Rrëfim për jetën dhe artin poetik

January 15, 2018 14:01

Rrëfim për jetën dhe artin poetik

 Shfaqet reflektimi i  engjëjve të rënë

  GEORG TRAKLI

 (POEZIA, OSE PRERJA E ARTË,- SHENIME, TE PARA 20 VITEVE)

 Moikom Zeqo 

Është për t’u shënuar që në kohë të këtilla,me tranzicione problematike, hibride,madje edhe  absurde, dyzuese, ambikuide, që të kujtojnë Centaurët, poezia do t’i rezistojë kohës.Ndaj unë mendoj se Poezia është Arti që i kapërcen, u reziston  heroikisht, madheshtisht,ekzistencionalisht më shumë Kohëve.

Qofshin edhe Kohëve-Centaur!

***

Flas për Poezinë e vërtetë.

Kjo ndodh se Poezia ka të bëjë me ndjenjat e njeriut dhe ndjenjat e shpirti i njeriut nuk ka ndryshuar shumë që nga koha e Homerit.

Janë po ato ndjenja, në fakt.

***

Bile unë do të thosha se te Homeri mund të gjesh vargje më moderne se ato të poetëve të sotëm.

Po ju përmend vetëm një varg: “Anije të shpejta si mendimet…”

Shpejtësia e mendimit është më e madhe se ajo e dritës. Imagjinojeni vlerën moderne të këtij krahasimi të Poetit Babazot.

***

Unë për fat e njoh mirë poezinë dhe botën time moderne. Kjo nuk  e ka  vec shpjegimin, në atë, që thotë Gëtja i madh, se moderniteti është kthimi te klasikja.

Cdo mendim nuk eshte absolut!

Poezia e ka shpejtësinë e mendimit si ato anijet e Homerit. Ti, fjala vjen lexon këngën e parë të Gilgameshit dhe të duket sikur po e jeton sot atë atmosferë.

Kjo është shpejtësia e poezisë, që kapërcen kohët.

***

Mbaj mend që poezitë e mia të para i kam shkruar, kur kam qenë rreth dhjetë vjeç.

I ruaj disa nga fletoret me vija të atyre poezive.

Ato poezi janë me metrikë të rregullt përgjithësisht.

Janë ndikime, sidomos të Lasgushit dhe të Omar Khajamit (sipas Fan Nolit.)

Fillestari Moikom ende nuk e dinte sekretin e mirëfilltë, sibilin,inteligjent, .maksimal, të metaforës.

***

Në moshën 12-vjeçare m’i lexon poezitë e para Kadareja, redaktor tek “Drita” atëherë.

Atij i detyrohem për botimin e cikleve të para…

Ndonëse, për paradoks, botimi im i parë ka qenë një shkrim me titull: “Notarët e rinj stërviten” në gazetën “Sporti”. Kjo lidhej me pasionin tim për notin.

Isha pjesëmarrës i skuadrës durrsake, me një nga stilet më të vështira “Baterflaj”, siç quhej,ose “Delfin”

***

Deti ka luajtur një rol të madh në poezinë time.

Fakti që jam marrë me not, me zhytje, ka qenë mbase dëshmia, sui generis, e parë, se mund të bëhesha poet.

Mbase hapësirat dhe thellësitë detare kishin të fshehur motive të vëllimit tim të dytë me poezi: “Qyteti Feniks”,shkruar ne 1968 dhe 1969, dhe botuar, më 1970-ën.

Dhe ky qytet ishte Durrësi, të cilin herë e quaja edhe  si Atlantida, sepse atëherë mendoja se ka qenë i mbytur dy herë, gjë, që më vonë, e provova vetë, duke u marrë me arkeologjinë nënujore, se nuk ishte e vërtetë.

E vërtetë është se atë e kanë rrënuar tre tërmete, por asgjë e tij nuk është përmbytur nga deti.

