vështirë ose nuk na pëlqejnë, ato janë kontribut i vlefshëm dhënë albanologjisë gjuhësore.

Në këtë vështrim të shkurtër rasti vlen të themi edhe pak fjalë lidhur me një shkrim të studiuesit Robert Elsie me karakter zbulues për gjuhën shqipe. Fjala është për shkrimin e titulluar Zëri i parë shqip – Mbi incizimin e parë të gjuhës shqipe nga Norbert Jokli[13], në të cilin ai na sjell zbulimin e tij të incizimit të parë të shqipes së folur. Ky zbulim është dëshmi e rëndësishme historike për albanologjinë. Incizimi i zbuluar konsiderohet deri tash më i vjetri, ruhet në Arkivin e Austrisë dhe mban datën 1914. Në këtë shkrim Robert Elsie jep të dhëna për motivet e realizimit të këtij incizimi nga ana e Norbert Joklit, për kontekstin e realizimit, subjektin folës dhe për dëshmi të tjera të rëndësishme rreth tij.

Po, kështu me këtë rast, e konsideroj të rëndësishëm vlerësimin për faqen e tij zyrtare të internetit, në të cilën Robert Elsie, derisa i ka mbyllur sytë, ka publikuar materiale të rëndësishme, të shumta e të larmishme, pos për letërsinë, historinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi, edhe për gjuhën shqipe, si: tekste, vështrime, kritika, intervista, referenca shkencore – të gjitha këto të paraqitura e të strukturuara në mënyrë shumë profesionale, në gjuhët shqipe, angleze dhe gjermane. E konsideroj më të çmueshmen në këtë platformë digjitale faqen kushtuar gjuhës shqipe[14], e cila është e ndarë në tri njësi: e para, Gjuha shqipe, në të cilën përshkruhet gjuha e sotme shqipe nga aspekti përmbajtjesor e strukturor, nga aspekti historik (prejardhja dhe zhvillimi i saj) e nga aspekti gjeografik (shtrirja e saj – ku flitet krejt ajo etj.); e dyta, Dialektet, në të cilën jepen të dhëna shkencore mbi dy dialektet e nëndialektet e shqipes, si dhe të folmet kalimtare; dhe brenda kësaj faqeje më i rëndësishmi mendoj se është projekti i tij i fundit – studimi për larmitë gjuhësore të gjuhës shqipe, përkatësisht për variantet e saj, me të cilin projekt dokumenton shqipen e folur të kohës sonë, të konkretizuar përmes përafërsisht 147 incizimeve zanore të realizuara: në Shqipëri 75 incizime zanore, në Kosovë 34, në Maqedoni 26 dhe në Mal të Zi 12 incizime, por edhe jashtë trojeve shqiptare, në shtete ku jetojnë shqiptarë, në Itali, Bullgari, Turqi, Greqi, Kroaci, Ukrainë[15] etj., që publikohen në këtë uebsajt. Incizimet janë kryer në rrethin kohor 2008-2009, kurse subjektet folëse janë moshash të ndryshme.

Kjo lëndë gjuhësore e incizuar mund të shfrytëzohet me lehtësi në sajë të hartave të paraqitura për të gjitha trojet ku flitet shqip dhe nga ku janë marrë subjektet që mund të dëgjohen me një klikim në pikën gjuhësore që na intereson. Hartat shoqërohen edhe me të dhëna të plota për subjektet folëse, identitetin, moshën, zonën, dialektin, fenë e të dhëna të tjera. Si i tillë ky projekt, i shfrytëzueshëm prej gjithsecilit prej nesh në mënyrë lehtësisht, pa dyshim, se ka rëndësi të madhe jo vetëm për dialektologët, por edhe për studiues e të interesuar të tjerë për gjuhën shqipe. Ky projekt në të vërtetë dokumenton dhe përjetëson variantet dialektore të regjistruara nga Robert Elsie.

Kontributi i fundit dhënë gjuhës shqipe është vepra e tij Alfabetet shqipe: të huazuar dhe të krijuar[16], botuar së fundi, në të cilin jep historikun e alfabeteve të shqipes në periudhën 1750-1850. Sipas Robert Elsie-t, para Kongresit të Manastirit ku u vendos përfundimisht çështja e alfabetit të shqipes, gjuha shqipe është shkruar në më shumë se dhjetë alfabete, kryesisht alfabete të adaptuara nga ato latine, greke, arabe dhe cirilike. Sipas tij, kjo periudhë konsiderohet shumë e pasur e shkrimit të shqipes dhe shquhet me përpjekje të madhe të intelektualëve shqiptarë për një alfabet të përbashkët. Fryt i kësaj përpjekjeje janë edhe disa alfabete origjinale, ndër të cilët si më të njohurit përmend alfabetin me të cilën u shkrua “Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve”, alfabetin e Dhaskal Todrit dhe atë të Teodor Haxhifilipit nga Elbasanit dhe ndër më kryesorët atë të Naum Veqilharxhit. Kjo vepër e Robert Elsie-t është kontribut i dhënë drejtpërdrejt historikut të shkrimit të shqipes në një periudhë të ndriçuar pak.

Edhe në fushën e leksikografisë tematike, kontributi i Robert Elsie-it është i hetueshëm. Ai ka botuar fjalorët: Fjalor i fesë, mitologjisë dhe kulturës popullore[17], në anglishte dhe Leksiku i kulturës popullore[18], në gjuhën shqipe. Baza e këtyre dy fjalorëve tematikë, si e thotë vetë autori në Parathënien e tij, janë besimet, përfshirë këtu figurat e mitologjisë shqiptare, të besimeve fetare, të festave kalendarike, të ritualeve e të besëtytnive popullore, me doket e zakonet popullore, me etnografinë popullore, deri edhe me doket gjinore, me gjakmarrjen e institucionet e së drejtës dokesore shqiptare. Thënë shkurt në këta fjalorë paraqitet pasuri gjuhësore, etnografike, mitologjike, filozofike, folklorike e antropologjike. Sa i përket kësaj pasurie, për Elsie-n Shqipëria është “muze i gjallë i së kaluarës.”[19]

Robert Elsie jo me shumë dëshirë ka biseduar me gazetarë, prandaj nuk është i madh numri i intervistave të zhvilluara me ta. Në intervistat e tij, në të shumtën e rasteve të zhvilluara me shkas, nga gazetarët nuk janë shmangur edhe pyetje që lidhen me shqipen e sotme standarde, me vlefshmërinë e standardit të saj, me debatet kundërshtuese të zhvilluara në tre dhjetëvjetëshat e fundit në Kosovë e Shqipëri. Kurdoherë ai ka mbajtur qëndrimin që pritet gjithmonë prej një të huaji, që është dëshmuar me punën e tij si dashamirës i madh i pasurisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve. Kështu në një intervistë televizive të zhvilluar më 2014[20] në pyetjen e gazetares se ç’mendim kishte për përplasjet e mendimeve lidhur me rishikimin e Kongresit të Drejtshkrimit, ai do të përgjigjet: “Kjo është punë e shqiptarëve që të vendosin për gjuhën e tyre. Kuptoj që zhvillimi historik ka çuar që toskërishtja të sundonte pak më shumë në një kohë kur shumica ishin gegë dhe kjo krijon sot një problem, por gjithsesi gjuha standarde ekziston dhe duhet për një komunikim të përbashkët, por në fund është puna e shqiptarëve që të vendosin se si ta konkretizojnë këtë gjuhë.”

Po kështu, në një intervistë tjetër të zhvilluar më 2016[21], në një pyetje të ngjashme si ajo e sipërdhënë, ai do të përgjigjet njëjtë: “Më pyesin shpesh për këtë gjë, por unë s’kam mendim. Mendoj se është punë e shqiptarëve të vendosin për gjuhën e tyre.”[22] Mendoj se ky mendim i tij, i shprehur aq herë sa është pyetur për këtë çështje, pa dyshim, i drejtë, asnjanës, tregon se ai ka qenë i ndërgjegjshëm se çështjet madhore siç është edhe ajo e një gjuhe të përbashkët për një popull historik siç janë shqiptarët është plotësisht çështje që u takon atyre. Dhe ata, pra shqiptarët, këtu e 45 vjet më parë e kanë thanë Ponë e tyre të madhe për një gjuhë të përbashkët për gjithë shqiptarët kudo janë. I kanë thënë Po – gjuhës standarde shqipe dhe të ardhmes së tyre gjuhësore dhe kombëtare.

Po e përmbyll këtë shkrim të shkurtër për kontributin e Robert Elsie-t dhënë gjuhës shqipe e ndërgjegjshme se me të nuk i dilet hakut autorit, sepse kontributi i tij është shume më i madh se kaq sa u tha.

Robert Elsie i deshi shqiptarët dhe tokën e tyre, e deshi gjuhën e historinë e tyre, e deshi të shkruarën e të pashkruarën për ta, e deshi këngën e vajin e tyre, e deshi ndershmërinë e ashpërsinë e tyre. Për ta la pasuri të madhe e të paçmueshme kulturore, vlera e kuptimi i së cilës do të shumëfishohen nëpër kohë.

