Rregullorja e re: Në rast aksidenti, dëmshpërbleheni gati 40% më shumë se më parë  

July 10, 2018 09:52

Rregullorja e re: Në rast aksidenti, dëmshpërbleheni gati 40% më shumë se më parë  

Nëse bëni aksident me pasojë dëme në shëndet, atëherë dëmshpërblimi që do të mund të merrni nga kompanitë e sigurimit tashmë do të jetë gati 40% më i lartë sesa më parë.

Konkretisht, vlera që përfitohet si dëmshpërblim për dëmet shëndetësore (pasurore) është 38 për qind më e lartë nga data 1 korrik 2018. Kjo i atribuohet ndryshimeve më të fundit të bëra në mars të këtij viti nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në rregulloren nr. 53, “Për trajtimin e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. AMF konfirmoi për “Monitor” se këto ndryshime të hyra në fuqi vetëm 10 ditë më parë kanë si qëllim kryesor mbrojtjen e interesit të konsumatorëve dhe rritjen e masës së dëmshpërblimit për të dëmtuarit.

“Ndryshimet e miratuara hynë në fuqi më 1 korrik 2018 dhe do të zbatohen në të gjitha rastet e llogaritjes së dëmeve shëndetësore që mbulohen nga kontratat e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit. Këto ndryshime lidhen me përcaktimin e tabelës së përditësuar për koeficientet e llogaritjes së shumës së kapitalizuar. Koeficientet e rinj janë të ndarë sipas gjinive dhe bazohen në dy elementë: jetëgjatësinë mesatare të ardhshme të individëve, e llogaritur në bazë të tabelave të mortalitetit dhe  normën e interesit të përdorur për kapitalizimin” sqaron AMF.

Kjo do të thotë që sa më e lartë të jetë  jetëgjatësia mesatare e individëve, aq më i lartë është koeficienti i shumës së kapitalizuar, ndërsa sa më e lartë të jetë norma e interesit të marrë në konsideratë aq më i ulët është koeficienti i shumës së kapitalizuar.

Shembull për llogaritjen e dëmshpërblimit

Por cili është efekti real i amendimit të rregullores 53. Për këtë Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare jep edhe një shembull për mënyrën sesi do të ishte përfitimi në rastin e respektimit të rregullores së vjetër dhe asaj të re.

“Në rast të ndodhjes së ngjarjes së siguruar, p.sh vdekja e një personi (mashkull 40 vjeç), i cili kishte tre persona në ngarkim (gruaja plus dy fëmije) dhe kishte të ardhura mujore në vlerën 100,000 lekë, me rregulloren në fuqi dëmshpërblimin në rast vdekjeje vetëm për dëmin pasuror do të rezultonte 12,586,408 lekë. Ndërsa me ndryshimin e rregullores dëmshpërblimi në rast vdekjeje vetëm për dëmin pasuror do të rezultonte 15,910,962 lekë. Pra me ndryshimin e koeficienteve familjarët e palës së dëmtuar, për të njëjtin rast, do të përfitonin 3,324,554 lekë më shumë”, sqaron AMF.

o.j/dita

July 10, 2018 09:52
Komento

1 Koment

  1. ??? July 10, 10:11

    “Nëse bëni aksident me pasojë dëme në shëndet, atëherë dëmshpërblimi që do të mund të merrni nga kompanitë e sigurimit tashmë do të jetë gati 40% më i lartë sesa më parë.” — Uau, vertet? Imagjinoni se sa merr ai qe peson aksidentin, kur ai qe e ben shperblehet!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*