Rrëfimet e nipit të Fan Nolit (PJ II)

April 30, 2018 20:19

Rrëfimet e nipit të Fan Nolit (PJ II)

Nasho Jorgaqi

Vijon nga nr. i kaluar 

Rrëfimi i tretë

Ju kërkoni të dini për fshatin ku lindi Fan Noli, për Qytezën Ibrik-Tepenë, siç e thërrasin vendësit, dhe për fshatrat shqiptare në viset përqark. Unë kam lindur e jam rritur në këto anë dhe di ç’kanë qenë dhe si ka vajtur fati i tyre më pas. Shqiptarët një herë e një kohë jetonin në vete këtyre anëve të Trakës, të shpërndarë në tetë fshatra. Veç Qytezës sonë, në mes Keshanit e Edërnesë, ishin dhe Alltentashi, Sulltanqoi Pazardare. Zallofi, Allabari, Karaxhakli dhe Mandrica.

Me përjashtim të Mandricës, na shpërngulën dhe ne u gjendëm në Greqi. Ne ishim jabanxhinj në atë vend dhe cili jabanxhi e ka të lehtë në dhe të huaj! Mijëra shqiptarë, gra e burra, fëmijë e pleq, morën rrugën e një kurbeti të dytë, akoma më të rëndë se i pari. Ku nuk na çoi nevoja, derisa u vendosën atje, ku jemi sot, në Trakën greke, të shpërndarë në Ferres, në Tiqero, në Qipi, në Parathimi, në Kipseli e gjetkë.

Mund të bëhemi rreth 13000 frymë. Vetëm në Ferres jemi mbi 3000 shqiptarë të ndarë në lagje sipas fshatrave nga kemi ardhur, nga Qyteza e Zallofi, nga Sulltanqoi e Alltentashi. Nuk harrojmë nga kemi ardhur dhe dimë se kemi një gjak.

Si u gjendën ato fshatra shqiptare në mes të Trakës? Kësaj pyetjeje s’i ka dhënë përgjigje të plotë as daja vetë. Ai në një libër që ka shkruar thotë, se shqiptarët janë vendosur në këto vende nga koha e vjetër e Bizantit. Dhe ne na pëlqen të themi se jemi të lashtë, që kemi mbetur shqiptarë e se ruajmë gjuhën e zakonet, sidomos gjuhën. Dimë edhe se nga kemi ardhur, nga ç’vis i Shqipërisë. Ne të Ibrik-Tepesë jemi nga Qyteza e Kolonjës së Korçës, ata të Alltentashit nga Qafëzezi. Kështu të tjerët.

Po në çfarë kohe? Ca thonë në kohën e Ali Pashë Tepelenës, të tjerë thonë më përpara. Edhe unë, kështu them, se jemi më të vjetër. Po gjë të provuar s’kemi. Histori kemi, veç histori të pashkruar. Gjithë ç’dimë për të shkuarën tonë, i dimë nga pleqtë. Thua, mjafton kjo? Ja, që ju doni të dini më shumë. Më vjen keq që daja nuk e shkoqiti dot këtë gjë para se të mbyllte sytë. Me sa kujtoj unë, nuk ka qenë gjë e lehtë. Atëherë s’keni ç’prisni prej meje.

Unë do të flas për ato që i kam dëgjuar dhe ju pastaj i vini në kandar. Fshati ynë ka qenë një fshat i madh e i  bukur me emër të dëgjuar. Ishte më i pasuri nga të gjithë fshatrat shqiptarë të Trakës. Prandaj e kishin bërë dhe qendër administrative. Kish mydyr e jo myftar, kish dhe postë-xhandarmërie e tagërmbledhës. Varej nga Keshani. Më lart vinte Uzun-Qupraja e pastaj Edërneja.

