Rrëfimet befasuese të Dhimitër Shuteriqit

June 9, 2019 09:40

Rrëfimet befasuese të Dhimitër Shuteriqit

 

Nga NASHO JORGAQI

Nuk gabojmë po të themi që, nëse Faik Konica për erudicionin e tij të gjerë u cilësua nga bashkëkohësit “një enciklopedi lëvizëse”, Dhimitër Shuteriqi u njoh si një arkiv i gjallë, nga më të rrallët e më seriozët në historinë e kulturës shqiptare.

Kush ka patur fatin ta vrejë nga afër e aq më tepër të bashkëpunojë me të, s’ka si të mos jetë habitur me kujtesën e tij të jashtëzakonshme, me njohjen e saktë e me themel të burimeve arkivore, me aftësitë e tij orientuese në detin e pafund të ngjarjeve, të personazheve, të fakteve ftilluese; ashtu siç do të ketë konstatuar jo pa admirim procesin serioz e stilin rigoroz të punës gjurmuese, shpirtin kërkues dhe dyshues, etikën e lartë të studiuesit i prirë ngahera nga përkushtimi i thellë atdhetar ndaj vlerave kombëtare. Mbi këtë bazament u ngrit e u madhua vepra studimore e Dhimitër Shuteriqit, duke u endur nëpër labirintet pa fund të arkivave, bibliotekave e skedarëve, harmonizuar me punën e drejtpërdrejt në terren.

Në studion e Shuteriqit, ku kam patur rastin e fatin të shkel, ndjeheshe pa dashur në një cep të mbretërisë universale të kulturës, dhe jo për nga madhështia e jashtme, por nga pasuria e vlerave. Atje kam marrë në dorë libra të rrallë, kopje unikale, dosje voluminoze dokumentesh të zbuluara e të selitura nëpër arkiva vendase e të huaja, skedare marramendëse prej mijëra zërash, dorëshkrime veprash letrare e shkencore. Atje do të dalloja dhe shfletoja stivën e ditareve prej mijëra faqesh, pa harruar dorëshkrimin e daktilografuar të kujtimeve. Por mbi të gjitha më ka mbetur në kujtesë prania e gjithëpushtetshme e të zotit të shtëpisë, statura e tij prej savanti ulur pranë tavolinës së gjerë hijeshuar me produkte intelektuale dhe mjete pune, ku në krye qëndronin portreti i të atit, i të vëllait dëshmor dhe ai i së shoqes. Vetë profesori ishte pjesë e pandarë e asaj tryeze: trupbëshëm, shpatullgjerë, energjik, me sytë e mëdhenj plot dritë pas syzeve, me llullën e pandarë varur mbi buzë, berretën alla franceze, ndërsa bisedonte e tregonte, në mes pauzash të herëpashershme, me zë’të sigurt e vështrim serioz.

Nga studioja e profesorit dhe mikut tim shumë të nderuar ruaj kujtime të paharruara, që dhe sot më zgjojnë emocione. Aty më ka skicuar një pasdite portretin, kemi biseduar e diskutuar për probleme letrare dhe studimore, kam dëgjuar mendime dhe sugjerime të tijat për vepra të mijat, që m’i lexonte me dashamirësi. Aty më fali edhe dy libra të rrallë të të jatit, Simon Shuteriqit, si “Jeta e Kostandin Kristoforidhit” dhe “Ligjëratë panegjyrike për Peshkopin kombëtar Theofan”. Në studio, po ashtu, më hodhi një ditë idenë që t’i hyja punës për të hartuar jetëshkrimin e Fan Nolit, të cilin e kishte aq fort për zemër. Dhe pa e zgjatur u ngrit e tërhoqi nga rafti i skedarit të tij një kuti gjatoshe me skeda për Fan Nolin. “Merri, – më tha bujarisht. – Do të të lipsen për të ringjallur Nolin, bashkë me punën që të pret”. Dhe vërtetë, nga ajo ditë unë nisa të mendoja e veproja seriozisht e sistematikisht për biografinë e ardhshme, që më kushtoi shumë vite punë. Një vepër, që, kur u botua, profesori kish pesë vjet që kish ikur, por që unë e ndjeja praninë e tij në mirënjohjen dhe venerimin tim.