Qytetin e quaja Feniks ,duke patur parasysh atë shpendin e legjendës ,që ringjallet nga hiri i vet, një herë në 500 vjet.

Kjo sipas gojëdhënës egjiptiane falë vetive të eshtrave të tij prej diamanti.

Mos me çoi deti Adriatik  dhe ky shpend Feniks te metafora dhe te sekreti i saj?

Nuk mund ta them saktë pergjigjen perfundimtare.

***

Di vetëm këtë që viti 1970 qe viti më cilësor i jetës sime poetike.

Sapo kisha mbushur 20 vjeç.

Shkruaja shumë.

Kisha një tjetër kulturë.

Kisha mësuar gjuhë të huaja.

Lexoja poezite e Pierre Reverdy-se, Lorcas, Eluard-it, Du Fu-se,Traklit,Celanit,Quazimondo-s ,Kavafin, Elitin ,Bretonin  etj.

***

Gati në fshehtësi mbaja shënime, të cilat s’mendoja, se do t’i botoja ndonjëherë.

Mbase kjo periudhë më çoi tek konstruktimi virtual, ambicioz,koherent, guximtar,gati futurist, i një laboratori te pasur te Metaforës.

Atje e ka zanafillën edhe libri im i botuar, tani vonë: “Meduza e dashuruar mban syze Dielli”,- viti 1998.

Është një përmbledhje e çuditshme, një botë e tërë metaforash.

Një eksperimentim interesant dhe i suksesshëm, të paktën për mua.

Pra, unë në këtë libër e quaj edhe  një dëshmi e vitit ’70.

***

Më vonë unë botova disa poezi të ndryshme nga ato të ’70-ës.

***

Gjithnjë kam tentuar të bëj një poezi krejt ndryshe nga ajo, që shkruhej zakonisht…

***

Unë mendoj se Poezia Shqipe ka patur disa momente ndryshimesh cilësore.

Disa nga ato çaste unë do të quaja Poezinë e Rilindjes Kombëtare me De Radën,Naimin,Seremben, Skiroin, por edhe Mjeden , etj,  që bëjnë një ndryshim të madh, se krijuan një poezi autonome, jo të pjesshme, jo fragmentare, jo te hibridizura me zhanre te tjera .

***

Ka më parë në historinë e letërsisë sonë përpjekje për momente të tilla, siç janë “Sibilat” e Bogdanit, apo krijimet e Budit, që synojnë drejt epilemës, ose eposit të shkurtuar.

Por poezia e vërtetë si gjini autonome, e vetmjaftueshme, nisi në Rilindjen Kombëtare.

Pra ne shekullin XIX.

***

Pastaj vijnë vitet 30’ me Migjenin,Lasgushin,Fan Nolin etj, por edhe vitet  ’60  me Kadarenë,Rreshpen, Agollin, Arapin.

Kadareja qe më i avancuar.

Ai krijoi mjete të reja shprehese, te kultures urbane.

Bëri një emancipim në poezinë tonë.

***

Arkeologjia ka qenë jeta ime më e pasur.

Ajo më ka dhënë atë që nuk ka mundur të ma japë absolutisht asnjë profesion tjetër.

Jam shumë, shumë i lumtur që kam punuar në arkeologji.

Rezultatet e punës në arkeologji më vijnë herë pas here në mënyrë të koncentruar.

Më vonë jam marrë me punën kulturore, pastaj ministër i kulturës, deputet…ne Muzeun Historik Kombetar etj.

Kjo është jeta ime…

***

Në udhëtim kam shkruar shpesh.

Kur kam udhëtuar për herë të parë në Spanjë, shkruaja në avion.

Në atë udhëtim kam patur shumë përshtypje dhe kam shkruar një cikël që më vonë u përkthye dhe u botua në revistën letrare dhe artistike, më autoritative të Spanjës, e quajtur- “ABC”.

Rrugës kam shkruar edhe kur kam udhëtuar nëpër Greqi.

Greqia më ka bërë përshtypje më shumë si arkeolog.

Pra më ka rrëmbyer Greqia antike, jo ajo e sotmja.

Përgjithësisht kur jam në udhëtime, mbaj shënime, mbase, jo shumë poetike…

Pjesën më të madhe të poezive i kam shkruar në Durrës.

Zakonisht natën vonë, kur kam qenë i qetë.

***

Më pëlqen të shkruaj sidomos duke dëgjuar muzikë.

Sfondi i muzikës më bëhet horizont i domosdoshëm brenda hapësirës së vogël të studios.

Mendoj se muzika është arti më i lartë i njeriut.

Them që poezia është superiore, po kur vjen puna te muzika…

Ajo është më abstrakte deri diku dhe më e fshehtë e më misterioze se poezia.

***

Më pëlqen shumë muzika mesjetare.

Dëgjoj shpesh Jan Kukuzelin, Palestrinen.

Më pëlqen në mënyrë të veçantë Monteverdin.

Muzika venedikase më rrëmben.

Ah, Vivaldi!

***

Nga të mëdhenjtë nuk mund të le mënjanë Bahun, Mozartin ,Pergoliezen, Hendelin, Bramsin , Karl Maria Veberin,Smetanen, Debysynë, Stravinskin, ( me ” Zogun e zjarrtë.”), Shastakovicin,Georg Ligettin, Scriabinin, Alfred  Shnitken,Dvorzhakun,Goreckin  etj.

***

Muzikën moderne e dëgjoj shpesh  dhe pambarimisht.

Cdo gje muzikore, pas Bet’hovenit,(Himalaja e tingujve dhe Harmonive) ngrihet, kulmon si  substance dinamike, shperthyese.

Po nuk kam ndonjë kult, apo preferencë të veçantë ne katalogun dhe koleksionin e emrave sinoptikisht permendore.

Sepse i ribej, i shndroj ne sinergjika tere kufijte e zhanreve dhe llojeve te muzikes,- i abstragoj, i shkrij, i universalizoj.

***

Mos me bindje  keshtu e quaj poezinë derivat të muzikës?…Edhe Poezia, edhe Muzika janë arte të ndryshme të një arti tjetër më të madh njerëzor,por e synojne shkrirjen, unitetin,sinkronizimin.

Patjeter!

Pafundesisht!

Ato janë të ndërthurura me njëra-tjetrën.

Simbioza e perjeteshme!

***

Mendoj që një poet duhet të jetë i papërsëritshëm nga të tjerët.

***

Kam synuar të jem i tillë: më vehte,si dhe t’i jap peng artit jetën time!

Metabolizmi i Ameshimit!

***

Po t’i vesh re mirë ato elementë, që has në Poezi, do të përfundosh se janë jetësorë.

Me to unë jetoj çdo ditë.

Edhe kozmosi, edhe mitologjia edhe misteret janë përbërës të jetës sime.

***

Pavarësisht nga koha absurde  kur jetojmë, ne kemi brenda vetes Gjithësinë.

Mos e harroni!

Mos e harroni!

***

Unë nuk shkruaj gjëra, që nuk i përjetoj.

 

Edhe kur shkruaj prozën them,sinkronizoj,ndricoj, skalis, ato , që kam biseduar seriozisht, realisht, konkretisht  edhe me njerëzit.

***

Sintezat janë Fuqi Mendore më tepër, po unë gjithçka e përjetoj.

Unë nuk e di sa jam në veprën time, po di me siguri këtë që asnjëherë nuk kam gënjyer në atë ,që kam shkruar.

Kam thënë atë , që kam ndjerë.

Madje me një naivitet të madh që herë-herë më ka hutuar.

Nuk mund të shtiresh me Poezinë, ndryshe do jesh fallco edhe në karakter.

Estetika ka lidhje  jetike ,harmonizuese, me  Etiken!

Edhe Metafora ka sinteza dhe ftillesa pafund me Moralitetin e Qyteterimit Planetar!

***

Në jetë kam qenë gjithnjë tepër i çiltër dhe i natyrshëm, gjë që shpesh më ka krijuar edhe telashe, keqkuptime,  situata absurde.

Në thënien e gjërave  kam qenë shumë i kujdesshëm.

Por i  kam thënë ato ashtu siç i kam menduar.

Plot liri!

***

Cilët poetë botërorë kam më për zemër?Ja,  në murin e studios time mbaj portretin e Artur Rembosë.

Është një vizatim i imi.

Ai është një nga poetët ,që kam  dashur dhe më ka dhënë shumë (shembelltyra stimuluese, iluminimi endemik!)

Në poetët klasikë më pëlqejnë mbi të gjithë Homeri, Safoja, Katuli,Properci-sidomos Pindari mbi gjithcka.

Nga poetët modernë më habit e më step, plot tronditje vullkanike, Wallt Whitmani,  që mbase do ta quaja më të madhin dhe unikun, e modernitetit poetik planetar.

Kam shkruar shpesh për të.

Është i paimitueshëm.

Absolutisht!

Është dhe një poet portugez që më ka tërhequr shumë- Fernando Pessoa.

Kam patur fatin t’i jem te varri i tij- në manastirin e Shën Jeronimit në Lisbonë.

***

Marrim vetëm shembullin e Lasgush Poradecit.

Cili është roli i poezisë së tij në shoqërinë shqiptare?

Gjithkush le t’ia bëjë këtë pyetje vetes dhe t’i japë po vetë përgjigje.

Për ta ndihmuar aresyetimin dhe ligjerimin estetik, unë po i përmend vetëm dy poezitë- poema, e këtij poeti të madh , që ia ka kushtuar Naim Frashërit.

S’mendoj se i ka shkruar kot ato poezi-poema!..

***

Nuk mund të ketë letërsi vetëm pannjerëzore.

***

Fakti që ajo shkruhet në gjuhë të ndryshme, na memorizon  faktin madhor, ngulmues, monumetal, që poeti i gjuhes ametare është  i ngulitur, ad vitam ,në ndërgjegjen kombëtare të vendit të vet.

***

Ndër të rinjtë poete  do të përmendja talente të tillë, si Ervin Hatibi, Azem Qazimi,Luljeta Lleshanakun, Gentian Cocolin, Alket Canin,  Parid Teferiçin…

***

Sot shkruhet një poezi, që unë do ta quaja ekzistenciale.

Dhe kjo poezi e jashtezakoneshme ka lindur me Migjenin , në letërsinë shqipe.

Nuk ka lindur  dot,as nuk u zhvillua paradoksalisht ne vitet 60’.

Por as në vitet ’90.

***

Sot ajo ka marrë tipare të reja.

***

Poezia duhet shkruar me një lloj tendence.

Nuk e kam fjalën për atë politike, por për atë tendencë drejt së veçantës, artistikes pergjithesuese!

Kjo e veçantë nuk ka të bëjë as me kozmopolitizmin, as me narcizmin etnik, apo me omfalocentrizmin primitiv dhe provincial.

Po me Universalen!

Dhe Intimen!

***

Kemi një poet, lirik i shquar, si Frederik Rreshpja, i cili mendoj se do të mbetet në Poezi më shumë se ata poetë të teknikave e eksperimenteve formale, apo thjesht imituese ,(mimesis)

Poezia e tij duket shpesh si e thjeshtë, por në vetvete ngërthen,thurr,universalizon  të veçantën dhe magjizmin poetik,  si askush.

***

Poezia është e Veçanta,  e Befta, e Paparashikueshmja!

***

Poezia-Prerja e Artë…midis Mendimit dhe  Emocioneve, Realitetit dhe Imagjinates.

1998

 

 

January 15, 2018 14:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*