Rreth Shqipërisë me motorin e dashurisë

September 11, 2018 10:32

Rreth Shqipërisë me motorin e dashurisë

 

Entela Resuli

Të shëtitësh gjithë Shqipërinë. Të ndjesh erën teksa të përkëdhel në fytyrë. Të ndjesh aromën e barit të sapo korrur në fusha, të përjetosh tronditjet që vijnë si pasojë e rrugës së pa shtruar, të takosh nga afër njerëz që jetojnë me qindra kilometra nga zonat urbane, të shohësh ngazëllimin e tyre teksa përshëndetin një njeri të ri, e mbi të gjithë të ndjesh lirinë dhe të përjetosh çaste lumturie. E kush nuk do e dëshironte këtë ndjesi. Ka disa persona që e kërkojnë, paguajnë miliona, por nuk arrijnë ta gjejnë. Ka të tjerë, që i mjafton një motor i vogël vespa, një person që i shoqëron dhe… mund të kalosh pushimet më të bukura në jetë.

Shpëtim Ahmetaj është një prej tyre. Ai është një vespist i njohur në kryeqytet, drejton shoqatën Vespa Club Tirana dhe kudo e sheh mbi “Violën” e tij, siç e thërret shpesh mjetin me të cilin qarkullon, jo vetëm në Tiranë.

Ahmetaj sapo ka mbyllur një tur të gjatë dhe të bukur në vendin tonë. Së bashku me bashkëshorten dhe shumë miq që ndajnë të njëjtin pasion, ka udhëtuar nga jugu në veri me motorin e tij vespa.

Kjo verë ka qenë një ndër periudhat më të bukur për të, ka bërë pushime të gjalla e plot ngjyra, e mbi të gjitha, ka njohur vendin e tij. Ka parë nga afër potencialin turistik të këtij territori, e me keqardhje na rendit edhe disa dëme që po i bëhen lumenjve për shkak të ndërtimit të hidrocentraleve. Duke mos fshehur këtu edhe problemi e pariparueshëm që kemi me hedhjen e mbeturinave vend e pa vend.

Më poshtë, një rrëfim për Shqipërinë e parë nga sytë e Shpëtimit, duke e shëtitur mbi një vespa.

-Shpëtim, jemi në fillim të muajit shtator, a ka përfunduar vera për ty?

Për një vespist vera nuk mbaron kurrë! Shiko; përtej batutës ka diçka të vërtetë. Në njëfarë mënyre kur ke shpirtin e aventurës, kur ke dashurinë për natyrën, kur dashuron udhëtimin me ndjesinë e ajrit që të përkëdhel fytyrën, pra; kur je vespist, vera realisht nuk mbaron kurrë. Udhëtimi me Vespa është diçka që ndjehet si ngrohtësia e diellit në trup, në damarë e në shpirt.

– Si ka qenë kjo periudhë?

Oh…ky sezon do mbahet mend gjatë, jo vetëm nga unë, por dhe nga miqtë e mi vespistë që kanë marrë pjesë në udhëtimet e këtij sezoni. Kemi bërë shumë udhëtime me çunat dhe gocat e “Vespa Klub Tirana” këtë vit. Do të thoja që kemi bërë një ndër udhëtimet më të bukura këto 6 vitet e fundit që ne funksionojmë si klub. Kemi udhëtuar të shoqëruar nga bashkëshortet, të dashurat, fëmijët, shokët dhe shoqet. Secili nga ne ka marrë pasagjer edhe njeriun e zemrës. Kudo kemi udhëtuar këtë vit, kemi festuar si një familje ose si në një gëzim apo festë familjare, duke kënduar dhe kërcyer të gjithë me entuziazëm. Me pak fjalë kemi “lënë nam” kudo kemi shkuar!

-Cilat janë destinacionet që ke prekur në këto muaj?

Ah çfarë të të them…destinacionet e këtij viti kanë qenë thjesht një mrekulli. Po të tregoj disa, ato që më kanë lënë më shumë të mrekulluar. Ne kemi realisht vende të tilla, që të lënë me gojë hapur të mahnitur dhe është “mëkat” mos t’i dish dhe mos t’i vizitosh. Po përmend 4 udhëtime.

