Rrëfimi i malazezit Bato Tomasheviç: Një takim i paharruar me Enver Hoxhën në vitin 1944

May 9, 2014 10:10

Rrëfimi i malazezit Bato Tomasheviç: Një takim i paharruar me Enver Hoxhën në vitin 1944

Herët në mëngjesin tjetër ne hipëm në kamionin tonë dhe Avdoja, shoferi, rrotulloi manivelin, me të cilin ai ndizte motorin kur moti ishte i ftohtë. Me rrapëllimat e forta të motorit, përmes shtëllungave të tymit që dilnin nga skapamentoja, u nisëm drejt Tiranës. Ndjeva se kisha filluar një udhëtim të vërtetë drejt së panjohurës – nuk llogarisja Shkodrën pasi unë për të kisha dëgjuar që në fëmijërinë time më të hershme dhe ajo ishte në një farë mase e njohur.

Kur arritëm në kryeqytetin shqiptar kishte rënë nata. Murati na çoi te një shkollë, ku do të flinim të gjithë bashkë në një klasë të saj. Të lodhur nga udhëtimi i gjatë, gjatë të cilit ne kishim ndalur shumë herë në postblloqet ushtarake, ramë për të fjetur menjëherë ashtu të veshur siç ishim mbi dyshekët me kashtë të shtruar në dysheme.

Në mëngjes u zgjuam herët, me kureshtjen për të parë qytetin, por Murati e shtyu nisjen tonë, na tha të mos nguteshim, të rregulloheshim një çikë, të prisnim pak më tepër… Afër mesditës, dy partizanë shqiptarë, të armatosur deri në dhëmbë, ia behën papritmas në klasë dhe qëndruan gatitu në secilën anë të derës. Ata i mbanin sytë të mbërthyer tutje korridorit në drejtim të hyrjes. Pak minuta më vonë, i rrethuar nga truprojat, u shfaq Komandanti Suprem shqiptar, Enver Hoxha dhe gruaja e tij. Ne e njohëm atë menjëherë nga fotografitë e mëdha që kishim parë në vende të ndryshme në Shkodër. Të habitur dhe të turbulluar nga ardhja e tij e papritur në mjedisin tonë, ne me shpejtësi u rregulluam sa mundëm dhe u vumë në rresht në qëndrimin gatitu. Me një buzëqeshje ai na bëri shenjë të rrinim lirshëm.

Para se ne të niseshim për në Shqipëri, Veljko na kishte folur shkurtimisht rreth tij: ai ishte tridhjetegjashtë vjeç, një ‘mësues i frëngjishtes’ që ishte pushuar nga puna si diplomat në Belgjikë për shkak të simpatisë së tij pro-sovjetike dhe që pasandaj kishte dhënë frëngjisht në një qytet shqiptar. Veljko na tha se ai ishte i rëndësishëm për ne pasi ai ishte themelues i Partisë Komuniste Shqiptare, e cila tani punonte ngushtësisht me partinë tonë mbi të njëjtën platformë ideologjike.

Elegant dhe rinor në uniformën e tij të qepur për bukuri, me flokët e dendur, të zinj, të krehur me kujdes dhe të lyer me brilantinë, ai na u duk ne më shumë si një nga oficerët italianë të veshur spic që gjuanin vajzat në Cetinje në ditët e para të pushtimit se sa me komandantët tanë të rreshkur nga kushtet e motit. Gruaja e tij e re dhe e bukur na u duk gjithashtu e veshur si tepër elegante për një partizane.

Enveri dhe NexhmijaAi foli për pak çaste me Muratin, i cili pastaj përktheu:

“Shoku Enver Hoxha ju uron mirëseardhjen ju, shokëve të tij malazezë, që keni ardhur të luftoni në Shqipëri. Të bashkuar, ne do ta mundim armikun më me lehtësi dhe, pas luftës, do të jetojmë së bashku në një bashkësi shtetesh vëllezër…”

Te fjalët “luftë në Shqipëri”, unë pashë ndryshimin e shprehjes së Nikiçit.

