Rrëfimi i Dzajic: Në Beograd nuk fitoi futbolli

April 17, 2015 09:52

Rrëfimi i Dzajic: Në Beograd nuk fitoi futbolli

Dragan Dzajic, një prej emrave më të mëdhenj të futbollit serb dhe ballkanas, në vitet 60-70, në një rrëfim për Supersport flet për karrierën e tij dhe ngjarjet e 14 tetorit në stadiumin e “Partizanit të Beogradit”, në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Ai njihet si një prej simboleve të klubit më në zë të futbollit serb, Crvena Zvezda, që në 1991 në Bari fitoi Kupën e Kampioneve. Një sukses që Dzajic e cilëson si më të madhin e futbollit ballkanas.

Crvena Zvezda ka qenë një klub që ka marrë trofe shumë të rëndësishëm, dhe jo vetëm brenda kampionateve të ish-Jugosllavisë, por gjithashtu dhe në arenën ndërkombëtare. Një klub që ka fituar në Europë, por dhe që ka luajtur në Botërorin e klubeve në Tokio.

Dzajic kujton gjithashtu dhe përballjet e dikurshme me Kombëtaren shqiptare, por dhe sfidat me Trepçën dhe Prishtinën, në periudhën e Ish-Jugosllavisë: “Njëherë kam luajtur në Tiranë për eliminatoret e Europianit dhe fituam me rezultatin 2-0, ndërsa 4-0 në Beograd në ndeshjen e kthimit. Më pas nuk jemi ndeshur më. Atmosfera ka qenë e mirë. Përfaqësuesja jugosllave në atë kohë ishte shumë më mirë se ajo e Shqipërisë. Mbaj mend që në atë kohë Pano luante për Shqipërinë dhe ishte një ndër lojtarët më të mirë të përfaqësueses tuaj. Kur unë luaja, ka patur një sërë lojtarësh të njohur nga Kosova që luanin në kampionatin kombëtar të Jugosllavisë për Trepçën, Prishtinën, ashtu siç ka edhe sot një numër të madh lojtarësh shqiptarë ashtu si dhe serbë që luajnë për klube të njohur europianë. Gjithmonë, kur shoh ndonjë ndeshje jam kurioz për lojtarët që luajnë në janë nga Tirana apo Prishtina, por që asnjë herë nuk ka patur probleme në atë kohë në ndeshjet e luajtura qoftë në Prishtinë apo Beograd. Përballjet kanë qenë gjithnjë të forta, plot emocion dhe njëherë në një ndeshje midis Crvena Zvezda dhe Trepçes që u zhvillua në Mitrovicë në një stadium të mbushur plot fituam me vështirësi 1-0”.

Në Kategorinë Superiore aktivizohen shumë lojtarë serbë, në ndryshim nga kampionati serb ku nuk gjen asnjë shqiptar të vetëm. Për Dzajic, faji për këtë është dhe i politikës. “Nuk mund të shprehem shumë për këtë, pasi ky është një problem politik, jo sportiv. Një çështje që politika duhej t’i jepte zgjidhje, por përderisa kohë që të jetë e përfshirë edhe në sport, është e vështirë që futbollistë nga Kosova apo Shqipëria të luajnë në Serbi. Besoj se askush nuk do të donte që kjo të ndodhte, por që nuk mund të them më shumë”.

Ndeshja e 14 tetorit mes Serbisë dhe Shqipërisë krijoi jo pak tension mes dy vendeve dhe jo vetëm në planin futbollistik. Serbët vitet e fundit kanë qenë shpeshherë nën akuzë për dhunën e tifozëve të tyre, sidomos në derbin mes Partizanit të Beogradit dhe Crvena Zvezdës. Për Dzajicin dhuna e derbit, por dhe ngjarjet e Serbi-Shqipëri, nuk kanë asnjë lidhje me lojën. Ai thekson: “Partizani i Beogradit dhe Crvena Zvezda janë dy ekipet simbol të Serbisë dhe gjëra të tilla ndodhin, pasi gjithmonë krijohet atmosferë, emocion edhe nga media. Nuk është e bukur të ndodhin gjëra të tilla në sport. Këtu të gjithë mendojnë se Serbia është e dëmtuar, që i janë marrë 3 pikët dhe që do t’i kushtojnë moskualifikim për më tej, ndërsa Shqipërisë kërkon pikët e saj. Nuk do të doja që të jem unë arbitër, sepse nuk të gjykoj unë. Gjithë ndeshja ka patur shumë emocion, pasi ishte e rëndësishme për të dyja skuadrat, por mendoj që diçka do të ndodhte edhe sikur të mos ishte droni. Disa do të thonë që fajtore ishte Shqipëria, disa të tjerë organizatorët që e kanë lejuar një gjë të tillë. Është fati i keq që ajo ndeshje nuk mundi të zhvillohej, por tani është e kotë qe të flitet më”.

Fati i keq që ajo ndeshje nuk mundi të zhvillohej, vetëm se në 24 orët e ardhshme për Serbi-Shqipëri do të flitet jo pak. Dita e gjykimit erdhi dhe fjalën e fundit tashmë do ta ketë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, që do të përpiqe të vërë drejtësi për një ndeshje futbolli, e cila vetëm si e tillë nuk do të kujtohet.

April 17, 2015 09:52
Komento

1 Koment

Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*