Romët, jo çështje e vetëm një ministrie

Nga Luan Shahollari August 23, 2013 22:56

Romët, jo çështje e vetëm një ministrie

Romët përbëjnë një grup etnik që jeton prej shekujsh në Shqipëri, me gjuhë dhe kulturë të veçantë. Për shkak se nuk kanë një atdhe historik, ata përbëjnë një pakicë  kulturore. Në të njëjtin këndvështrim trajtohet edhe një komunitet tjetër, që shpesh quhet egjyptian, por që në dallim nga i pari, nuk ka një gjuhë të tij.

Për numrin e Romëve në Shqipëri ka të dhëna të ndryshme. Disa shoqata apo organizata Rome vlerësojnë se ka 80 – 120 mijë banorë (open.data.al/). Por, sipas censusit (regjistrimit) të përgjithshëm të popullsisë  (tetor 2011), në Shqipëri banojnë 8 301 Romë, ose 0,3% e popullsisë të vendit. Kurse një anketim i kryer në maj 2012 nga QSES, një qendër për studime ekonomike dhe sociale, ka gjithsej 14,564 Rome, nga të cilët 3,012 në Tiranë rreth saj (http://www.cessalbania.com).

Numri ka rëndësinë e vet por më shumë rëndësi merr trajtimi i këtij grupimi sipas akteve ndërkombëtare. Romët përbëjnë grupin më të varfër në Shqipëri,madje edhe në BE, prandaj dhe janë miratuar konventa për trajtimin e veçantë të tyre.

Kuvendi shqiptar ka ratifikuar të gjitha konventat për të drejtat e njeriut,mes të tjerave (pa asnjë rezervë) edhe Konventën Kuadër të Këshillit të Europës “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare” të vitit 1995. Mbrojtja e pakicave konsiderohet si një nga kriteret bazë për antarësimin në BE dhe monitorohet nga Komisioni Europian.

Mirëpo, në kontrast sa më sipër, vetëm pak ditë më parë, 37 familje Rome u zhvendosën me dhunë nga vendbanimet ku jetonin prej disa viteve në një lagje të Tiranës. Për këtë shkak ata kanë sajuar baraka në trotuarin e një prej rrugëve kryesore të Kryeqytetit. I janë drejtuar Bashkisë së Tiranës për zgjidhjen e problemit por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kurse (MPCSSHB), përmes një nëpunësi të saj, ju ka ofruar mjedise krejtësisht të pabanueshme. Kjo u që duk qartë edhe nga kronika televizive.

 

Të gjithë të shqetësuar përveç… Qeverisë!

Zhvendosja e dhunshme, (për fat të keq, e përsëritur), tërhoqi menjëherë vemëndjen e organizatës të Drejtave të Njeriut “Amnesty International”, që u kërkoi autoriteteve shqiptare marrjen e masave urgjente për gjetjen e një strehe të re për 37 familjet Rome. Grupi për të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit gjithashtu kanë bërë thirrje sistemimin e këtyre familjeve.

Ambasadori i BE-së, Etore Sequi i ka kujtuar qeverisë shqiptare se integrimi i Romëve përbën një nga 12 prioritetet që Shqipëria duhet të plotësojë për t’u bërë pjesë e BE, duke theksuar se deri më tani janë akorduar 3 milionë euro për Romët. Sequi theksoi gjithashtu se situata e Romëve do të reflektohet në raport/ progresin e BE-së për Shqipërinë, që pritet të dalë në muajin tetor.

Ambasadori në detyrë i OSBE-së, Robert Wilton theksoi rëndësinë që Romët të regjistrohen, të marrin ndihmë ekonomike dhe të strehohen. Ai kërkoi që institucionet shtetërore të marrin parasysh kërkesat e Avokatit të Popullit në drejtim të romëve.

Përfaqësuesja e OKB-së në Shqipëri, Znj. T.Benjelloun gjithashtu kërkoi përmirësim të mirëqenies së romëve në Shqipëri.

Avokati i Popullit, i shqetësuar si dhe më parë, kur u liroi edhe  mjedise të institucionit, organizoi takime dhe ka bërë rekomandime konkrete për z.Basha dhe z.Ksera për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme për qytetarët romë si dhe për policinë e shtetit që të tregojë kujdes në trajtimin e tyre.

Mirëpo gjëndja nuk ka ndryshuar. Pse? Sepse shqetësimi nuk ka shkuar ende tek organi që duhet ta zgjidhë atë – qeveria. Kryeministri në detyrë ka shkruar çdo ditë dhe për çdo gjë në FB por, asgjë për Romët. Mesa duket për të nuk ekziston një “çështje Rome”.

Prandaj dhe përfaqësuesit e AI, BE, OSBE, OKB, Avokati i Popullit etj bëjnë gabim kur i drejtojnë rekomandime gjymtyrëve të veçantë të qeverisë, kur këto probleme janë komplekse dhe kërkojnë angazhimin e qeverisë në tërësi, dhe të kryeministrit në veçanti. Aq më tepër, që për Romët ka edhe një strategji të veçantë.

 

Strategjia për Romët –nevoja për rishikimin e saj

Një dokument për zgjidhjen me përparësi të problemeve përbën strategjia “Për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit Rom”(VKM nr. 633, datë 18.9.2003). Kjo strategji parashikon objektiva për zhvillimin dhe integrimin e pakicës Rome në shoqëri si përcakton institucionet, afatin dhe buxhetin për realizimin e këtyre objektivave.