“…Tani këta shokë nga OZNA jonë do t’ju tregojnë ju qytetin,” vazhdoi Murati, “ndërsa shoku Enver dhe gruaja e tij kanë dëshirë ta marrin Baton në shtëpi për t’i ofruar mikpritjen e tyre vëllait të shoqes Stana.”

“Thuaji Enverit se Veljko ka nevojë urgjente për ne në Beograd, kështu që ne nuk mund të qëndrojmë për të luftuar në Shqipëri,” më pëshpëriti Nikiçi ndërsa po largohej.

“Do t’ia them, Nikiç. Të jesh i sigurt për këtë,” ia ktheva unë me pëshpëritje duke u ndier pakëz i turpëruar që po trajtohesha ndryshe nga të tjerët për shkak të motrës sime, por edhe krejt i nervozuar që do ta kaloja ditën me udhëheqësin shqiptar.

Myasafir në shtëpinë e Enverit

Kur të tjerët kishin shkuar, Enver Hoxha dhe e shoqja, Nexhmija, erdhën dhe më përqafuan, pastaj më morën përjashta. Kur dolëm ne, grumbulli i njerëzve të mbledhur në rrugë brohoriti dhe duartrokiti për udhëheqësin e tyre, i cili i përshëndeti me dorë. Limuzina e zezë rrezëllitëse që priste për ne më kujtoi atë që Gjeneral Pirzio Birolli përdorte për të shëtitur gjithandej. Murati dhe një nga rojet u ulën përpara në krah të shoferit, kurse unë u ula midis çiftit Hoxha në ndenjëset e gjera të pasme. Disa roje të tjera të armatosura me automatikë na ndiqte pas në një makinë të zbuluar. Unë mezi e besoja se isha duke shëtitur në një gjendje të tillë dhe në një shoqëri kaq të lartë. Ndërsa ne rrëshqisnim butësisht thuajse pa zhurmë përgjatë bulevardit të gjerë të rrethuar nga ndërtesa të larta dhe të bukura, Hoxhët m’i treguan ato si më të rëndësishmet. Unë shpreha habi me gjerësinë e bulevardit – disa herë më e madhe se ajo e rrugës kryesore të Cetinjes.

“Italianët e ndërtuan këtë për ne,” u përgjigj Hoxha me një buzëqeshje. “Ata mendonin se Shqipëria do të ishte përgjithmonë e tyrja.”

batoDisa roje prisnin para ndërtesës ku ata banonin. Përmes një porte të madhe të hekurt hymë në një oborr të gjerë të rrethuar nga një mur i lartë dhe pastaj u ngjitëm nëpër ca shkallë të drunjta në katin e dytë. Dhoma e madhe e pritjes kishte divane përreth mureve, ndërsa qilima shumëngjyrësh mbulonin dyshemenë. Enver Hoxha hoqi revolverin nga këllëfi dhe e vendosi atë në dysheme pranë tij dhe, me xhaketën ushtarake të pazbërthyer, u rehatua duke u mbështetur në jastëkët e divanit dhe më tha me anë të Muratit të rrija si në shtëpinë time. Gruaja e tij shkoi në kuzhinë dhe u kthye shpejt duke mbajtur një tabaka me kafe turke – kafe e vërtetë, aromatike, një ibrik me sherbet me ngjyrë të errët dhe një pjatë me bakllava ende të ngrohtë.

Pasi na u shërbyen këto, mikpritësit e mi filluan të më pyesnin për Stanën, e cila dukej qartë se ishte e mirënjohur në Shqipëri.

“Kam shumë dëshirë ta njoh atë sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Nexhmija. “Unë shpresoj se do të takohemi së shpejti në një konferencë rinore në Malin e Zi ose në Shqipëri. Si Stana, edhe unë jam veçanërisht e interesuar për lëvizjen rinore.”

