Roli i Greqisë nuk duhet nënvlerësuar

October 31, 2016 15:22

Roli i Greqisë nuk duhet nënvlerësuar

Një sërë deklaratash të Athinës zyrtare, ndaj Shqipërisë janë përforcuar kohët e fundit. Deklarata e fundit e publikuar nga ministria e Jashtme e Greqisë, që prek një problematikë të lokalizuar në zonën e Himarës, e ka inkuadruar edhe këtë situatë, në kuadrin e politikave të BE-së. Pra, jo thjesht në optikën e marrëdhënieve dypalëshe dhe atyre të fqinjësisë, por si problematika që prekin vetë legjislacionin e Unionit dhe detyrimin për zbatim të kritereve të Kopenhagenit.

“Mbrojtja e të drejtave të pronës si dhe të drejtave të minoritetit përbën një pjesë të pandarë të pesë kushteve, që ka vendosur BE për fillimin e negociatave integruese të Shqipërisë në familjen evropiane. (…) Ndaj, nëse Shqipëria dëshiron sinqerisht të integrohet në BE, do të duhet të provojë me vepra se, funksionon si shtet i së drejtës, duke mbrojtur nga arbitrariteti dhe veprimet e paligjshme të drejtat e gjithë banorëve të saj, pavarësisht prejardhjes së tyre kombëtare”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme të Greqisë.

Diplomacia greke është treguar mjaft efikase në realizimin e objektivave kombëtarë, ndaj fqinjëve. Ky efikasitet, ka çuar jo vetëm në paralizimin e perspektivës evropiane të këtyre vendeve, por edhe në bllokimin e politikave të zgjerimit në BE. Fuqia e vetos greke, ka arritur jo vetëm të krijojë instrumente të rëndësishëm për frenimin e zgjerimit, por ka arritur t’i imponohet Brukselit edhe për shpërfillje të bazës ligjore, që vjen nga juridiksionet ndërkombëtare. Por, a do të shkojë diplomacia e Athinës, drejt zgjedhjes së kartës bllokuese për integrimin e Shqipërisë në BE ?

E konsideruar si djep i civilizimit, por edhe me tipologjinë tashmë të konfirmuar të një “fëmije të përkëdhelur” nga Unioni, Greqia ka imponuar me sukses axhendën e saj kombëtare përballë fqinjëve.

Zgjerimi i BE-së, në vitin 2004 ndaj vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, u kërcënua seriozisht nga qeveria e Athinës, se do t’i vihej veto, në rast se Qipro greke nuk anëtarësohet në BE. Ndonëse synohej që përpara anëtarësimit, të arrihej objektivi i një bashkimi mes dy pjesëve të ishullit, nën planin e ish Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, Qipro greke arriti përmes presionit të qeverisë së Athinës të anëtarësohej në BE, duke shpërfillur planin. Por, kërcënimi i Athinës për veto, jo vetëm që frenoi Unionin duke i hapur rrugën diplomacisë greke, por krijoi edhe një mekanizëm të fuqishëm bllokimi, pasi Qipro greke po përdorej tashmë si instrument për bllokimin e vazhdueshëm të perspektivës evropiane të Turqisë. Pas bllokimit të vazhdueshëm që Qipro greke i bën rrugës evropiane të Turqisë, është edhe mbështetja e Athinës zyrtare.

Diplomacia greke është shfaqur gjithashtu shumë e suksesshme në bllokimin 11-vjeçar të Maqedonisë. Axhenda e saj ndaj Maqedonisë është imponuar me sukses në Bruksel, duke u futur gradualisht si një instrument detyrues, nën kriterin e “fqinjësisë së mirë”. Suksesi i saj, shtrihet jo vetëm ndaj shndërrimit të këtij interesi kombëtar në një instrument bllokues në BE, që figuron thuajse në çdo konkluzion fundviti nga Këshilli, por ka arritur që t’i imponohet Brukselit në shpërfillje të legjislacionit, që krijon fryma e vendimeve të juridiksionit ndërkombëtar. Vendimi i Gjykatës së Hagës në favor të Maqedonisë, jo vetëm që nuk është konsideruar aspak nga Unioni, si një frymëzim juridik për zhbllokimin e situatës, por përkundrazi është injoruar tërësisht.

Hapësira për bllokim e integrimit evropian është krijuar përgjatë zgjerimeve të fundit (2004). Ishin dy elementë të rinj, që solli procesi i zgjerimit: ndihma financiare me kushtëzim të përforcuar dhe verifikimi i implementimit, apo i zbatimit të kuadrit ligjor të BE-së. Pra, nëse përgjatë zgjerimeve të mëparshme, kushti i caktuar ishte thjesht zbatimi i kuadrit ligjor të BE-së, duke theksuar detyrimin që ka vendi kandidat për aplikimin e tij dhe në rast mos zbatimi, institucioni ankimues ishte gjykata, tashmë rregullat e lojës ndryshuan.