Strategjia për Romët është e lidhur me një varg strategjish të tjera tërësore dhe sektoriale kombëtare, si me (SKZHI) 2007-2013,me Strategjinë e Përfshirjes Sociale 2007-2013,me Planin Kombëtar për zbatimin e MSA 2007-2012 etj.etj. Por asaj i mungon pikërisht ajo që i duhet më shumë: Programi Buxhetor Afatmesëm, dhe buxheti vjetor i shtetit, që përbën instrumentin kryesor për zbatimin e objektivave në fushën ekonomike dhe sociale.

Nga monitorimi i vetë institucioneve qeveritare, dhe ato të pavarura, del se nuk ka të dhëna për fondet e shpenzuara për këtë strategji nga buxheti i shtetit gjatë këtyre 10 vjetëve!

Po a mund të quhet strategji me një varg masash që nuk mbështeten nga buxheti i shtetit? Dhe kur ky cilësohet si financuesi kryesor i strategjisë? Asnjë projekt, nuk ka dalë nga buxheti i shtetit për përmirësimin e kushteve të jetesës për Romët, për strehimin (që është më urgjente) për ndërtimin e ndonjë kopshti, çerdhe, shkolle,apo qendre shendetësore.

Buxheti i njësive të pushtetit vendor përbën një burim tjetër, për të financuar me përparësi projekte të ndryshme sociale dhe metoda e shpërndarjes së investimeve përmes granteve konkurruese e ka rritur mundësinë për të zbatuar projekte që trajtojnë nevojat e kësaj bashkësie. Por, për shkak të burimeve të kufizuara, organet e qeverisjes vendore nuk mund të zgjidhin problemet e komunitetit Rom.

Agjencitë Ndërkombëtare kanë financuar për aktivitete të ndyshme, si: edukimi, trajtimi i çështjeve të trafikimit, fuqizimi i organizatave rome, zhvillimi i mekanizmave monitorues dhe vlerësues të strategjisë kombëtare për Romët etj. UNPD ka zbatuar një program i cili synon të rrisë vetëbesimin dhe kapacitetin e këtij minoriteti për reduktimin e varfërisë dhe përjashtimit social duke bashkëpunuar me pushtetin vendor, OJF dhe disa agjensi të tjera në tre rrethe: Tiranë, Fier dhe Elbasan, por efektet janë të pjesëshme.

Strategjinë për romët e ndjekin Komiteti Shtetëror i Minoriteteve, Sektori i Monitorimit të Zbatimit të Strategjisë në MPÇSShB, dhe ministritë në fushat  e tyre përkatëse. Por të gjitha këto veprojnë vetëm në fushën virtuale, shkëmbejnë informacione, por pa mundur që të ndryshojnë situatën. Pse? Pasi u mungojnë koordinimi dhe …paratë!.

Veç plotësimit të kësaj mangësie, një strategji e re e mundëshme duhet të parashikojë që struktura për monitorimin e zbatimit të saj mos jetë në ndonjë ministri, apo aq më keq siç ndodhi për një periudhë kohe, në ndonjë sektor në varësi të saj, por në aparatin e Kryeministrisë, pasi vetëm ky ka autoritetin e duhur për të bashkërenduar veprimtarinë e të gjitha ministrive dhe institucioneve qeveritare.

Madje do të ishte mirë që kjo strategji të miratohej me ligj nga Kuvendi, pasi Qeveria, siç dihet, i ndrron përparësitë sipas emergjencave që i dalin. Vetëm në këtë mënyrë do të viheshin në rrugën e zgjidhjes problemet që shqetësojnë Romët dhe shoqërinë shqiptare në tërësi, si dhe do të parandaloheshin akte dhune si ato që po shohim edhe në kryeqytet.

Nga Luan Shahollari August 23, 2013 22:56
Komento

4 Komente

  1. mergimtari fv August 24, 10:22

    Mire beni qe mendoni per arixhite se njerez si ne jane , po per etnine shqiptare qe vret vehten pa dallim gjinie nga varferia per buken e gojes se femijeve kush do kujtohet ? para 40-50 vjetesh Enveri i mori me dhune nga brigjet e lumejve dhe i strehoi si te tjeret ne qendra urbane por me ardhjen e demokracise keta u kthyen ne tradite , shiten apartamentet dhe ndertuan kasolle , hengren e pine parate e shtepive dhe tani kerkojne strehim , kredite ekzistojne per te gjithe per strehim por kjo pakice kerkon strehim qyl si ne komunizem ,

    Reply to this comment
  2. mund te jete edhe keshtu August 24, 23:40

    qyl nuk ka ma,punoni paguani blini shtepi.

    Reply to this comment
  3. tim August 25, 08:03

    i njejti problem do jete edhe per qeverine e ardheshme ,por shtypi militant i juaji nuk do e zere me me goje punen e evgjiteve!!!

    Reply to this comment
  4. Xhema nga Tirana August 25, 16:59

    Z. Shahollari. Më pëlqeu artikulli Juaj (që në të vërtetë mund të quhet Studim) për thellësinë dhe gjërësinë e çështjes që trajtoni. Keni përcaktuar “adresën” e zgjidhësit të problemit (që duhet të jetë Kryeministri i vëndit) por…. me sa duket kjo çështje do t’i kalojë Kryeministrit të pas 15 Shtatorit !!!! Nga sa më lart, do të ishte në nderin T’uaj që: të shkruanit një Artikull për problemet që do të ketë dhe që po i grumbullohen qëllimisht Qeverisë së re nga Qeveria në ikje me qëllim revanshin politik që në seancat e para të Kuvendit (Ky revansh ka filluar që tani me deklarimet se qeveria e re nuk ka për të mbajtur premtimet).

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim