Rrëfimi i Vickers: Mars ‘97, kur jugu ra në duart e ‘rebelëve’

Kujtim Boriçi December 6, 2012 10:37

Rrëfimi i Vickers: Mars ‘97, kur jugu ra në duart e ‘rebelëve’

Pettifer e Vickers:’Një Gjeneral i ushtrisë së Gazidedes kapet rob, dezertojnë ushtarët dhe oficerët në Gjirokastër, ‘rebelët’ përgatiten për marshim drejt Tiranës’

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Është data 7 mars e vitit 1997. Jugu i Shqipërisë është në kaos. Nëpunësit e administratës në Gjirokastër, Berat, Përmet, Sarandë, Tepelenë, kanë braktisur me kohë punën, e godinat pothuaj janë djegur e shkatërruar. Oficerët e ushtarët kanë dezertuar nga repartet ushtarake, duke mos qenë dakord të luftojnë kundër popullsisë vendase, të quajtur ‘rebelë’. Kudo dëgjohen breshëri të pa fund nga armët në duar të njerëzve, përfshi fëmijët… Shënohen viktima në Gjirokastër, në Berat, Urën Vajgurore, ndërsa pas 48 orësh luftë mes palëve, ‘rebelët’ triumfojnë mbi ushtrinë mercenare të gjeneral Gazidedes që kishte për detyrë ‘mbajtjen me çdo kusht me forcën e armëve qytetin’… Shënohen shumë viktima të tjera… Detajet interesante të këtyre ditëve, i pasqyrojnë në librin e tyre ‘Çështja shqiptare’, gazetarët e njohur anglezë James Pettifer e Miranda Vickers…

 

‘PUSHTIMI I JUGUT’

…Por le të kthehemi sërish në jugun e Shqipërisë ku kishte një mobilizim masiv të forcave rebele. Ato kontrollonin tërësisht rrugën Fier-Tepelenë, ndërsa kamionët sillnin civilë të armatosur që zunë pikat dominuese nëpër kodra për të ruajtur zotërimin e tyre në këtë zonë. Ushtarët e Berishës ikën drejt veriut dhe u vendosën në kodrat përqark rafinerisë së naftës në qytetin e Ballshit. Në këtë kaos, strukturat komanduese dhe komunikuese të ushtrisë, tashmë tejet të dobësuar, po kapitullonin me shpejtësi. Grupet e ushtarëve që kishin mbetur besnikë të qeverisë më së shumti kishin mbetur pa ndërlidhje, pa pará dhe pa ushqime. Shumë prej këtyre ushtarëve të thjeshtë të braktisur dhe të rraskapitur fshatrave ia mbathën nëpër shtëpitë e tyre.

 

SITUATA

Në javën kritike pasardhëse, si në mjaft konflikte të mëparshme ballkanike, kontrolli i rrugëve mbetej jetik, ndërsa zinxhiri i ri i krijuar nga militantët midis Vlorës dhe Tepelenës, shkëputej në Gjirokastrën e kontrolluar nga Berisha. Ky qytet i vjetër dhe i famshëm që kish fituar admirimin e Lord Bajronit, zotëron një pozitë dramatike mbi luginën e Vjosës dhe garanton rrugët kryesore që të shpien në Greqi, duke konkurruar edhe Korçën, qytetin kryesor të juglindjes. Gjirokastra kishte depo masive ushtarake me sasi shumë të mëdha armësh dhe municionesh. Nëse Gjirokastra do të binte në duart e kryengritësve, Berisha shumë shpejt do të humbiste kontrollin në krejt Shqipërinë jugore. Aftësitë ushtarake ishin duke shkuar kundër Presidentit ditë pas dite. Në Vlorë thuhej se kishte 150 mijë njerëz të armatosur dhe iniciativa ushtarake u kthye sërish në favor të kryengritësve, pavarësisht se në dy javët e shkuara u duk se kishte një qëndrueshmëri relative të kontrollit të qeverisë. Në një përpjekje të dëshpëruar për të ndalur mësymjen e kryengritësve, qeveria përqendroi ushtarët e saj në veri të grykëderdhjes së Vjosës, duke u orvatur të zotëronte rrugën, por që nuk ia arritën dot pasi u sulmuan dhe u zmbrapsën nga një bandë rebele vlonjate e drejtuar nga Zani Çaushi, një komandant paraushtarak i zonës nga një familje vendase e dëgjuar për krime në lagjen Çole të qytetit.