Ç’është e vërteta, njëherë tek po afrohej përvjetori i largimit fizik i mësuesit dhe mikut tim, më buisnin kujtime, që e afronin qënien e tij, më zgjonin zërin e tij, më përcillnin mendime, që koha s’i ka shuar, përkundrazi. Çuditërisht, më erdhi ndër mend një dorëshkrim, që ma kish dhuruar dhe që e ruaja në dosjet e mia. Ishte një fragment pakfaqesh nga ditari i tij i daktilografuar, që mbante datën 4 dhjetor 1969. Dorëshkrimi i shëmbëllente një buqete rrëfimesh e meditimesh të shkurtra, gati në trajtë shënimesh. S’di të them se sa herë e kam lexuar dhe rilexuar kohë pas kohe, siç nuk di të them saktë përse zgjodhi atë fragment nga qindra faqe për të ma dhënë. Duke gjykuar thellë kam bindjen se dorëshkrimi ishte një autoportret i tij, autoportret njerëzor dhe intelektual, që kurrë s’kam pasur rast ta ndesh gjetkë. Në ato faqe dora e mjeshtërit ka skalitur karakterin dhe natyrën e tij, dritat dhe hijet që i njeh vetes. Virtytet, por dhe dobësitë, mendime dhe opinione tepër vetjake, për veten dhe për të tjerë. Kur i lexova për herë të parë, u ndjeva i çuditur dhe po aq i trazuar. Më vuri në mendime për sinqeritetin dhe transparencën, për kurajon civile për përballjen me të vërtetën. Ishte një thirrje e heshtur për ta ndjekur, por dhe një lloj provokimi për të shkelur dhe kapërcyer kufijtë e kohës që jetoja dhe krijoja.

Edhe pse tani kanë kaluar plot vite, madje kanë ndodhur përmbysje jo të vogla, në çaste të qeta kur marr dhe e rilexoj, më del nga rreshtat dhe më përvijohet qenia e autorit aq sa dalëngadalë më duket se përballem me atë vetë. Është ai i vërteti, jashtë çdo konteksti kohor, larg paragjykimesh, thjesht njerëzor, që sa të prek, aq edhe të trimëron. I tillë ishte Dhimitri, profesori, artisti, studiuesi, qytetari, i shëmbëllyer përmbledhtazi në ato pak faqe mbetur si kujtim, por që në fakt gjendet i shpërndarë nëpër vitet e jetës së tij dhe i mbledhur e i fiksuar vërtetësisht e mjeshtërisht në veprat që la pas.

RREFIME DHE MEDITIME (pjesë nga ditari 4.12.1969)

Nga DHIMITER SHUTERIQI

***

Nga brezi im kam çmuar (në kohën kur nisën të botojnë, në vitet 30): Migjenin (shumë), Petro Markon (gjithashtu), Chri-Chri-në (disi), Remë Voglin, Nexhat Hakinë e Shefqet Musaranë (diçka), Aleks Çaçin, Andrea Varfin, Sterio Spasen (pak), Kapën, Kokonën, Haxhiademin (hiç). Haxhiademin e kam gjykuar artificial. Më pëlqeu Koliqi, shumë Lasgushi dhe Kuteli, disi Nologusi. Fishta më prekte fort, Naimi si askush; fort edhe Çajupi, De Rada, Dara, Serembe, por jo dhe kaq Mjeda, të cilin unë e çmova, megjithatë, më shumë se shokët e mi. Stërmilli nuk më tërhoqi. Asdreni më la të ftohtë, Prenushin e injorova, Lame Kodrën e kam pëlqyer, po nuk më ngrohte sa do të kisha dashur. Gramenon e Postolin i kam lexuar si të gjithë, po Nikajn fare. Kam adhuruar Nolin, Konicën gati s’e kam njohur.

***

Gratë më kanë rënë në qafë, kurse unë jo. Kam vuajtur nga një fare timiditeti ndaj tyre, në mos droje. Kur më janë vardisur, nuk kam ngurruar.

Mendoj se gratë janë po aq “të pabesa” sa dhe burrat, ndonëse përmbahen më shumë – i përmban syn i shoqërisë. Përpara Kantit të ishin njësoj fajtore, se “nieti” s’u mungon, ndonëse mund ta realizojnë shumë më pak se burrat. E kanë në instinkt që të kërkojnë të pëlqehen, të përkëdhelen, të bëjnë naze. Zbulojnë mishrat pa ardhur mirë pranvera dhe u pëlqen. Që te syri e te dora, natyrisht, rruga është e gjatë, po, kur paraqitet rasti, ajo shkurtohet në mënyrë aq të papritur, sa nuk ta pret mendja.

