Robert Wilton: Vlerat e parimet e diplomacisë, të ngjashme me Kanunin shqiptar

June 28, 2017 20:58

Robert Wilton: Vlerat e parimet e diplomacisë, të ngjashme me Kanunin shqiptar

Shqiptarëve, në shenjë mirënjohjeje për mikpritjen e përhershme dhe për shpresën se ata mund t’u shpëtojnë trillimeve historike”. Shënohet ky kushtim në faqen e parë të romanit të Robert Wilton mbi agjentët e Luftës së Parë Botërore. Britaniku, zëvendëskryetari i Prezencës së OSCE në Shqipëri, veçse si diplomat njihet edhe si shkrimtar. Flet shqip me theksin e Kosovës ku ka punuar për një kohë të gjatë, shkruan prozë e përkthen poezi. Migjeni, qe ndër të fundmit poetë që folën anglisht prej tij.
28 qershori shënon përvjetorin e atentatit ndaj Franz Ferdinandit, çka çoi në nisjen e Luftës së Parë Botërore. Kjo ngjarje, është bërë pikënisja për romanin triller të Wilton nën titullin “Merimanga e Sarajevës”.
“TEPËR URGJENT. SERIOZE… AGJENTËT… NEPTU OLIDEIT… ALTEMARK MINOS DËM… TË GJITHË DUHET T’I RAPORTOJNË AMBASADËS. Ky mesazh i çuditshëm, i transmetuar në qershor të vitit 1914, mund të ketë ndryshuar rrjedhën e Luftës së Parë Botërore – më parë se ajo të fillonte”, – thotë Wilton.
“Është 28 qershori i vitit 1914. Por cili qe roli i agjenturave sekrete të Fuqive të Mëdha në këtë ngjarje, që çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore? Ç’fat i priste agjentët që vepruan në Ballkan në këtë periudhë? Çfarë zbuluan ata në kancelaritë e kryeqyteteve të këtyre vendeve, cilat qenë konfliktet, kush i nxiste dhe si krijoheshin opinionet për zhvillimet e ngjarjeve në këto territore në atë periudhë? Përmes historisë së tyre, autori do të na bëjë të përjetojmë një Shqipëri, Bosnjë, Serbi dhe Europë në prag të Luftës së Parë Botërore.
E pyes Wilton se si del Shqipëria në këtë rrjetë merimange.
“Romani formalisht u është kushtuar shqiptarëve, për shkak të mikpritjes që unë vetë kam marrë nga ata”, – thotë ai për “GSH”. Shpjegon më tej se “Shqipëria prezantohet në disa mënyra, në vitin 1914: – në Durrës ka shumë komplote ndërkombëtare ndërsa në fshatra ka një jetë ma tradicionale, ma fisnike, por edhe me dhunë dhe një emocion ma të drejtpërdrejt”.
Imazhi i Shqipërisë së kohës, shfaqet në disa përmasa. “Ka një fije të romanit që merret me një rrëfim mbi hakmarrjen”, – shton ai për “GSH”.
Ajo çka duket se e bën më të veçantë librin e botuar nga “Toena” është edhe një krahasim i yni me diplomacinë dhe me gjuhën e saj. “Romani ka një temë, sipas të cilës, vlerat dhe parimet e diplomacisë, duken në fund të fundit të ngjashme me kanunin shqiptar”, – vëren Wilton.
Në libër, ka një njeri që lëviz të gjitha fijet e agjenturës angleze, e megjithëkëtë, Wilton thotë se “loja e dialogut dhe e emocioneve, natyrisht është fryt i përfytyrimit tim, në përputhje me datën e saktë dhe, shpresoj, më tepër në përpjekjen për të ndriçuar sesa për të shtrembëruar atë që ka ndodhur. Nëse letrarizimi im i këtyre elementeve të rastësishme i frymëzon lexuesit të hetojë edhe vetë mbi faktet, atëherë kjo është një gjë shumë e mirë”.
Një pistoletë e përdorur gjatë vrasjes së Franz Ferdinandit të Austrisë, më 28 qershor 1914 në Sarajevë, uniforma e kalorësisë që mbante atë ditë veshur trashëgimtari janë ekspozuar në një muze të historisë ushtarake në Vjenë, por 103 vite më pas kureshtja për të ditur më shumë mbi rrethanat që nxitën luftën janë ende të mëdha.

SFONDI I ROMANIT
Europë, viti 1914.
Koha kur Fuqitë e Mëdha janë në garë me njëra-tjetrën për rritjen e influencave të tyre të çdo lloji në botë, por sidomos në Ballkan.
Agjentët sekretë të këtyre vendeve veprojnë në terren, të kamufluar nën petkun e arkeologut, arkitektit, historianit apo sipërmarrësit, dhe përpiqen me të gjitha mënyrat për të zbuluar lojën e kundërshtarëve.
Pikërisht në këtë periudhë, byroja e njohur si më sekrete dhe më e respektuar e të gjitha byrove të spiunazhit botëror, me emrin Drejtoria e Përgjithshme për Hetim dhe Shqyrtim e Britanisë së Madhe, merr përsipër të hetojë nga afër një problem kyç për atë vetë.
Burri i vjetër – njeriu që lëvizte në prapaskenë të gjitha fijet e agjenturës angleze të spiunazhit të asaj kohe – organizon misionin e katër agjentëve të tij në Ballkan dhe në vende të tjera të Europës. Nëpërmjet këtij misioni përpiqet të kuptojë lojën e Merimangës – kundërshtarit të tij më të fortë dhe me ndikim të madh në Berlin, Vjenë dhe në Ballkan. Ndërkohë që ky mision ende vazhdonte veprimtarinë e vet, një ngjarje e rëndë trondit botën: në Sarajevë, në kryeqytetin e Bosnjës, vritet arkiduka Franz Ferdinandi, princi trashëgimtar i Perandorisë Austro-Hungareze së bashku me të shoqen, nga serbë të lidhur me Shërbimin Sekret Ushtarak të Beogradit.
MES LETRAVE DHE SHKRESAVE
Përkthyesi i Migjenit në anglisht, pati recituar javë më parë poezinë “Nën Flamujt e Melankolisë” të Migjenit, a “Kristalin” e Kadaresë. Qe atëkohë që e pagëzuan si Lord Bajroni i ri. Diplomati Robert Wilton është shkrimtar, përkthyes i poezisë shqipe në gjuhën angleze dhe bashkëthemelues i shoqatës bamirëse “The Ideas Partnership” në Kosovë. Ai ka punuar në sektorë të ndryshëm të qeverisë britanike, duke përfshirë edhe detyrën si Sekretar Privat i tre Sekretarëve të Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Mbrojtjen. Ka qenë këshilltar i Kryeministrit të Kosovës në periudhën e luftës për pavarësi e më pas ka punuar si drejtor i Zyrës Ndërkombëtare të Monitorimit dhe të Këshillimit për Qeverinë e Kosovës. Sot punon në Tiranë, në detyrën e zëvendësambasadorit të OSBE-së. Robert Wilton është i njohur për një numër romanësh të ciklit ‘Drejtoria e Përgjithshme’ (The Comptrollerate-General): Merimanga e Sarajevës (The Spider of Sarajevo), ‘Fusha e tradhtarit’ (Traitor’s Field), ‘Batica e tradhtisë’ (Treason’s Tide). Është vlerësuar nga ‘Historical Writer’s Association, me çmimin ‘Goldsboro Crown’ për romanin historik më të mirë debutues.

 

June 28, 2017 20:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*