Kriteri shtesë, u vendos të jetë verifikimi i këtij implementimi.

Pra, nëse një shtet apo disa shtete, pretendojnë se një pjesë e kuadrit ligjor të BE-së, (si p.sh, kriteri i fqinjësisë së mirë, apo i marrëdhënieve dypalëshe) nuk është aplikuar sipas standardeve të kërkuara, ato shkaktojnë bllokim të kandidaturave për periudha të pacaktuara kohore.

Historiku i zgjerimit, tashmë ka konfirmuar se interesat kombëtare të Greqisë, do t’i drejtohen sërish Unionit për zgjidhje dhe imponim, në pozicionin e më të fuqishmit. Kjo eksperiencë zgjerimi ka konfirmuar gjithashtu se, vullneti i shteteve anëtare, ka qenë dhe vazhdon të jetë pro interesave të Athinës. Këtë vullnet, e gjejmë të ekspozuar edhe në studimin e fundit mbi zgjerimin të Qendrës së Politikës Evropiane (2015) ku theksohet ndër të tjera se: “Fakti që Shqipëria nuk mund të jetë një kandidate shumë popullore për aderim, e komplikon më tej politikën greke. Nuk është më sekret, se një sërë vendesh të Evropës Perëndimore, janë shumë skeptike në lidhje me perspektivën evropiane të Shqipërisë. Në këtë kontekst, nëse Greqia i mbi thekson problemet e saj me Shqipërinë, ajo mund të ofrojë një mbulesë të përkryer për këto vende, duke vonuar procesin e aderimit të Tiranës. Në këtë situatë, Greqia mund të marrë potencialisht fajësimin për çdo shtyrje, çka mund të rrisë ndjenjat antigreke në Shqipëri.” Po i njëjti studim, risjell në vëmendje faktin se mbështetja e opinionit publik grek për anëtarësimin e Shqipërisë në Union, njeh rënie të ndjeshme, nga 61% në vitin 2005, në 27% në vitin 2010.

Bllokimi i Maqedonisë është aktual dhe iniciativat për zhbllokim në nivel evropian janë të zbehta. Nga ana tjetër, aktorë të ndryshëm politikë të Athinës, e kanë bërë të qartë se kriteri i fqinjësisë së mirë do të aplikohet edhe me Shqipërinë, duke kërkuar zgjidhje për çdo çështje, që pala greke do të parashtrojë. Për më tepër, ky inkuadrim vjen i zhvendosur nga Athina zyrtare, ndaj legjislacionit të Unionit dhe kritereve të Kopenhagenit.

Greqia e ka shfrytëzuar dhe po e shfrytëzon maksimalisht këtë mekanizëm. Ka përdorur fuqinë e saj ndaj bllokimit të zgjerimit të BE-së në 2004, ndaj zgjerimit turk, si edhe maqedonas. Ajo nuk po respekton detyrimet, që rrjedhin nga marrëveshjet dypalëshe me Maqedoninë për mos bllokim të aspiratave integruese në organizma të ndryshëm rajonalë dhe ndërkombëtarë. Ky mos respektim është kryer edhe ndaj vendimeve të instancave juridike ndërkombëtare. Në krah të saj, është pozicionuar edhe BE. Për sa kohë, vullneti i Unionit nuk do të shkojë drejt zgjidhjes së këtij mekanizmi bllokues, fuqia e diplomacisë greke do të përdoret edhe ndaj Shqipërisë. Çdo fazë e procesit integrues është e ekspozuar përballë këtij bllokimi dhe presionet ndaj palës shqiptare janë shtuar. Gjetja e një zgjidhje racionale mbi çdo problematikë, në diskutim mes palëve, siç është edhe ngritja e një mekanizmi të përbashkët për adresimin e çështjeve të pazgjidhura, ngelet opsioni më ideal. Çka do të bënte të mundur, jo vetëm shmangien e bllokimeve dhe të vonesave të mundshme në rrugën integruese, që mund të shkaktohen nga Athina, por do të evitoheshin edhe mundësitë që karta greke të shfrytëzohej nga diplomaci të vendeve të ndryshme evropiane, që nuk dëshirojnë të ekspozohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, si barriera ndaj integrimit evropian të Shqipërisë.

Im.Ta.

DITA

October 31, 2016 15:22