Jam e bindur se ai ka marrë më vete edhe shumë nga ato që kish për të na i dhënë e për të na i thënë. Albanologjia është varfëruar pa një studiues të mençur, të ditur e të përkorë dhe pa një dashamirës fisnik e të rrallë të gjuhës shqipe e të folësve të saj.

 

[1]Robert Elsie: Nuk e mendoja kurrë që shqipja do të bëhej pasioni im, intervistë e zhvilluar me Alda Bardhylin, gazeta “Shqip”, Tiranë, 2008.

[2] Data 1978 e ardhjes së tij për herë parë në Shqipëri, si dhe detaje të tjera biografike, vetë Robert Elsie i ka folur a rrëfyer në intervistat e tij.

[3] Thanas Gjika, Përmbushet amaneti, Robert Elsie prehet në Theth me kostum popullor, gazeta “Panorama”, Tiranë, 17.10.2017.

 [4] Dorëshkrimi elbasanas i ungjijve, 1761, dhe lufta për krijimin e një alfabeti shqiptar, “Studime” 1, Prishtinë, 1994, f. 125-139.

[5]Albanian literature in Greek script. The eighteenth and early nineteenth century Orthodox tradition in Albanian writing, “Byzantine and Modern Greek Studies” 15, Birmingem, 1991, f. 20-34.

[6] Një vjedhje në Dubrovnik dhe dalja në skenë e gjuhës dhe e kulturës shqiptare, “Përpjekja” 6, Tiranë, 1996, f.  88-92; “Rilindja”, Prishtina, 26.7.1999, f. 9.

[7]Të dhëna të hershme për ekzistencën e gjuhës shqipe, “Tempulli” 2, Korçë, 2000, f. 19-24.

[8] Leksiku shqip i Evlija Çelebiut i vitit 1662 dhe ç’duhet të dijë dervishi shtegtar, “Studime” 4, Prishtinë, 1997, f. 239-249; “Bota shqiptare” 67, Romë, gusht, 2002, f. 10-11.

[9] The Albanian lexicon of Arnold von Harff, 1497, “Zeitschrift für Vergleichende Sprachforschung” 97, Getingen, 1984, f. 113-122.

[10] Fati i Gjon Buzukut, gazeta ,“Shekulli”, Tirana, 14 .6.2006, f. 18-19.

[11] Intervistë,  Robert Elsie: Lef  Nosi se kishte të dashur Margaret Hasluck, zhvilluar me Dhurata Hamzain, gazeta Shqiptarja.com, Tiranë, 12, 11. 2015.

[12] Një vjedhje në Dubrovnik dhe dalja në skenë e gjuhës dhe e kulturës shqiptare, “Përpjekja” 6, Tiranë, 1996, f.  88-92.

[13] Zëri i parë shqip. Mbi incizimin e parë e gjuhës shqipe nga Norbert Jokli,  Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 19, Prishtinë, 2001.

[14] www.elsie.de

[15] Robert Elsie, Shqipëria dhe shqiptarët, intervistë me Anisa Ymerin, në News24, Tiranë, 1.4.2016.

[16]Albanian Alphabets: Borrowed and Invented Albanian Studies, Vol. 35, Centre for Albanian Studies, London, 2017, 117 pp.

[17] Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture (Fjalor i fesë, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare), Londër, 2001.

[18] Leksiku i kulturës popullore shqiptare (shqipëroi Abdurrahim Myftiu), “Skanderbeg Books. 2005,  Tiranë, f. 282 .

[19] Po aty, Parathënia e Robert Elsie-t.

[20] Robert Elsie – Shqipëria dhe Kosova, intervistë e zhvilluar me Rudina Xhungën për televizion Top Channel, Tiranë, shkurt 2014, e botuar me titullin Robert Elsie në një rrëfim të bukur, me rastin e vdekjes së tij në Dritare.net më 23 prill në Ditën Ndërkombëtare të Librit.

[21] Intervistë e zhvilluar me Anisa Ymerin për emisionin “Tempull”, të televizionit News24, Tiranë, prill 2016; botuar edhe në gazetën “Tema” me titullin Robert Elsie: Shqiptarët nuk kanë ende një histori, por vetëm parulla, 6.4.2016.

[22] Po aty, “Ymeri:  E meqë jemi tek gjuha, s’mund mos t’ju pyes…pas vitit 1990 së paku, diskutohet shumë për standardin; diskutime për procesin e asaj që ndodhi; për ndryshime që duhet të pësojë sot…po mendimi juaj cili është?

Elsie:  Më pyesin shpesh për këtë gjë, por unë s’kam mendim. Mendoj se është punë e shqiptarëve të vendosin për gjuhën e tyre.

Ymeri:  Po si përdorues i shqipes?

Elsie: Si përdorues kam mësuar gjuhën letrare, kam mësuar të kuptoj edhe gegnisht dhe variante të ndryshme…por të tjerat janë çështje e shqiptarëve, nëse krijohet një variant i dytë gegnisht, si standard i dytë. Natyrisht më duhet të them se ka një avantazh të ketë një gjuhë të përbashkët për të gjithë, që respektohet nga të gjithë për shkrimin, për televizionin, për mediat. Është më lehtë kështu. Por e kuptoj që shumë njerëz, shumë gegë janë të pakënaqur sepse gjuha e tyre është shumë larg standardit dhe e kanë të vështirë të shkruajnë në standard dhe të komunikojnë; të detyrohen të komunikojnë në shqipen standarde. Këtë e kuptoj shumë mirë.

Ymeri:  E kuptoni, e mirëkuptoni? E përligjni pakënaqësinë e tyre?

Elsie:  Po, po! E kuptoj por s’di nëse është një zgjidhje krijimi i një standardi tjetër nga ky që keni. P.sh. Të krijohet një standard geg në Kosovë, nuk besoj që ju hyn në punë shqiptarëve!”

 

January 5, 2018 11:01
Komento

4 Komente

  1. demo January 5, 11:46

    Kontributi i tij eshte i pacmuar.Kjo thenie:Te krijohet nje standart gege ne Kosove,nuk di a i hyn ne pune shqiptareve,eshte lapidare.Jo vetem ne Kosove,por edhe ne Shkoder,Elbasan,Kukes etj.Jemi mesuar te shembim kollaj cfare kemi ndertuar,dhe pastaj rrime e qajme,si e beme kete!Qajme industrine,naften USHTRINE,BONIFIKIMIN,kanalet kulluese,hidrovoret,kur na ze nje luge shi dhe permbytemi.I shkaterruam te tera dhe rrime te gjejme se kush na tha?Duam te shkaterrojme edhe arritjen me te madhe NJEHSUESE TE KOMBIT SHQIPTAR-Gjuhen letrare Kombetare.Pse?Sepse keshtu thote nje karajfil taspasha,nje delirant i semure,nje llafollog prestigjator,qe mahnitet para pasqyres me derdellitjet shkodranishte,qe quhet Primo Shllaku.Nje sociopat delirant nga Lugu i Zi i Tropojes e degjuam dhe i shkaterruam te tera,hajde te degjojme edhe kete pacientin nga Shkodra!

    Reply to this comment
    • KORÇARI January 5, 16:38

      Demo, jam 100% dakord me the.
      Sa për Z.ROBERT ELSIE është një figurë shumë e nderuar dhe ndoshta një nga Albanologët më të pasionuar .
      Rrespekt pa fund për këtë gjigant. U PREFTË NË PAQE, QOFTË I LEHTË DHEU SHQIPTAR QË E MBULON !!

      Reply to this comment
  2. demo January 5, 17:17

    Korcari,respekte per komentin,por me duket se per z. Robert Elsie kam shkruar :Kontributi i tij eshte i pacmuar..etj.Kusuri eshte per te tjeret.Edhe nje saktesim dua te bej per zonjen autore te shkrimit:Robert Elsie eshte kanadez me origjine gjermane.

    Reply to this comment
  3. Luftulla Peza May 9, 09:20

    Më vjen shumë keq, që nuk u takova asnjë herë me Robert Elsin. Vetëm një herë kam shprehur kundërshtinë time lidhur me mënyrën se si Robert Elsi shprehte qëndrimn e tij lidhur me problemin pellazgjik dhe lidhjen me gjuhën shqpe dhe shqiptarët. Ai ishte kategorik kundra. Por pavarësisht kësaj, që ai nuk arriti ta kuptoi të vërtetën, Elsi ka dhënë kontribut të madh për gjuhën dhe kulturën tonë dhe plotësisht përputhem me prof. Shefkie Islamaj. Plus të gjitha këtyre mendoj se Elsi ka edhe kontributin e ndërtimit të një biblioteke të madhe, rreth dy ton libra, siç e ka thënë ai vetë, dhe këto janë libra e literaturë mbi gjuhën shqipe dhe shqiptarët. Kjo shpreh dashurinë e tij të madhe për gjuhën dhe shqiptarët. Mendoj shteti shqiptar duhet të interesohet ta tërheqë atë bibliotekë, ta bjerë në Shqipëri dhe ta vendosë në institutin Robert Elsi, që duhet të ngrihet sa më shpejt. Me qenë që Elsie e deshi prehjen e tij në Theth, do të ishte mirë Instituti Robert Elsi të ngrihej në Shkodër. Ky është vlerësim i madh jo vetëm për Robert Elsin, por edhe për kulturën dhe gjuhën tonë.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim