Ronaldo analizon Italinë, nga Icardi, titulli e deri te..Juvja

February 8, 2018 17:18

Ronaldo analizon Italinë, nga Icardi, titulli e deri te..Juvja

 

Ronaldo kurrë nuk e humb interesimin për Italinë. Interin gjithmonë e mban në zemër dhe kur pyetet, asnjëherë nuk i kursen këshillat.

“Fenomeni” flet edhe për kapitenin e zikaltërve, Mauro Icardi-n dhe për zërat që e çojnë atë te Real Madridi.

Por ka dy fjalë edhe për Milanin, i cili tani është shumë ndryshe nga çfarë ka qenë, por që shpreson se me ardhjen e Gennaro Gattuso-s gjërat do të ndryshojnë.

Përse Interi ende vuan kaq shumë, Ronaldo?

Sepse është ekip i çmendur, apo jo? Duke lënë shakatë mënjanë, duhet që të jesh brenda që t’i analizosh gjërat, por duke parë kampionati nga jashtë, duket tamam viti i duhur. Tifozët për ca kohë u dëfryen, edhe pse ata pikë së pari duan rezultatet dhe unë isha super i lumtur për mënyrën se si po shkonin gjërat”.

Viti i duhur për çfarë?

Jo për të fituar titullin, por për t’u kthyer të paktën në Champions.

Dukej viti i duhur do të thotë që tani nuk duket më?

Ti lëmë mënjanë shakatë, krahasuar me vitet e shkuara Interi është përmirësuar dhe do të përmirësohet ende, kështu që duhet, e them duhet të bëjë gjithçka të kthehet në Champions. Mungon prej shumë kohësh dhe është një hap me rëndësi për t’ia rinisur. Në Itali dhe sidomos në Evropë. Madje do të ishte mirë këtë vit. Nëse do ta shtynin ende, do të ishte ndalesë e keqe. Por klasifikimi dhe logjika thonë se ka kohë. Sezoni është ende i gjatë.

E kush më mirë se ju mund të flasë për një qendërsulmues të Interit, Icardi, i cili i pëlqen Realit?

Unë jam i bindur se Icardi ndihet mirë tek Interi, ashtu siç u ndjeva mirë unë edhe pse vuajta shumë nga dëmtimet dhe lamtumira nuk qe ajo që dëshiroja. Por, pavarësisht se nuk di shumë nga merkatoja, besoj se Icardi-n e duan shumë. Kalimi te Reali është një ëndërr për çdo futbollist, jo vetëm për të”.

A prisnit më shumë nga Spalletti?

Nuk mundet, çdo herë, çdo vit të vësh në diskutim gjithçka; futbollistet, trajneri. Duhet të besosh te një projekt, t’i jepet kohë që të funksionojë. Ajo që Interi bëri në dy muajt e parë nuk mund të ishte rastësore.

A nuk thoshin të gjithë se blerja më e mirë e Interit ishte Spalletti?

Më shumë unë jam dakord me atë që tha presidenti im Moratti: Nëse është i zoti dhe sigurisht që është, tani i takon atij që të gjejë çelësin për të risjellë disa futbollistë në rendimente, që hë për hë nuk janë më të njëjtat. Edhe duke ndryshuar diçka nëse është e nevojshme.

Meqë ra fjala te blerjet dhe te Moratti, a jeni i zhgënjyer nga menaxhimi i Suning?

Çështja e fair play-t financiar është shumë delikate dhe futbolli pa rregulla do të vdiste. Por nëse projekti i ringritjes së Interit duhej që të bëhej duke vendosur limite strikte, ndoshta duhej sqaruar më në hollësi. Pa zhgënjyer tifozët.

Edhe Milani po përjeton një moment të vështirë…

Edhe më i vështirë do të thosha…Por nga klubi i kohëve të mia praktikisht nuk ka ngelur njeri. Do të gaboja të flisja pa ditur gjë.

Por ka ngelur, ose më saktë është kthyer një që ju e njihni mirë, Gattuso…

Dhe ai e njeh mirë Milanin sepse është rritur aty. E di historinë e klubit. Një burrë si ai, mënyra e tij e të motivuarit, mund të jetë ideale për një ambient në vështirësi, sepse ai e shkund, e përmbys, e bën ta përjetojë futbollin, ashtu siç ai e jeton. Të stërviteshe me të ishte befasuese. Dhe më duket se ndonjë rezultat po duket që tani.

Si ju duket Di Biagio në kombëtaren italiane si trajner i përkohshëm?

Them se nuk do ta ndiejë veten si i përkohshëm. Pastaj mund të jetë, por do ta jetojë kohën që do të ketë në dispozicion sikur do të përgatisë takimet më të rëndësishme të jetës. Pastaj në një farë mënyrë kështu është. Që futbollist, Gigi ishte pak trajner. E kuptonte shumë futbollin dhe ka luajtur në kombëtare për shumë vite.

Por kur Di Biagio luante, Italia shkonte në Botëror…

Atë mbrëmje nuk isha në shtëpi. Kur lexova se ata nuk u kualifikuan, u trondita.

Në Brazil ende nuk e besojnë. Italia është si ato mikeshat që pret ta takosh gjithnjë nëpër festa. Mësohesh me gjithçka, por kjo është e rëndë.

Dhe faktikisht Buffon qau si një fëmijë, a do mësohemi shpejt duke mos e parë atë në fushë kur të largohet?

E di sa sulmues ka bërë ai të qajnë? Asnjë nuk ka të drejtë të thotë duhet të vazhdojë apo ‘Jo, më mirë të pushojë’. Po kopjoj fjalët që Totti tha kur Gigi mbushi 40 vjeç. I uroj ta lërë futbollin kur ai do, sepse ai e vendos.

E dini se Totti disa vite më parë tha se një nga keqardhjet e tij më të mëdha të karrierës ishte që nuk luajti me ju?

Kam luajtur me Baggio-n, Zidane-n, Beckham-in, Ronaldinho-n… Do të më pëlqente ta kisha në listë edhe Totti-. Edhe mua më vjen keq. Do të ishim kënaqur shumë, e sigurt kjo.

A zbaviteni ende duke parë futbollin italian?

Napoli-Juve i kohëve të sotme është pak si Real-Barcelona i viteve të mia të fundit në La Liga. Sfidë disa shkallë më lart se të tjerat. Te Napoli pashë të luhej një futboll shumë tërheqës. Kurse Juvja të shtyp me forcën mendore, me shumëllojshmërinë e zgjidhjeve. Nuk e di si do të përfundojë, por e di se si shpresoj të përfundojë.

A ta themi?

Po patjetër. Pas gjithë këtij dominimi të Juves, do të më pëlqente që të fitonte Napoli. Edhe pse si tifoz i Interit do të preferoja të thosha Inter. Respekt maksimal për Juven dhe tifozët e ekipit, por mendoj se për një herë titulli t’i shkonte një ekipi që nuk është Juvja, besoj se do të ishte diçka e bukur për kampionatin italian. Nëse herë pas here nuk ndryshon fitimtari, pastaj mërzitesh. Apo jo?

a.s/dita

February 8, 2018 17:18
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*