I pari në Berat, por me itinerar pak ndryshe, Tiranë-Elbasan (por nga rruga e vjetër e Krrabës, që duhet ta theksoj që është një rrugë fantastike, shumë e bukur dhe shumë piktoreske. Është një rrugë që ia këshilloj që gjithë të pasionuareve pas motorit dhe që nuk u pëlqen monotonia në udhëtim. Është një rrugë perfekte për nga relievi, kthesat etj, por dhe në gjendje optimale për sa i përket asfaltit.) Cërrik-Belsh (duke shijuar një rrugë të bukur ku shoqërohesh gjithë kohës nga peizazhet piktoreske që i krijojnë të 80 a më shumë liqenet e asaj zonë dhe çfarë është e rëndësishme, nga të dyja segmentet, si nga Gostima dhe nga Belshi rruga është në një gjendje perfeke). Belsh-Kuçovë (dhe kjo një rrugë e sapo shtruar që përveç peizazheve të jep një komoditet në ngjarjen e Vespës). Kuçovë-Berat. Në Berat vizituam pjesët e bukura që dihen dhe në kthim drekuam në Belsh.

Udhëtimi i dytë “Xhiro e jugut” hapi një “lojë” që nuk i dihet se kur mbaron (sepse ishte udhëtimi i parë për ne i shtrirë në kohë për 3 ditë, por dhe ishte rreth 800 kilometra. Gjithashtu duke shtuar këtu dhe terrenet shumë malore dhe rrugët e amortizuara e bëjnë këtë “lojë” një sfidë të vërtetë kur kemi parasysh që bëhet fjalë për një Vespa të ngarkuar deri në dhëmbë me bagazhe dhe me pasagjer) Kjo xhiro kishte itinerar Tiranë-Elbasan-Librazhd-Pogradec-Korçë-Kolonjë-Ersekë- Leskovik (darka dhe akomodimi në një fermë të njohur).

Ushqimi ishte i freskët dhe bio në një ambient ku rriteshin të lirë kafshë dhe shpendë të ndryshëm, me pyje mahnitëse dhe livadhe. – Përmet. Duhet theksuar që segmenti Ersekë-Leskovik-Përmet ishte një mrekulli për t’u shijuar me vespa edhe se një pjesë e mirë e rrugës ishte e amortizuar.

Gryka e Këlcyrës-Tepelenë. Ndaluam për vizitë në Gjirokastër, në pazarin e zhurmshëm nga turistët dhe drekuam duke shijuar disa pjata tradicionale në një restorant të vogël që punonin dhe gatuanin burrë e grua. Nisemi për Sarandë, e më pas destinacioni i fundit për ditën e dytë ishte Borshi.

Ditën e tretë nisemi për disa orë në Porto Palermo. Disa preferuan ujin e kristaltë të atij plazhi, disa të tjerë vizituan Kalanë e Ali Pashë Tepelenës. Erdhi ora të nisemi, ku pas disa diskutimesh për orarin, pasi disa nuk ia bënte zemra të ndaheshin nga ai plazh, me diellin që ishte në pikun e tij, mbërritëm në Llogora ku dhe drekuam. Vazhdon kthimi në Vlorë-Fier.

Nga Lushnja morëm një segment rruge për në Belsh, gjë që na rezultoi fantastike. Ky segment gjarpëronte mes arash dhe kopshtesh të punuara dhe të mbjella në atë mënyre që fshatarët e asaj zone dinë ta bëjnë. Ndërkohë na shoqëronte perëndimi i diellit të kuq. Mbërritëm në Belsh në muzg dhe segmentin Cërrik-Elbasan Tiranë e përshkuam me natë. Në Tiranë ora 22:00 tek sheshi Avni Rustemi, u bë tavolinë e madhe, u porositën birrat dhe të gjithë kishim një qeshje në fytyrë dhe një tis lumturie që as unë nuk di ta shpjegoj. Kishim udhëtuar me Vespa gjysmën e Shqipërisë rrumbullak dhe filluan planet për Xhiron e Veriut.

Dhe ja ku erdhi data për… Xhiron e Veriut. Gati 10 Vespa (që nuk janë pak për një udhëtim 3 ditor) thuajse të gjithë të shoqëruar. Na prisnin për t’u vizituar dhe shijuar bukuritë e maleve të veriut. Itinerari që kishim zgjedhur ishte fantastik dhe ashtu si në xhiron e jugut, shumica shkonin për herë të parë në ato qytete. Nisja tek vendi “Sheshi Avni Rustemi”. Ndalesa e parë në Lezhë në një pikë karburanti, ku furnizuam Vespat dhe veten për mëngjes. Ndalesa e dytë për foto në Vau i Dejës. Morëm rrugën për Koman. Mbërritëm fiks në orar dhe i hipëm Vespat në traget. Mbërritëm në Fierzë, u nisëm direkt për qytetin e Bajram Currit. Bëmë një xhiro të shkurtër dhe u nisëm për në parkun e Valbonës. Drekuam në një restorant në buzë të Valbonës ku këmbët i mbanim në ujin e freskët.

