Rrahmani: Jam gati për mbrojtjen e Kombëtares

July 25, 2015 09:11

Rrahmani: Jam gati për mbrojtjen e Kombëtares

Amir Rrahmani u mungon tifozëve të kuq, i mungon Partizanit, do t’i mungojë kampionatit shqiptar. Një nga qendërmbrojtësit më të spikatur në Superiore, dy sezonet e kaluara, është transferuar gjatë kësaj vere në Kroaci, te RNK Spliti, duke hedhur një hap përpara në karrierën e tij si futbollist profesionist.

Kampionati kroat ka nisur, po mbërrin në javën e tretë, ndërkohë që ish-mbrojtësi i Partizanit e ka dëshmuar veten më së miri, duke qenë titullar i padiskutueshëm. Ka debutuar zyrtarisht me fanellën e skuadrës së re kroate më 13 korrik, ndaj Lokomotivës së Zagrebit, ku të tijtë fituan me rezultatin 2-1. Edhe në ndeshjen vijuese, ndaj Hajdukut të Splitit në transfertë, Rrahmani ka luajtur me kohë të plotë, në barazimin pa gola, 0-0.

Sot e pret sfida e tretë në Split, ku do të jetë mysafir Osijeku.

Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi po ambientohet dita-ditës në një vend dhe klub të ri, ndërkohë që për “telesport.al” nuk ngurron t’u përgjigjet pyetjeve për Partizanin dhe për përfaqësuesen kuqezi.

 

Amir, si e ke nisur eksperiencën e re te Spliti?

Kam luajtur dy ndeshje deri tani në kampionatin kroat dhe jam aktivizuar tërë kohës. Nesër (sot) është sfida e tretë zyrtare.

Si janë kushtet dhe niveli i kampionatit atje në krahasim me këtu në Shqipëri?

Kushtet janë më të mira dhe punohet shumë. Është një kampionat më i fortë se në Shqipëri.

A mendon të qëndrosh gjithë kohëzgjatjen e kontratës aty te RNK Spliti, apo si Cikalleshi, do ta përdorësh si trampolinë drejt Europës?

Jo, mendoj të rri për një periudhë të shkurtër dhe të shkoj në një ekip më të madh europian.

A të mungon Partizani dhe si i shihni zhvillimet te kjo skuadër. Ardhja e trajnerit të ri, problemet me Nexhipin, që nuk duket në stërvitje. A mendoni se do ta fitojë titullin Partizani me këto probleme?

Mendoj se drejtuesit e Partizanit kanë sjellë lojtarë të mirë në merkaton e kësaj vere. Natyrisht që më mungon fanella e kuqe, sepse kam kaluar dy vite të mrekullueshme me të. Më mungojnë edhe tifozët, që janë të veçantë. Sa u përket problemeve që më pyesni, në çdo ekip ka të tilla, por duhen mënjanuar. Titullin kampion uroj ta fitojnë me gjithë shpirt. Shpresova ta fitoja sezonin e kaluar si “dem i kuq”, por fatkeqësisht nuk ia dolëm.

Si mendoni, kush humb më shumë në këtë “divorc” të mundshëm, kapiteni Nexhipi apo Partizani?

Nuk besoj se ka “divorc”, është zgjedhja e trajnerit. Nexhipi duhet ta bindë trajnerin dhe të presë rastin për të luajtur e treguar vlerat që ka.

Kalojmë te Kombëtarja, a po mendoni për Danimarkën dhe Portugalinë?

Po, normal, po pres ftesën dhe shpresoj të kem ndonjë minutë në dispozicion.

A jeni gati të merrni përgjegjësi në Kopenhagë, më 4 shtator, duke qenë se mbrojtja e Kombëtares është në emergjencë. Mavraj i dëmtuar, Cana dhe Ajeti pa skuadër…

Po, normal që po. Ka një vit që grumbullohem rregullisht më Kombëtaren dhe e pres rastin tim. Nëse më vjen mundësia, do ta shfrytëzoj.

KAS-i na dha 3 pikët e ndeshjes së ndërprerë me Serbinë, tani ndajmë vendin e dytë e të tretë në grup, me pikë të barabarta, me Danimarkën. Si e përcollët marrjen e 3 pikëve dhe a mendoni se ndeshja në Kopenhagë është delikate dhe përcaktuese për kualifikimin?

Po, e kam përcjellë me shumë lumturi vendimin e KAS-it, si gjithë shqiptarët e tjerë. Mendoj se ishte vendimi i duhur dhe i drejtë. Na u dha ajo që meritonim. Lidhur me ndeshjen e 4 shtatorit, jam i mendimit se është shumë e rëndësishme. Kjo për faktin se ka lidhje direkte me të ardhmen e të dyja kombëtareve në grupin tonë kualifikues.

Tashmë vijon lufta për vendin e dytë në grup, që na kualifikon direkt. Sa shanse ka Shqipëria të shkojë në “Francë 2016”?

Shqipëria ka shumë shanse, më tepër se kurrë më parë. “Play-off”-in e kemi siguruar, ndërsa për të kapur vendin e dytë na duhen pikë me kundërshtarët direkt.

July 25, 2015 09:11
Komento

2 Komente

  1. Aqifi (po i verteti ama) July 25, 13:36

    Shqiperia po te munde Portugaline eshte kandidat per vendin e pare ne grup. Pse flitet gjithmone per vendin e dyte???!!!

    Reply to this comment
  2. Dita July 26, 12:19

    Dikur rrëmbeheshin armët sot rroket topi

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*