Pengmarrja e sipërmarrësit italian, policia: Koka e krimit, një shqiptar

Redaksia Online January 5, 2013 08:46

Pengmarrja e sipërmarrësit italian, policia: Koka e krimit, një shqiptar

Nga ana e drejtësisë italiane është bërë e ditur se Emiliano Shota ka qenë ideatori i pengmarrjes. Ai është nisur tre ditë më pas nga aeroporti i Pizës për në Shqipëri

Shkon në katër numri i shqiptarëve të akuzuar për rrëmbimin e sipërmarrësit Andrea Kolevo, ndërkohë  që policia italiane njoftoi dje se koka e rrëmbimit ishte shqiptari me emrin Emiliano Shota i cili tre ditë pas rrëmbimit është  nisur nga aeroporti i Pizës për në Shqipëri. Mësohet se hetimi ka ecur me hapa të shpejtë dhe tashmë është arritur t’i jepet një emër dhe të gjendet roli i gjithsecilit prej 6 individëve të akuzuar për rrëmbimin, si dhe katër të arrestuarve.

Nga policia janë marrë përveç  dëshmive të të arrestuarve, edhe tabulatet telefonike të  tyre që tashmë kanë bërë të ditur më  shumë të dhëna se çka ndodhur mbrëmjen e 16 dhjetorit, kur sipërmarrësi Andrea Kolevo u mor nga shtëpia e tij dhe u mbajt i mbyllur për 15 ditë në dhomën e një vile, ndërsa familjes së tij i kërkohej të paguheshin 8 milionë  euro.

Sipas ndërtimit të ngjarjes nga prokuroria dhe policia, në krye të të gjitha ngjarjeve ishte shqiptari Emiliano Shota. Kjo çon dhe në përfshirjen në bandë të katër shqiptarëve, prej të cilëve Simon Halilaj dhe Fabjon Vila janë arrestuar. I treti është Emiliano Shota, ndërsa i katërti konsiderohet një person i cilësuar si “Terti”, por ende nuk i është dhënë emër. Edhe për këtë dyshohet, se ashtu si Shota, është kthyer në Shqipëri.

I liruar më 31 dhjetor nga forcat e rendit, Andrea Kalevo iu kthye ndërmarrjes së tij me shpresën që “të harrojë sa më shpejt këtë histori” ditën e enjte. Sipërmarrësi 31-vjeçar nga Lerici në krahinën e Ligurias u rrëmbye darkën e 16 dhjetorit në shtëpinë e tij përpara syve të tmerruar të së ëmës që jeton me të. Më 21 dhjetor familjes i mbërriti kërkesa e pengmarrësve: 8 milionë euro në këmbim të lirimit të Kalevos. Sipërmarrësi u lirua falë operacionit të policisë e të karabinierëve paraditen e 31 dhjetorit, kur e gjetën me këmbë e duar të lidhura në bodrumin e një vile në zonën industriale të Sarzanës, pak kilometra larg Lericit.

Deri tani në pranga kanë përfunduar katër persona. Të arrestuarit janë pronari i vilës ku Kalevo u gjet, 70-vjeçari sipërmarrës ndërtimi Pierluixhi Destri, nipi i tij 23 vjeç Davied Bandoni dhe dy punëtorë shqiptarë, Fabjon Vila 20 vjeç dhe Simon Halilaj 26 vjeç.

Nga marrja në pyetje e të pandehurve, dhe veçanërisht nga rrëfimi i Halilajt, i vetmi që vendosi të bashkëpunojë, forcat e rendit u vunë në kërkim edhe të dy personave të tjerë.

Sipas policisë, kanë qenë tre shqiptarët, Halilaj e dy të tjerët në kërkim, ata që morën peng fizikisht sipërmarrësin, ndërsa kreu i bandës është Shota. Për dy shqiptarët në kërkim është kërkuar ndërhyrja e Interpolit dhe e policisë shqiptare. Ndërkaq pritet të sqarohet diçka më shumë edhe nga armët e gjetura në bodrumin e vilës së Destrit: një pistoletë “Glock” lodër e modifikuar që qëllon edhe me plumba të vërtetë dhe një çifte e kalibrit 12. Armët tashmë janë çuar në Parma me shpresën që aty të gjejnë ndonjë shenjë gishtërinjsh.

Redaksia Online January 5, 2013 08:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*