“Shokët tanë malazezë kanë shërbyer gjithnjë si një shembull për ne,” shtoi Enver Hoxha.

Pastaj çifti Hoxha folën për një kohë të gjatë për takimet me këta shokë në rrjedhën e punës së tyre klandestine partiake, ndërsa Murati përkthente. Unë shpejt u ndjeva krejt i qetë, pasi të dy ishin shumë natyralë, të këndshëm dhe të vëmendshëm, dëgjonin ato që unë u thosha dhe kërkonin mendimin tim. Dukej se ishte e njëjta frymë miqësie në Shqipëri si në shtëpi, ku të gjithë trajtoheshin si të barabartë, pavarësisht nga mosha.

Enveri pastaj pyeti për situatën në Malin e Zi, shokun Veljko dhe veprimtarinë e OZNA-s. Unë iu përgjigja sa më mirë që mundja dhe ai komentoi:

“Ne në Shqipëri gjithashtu kemi armiq nga regjimi i vjetër që duhet t’i eliminojmë me shpejtësi, në mënyrë që ata të mos mund të pengojnë ndërtimin e shoqërisë sonë të re.”

Në këtë pikë ai u kthye nga Murati dhe foli një copë herë. Murati përktheu:

“Shoku Enver dëshiron që ju të qëndroni me të deri në mbarim të luftës, edhe pjesa tjetër e skuadrës mund të qëndrojë gjithashtu. Ata do të shërbejnë si një nyje e mirë lidhëse me Malin e Zi. Shoku Enver admiron shtatlartësinë dhe fuqinë e tyre, sikur janë gdhendur prej dru lisi.”

Kjo ofertë më kapi tërësisht në befasi, por unë kuptova se do të bëja më mirë të mos e pranoja atë, por pa e fyer. Kujtova fjalët që më kishte pëshpëritur Nikiçi dhe, duke i zgjedhur fjalët me kujdes, thashë se skuadrës do t’i pëlqente ta bënte këtë, por ne ishim rojet personale të Veljkos dhe se ai ishte duke na pritur në Beograd për ca detyra speciale urgjente. Vetëm për këtë arsye ne do të na pëlqente të ktheheshim në Jugosllavi sa më shpejt që të mundnim.

“Mirë, në qoftë se është kështu, ju ikni kur të doni, ndonëse mua më vjen keq që ju nuk mund të qëndroni më gjatë,” u përgjigj ai.

Pastaj ai pati një tjetër bisedë të gjatë me Muratin:

“Shoku Enver thotë se ju duhet ta kaloni natën si mysafir i tij në Hotel Dajti, në mënyrë që ju të çlodheni vërtetë. Unë do të vij nesër në orën tetë të mëngjesit t’ju çoj te shokët e tu.”

Një natë në hotel “Dajti”

Ky propozim gjithashtu më alarmoi: unë s’kisha qëndruar kurrë në ndonjë hotel dhe nuk e kisha idenë se si duhej të sillesha. Do të kisha dhënë gjithçka për të fjetur me skuadrën time në dyshemenë e asaj klase shkolle, por e ndieja se nuk mund ta kundërshtoja udhëheqësin shqiptar për herë të dytë. Ndaj e falënderova atë dhe gruan e tij thellësisht për dashamirësinë e treguar dhe pranova mikpritjen e tyre. Ata u ngritën në këmbë, më përqafuan sërish dhe më shoqëruan deri te porta e oborrit:

“Ndoshta ju do të vini sërish në Tiranë. Kurdo që të vini, jeni i mirëseardhur. Vetëm na lajmëro.”

Ndërsa shkonim për në hotel me limuzinën e zezë, Murati vuri në dukje:

“Enveri dhe gruaja e tij duhet t’ju kenë pëlqyer vërtetë. Ju jeni një djalë i sjellshëm. Dhe ti di çfarë t’u thuash dhe si t’i kënaqësh njerëzit. Është një nder i madh të shkosh në Hotel Dajti. Vetëm mysafirët më të shquar të Enverit qëndrojnë atje.”