Duhet theksuar që bukuria e grykës së Valbonës është e mrekulli e natyrës dhe duke e shijuar me Vespa në 360 gradë, është vërtetë mahnitëse.

Dita e dytë Valbonë-Bajram Curri-Kukës. Në Kukës drekuam, rruga kish shkuar mirë. Pas Kukësit, destinacioni është Peshkopia. Rruga ishte shumë e bukur, me fshatra piktoreskë dhe me shumë ngjyra. Malore dhe disheza serioze, shumë serioze gjë që na bëri të kishim shumë ndalesa.

Nga pasditja mbërritëm në Peshkopi dhe gjëja parë që bëmë, shkuam të shijonim ëmbëlsirat si traditë e atij qyteti. U akomoduam. Ditën e tretë na prisnin për t’u kaluar dhe qytet Bulqizë-Klos-Burrel, terreni dhe peizazhi ishin të mrekullueshëm, sidomos Qafa e Buallit. Drekuam buzë të liqenit të Shkopetit dhe duke kaluar në Milot – Tiranë u mbyll me sukses dhe kjo xhiro. Edhe pse njërit nga ne i bëri defekt vespa në Klos dhe një shok tjetër e rimorkioi me litar për afro 100 kilometra deri në Tiranë, mbërritja pa probleme serioze në kryeqytet u festua me nga një birre tek vendi, Sheshi Avni Rustemi.

Xhiro e Vermoshit mbaroi fundjavën që shkoi. Kishim menduar që pas bukurive të Valbonës, nuk do të shikonim më shumë se aq, por kishim gabuar. E gjithë krahina e Kelmendit të linte pa fjalë. Duke filluar nga ballkoni i famshëm i xhamit tek Laqet e Hotit dhe deri në fshatin më në skajin verior të Shqipërisë Vermosh, ishte pa diskutim më e bukura në Shqipëri. Pas ndalesës që patëm në pedonalen e Shkodrës ku na prisnin shokët dhe miqtë tanë të Vespa Club Shkodër, grupi u bë si rrallë herë me mbi 20 vespa. Sigurisht ndalesa e parë tek Leqet e Hotit për foto.

Dreka në Tamarë. Bukuri natyrore si në përralla, disa nga grupi ndërsa dreka behej gati u hodhën në pishina natyrore të lumit aty pranë. Një ujë që nuk ngopeshe duke e parë, me një ngjyrë mes blusë dhe jeshiles. Kaluam Selcën dhe disa fshatra që nuk arrije t’i besoje syve kur i shikoje, aq të bukur dukeshin. Lepushë ishte fshati ku kishim rezervuar një bujtinë, pasi hotele nuk ka. Ç’të thoje për atë fshat dhe për ato që të shihte syri?! Disa nga ne kujtuan filmin vizatimor Haidi, i tillë ishte peizazhi në Lepushë. Lëndina me një gjelbërim të shtrira mes pyjesh dhe malesh që nuk ke shans të shikosh asnjëherë në qytet. Turistët e huaj e quanin Lepushën një Zvicër të vogël. Nga aty dukeshin Bjeshkët e Namuna. Vizituam qendrën e fshatit Vermosh. Darka në Lepushë, filloi festa, krahas kushteve shumë të mira dhe bujtinës ku ne ishim akomoduar dhe ushqimit bio dhe me një shije që kishim vite pa e provuar, kishte edhe një aparaturë për muzike. Aq donim ne, këngët dhe vallet deri pas mesnatë ashtu siç e kanë zakon shkodranët dhe tiransit. Të nesërmen kthim…

-Cila ka qenë rruga më e vështirë?

Rruga më e vështirë për nga terreni ose relievi ishte një segment që quhej Bushtricë, që lidh Kukësin me Peshkopinë ku duhej të frenoje aq gjatë dhe fort, sa vinte një moment sa frenat nga mbinxehja nuk frenonin me dhe duhej të ndaloje. Ndërsa si e amortizuar ishte pjesa Ersekë-Leskovik-Përmet dhe shumë e keqe dhe e vështire fare nga amortizimi ishte Klos – Burrel

-Çfarë të ka pëlqyer më tepër në këtë udhëtim?