Qytezën tonë e mbaj mend si një qytet fare të vogël për atë kohë, me njërëz plot e me plot shtëpi, në anë të disa kodrave të buta që ngrihen nga veriu. Këto kodra ishin vend antike, sepse po t’i gërmoje pak, nxirrnin poçe të vjetra e sidomos ibrike. Si duket, në kohëra të lashta, te ky vend gjendej ndonjë punishte poçash dhe prej kësaj i kishte mbetur emrit dhe fshatit.

Se turqisht tepe i thonë kodër dhe Ibrik-Tepe do të thotë kodra e Ibrikëve. Po të parëve tanë s’u pëlqente e s’u vinte për kollaj ta thoshin turqisht emrin dhe i vunë emrin Qytezë, të cilën e sollën me vete. Kështu e njihnin dhe e thërrisnin të gjithë shqiptarët e Trakës.

Qyteza në kohën më të mirë ka pasur mbi 400 shtëpi dhe nja 5000 frymë. Të gjithë shqiptarë, shqiptarë denbabaden, të shëndoshë e të pashëm si ata. Të huajt mund të vinin për të punuar e për nevoja të tyre, po asnjë nuk mund të ngulej aty. Fshatrat tona qenë thjesht shqiptare dhe shqiptarësia e tyre mbeti e paprekur. Mund të ketë pasur, mbase, dhe ndonjë ferman të Stambollit për këtë, po unë nuk e di. Di që fshatrat tona gjendeshin të rrethuar nga fshatrat turke, bullgare, greke.

Ne jepnim e merrnim me ta, kishim marrëdhënie shumë të mira. Shqiptarë kishte plot në Edërne,bile me punë të mira, në zyra e në ushtri, kish dhe në Sufli, një qytet matanë lumit Marica, ku bëhej tregti e madhe. Shqiptarët e Suflisë thonë se kishin ardhur nga Suli dhe një pjesë e tyre qenë grekëzuar.

Ne takoheshim me njëri-tjetrin nëpër pazaret e Keshanit e të Suflisë, të Uzun-Quprusë dhe të Edërnesë. Kështu shqiptari takonte kudo shqiptarë në këto anë dhe, kur kthehej në fshat,ku flitej vetëm shqip, ndiente sikur aty qe një copë Shqipëri.

Qyteza kish toka shumë  të mira, të bollshme e pjellore. Tokat qenë tonat, secili kish tokën e tij, kush më pak e kush më shumë, si në tërë fshatrat e botës. Ne s’ishim çiflik, siç qenë shumë nga fshatrat turke, greke apo bullgare. Nga vinte kjo? Se burrat e tetë fshatrave shqiptare ishin në rend të parë ushtarë e pastaj bujq.

Ne tokat vërtetë i kishim tonat, dhe kjo na bënte të ishim më pak të varur nga çorbaxhinjtë, po taksat i paguanim si të gjithë të tjerët një në një. Në fshat tagërmbledhësi s’luante nga vendi, po kur mblidheshin timaret, të tretat e të dhjetat, vinin tagërmbledhës dhe nga Keshani dhe Edërneja.

Qyteza ishte, siç u thashë, si një qytet i vogël, me dyqane, me një çarshi të hapur, me kafene. Kishin filluar të ngriheshin dhe fabrika të vogla vaji e sapuni. Te ne rritej krimbi i mëndafshit, që e çonin pastaj në Sufli dhe nxirrnin ndonjë para. Fshati kish dhe bagëti të madhe, sidomos buallica. Ishte vend tamam për buallica, ngaqë kish ujëra plot përqark. Bile, në kufi me Sulltanqoin, shtrihej një liqen i vogël që ne e thërrisnim Vithi i Kuq, ngaqë e kish llumin të kuq. Fshati qe ndarë në disa mëhalla dhe kishte disa çezma. Më e njohura ishte çezma e lartë. Ishte dhe një që thirrej çezma e Tosumit.