 

TANKET KUNDËR JUGUT

Presidenti Berisha po e mbante pushtetin me tanke dhe makina të blinduara, duke menduar se kështu do të thyente rebelët. Por në terrenin e ashpër malor të jugut, mjetet e blinduara pothuajse nuk kanë vlerë, duke ulur në minimum efektivitetin dhe aftësitë e tyre vepruese. Nëse Gjenerali Kolin Pauell (Colin Powell), Shefi i Shtabit të Ushtrisë Amerikane, duke iu referuar një konteksti tjetër ballkanik, kishte thënë se ‘ne nuk luftojmë dot në male’, në të vërtetë forcat e Berishës po përpiqeshin të bënin bash këtë, të luftonin në male me një ushtri thuajse të shpartalluar. Megjithëse teorikisht ushtria numëronte rreth 55 mijë ushtarë si dhe qindra makina të blinduara, vetëm pak prej tyre ishin në gjendje të mirë, ndërsa një kumt ogurzi për Berishën ishte një tank që u rrëmbye nga kryengritësit në rrugën e Sarandës, ende pa u pozicionuar atje. Pika ushtarake e Qafës së Muzinës më së fundi u vu nën kontrollin e kryengritësve pas një shkëmbimi të gjatë zjarri në mëngjesin e 7 marsit. Sipas stilit klasik të kryengritjeve, përgjatë rrugëve jashtë qyteteve nën kontrollin e kryengritësve ishin ndërtuar barrikada, një taktikë kjo e mësuar gjatë përgatitjeve të detyrueshme ushtarake të kohës së Hoxhës, kur shqiptarët ishin të shtrënguar të impovizonin mënyra mbrojtjeje kundër pushtuesve të huaj. Kjo taktikë ishte e rëndësishme në sfondin e ngjarjeve për përhapjen e rebelimit drejt veriut; shumica e shqiptarëve nuk kishin nevojë të instruktoheshin mbi metodat e mbrojtjes popullore, pasi kjo u ishte mësuar atyre gjatë shumë viteve në zboret ushtarake të popullsisë civile në dekadat e sundimit të Hoxhës. E njëjta gjë ndodhi edhe me përdorimin e armëve; teorikisht i gjithë populli dinte t’i përdorte armët e lehta dhe sidomos automatikët kallashnikov.

 

OPERACIONI

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Adem Çopani dhe ekipi i tij në Tiranë kishin bërë disa plane për të bërë zap kryengritjen. Në një tentativë për të neutralizuar rebelët u godit ndërlidhja e tyre, duke ndërprerë linjat telefonike midis Tiranës dhe jugut. Telefonat celularë nuk ekzistonin në atë kohë në Shqipëri dhe qeveria mendonte se kjo do të kishte një ndikim të madh, por ky gjykim bëri të shpërfillej mënyra jo e zakonshme e komunikimit individual në popullsinë jugore si dhe forca e traditës ushtarake popullore partizane në ato zona, ku secili dinte se si të sajonte teknikat fillestare ushtarake. Nga mëngjesi i 7 marsit u bë e qartë se mësymja e qeverisë kishte dështuar krejtësisht dhe Berisha u detyrua të ndërronte taktikë. Ai ofroi armëpushim, nëse krerët e rebelëve do të dorëzonin armët. Në Tiranë, udhëheqësi i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, mblodhi një ‘Forum për Demokraci’ me politikanë të qendrës, një lëvizje kjo që u mbështet fuqishëm nga trupi diplomatik i Tiranës. Në këto kushte u zhvillua një takim i Presidentit, Forumit dhe disa përfaqësuesve të opozitës, takim që mund të jetë nxitur nga ambasadorët e huaj për të gjetur gjuhën e përbashkët. Mirëpo, ende pa filluar, bisedimet midis Forumit dhe Berishës u ndërprenë me vrazhdësi.

 

SHIK TERRORIZON BANORËT

Një faktor i rëndësishëm gjatë atyre ditëve traumatizuese dukej se ishte njëfarë suksesi që kishte arritur SHIK-u në terrorizimin e veriut të vendit, ku protestat e opozitës ishin ende të heshtura. Presidenti dukej se kishte besuar deri në këtë fazë të vonë të ngjarjeve, se masat e tij shtrënguese do të kishin të njëjtin efekt edhe në jug. Por në të vërtetë, rebelimi në jug vazhdonte të fitonte terren me shkatërrimin e urës së rëndësishme në rrugën Gjirokastër-Sarandë më 8 mars, duke i hequr kështu qeverisë një pikë kyçe që mbante në Gjirokastër për t’u lidhur me bregdetin. Në të njëjtën ditë, qindra njerëz të armatosur parakaluan përmes Tepelenës pasi kishin goditur dhe përzënë SHIK-asit nga qyteti. Në Sarandë, ish-oficerët e ushtrisë u vunë në krye të njerëzve të armatosur dhe filluan ndërtimin e pozicioneve mbrojtëse përreth qytetit.

 

Bashkësia ndërkombëtare filloi të shihte shfaqjen e rrezikut të luftës civile, ndërsa veriu ishte duke i mbetur besnik Berishës dhe jugu po dilte jashtë kontrollit të qeverisë. Në Tepelenë ishte krijuar një Këshill Revolucionar me 15 politikanë vendorë dhe ish-ushtarakë me prejardhje nga një zonë me tradita të njohura nga periudha partizane e Luftës së Dytë Botërore. Ushtarët e Berishës u tërhoqën në kodrat në veri të Tepelenës, ndërsa grupe të ndryshme të armatosura filluan të merrnin kontrollin në gjatësinë e rrugës. Në një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur Gjirokastrën, qeveria dërgoi më 8 mars njësi të forcave speciale për të çarmatosur qytetin, por shefi vendor i policisë udhëhoqi një sulm mbi rajonin e tij të policisë dhe mandej u hapën depot ushtarake, ndërsa populli u armatos me ngazëllim. Trupat e Forcave Speciale u shtrënguan të zmbrapseshin tek helikopterët e tyre dhe u nisën sërish drejt veriut.

 

10 MARTS’97, BIE GJIROKASTRA

Gjirokastra, si dhe gati krejt jug-perëndimi i vendit, ishte tashmë nën kontrollin e kryengritësve. Në skena më shumë të ngjashme me ato të Komunës së Parisit se sa të Evropës së shekullit të Njëzetë, njerëzit e armatosur zmbrapsën mësymjet ushtarake dhe pastruan bashkinë nga punonjësit e SHIK-ut. Nja 200 ushtarë të mbetur nga 1000 që kishte garnizoni ikën nëpër fshatra, ndërsa turmat vërshuan nëpër depot duke rrëmbyer sasi të mëdha armësh dhe municionesh. Armë kundërajrore dhe topa të artilerisë u vendosën në qytet, ndërsa mortajat u instaluan nën kalanë e lashtë. Ca fshatra që mbajtën anën e qeverisë matanë luginës së Vjosës pranë punishtes së ujit mineral të Glinës u vunë në shënjestër të kryengritësve. Në këtë gjendje kaotike, grupe ushtarësh që kishin braktisur repartet iknin në veri drejt Ballshit, madje krijuan dhe një lloj fronti në rrugën Ballsh-Zhulat, me shpresën se do të çelnin rrugën drejt Tiranës. Të paktë ishin ata që vazhdonin të mbështesnin qeverinë në fshatra tradicionalisht të djathtë si Lazarati, në jug të Gjirokastrës, por përgjithësisht, midis mesditës së 8 marsit dhe mbrëmjes së 9 marsit autoriteti i qeverisë së Tiranës kishte pushuar së ekzistuari në Gjirokastër dhe në rrethinat e saj, ndërsa mediet e huaja filluan të shkruajnë se jugu i Shqipërisë ishte në një ‘gjendje anarkie’. Kjo ishte një pengesë e madhe dhe dramatike për Berishën, për shkak se shumica e medieve të huaja ishin në Gjirokastër, kështu që ngjarjet e rebelimit zunë me të drejtë faqet e para të shtypit. Ishte bërë kështu mjaft e vështirë për Berishën të vazhdonte t’u kërkonte ndihmë miqve të tij të huaj dhe në përgjithësi bashkësisë ndërkombëtare për të pasur ndonjë shans që të fitonte ushtarakisht mbi kryengritësit.