Hyrja për në hotelin e madh dhe modern, që flakëronte nga një duzinë llampadarësh, ruhej nga disa pjesëtarë të policisë së sigurimit. Kur Murati u tha diçka, ata me mirësjellje bënë prapa dhe na lanë të kalonim. Në hollin e madh, një burrë me kostum të zi luante në një piano të madhe. Për herë të parë hyra në një ashensor. Nga dhoma ime e gjumit me mure të bardha, me orendi të zeza të shndritshme, hapej një derë për në një dhomë tualeti me vaskë, dush dhe lavaman. Kurrë nuk kisha parë nga këto më përpara, përveçse në filma.

“Tani unë do të mbush vaskën me ujë të ngrohtë dhe ju mund të zhyteni e të bëni një banjë të mirë,” tha Murati.

“Nuk jam pis,” kundërshtova unë, ndonëse nuk isha futur në ujë deri në qafë prej kushedi sa kohësh, që para luftës, kur ne fëmijët pllaquriteshim në një pellg me ujë të ftohtë të Rijeka Crnojevicës. Në shtëpitë tona të ndryshme ne nuk kishim patur kurrë një banjë, vetëm një ndarje në oborr dhe një aneks në kuzhinë ku laheshim meshkuj e femra të familjes një nga një, një herë në javë, duke i hedhur ujë njëri-tjetrit mbi kokë.

Tashmë, i shtrirë plotësisht në ujin e ngrohtë dhe me aromë të mirë në vaskën e madhe dhe të bardhë, kuptova se sa e lezeçme duhet të ishte të jetoje në një shoqëri të pasur ku njerëzit mund të bënin dush me ujë të ngrohtë sa herë të donin. Kujtova Marën që i thoshte nënës njëherë se pas luftës të gjitha shtëpitë në Cetinje, dhe jo vetëm apartamentet qeveritare, do të kishin banja të mira. Kjo më bëri të kujtoja Ollgën, e cila duhet të jetë pllaquritur në banjën e saj kështu si po bëja unë tani në Hotel Dajti në Tiranë. Tingujt e pianos që vinin lart deri në dhomën time nga holli i hotelit më bënin mua edhe më shumë sentimental e më të vetmuar…

Sapo u bashkova me skuadrën në mëngjes, u bëra një rrëfim të hollësishëm të vizitës sime te çifti Hoxha. Kur ata dëgjuan se Enveri kishte thënë që ne mund të iknim kur të donim, të gjithë qenë dakord që të niseshim pa e zgjatur, para se ndonjë komandant shqiptar të përzihej dhe të vendoste ndryshe. Megjithatë, kur Murati dëgjoi vendimin tonë për të ikur menjëherë në Maqedoni, këmbënguli që të qëndronim të paktën dhjetë ditë: shokët tanë shqiptarë të OZNA-s në vende të ndryshme ishin duke na pritur me padurim për të na treguar se si operonin dhe se si po i luftonin armiqtë e popullit shqiptar. Ka plot prej tyre, tha ai, më së shumti burra që kanë punuar për policinë italiane, kanë burgosur, torturuar dhe vrarë anëtarë të Partisë Komuniste. Tani ata po fshihen te të afërm të tyre në fshatrat malore dhe janë për t’u gjetur.

Për dhjetë ditët në vazhdim ne shëtitëm në vende të ndryshme dhe post-komanda të OZNA-s. Kolegët tanë shqiptarë ishin të etur të tregonin dhe diskutonin me ne metodat e tyre të zbulimit, kapjes dhe marrjes në pyetje të armiqve. Ata u befasuan kur dëgjuan se ne nuk e përdornim rrahjen dhe torturën për të nxjerrë pohimet e duhura – Veljkoja i kishte ndaluar rreptësisht këto metoda të përdorura nga policia e paraluftës. Por, në aspektet e tjera, puna e tyre ishte thuajse e njëjtë me tonën në Malin e Zi: kërkimi për kriminelët, sjellja e tyre për t’u pyetur, pastaj lirimi ose ekzekutimi i tyre. Në Shqipëri, si në Malin e Zi në atë kohë, jeta njerëzore çmohej lirë dhe çdokush me një pushkë ta merrte atë me pak rrezik për t’u dënuar.