  1. e kam dashur për përkëdheljet, po jo me pasion. Edhe ajo po ashtu. Blansha qe grua plot gojën dhe e kam çmuar shumë si njeri e si femër, po nuk e desha me pasion si më deshi. Dashurinë e madhe e njoha me Myneverin. Për një grua si kjo mund të kisha lënë kokën që kuri. E zgjata eksperiencën e dashurisë dhe zgjodha. Është e vetmja rrugë ndofta për të jetuar i lumtur në dashuri.

S’jam xheloz. “Tradhtinë” që do të më bënte gruaja haptazi, do ta falja; fshehurazi, jo. Fshehurazi fillon pabesia.

Do të kisha qenë fatkeq, po të mos kisha patur fëmijë. Kjo më zvordhi nga Blansha; kjo do të më kishte zvjerdhur nga S.; prapë kjo nuk do të më kishte zvjerdhur nga Myneveri.

Im atë vdiste për fëmijët, nëna ime jo. Unë po çmendem edhe pas tim nipi.

***

Do të kisha qenë një udhëtar i përjetshëm. Zbulova se nuk ka vend që s’është i

bukur.

Më ka pëlqyer natyra, veçimi, soditja, jo rrëmuja e qytetit, shokët e tepërt, panairet, ahengjet.

Më ka pëlqyer mali më shumë se deti. Isha njohës i florës alpine. Për një “edelëeiss” desh kam lënë kokën. Për një “rodedendron” apo “lys martagon” kam ecur edhe 7 orë e 8.

Mal më të bukur se Tomorri nuk njoh – ndofta sepse jam shqiptar!

Kam qenë gjithmonë krenar se linda në Shqipëri dhe e kam pasur tmerr të mos vdes këtu. M’u paraqitën raste të mos kthehesha – u ktheva!

***

Më pëlqen të vishem mirë. Tani, në pleqëri, po vishem keq. Kështu edhe për të ngrënët.

U bëra njohës i kuzhinave, i gjellëve, ndonëse student i varfër. Më kanë pëlqyer shumica e kuzhinave, po jo ç’gatuajnë rusët, çekët, polakët. Serbët e bullgarët i ka mësuar Turqia të hanë. Ëmbëlsirat s’i kam dashur, as pijet. Po kam pirë një okë raki dhe s’jam dehur.

I kam admiruar gjithmonë “ashikët” (im atë qe i tillë). Karasevdallinjtë, jo.

Komoditetin e kam dashur minimal. As qilima, as mobilje të luksit. Kam dashur të kem një shtëpi timen, ndërtuar sipas qejfit tim, projektuar prej meje, jo për instinkt të pronës, po për një dhomë pune e biblioteke, ku të punoj e të mos më shkojë mendja të dal, dhe për një vatër e oxhak.

 

Pasurinë s’e kam çmuar asnjëherë. Paranë s’kam ditur ta ruaj. Të mos ishte Myneveri, do të isha pa brekë.

***

Midis njerëzve të thjeshtë, veten e kam gjetur zakonisht mirë; midis të mëdhenjve, rrallë. Të thjeshtët gjithmonë i kam dashur e më kanë dashur, të mëdhenjtë zakonisht më kanë cmuar.

Ndër punëtorët, në zemër më ka hyrë minatori; ndër fshatarët, malësori. Për ta kam pasur e kam dëshirë të shkruaj. Mirditori më ka magjepsur, si dhe shpataraku; e s’po lahem dot me ta.

***

Zakonisht hesht e dëgjoj, po kur nis e flas, mund të të shurdhoj.

***

Kam imagjinuar – që kur vajta në universitet e më kanë zbuluar një “ekstrasistol” – se kam sëmundje. Arrita të kem disa sëmundje, po s’kam njohur dëme të mëdha as nga zemra, as nga mëlçia, as nga endoarteriti, as nga veshkat. “Të tëra të vinë nga nervat”, më ka thënë dr. Hoxha në Tiranë, dr. Hajnali në Budapest, dr. Milku dhe Parhoni në Bukuresht, dr. Petrovski e Vishnevski në Moskë. Arrita t’u besoj. Po për shëndetin, edhe pse jam frikur, s’kam pasur kujdes kurrë, veç kur kam rënë në shtrat. Kam punuar pa hesap, gjer në 16 orë e më shumë ditën, kam pirë duhan pa hesap, gjer në 100 gr me llullë, i kam prishur të tërë dietat me t’i filluar.

***

Terjaqi i llullës. I kafes, jo. Dua të shijoj çdo duhan të ri që njoh, andaj edhe s’e pres dot kurrë seriozisht duhanin.

Kumar s’kam lojtur, po mësova shumicën e lojnave, gjer te pokeri e bilardua. Brixh, jo.

***

Mendova se, po të jetoj 49 vjeç (“gjysmë shekulli pa një”), boll do të ishte. U bëra 53. Ç’kam jetuar e do të jetoj plus, pra, e kam … qelepir.

***

Pëlqej vërtet vetminë, po më shumë atë çift. Me Myneverin mund të kisha vajtur në fund të botës; vetëm, as gjer në gjysmët.

Mërzitem për së gjati, i “këpus lidhjet’. Isha poet, u bëra prozator; studiova folklorin, vazhdova me historinë e letërsisë, për pak mund të jepem vetëm pas historisë. Po nuk do ma mbante të bëhesha… dramaturg. Kam lindur për kohën e enciklopedistëve dhe më vjen keq disa herë që nuk u bëra kimist (desha të studioj elektrokimi në Grenoble, se kish atje një institut me famë, po im atë s’më la), piktor, botanist (oh, ç’botë e mrekullueshme bimësia!), muzikant, arkeolog… Prapë, kurrë s’kisha menduar se do t’i vihem ndonjëherë punës shkencore. Kisha menduar se do të jem tërë jetën (s’ka çudi që të rikthehem përsëri te poezia, te dashuria e parë, më merr malli keq!). Më detyroi koha të bëhem historian i letërsisë, si dhe të merrem me shumë gjëra, po qejfi ma ka pasur po aq.

Kam pasur gjithmonë kurajo civile, po trim fizikisht nuk them se kam qenë. Sportist, pak a shumë. Për ushtar, sigurisht që nuk linda.

***

Feja më ka mbajtur gjer në moshën 15-16 vjeç me ritet e saj, ku gjeja shumë poezi. Pastaj u bëra shpejt armik i Zotit dhe i klerit. Familja ime qe e lidhur dobët me kishën. Babai qe skeptik, nëna praktikonte fare pak.

***

Këmbëngulës në mendime, po zakonisht ha arsye, “thyhem”, sado me vonesë, kur filloj e shoh se s’kam të drejtë.

Nuk jam hakmarrës dhe s’e lejoj hakmarrjen tek askush.

S’kam asnjë gram smire, asnjë derhem nakari.

Njerëzit i dua me shpirt dhe rrezikoj oportunizmin.

Ndjenjën e drejtësisë e kam të acaruar dhe rrezikoj të zihem me shumë vetë, me cilindo, për një gram drejtësi.                                                                                   ✓

Kam preferenca, po jo paragjykime. Ky është një virtyt, që ia çmoj shumë vetes,

se më bën edhe të arësyer, edhe realist, edhe të drejtë, objektiv.

S’jam lajkatar, pale me dy faqe. S’jam as diplomat. Ç’kam, e them brram dhe kjo më dëmton shpesh në jetë.

Nuk duroj të më marrin nëpër këmbë.

Dukem kryelartë, s’jam asnjë grimë.

June 9, 2019 09:40
Komento

4 Komente

  1. Mal Uka June 9, 12:16

    secila fjale e shkruar bukur me vulen e sqarimit te
    cilesise se ndertimit njeri i madh !!!!i lakon emnat me stilin e arsyjes dhe epe vlersim qe nuk i huqe
    pasqyron pasionin kuptohet ne kohen e rinise
    me shume dashuricka dhe secilen e parkon ne vendin e vet Tradhetija thot behet me msheftesi
    AsaiI pergjigjet me heshtje pa zhurme po me msheftesi ! Nuk ishte Alkoholik pse e pin nje oke raki As ne ushqim nuk eshte kerrnamegjiUne komentit e xoraqy.sh kuptova prej shkrimit te Tij

    Reply to this comment
  2. demo June 9, 14:27

    Shuteriqi eshte thesar.Ka mbledhur dhe ka situr gjithe traditen e arte te Shqiperise,prandaj nuk me rreshqet kemba kur mbeshtetem tek vepra shuteriqit.
    Dua ta lexoj PSALTIRIN e shen gjon gojartit te transkriptuar prej Shuteriqit.E ka kulturen ne gjak,nuk shtiret,.
    Proletaret shtiren,sajojne,sugjestjonojne mizat si bimet kermengrenese.Jane FALLCO.
    Une qe i njoh nuk me bejne pershtypje dekoratat,teneqete,xhingla minglat qe vejne per tu dukur.

    Reply to this comment
  3. Azemi June 10, 02:58

    Njeri i madh ky Dhimitri

    Reply to this comment
  4. sari June 10, 07:55

    vlere qe mungon por vlere dhe kur dishepujt e mbajne te gjalle frymen e tij, faleminderit profesor

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*