 

VENDI NË KAOS

Çështja më e rëndësishme për kryengritësit ishte si ta përhapnin lëvizjen antiqeveritare më në veri, drejt Tiranës… Kur një qytet në rrugën e veriut binte në duart e kryengritësve, elementët pro-Berishës iknin nga aparatet shtetërore dhe gjithmonë njerëzit më të varfër e njëkohësisht më radikalë do të dëbonin policinë sekrete nga qendrat e tyre të banimit… Më 9 mars, pas rënies së Gjirokastrës, kafshë të ngarkuara me armë dhe municione ishin bërë gati të çonin furnizime ushtarake shtesë në Përmet, qytetin që dominon krahun tjetër të luginës së Vjosës, 30 milje në lindje të Gjirokastrës. Tepelena ishte fortifikuar me artileri të rëndë nga kazermat e Gjirokastrës dhe kryengritësit filluan të lëviznin drejt veriut në grupe të çrregullta drejt Tiranës. Ushtarët e Berishës dhe njerëzit e SHIK-ut mbanin ende udhëkryqin kyç të Këlcyrës, dhjetë milje në veri të Përmetit, por rrugët përmes maleve ishin të lira dhe mund të shfrytëzoheshin lehtësisht për të sulmuar mbi ta. Më 10 mars në Gjirokastër turmat e ekzaltuara festonin fitoren e tyre duke zbrazur mijëra fishekë në ajër përgjatë gjithë natës. Konsullata greke, me të vetmin telefon që funksiononte në qytet, ishte e mbushur plot e përplot me gazetarë që flinin në dysheme si sardelet në kuti. Berisha ndërkaq doli në TV dhe bëri një thirrje plot shqetësim që të ndaleshin veprimet e tipit ‘partizan’. Në Vlorë, komandanti Skënder Sera, një nga krerët kryengritës, tha se fitorja e kryengritjes në Gjirokastër ishte ‘një festë me kallashnikovë dhe se Berisha ishte duke u dorëzuar nga çasti në çast.

 

(Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi)

(Vijon nesër)

 

DETAJ 1

“Ushtarët e Berishës ikën drejt veriut dhe u vendosën në kodrat përqark rafinerisë së naftës në qytetin e Ballshit. Grupet e ushtarëve që kishin mbetur besnikë të qeverisë më së shumti kishin mbetur pa ndërlidhje, pa pará e pa ushqime. Shumë prej këtyre ushtarëve të thjeshtë të braktisur dhe të rraskapitur fshatrave ia mbathën nëpër shtëpitë e tyre”

 

DETAJ 2

“Presidenti Berisha po e mbante pushtetin me tanke dhe makina të blinduara, duke menduar se kështu do të thyente rebelët. Por në terrenin e ashpër malor të jugut, mjetet e blinduara pothuajse nuk kanë vlerë, duke ulur në minimum efektivitetin dhe aftësitë e tyre vepruese”

 

DETAJ 3

“Nja 200 ushtarë të mbetur nga 1000 që kishte garnizoni ikën nëpër fshatra, ndërsa turmat vërshuan nëpër depot duke rrëmbyer sasi të mëdha armësh dhe municionesh. Armë kundërajrore dhe topa të artilerisë u vendosën në qytet, ndërsa mortajat u instaluan nën kalanë e lashtë”

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Urdhri i Berishës për mbajtjen me armë të qytetit të Përmetit, luftimet pë 48 orë dhe viktimat e shumta në këtë qytet.

-Luftimet e 11 marsit 1997, rënia e Beratit, Kuçovës, Poliçanit dhe aerodromit ushtarak në duar të kryengritësve.

-14 mars 1997. Ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali arratiset për në Itali dhe nga aty shkon në Turqi.

 

Kujtim Boriçi December 6, 2012 10:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*