Sigurisht gjeja e parë është të qenurit bashkë në grup 10-15-20 vespa. Sigurisht dhe natyra e mrekullueshme që Shqipërisë ia ka dhuruar Zoti, ashtu si dhe të qenurit një grup me miq e shokë qe di të kthejë çdo drekë dhe darkë në një festë të vërtetë.

-Pse ka qenë kjo një verë interesante për ty?

Ndër të tjera kjo verë ka qenë interesante pikërisht për këto udhëtime me çunat dhe gocat e Vespa Klub Tirana.

-Çfarë ke parë dhe ke njohur nga lëvizjet që ke bërë?

Kam parë thuajse të gjithë Shqipërinë në këto xhiro. Kam njohur vendin tim!

-A ka një zonë që e ke parë për herë të parë këtë vit dhe ke thënë: Si ka mundësi që ekziston kjo gjë në Shqipëri?

Po, lugina e Valbonës dhe krahina e Kelmendit deri në Vermosh ishte: Uau.

-Shqipërinë e parë nga Vespa, si do e përkufizoje?

Dy fjalë: Yll bote!

-Ti udhëton vazhdimisht, çfarë të bën përshtypje në Shqipëri?

Më bën përshtypje mungesa e vetëdijes së njerëzve dhe shtetit për të mbajtur dhe trajtuar siç duhet natyrën që na e ka dhuruar Zoti.

-Një tipar negativ që nuk po e përmirësojmë dot?

Dy tipare negative që unë do t’i quaja tmerr. 1. Hedhja e mbetjeve dhe plehrave kudo. 2. Shkatërrimi i lumenjve dhe i të gjithë ekosistemit me tuba gjigantë për të ndërtuar hidrocentrale. Një TMERR i vërtetë, tek shikoja shkatërrimin e lumit Valbonë dhe lumit Cem në Kelmend, më ka ardhur një ndjenjë urrejtje dhe neverie për qeveritaret tanë. Kam ndjerë një revoltë që më mbushnin sytë me lot nga keqardhja dhe vetëm shaja me të madhe kur i shikoja ato tuba si përbindësh.

-Një tipar pozitiv?

Tipar pozitiv kanë qenë fëmijët në të gjithë fshatrat. Ata na përshëndetnin me dorë duke na thënë “hello, hello” dhe na shoqëronin me vrap. Me siguri i ngjanim si të huaj… Ky tipar i sjelljes së fëmijëve më ka bërë të mendoj, që vendi ynë vizitohet nga shumë turistë të huaj dhe pikërisht tek ata fëmije është shpresa se në të ardhmen do të jetë më mirë për turizmin në Shqipëri.

-Shpëtim, ti ke një marrëdhënie të veçantë me motorin Vespa, por mund të na tregosh kur ke filluar të njiheshe të dhe si është bërë ai pjesë e jotja?

Me Vespën jam njohur rreth moshës 11-12-vjeçare, por me xhiro të vogla dhe pa ndonjë simpati të veçantë. Në moshën 19 vjeç bleva rastësisht Vespën e parë. Që në ato kohë Vespa për mua është shumë më shumë sesa një mjet i thjesht transporti. E kështu lindën dhe xhirot e para me vespa në grup, duke formuar të gjithë bashkë edhe shoqatën “Vespa Klub Tirana”.

-Pse e quan motorin e dashurisë?

Sepse është dashuri! E gjitha kjo intervistë, të gjitha fjalët që po them janë pasojë e dashurisë për Vespën. Pra, krijohet një marrëdhënie dashurie mes teje dhe Vespës. Por nuk është vetëm kjo, një nga “vardisjet” apo “ngacmimet” e bashkëshortes sime rreth 15 vjet përpara e që më bëri të mendoj që ajo më ka qejf ishte pikërisht nëpërmjet Vespës. E mbaj mend kur më tha: hë mo ti, nuk na bërë një xhiro me këtë motorin e bukur!? Më pas i bëra një xhiro dhe ajo u bë e dashura ime e më pas bashkëshortja ime. Bëmë muajin e mjaltit me Vespa në të gjithë bregun e jugut, gjë që është vërtetë një kujtim shumë i bukur. Tani këtë dashuri po e kultivoj edhe tek dy fëmijët tanë, ku djali i madh 9 vjeç është ndihmësi im kur i bëjmë shërbime Vespës, ndërsa i vogli 4 vjeç vdes të bëjë xhiro me Vespa. Vespa të bën të dashurosh natyrën, të dashurosh udhëtimet, të dashurosh vajzën që ke pasagjere (që të mbërthen me krahë se gjoja po mbahet nga frika) dhe të jep një ndjenjë lumturie teksa të rreh ajri fytyrën.