Shkollën e fshatit e kishim me tetë klasë, po bënim vetëm pesë sepse s’kish dhaskal. Mësuesit i pagonte fshati. Për ta sosur shkollën duhej të shkoje në Keshan, 30 km më tutje. Mësimet bëheshin në gjuhë greke dhe dhaskalët qenë grekë.

Më pyetët se si ishte gjendja ekonomike e fshatit. Si të ishte? Si në gjithë dynjanë. Kish të kamur, po më shumë të skamur. Do të thuash se tokat ishin të mira, se klima qe e mirë, se s’kishin çifligarë e bejlerë. Kështu është, po kishte çorbaxhinj, ata që kishin toka, bagëti, dyqane e fabrika. Këta kishin kamje të madhe. Bie fjala, Ballaçët qenë çorbaxhinjtë më të kamur. Familja e gjyshit nuk hynte në serën e tij. Vërtet, ai kishte toka e bagëti, po nuk ia bënte hyzmetin dhe dalngadalë nisi të bjerë nga vakti, siç të thashë, këtë kohë e arriti dhe dajë Theofani dhe e provoi se sa e vret njeriun nevoja. Të kish para gjyshi, s’do ta kish lëshuar djalin nëpër botë me pesë kacidhe në xhep, po do t’i kish dhënë para që të bënte shkollë si gjithë ata që i nisnin për këtë punë. Daja, siç e dini, hoqi shumë, e, në vend që të mësonte, punoi për bukën e gojës.

Dua të them Qyteza edhe pse në mes të tokave të mira e ujërave të pasura, kishte halle plot. Kishte çorbaxhinj dhe argatë dhe kur njëri ka e tjetri s’ka, s’do mend se ka vuajtje dhe sherr. Po kjo është një mesele më vete. Fjalën e kemi për Qytezën, për shqiptarët e fshatit tonë dhe unë për këtë dua t’ju flas. Qytezallinjtë kanë pasur emër të mirë. Njiheshin si njerëz të zgjuar, punëtorë e nikoqirë të mëdhenj. Qejfin e kishin me masë, dëfrenin, po me karar. Pak i gjeje në çarshi e në kafene. Arat dhe bagëtitë ishin punët e tyre.

Shkollën e donin sa për t’u hapur sytë, që të mos ua hidhnin të tjerët, po s’e sosnin të gjithë. Të rrallë qenë ata që ndiqnin shkollat e mëtejme të Keshanit e të Edërnesë. Më të rrallë ata që venin pastaj në Athinë. Një nga këta qe daja. Të tjerë unë nuk di. Ne e quanim veten shqiptarë, kurse turqit na thërrisnin arnautë, siç na thërrisnin grekët arvanitas. Po në krahasim me arvanitasit e Greqisë, ç’është e vërteta kemi ndryshime qoftë në gjuhë, qoftë në zakone. Të mbledhur në fshatra në vete, të ndarë nga vendasit, me ekonomi të mirë, shqiptarëve të vilajetit të Edërnesë u kërcënoheshin më pak rreziqe se arvanitasve të Greqisë. Daja ynë ishte i kësaj rrënje, shqiptar e bir shqiptari dhe i trashëgoi gjithë të mirat e të parëve të tij, prandaj kur u nis prej andej ishte gatuar i tëri me gjuhën, zakonet, trimërinë dhe besën shqiptare. Në qoftë se ai sapo u takua me patriotë të Rilindjes, u lidh dhe u vu menjëherë nën komandën e tyre, ushtar të Shqipërisë e kishte bërë me kohë Qyteza, kur i ra koka.

Rrëfimi i katërt

Kur them se Qyteza jonë ka qenë e tëra shqiptare, kam parasysh se ajo fliste shqip dhe vetëm shqip. Ja, një shqipe si flisni ju e që pleqtë tanë, kur donin të tregonin se si qëndronte kjo me të folurat e tjera, thoshin se është e folura e Kolonjës së Korçës. Falë kësaj, ne u mbajtëm në këmbë, përndryshe, çdo gjë mund të ishim, po shqiptarë jo. Prandaj ne i kemi dashur me shpirt, sepse gjithnjë e kemi ditur se, po u shua gjuha, u shua dhe fara jonë.

Gjuha shqipe e Qytezës, nuk e teproj, ishte më e bukura e më e pastra nga tërë fshatrat shqiptare të Trakës. Them kështu se ajo ndryshonte nga shqipja që flitej në fshatrat rreth nesh. Të folurat tona andej ndryshonin edhe për një arsye tjetër. Flitej një shqipe nga kish ardhur fshati. Qytezarçja jonë qe e afërt me të folmen e Sulltanqoit, të Pazardaresë, po jo aq me atë të Zallofit, se jemi larg njëri-tjetrit dhe s’kishim marrëdhënie. T’u them disa fjalë si thonë në Qytezë e si i thonë në Alltentash. Në të parën, i thonë shumë mote, në të dytën, shumë vjet, kështu dhe gjysmë e gjyms, nga e na, ve e kokove, jakni këtej, ejani këtej, krye e kokë e plot të tjera.

Ju dëgjoj juve dhe kuptoj se shqipja jonë dhe ajo që flitet këtu është gati-gati njësoj. Veç ne të Qytezës kemi disa fjalë e të folura që ndërrojnë nga këto tuajat. Ne s’themi faleminderit, por qofsh me nder, jo rrugë, po udhë, jo fshatra, po fshet, jo shkrepëse, po zjarrës, jo i artë, po i argjentë etj. Pastaj ka fjalë me ca kuptime të holla, ndryshe nga ju. Ne themi: ngordhmë, për vdekur Vdes kur vdes nga sëmundjet, ngordh kur të vrasin, siç bie fjala, gjermanët i ngordhën (vranë) fshatarët. Ngordh kur vdes nga armët ose aksidentalisht. Ne themi ujë i pastruar e jo si ju, ujë i pastër. Fjalën besë e përdorim shumë, dhe besa-besën, besali, po dhe fjalën tjetër flambur për flamur.

Gjuha jonë ka lezete dhe bukurira, që të gëzojnë shpirtin e jo vetëm veshin, qytezalliu, kur do një gjë a kur habitet, ta ka qejfi ta dëgjosh *). Thotë shëndet qofshi apo vafshi dhe ardhshi, punokan, qenkeshin, shitkeshin etj.

Kemi dhe fjalë që pleqtë tanë i mbajnë si shumë të vjetra. Ja, ndonjë gjë që më kujtohet tashti, si gjegj për dëgjon,dbora për humba etj.

Qytezallinjtë kur inatoseshin, shanin e mallkonin keq, si Prapa diellit! Humbsh këtej! Të hash kryet! Zverkun përsprapi. Dosë! Krue! Kukuville, leshprerë (vajzë e përdalë) etj.

Sa për emrat e njerëzve, ata janë të gjithë emra ortodoksë, kurse llagapet janë të ndryshëm dhe, me sa dëgjoj këtu, shumë prej tyre kanë ardhur prej këndej. Mund t’u them llagapët e familjeve kryesore të Qytezës: Adhami, Gjika, Gega, Dedolli, Ramadani, Kandalli, Kondili, Papakostandini, Qirjaqi, Haxhi, Bojaxhiu, Mejolli, Haxhimajolli, Çano, Ballaçi, etj. Këto llagape qytezallinjtë i mbajnë edhe sot.

Në Qytezën tonë flitej, po dhe këndohej e vajtohej shqip. Ka qenë një fshat me një jetë të gjallë, plot zakone e të kremte të bukura. Kush vinte në Qytezë kish ç’të mbante mend. Tek ne këndoheshin plot këngë dashurie e dasme, këngë për të vegjëlit, po dhe këngë vaji, tregoheshin përralla, thuheshin në muhabete proverba, hidheshin e priteshin gjëegjëza. Daja derisa u bë tetëmbëdhjetë vjeç, i dëgjoi të gjitha këto. Gjyshi ishte burrë që i sajdiste shumë njerëzit, shkonte në gëzime e hidhërime dhe kudo se ndante Fanin. Fanit këto i hyjnë në shpirt dhe kur iku, i mori me vete.

Ne ishim në vise, siç ju thashë, ku jetonin popuj të ndryshëm me gjuhë e zakone të ndryshme. Po ne kishim tonat dhe s’binim më poshtë se ata. Mblidheshim nëpër shtëpira, në oborre dhe oda, po dhe në sheshe, sidomos te Sheshi i madh para kishës. Të dielave bëhej shesh, kështu i thoshin. Shkonin të mëdhenj e të vegjël te Sheshi i kishës ose ai i fshatit dhe loznin valle e këndonin, veç djemtë e veç vajzat. Vetëm po të ishim gjiri, lidheshin për dore. Në kohën e kreshmeve për 40 ditë nuk bëheshin valle, po topdore, loznin me top.

Dasmat qenë gëzimi më i madh i qytezallinjve. Valonin gërnetat, qemanet e govatat apo lahuta, që i kishim vegla tonat. Lëre pastaj kënga, u këndonte të gjithëve në zemër. Në shtëpinë tonë, tregonte mëma, gjysh Stiliani ishte këngëtar i parë, psallte në kishë, po këndonte dhe nëpër dasma. Edhe daja që i vogël mësoi të këndonte, kish zë të mirë dhe me këtë zë këndoi deri në pleqëri të thellë. Vallet i kërcenin me të kënduar, të ndarë me dy palë, ia merrnin dhe ia kthenin njëri-tjetrit. Mua dhe sot më lëvizin këmbët kur e kujtoj atë kohë të fëmijërisë. Këngët që këndoheshin në Qytezë kanë qenë të shumta e të ndryshme. Disa prej tyre këndohen dhe sot, po unë nuk i mbaj mend. Kujtoj ndonjë prej tyre e jo të plota. Ja një këngë që këndonte djemuria atëhere;

 

Ç’më ndenji ljepuri në bisht,

Pa më kuvendojnë turqisht.

A të shkonjë nga ato puse?

Nga ato puse, qënkeshin nuse,

Pa më shitkeshin tarpushe .

O tarpushe të kuqe,

Pse me dbore , pa s’mu duke?

A të shkonjëm nga ato bafsha ,

Nga ata bafsha qenkshin vasha,

Po na shitkeshin unaza…

 

Më kujtohet dhe fillimi i një kënge që thoshte:

Në sinër  të urofit

Prisnin çupat të shkojin,

Se dojën të kuvendojin…

 

Të vegjëlit thoshnin me zë të lartë:

Cilivili zogëza,

Zogëza katuna ,

Më mba pishën,

Pula qep këmishën…

Nga zakonet e dasmës qytezare më vjen ndër mend se kur vinte nusja, i jepnin një mollë dhe ajo e flakte pas. Ai që e merrte, do të kishte fat.

Një zakon tjetër dasme ishte ai që çifti, kur hynte në shtëpinë e dhëndrit, shkelte te pragu i derës një hekur të vënë qysh më parë dhe kjo ishte mbarësi, pse ndillte një jetë të përbashkët të fortë. Rrugës çiftit i jepnin një foshnjë ta mbanin në mes dhe ëmbëlsira. Kur kalonte, të gjithë thërrisnin “Gjashtë çupa e gjashtë djem”.

Edhe për të vdekurit Qyteza kishte zakonet e saj. Ai që vdiste nderohej e përcillej jo vetëm me lot, po dhe me fjalë. E qanin me zë dhe me radhë. Vajtimet qenë këngë të dhimbshme, që të këpusnin shpirtin, sidomos kur vdiste ndonjë i ri apo hallexhi.

Veshjet tona ishin tonat dhe s’kishin të ngjarë me ato të të tjerëve. Gratë mbanin këmisha të bardha, të qëndisura, xhamadan ose jelek dhe fustanellë të rëndë. Kurse burrat vishin poture leshi, në mes vinin brez të gjatë që mblidhej disa herë, në këmbë lidhnin ofgjela (si pece), të bardha me kordele të zeza. Në kokë mbanin sarëk, shami të zezë.

Shtëpitë e qytezallinjve ishin shtëpi fushe, thurur me baltë, me çati të gjëra e oda të mëdha. Shtëpitë dykatëshe qenë të rralla. Vetëm Ballaçet e pasur kishin në Qytezë.

Kishte dhe gjëra të tjera, po kush i mban mend. Bie fjala, qerret qenë jo me dy, por me katë rrota e i tërhiqnin qetë e buallicat, po kishte dhe pajtone të shpejta me dy rrota e me kalë përpara.

Sa për shakatë, si tërë fshatarët dhe ne të Qytezës nuk mbeteshim prapa. Hidheshin e përhidheshin fjalë, po tregoheshin dhe meselera plot kripë. Duhet të ishe i kujdesshëm se kur të vinin në shenjë, të kushtonte para shoqërisë. Më kujtohet se sa bukur ë qesendisnin mendje-madhin që kërkon të fshehë se kush është në të vërtetë; “I thanë mushkës e kujt je? Ajo tha: E njeh atë kalë? Atë e kam dajë. S’desh të përmendë gomarin…

Më shtytë në kohë shumë të largëta, më bëtë të kujtoj Qytezën tonë, që ishte dhe s’është më…Shtëpitë janë akoma në këmbë, janë dhe rrugët, dhe varret, rrjedh dhe përroi aty pranë, po ne s’jemi më atje. E kur, s’jemi ne, s’ka si të ketë Qytezë. Ajo rron vetëm si një kujtim, që një herë e një kohë kish aq bukuri e ngjallte aq gëzim, sa i dha jetë sa e sa brezave. Ajo nxorri në dritë dhe një shqiptar të madh, siç është për ju dhe për ne Fan Noli. Ky bir i saj bëri që emri i Qytezës të kujtohet dhe sot e të mos ketë mort!

April 30, 2018 20:19
Komento

3 Komente

  1. Paul Tedeschini April 30, 22:05

    Bravo Noli dhe bravo Jorgaqi per kete qe eshte shkruar ne:
    Noli “VEPRA 2” në faqet 157-158 të botimit të vitit 1987.

    “KLUBI I SHKODRȄS”

    “Lajmat nga gazetat e huaja na e rrëfejnë të ndryshmë shkakun e mbylljes së Klubit të Shkodrës. Do të perpiqemi pra me pak fjalë t’i përmbledhim këto të gjitha që t’u japim të kuptojnë shqiptarët cila është thellazi përseja e këtyreve paudhësive që po ngjasin njera pas tjatrës ndë Shkodër.
    Një telegraf i “Tajmsit” (“Times”) të Londrës na rrëfen për shkak mysylmanët, të cilët domosdo kërkonin që shqipja në qoftë se munt të shkruhet, duhet bërë vetëm me shkronja arabisht. Gazeta greqishte “Pyrros” na rrëfen që mysylmanët u mblodhën një natë të Ramazanit, nonjë mijë, e rrethuan klubin dhe kërkonin ta diqnin, se shqiptarët që e bënë këtë klub qënkeshin vegla të Austrisë. Qeveria (turke) tjatrën ditë e mbylli klubin dhe zbriti tabellën e tij. Përandaj katholikët shqiptarë, nuk deshin të merrnin pjesë në konferencën që u bë prej mysylmanëve për të protestuar kundër Austrisë për çështjen e Bosnjës dhe Hercegovinës. Një letër prej Elbasani nga tjatra anë na rrëfen për shkak një gjë që ka më tepër rëndësi nga këto të gjitha. Kjo letër na tregon që mysylmanët shkodranë u tërbuan kur mësuan se në këto klube janë shkruar katër a pesë mysylmanë dhe menjëherë u hodhën t’i mbyllin dhe pak mbeti t’ua diqnin shtëpinë atyre mysylmanëve që kuxuan të shkruhen anëtarë në këtë klub.
    Nuk na çuditë fare fanatizma e mysylmanëve të Shkodrës dhe kurrë nuk ushqyem shpresën e kuximshme që munt të bëjshin njerës të rij, pasi u vendos konstitucia. Po çuditemi për qeverinë, e cila s’është e zonja t’u vërë fre këtyre egërsirave dhe i lë të bëhen shkak për të derdhur gjak vëlla me vëlla. Sa pandehim që shqiptarët atdhtarë të Shkodrës të mos e gëlltitin dhe këtë shuplakë pa nxjerrë zë, si burgosjen e Dervish Himës. Kemi frikë se, ndë qoftë se mysylmanët e Shkodrës sillen me këtë paturpësi barbarë, të krishterët do ta humbasin durimin dhe, në dhënçin besën, që ta marrin gjakun gjithë Malësia, do mos mëntojnë ta shikojmë Shkodrën të mbytur në gjak, dhe fajën do mos e kenë të krishterët, dhe ata që do të pendohen do jenë mysylmanët e Shkodrës dhe qeveria turke. Dhe në këtë gjë me anën e katholikëve të Shkodrës, të cilët s’kursejnë veç të drejtat që rrjedhin prej konstitucies, do të qëndrojnë gjithë të krishterët dhe mysylmanët e Toskërisë, të cilët prej kohë kanë kuptuar çdo me thënë qytetërim.
    Para se të mbarojmë, kemi dy fjalë për klubin e shqiptarëve edhe ca më tepër per atë të Manastirit që eshtë si krye. Përse këto klube nuk protestohen këtyre padrejtësive, po pushojnë? Po munt të na thonë se s’trazohen në politikë simpas kanunoreve. Jo, or zotërinj, se kur shkruani që do të përkrahni Xhamietin e xhonturqve, na thoni që do të përpiqi për lirinë dhe përparimin e perandoritë otomane. Mirë! Ashtu e kuptoni përparimin e përandrisë otomane? Dhe kur të bëhet gjak në Shkodër, do mos jini fajtorë, posa që s’deshtë ta lajmëroni qeverinë në ç‘greminë po baret, dyke sjellë prapë në Shkodër kohën e errët të tiranisë së vjetër.
    Po kemi një shpresë dhe kjo na jep kurajë! A janë të zotërit katholikët e Gegërisë tua kthejnë shuplakën atyre që dashkan të mos ketë klub shqiptar?”

    Botuar në “Kombi”, 1908, 25 nëntor, nr. 164

    Reply to this comment
  2. Gjorku April 30, 23:49

    Sa e madhe èshtè dashuria pèr Atdheun, nè shkrime tè tilla ajo bèhet me rrènjè mè tè thella nè pèrjetèsi. Pèr jetèn dhe veprat e Nolit kemi mèsuar nè çdo cikèl tè shkollès, por falè kètijè shkrimi sot, Noli èshtè njè si ne ! Shqipètarè dhe fort i nderuar !!! Veçmas emocioneve tè shkrimit duhet qè nè mènyrè urgjente tè paisen me pasaportè shqipètare tè gjithè ata qè ndihen shqipètarè dhe t’ju jepet e drejta e votès tè gjithè emigrantève kudo qè jetojnè ! Kjo nuk èshtè vetèm dèshirè por mbi tè gjitha, domozdoshmèri pèr njè komb si ky i yni. Pèrse duhet ti humbasim vlerat dhe vyrtytet e mrekullueshme tè shqipètarit !

    Reply to this comment
  3. Goni May 2, 16:55

    Rrofsh Profesor Jorgaqi dhe shume falenderime per shkrimin. Goni

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*