Largimi nga Shqipëria

Kur ne u kthyem në Tiranë dhe erdhi dita për t’u larguar, Murati tha se do të na shoqëronte për në Maqedoni pasi ne nuk mund ta bënim kurrë atë pa një përkthyes. Ne e kuptuam mençurinë e tij kur makina jonë ndalej nga një postbllok apo patrullë pas një tjetre. Murati me përvojë në këto punë kishte marrë të gjitha dokumentet e nevojshme, përfshi edhe firmën e Enver Hoxhës në një leje udhëtimi.

“Në qoftë se ndonjë nga ju ndahet ose humbet, është i mbaruar, prandaj rrini bashkë gjatë gjithë kohës,” na këshilloi Murati.

Rruga nga Tirana shkon nëpër qytetin e vogël të Elbasanit përmes një rajoni malor për në Strugën në brigjet e liqenit të Ohrit në Maqedoni. Në shpejt e kuptuam pse Murati donte të vinte me ne: ai kishte një motër që jetonte me burrin e saj dhe fëmijët në Strugë dhe nuk i kishte parë ata që kur kishte filluar lufta.

Ndonëse rruga ishte vetëm nja njëqind e tridhjetë kilometra, ajo na mori pjesën më të madhe të ditës. Rruga e ngushtë, me kthesa dhe e pashtruar ishte mjaft e rrëshqitshme në dimër dhe të tatëpjetat dhe greminat ishin shumë të shpeshta. Kur ushtarët shihnin makinën tonë të afrohej ata viheshin në formacion luftimi me automatikët gati për zjarr. Megjithatë, pas një bisede të shkurtër me Muratin, kishte shumë duarshtrëngime dhe rrahje shpatullash, ndërsa ata na sillnin menjëherë diçka për të ngrënë ose pirë. Kjo përfundonte gjithnjë me shokët tanë nga Durmitori që rrëkëllenin në çast një sasi të madhe të rakisë së tyre, gjë që u pëlqente shumë mikpritësve tanë. Në një gjendje shumë të mirë shpirtërore, për të mos thënë gjysmë të dehur, skuadra përparonte nga një postbllok në tjetrin.

“Komunizmi,” thoshte Murati, pasi kishte rrëkëllyer ca gota më shumë, “bashkon të gjithë popujt dhe besimet më mirë se çdo gjë tjetër në histori. Më mirë se mbretërit dhe perandorët, sulltanët dhe gjeneralët; më mirë nga të gjithë fitimtarët, pushtuesit dhe thesarët e kësaj toke. Lavdi Leninit të madh! Popujt tanë duhet t’i jenë përjetësisht mirënjohës dhe të ngrenë një milion monumente për nder të tij.”

Dielli dimëror po binte në liqenin e Ohrit kur grupi ynë arriti në Strugë dhe me keqardhje u nda me Muratin. Pra, mendova unë, ne kishim kaluar përmes Malit të Zi dhe Shqipërisë, ndërsa këtu ishim në Maqedoni. Kujtova historitë e tim eti që tregonte zakonisht për këto vende: “Kur Car Dushani në mes të shekullit të 14-të pushtoi Maqedoninë, Thesalinë, Epirin dhe Shqipërinë, ai u kurorëzua perandor i të gjithë serbëve, grekëve, bullgarëve dhe shqiptarëve në qytetin e Shkupit. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të, ndaj u nis të pushtonte Konstandinopojën. Po të mos ishte sëmurur dhe të mos kishte vdekur rrugës, ai do të kishte sunduar krejt Perandorinë e Bizantit.”

Përgatiti për botim Xhevdet Shehu

May 9, 2014 10:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim