Rrëfimi i aktores së njohur: Bashkëshortin e ngacmova vetë e para

December 2, 2017 21:03

Rrëfimi i aktores së njohur: Bashkëshortin e ngacmova vetë e para

Ajo është një nga aktoret e reja të humorit me një karakter shumë të spikatur dhe shumë e dashur për publikun. Rudina Dembacaj është një personazh shumë simpatik që nga aktore, sot drejton një emision të sajin, por edhe merr pjesë në një spektakël vallëzimi.

Personazhet e imituara prej saj kanë ngelur të fiksuara tek shqiptarët. Por sot Rudina na rrëfen pak më në thellësi për jetën dhe angazhimet e saj në emisionin “Chic” në News24. Që nga marrëdhënia e saj me bashkëshortin, vajzën, deri tek profesioni dhe sekretin se si ja del me aq shumë angazhime por pa doreza, siç ajo e ka zakon. “BalkanWeb” sjell intervistën e saj.

Të shoh në formë edhe pas lindjes së vajzës…
Nuk ka qenë e vështirë. Kilet e para nuk ikën shumë kollaj, kurse tani më ka ndihmuar edhe Dance with me.

Si po shkon Dance with me, sepse po vjen drejt fundit?
Përpiqem shumë. Unë që të arrij konkurrentët e tjerë, besoj se punoj dyfishin. E kam me shumë dëshirë në fakt. Nuk dua që balerinët profesionistë të ndjehen keq kur kërcejnë me mua, prandaj edhe përpiqem shumë. Nuk është pjesa ime më e mirë kërcimi.

Pse e pranove një sfidë si kërcimi?
Unë kam qenë 2 herë e ftuar tek Dancing With the Stars dhe për çështje kohe nuk e pranova dot. Më kishte mbetur si peng, që doja të merrja pjesë në një garë kërcimi. Më pëlqen. E pranova vetëm me idenë që do lë provat paradite dhe do filloj ditën me energji. Ashtu ndodhi. Çdo ditë në 10-12 jam në prova. Angazhimet e tjera dalin më mirë për shkak të energjisë që marr nga kërcimi.

Kërcimi përveç se është i këndshëm, është edhe një sfidë, ku e ngre në një stad më profesional. Duhet mund e përpjekje…
Më janë nxirë këmbët. Këmbët i kam sterr të zeza vazhdimisht. Më pëlqen që të mos mi thjeshtojnë koreografitë. Gjithmonë kam qenë një njeri jo shumë atlet në fizik, kam qenë lluqe. Më shijon shumë e gjithë kjo gjë. Por për mua s’kanë pikë rëndësie pikët e jurisë dhe kupa.

D.m.th kjo pjesa e sfidës, ajo konkurrenca, momenti ku njerëzit fillojnë të acarohen, të ndikuar se kush do fitojë…
Fati im është se unë kam hyrë në mes. Kishte filluar Dance with me. Ndoshta konkurrentët e tjerë janë të lodhur. Ne çiftet që kemi hyrë më vonë, jemi 3 çifte, jemi më energjikë. Nga ana e kërcimit unë vlerësoj shumë Ana Likën. Mendoj që ajo duhet ta fitojë.

Impenjim i madh që ke marrë përsipër. Je nënë, e ke vajzën 11 muajshe dhe je gjatë gjithë kohës në prova, me xhirime, në teatër. Si arrin ta menaxhosh kohën?
Vetëm dje kishim pushim nga provat e kërcimit dhe më beso po kaloja në depresion, po thosha çfarë do bëj unë tani. Kisha filluar ta organizoja kohën me të tre angazhimet e mia në mënyrë perfekte. Këtë jo se jam ndonjë njeri i jashtëzakonshëm por se Aleksi, partneri im më ndihmon jashtëzakonisht me gocën. Duke qenë se ai nuk e ka problem fare të kujdeset për të çdo pasdite, unë kam qenë në shtëpi në një kohë shumë cilësore me vajzën. Për sa kam ndenjur me të kam qenë 100% e saj. Unë telefonin madje nuk e hap në shtëpi sepse kujdesem për Viktorian. Pjesa tjetër e ditës është organizuar në mënyrë perfekte. Duke qenë gjithandej me orar, më ka ndihmuar të jem shumë strikte.

Çelësi i suksesit është të ruash oraret, ja ke dalë?
Ja kam dalë.

Sot erdhe me vonesë…
Erdha me vonesë se më grimoi Ana. Më morën në dorë gocat në palestër.

Kush janë gjërat që bëni zakonisht me vajzën, sigurisht që ajo është e vogël, nuk e di a i ka hedhur hapat e parë…
Kështu duke u mbajtur. Viktoria ushqehet akoma me gji dhe sa më sheh fut dorën tek bluza. Tani ka filluar gjen syrin, gojën e bufit tek jastëku. E pyet ku është babi, drejtohet tek i ati.

Kush është më i preferuari i Viktorias?
Babi është. Pasi pi mirë e mirë shkon tek babi.

Më the që Aleksi të mirëkupton. Bashkëshorti jot është i lidhur me këtë botën tënde?
Jo e dashur. Im shoq është inxhinier mekanik, ka një servis të vetin, aty ku e njoha unë se mu prish makina. Ai në fillim s’ma varte fare, e gjuaja unë. Mua më prishej pak si shpesh por ai e rregullonte shpejt. Aleksi s’ka lidhje fare por më ka kuptuar që në fillim. Unë kisha një periudhë pauze që Aleksi e shijoi shumë për të udhëtuar se vdes për udhëtime.

Në momentin që më erdhën këto angazhime, unë i pranova sigurisht duke u konsultuar me të dhe ishte shtytësi kryesor që unë t’i merrja përsipër.

Është e rëndësishme që në një punë si kjo të kesh dikë që të mirëkupton. Për gjithë vëmendjen që merr nga media, për gjithçka që shkruajnë portalet, për çdo lloj arritje por dhe abuzimi që mund të bëhet me ermin tënd.

Aleksi madje është ironizuesi kryesor i abuzimeve që bëhen. Ai shkrihet kur dëgjon diçka për mua, e thënë kjo në portale apo underground. Jo vetëm me ato që thuhen edhe ato të pathëna, Aleksi është ironizuesi kryesor. Është ai që më bën mua t’i marr gjërat me sportivitet.

Dhe kjo është gjë shumë e mirë…
Unë e falënderoj Zotin që kam një marrëdhënie kaq të mirë me të, shpresoj të mbajë sa më shumë. Unë i them Aleksit gjithmonë sillu mirë se je në nominim.

E pranon ai sfidën e nominimit?
Aleksi ka një vetëbesim të frikshëm dhe nuk besoj se e lëkund kjo gjë. Të paktën nuk e jep veten përballë meje. Nuk besoj se ka nevojë për këtë shprehje se ka sjellje shumë të natyrshme. Më ka kuptuar që ditën e parë që jemi njohur. Ne u njohëm me kushtin tim që unë të mos kisha asnjë lidhje serioze. I thashë dëgjo se nuk kam nerva për lidhje serioze. Me mua je sot, nesër mos i bjer telefonit, pastaj i radhë vetë telefonit dhe që ditën e parë që ndenjëm, nuk u ndamë më kurrë.

Kjo është vërtetë një deklaratë dashuria, që ditën e dytë ti…
Unë ditën e dytë e mora vetë në telefon. Ai ishte i sigurt që do ta merrja se kjo siguri e mban gjallë. Ashtu ndodhi.

Ti aktualisht po ndan një angazhim në teatër i cili do të vijë shumë shpejt..
Premiera ka qenë në Fier, dy net në teatrin Bylis. Ka qenë tre net në teatrin “Migjeni”. Në 1 dhe 2 dhjetor në Elbasan, pastaj në Durrës e Korçë, ndërsa gjithë janarin do jetë në Tiranë.

A mund të na rrëfesh diçka më tepër rreth kësaj?
Kur unë mora një ofertë për të dalë për herë të parë në teatër, ishte magjike më beso. Nuk e kisha ëndërruar ndonjëherë se një regjisor do vinte të më takonte dhe do më thoshte se këtë rol unë e mendoj vetëm për ty. Duke mos qenë një ish-studente e Arteve, duke mos mbaruar Akademinë e Arteve nuk e kisha menduar teatrin. Me aktrimin sigurisht por mendoja se do ngelej brenda showt të humorit. Kur e mora si propozim, u emocionova shumë por kisha gjithmonë dyshimin nëse do ta përballoja. Ky dyshim më zgjati vetëm një javë deri sa takova kastin që më dhanë shumë vetëbesim, më kanë ndihmuar shumë. Edhe regjisori Kiço Londo më ka dhënë këtë vetëbesim me rolin tim, që unë mendoj se ja kam dalë. Është nëj vepër franceze. Një farsë humoristike shumë interesante. Unë kam rolin e Bertës, shërbëtores.

Ndër të tjera të del edhe koha për të bërë emisionin…
Nuk do ia dilja pa dy ndihmëset e mia. Shkrimtaren e jashtëzakonshme Ina Gjonçi dhe gazetaren Suada Daci. Më kanë ndihmuar shumë. Në këtë periudhë kohe që harroj e përjetojnë me shumë humor. Ka filluar vetëm në taksi por na lindi ideja ta nxirrnim edhe jashtë taksie.

Ndonjë ide pikante për fundvit për emisionin?
Do ta kem më të veçantin. Do ta kem me dy taksi edhe me një aktore tjetër.

December 2, 2017 21:03
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*