A ka motori yt një emër?

Vespa që e kam restauruar dhe që e përdor prej 5 vitesh, është një Vespa e vitit 1965 e cila quhet Viola. Viola sepse është ngjyrë violet.

-A janë të shumtë ata që e përdorin këtë motor në Shqipëri? A janë shtuar vitet e fundit?

Po, ka shumë dhe janë shtuar shumë vitet e fundit. Grupi ynë ka ndikuar për ringjalljen e shumë Bespave në Shqipëri. Vespa ndikon shtimin e ngjyrave në rrugët tona.

-Rruga me e gjatë që ke bërë me Vespa?

Ka qenë në vitin 2015, Tiranë-Zadar (Kroaci) 1400 kilometra vajtje-ardhje.

September 11, 2018 10:32
Komento

3 Komente

  1. Dash September 11, 12:29

    Bravo, gje shume e bukur, mendoj se te gjithe do te donin ta benin….vetem se …

    Reply to this comment
  2. N.VJOSA September 11, 20:40

    Pershendetje Shoqerise se dyrrotshave te motorrit me elegant europian, Vespes, qe eshte njekohesisht edhe motorri im dhe njekohesisht vlere e kultures boterore e mbrojtur me ligj…
    Kur them motorri im, udhetimin me Vespa, e nisa ne vitet 70-te, pas nje perpjekje te jashtzakonshme, per ta ngritur vete agregatin qe me falte aq shume argetim ne ato vite…
    E nisa me nje grumbull pjesesh Vespe, qe me fali nje shoku im marinar nga Durresi komisar anije, i cili bente shpesh rrugen me anije per itali… Ma solli ne nje rrjete, vetem disa ingranazhe, korone-pinjon dy skatullat e motorrit prej alumini, kollodok te nje motorri te vjeter 125 kubik…
    Dhe kaq. E ngrita duke kopjuar pjeset e nje motorri tjeter te nje shokut tim…Dy vjet pune, me ndihmen e shokeve dhe sidomos te nje tornitori te NSHRAK-ut te Tiranes, nje pune kolosale, sepse atehere nuk gjeje dot asnje pjese kembimi per Vespa…Me nje durim dhe guxim prej teper te apasionuari, pas dy vjetesh kam ndjere gezimin me te madh kur e degjova te punonte motorrin tim tashme te sajuar, fal ndimes se shokeve dhe pasionit tim…E mbajta disa vite , shkoja ne Durres per plazh, ngjitesha ne Dajt, dhe neper rruget e Tiranes asokohe, me dukej vetja Zog i lire qe fluturoja kudo…
    U ndava prej tij kur ika ne mergim dhe ja fala nje komshiut tim, sikur ti falja nje pjese te trupit tim…Isha ne Austri dhe nuk e kisha fare problem te bleja nje Vespe te re te fabrikes… Dhe ja sot para shtepise time qendrojne tre te tille, nje i ri dhe dy te tjere “pleq”, te cilet i riparoj me shume kenaqesi, sepse te vjetrit jane te pakomplikuar me elektronik dhe shume te thjeshte per tu riparuar…, jane si te thuash te pavdekshem…

    U zgjata disi duke treguar, por lexuesi duhet ta kuptoje dhe nje te apasionuar si une pas Motorrit , qe mund ta ngasesh edhe i veshur me kostum, ashtu sic i thoshim ne asokohe ne Tirane…

    Nje pershendetje vellazerore autores se intervistes dhe z. Shpetim Ahmetaj, drejtuesit te “Vespa Klub Tirana”-s!
    E perjetoj me zemer gjithe Turin e Vespisteve…
    Mbi 80 perqind te atyre rrugeve i njoh dhe i perfytyroj se sa romantik dhe i mrekullushem eshte nje udhetim me shoqerine e dyrrotshave Vespa…!
    Po ta dija do vija edhe une ti bashkohesha turit tuaj…, edhe pse me duken shume pak pjestare…( Ne Austri turet me Vespa, Harli dhe te tjera marka te degjuara jane nje bashkesi prej qinda motorristesh, nga njehere edhe mijera…dhe jo vetem ne Austri por edhe ne vende te tjera te bukura, te organizuara shume bukur,
    adrenaline e paster!…
    Kur shkojne ata bashke aq shume… dridhet toka si termet!…
    Shqiperia ka nje natyre te mrekullueshme, me kontraste, ndyshim klimash dhe rrugesh mbreselense!
    Thjeshte, krijohet nje tradite e mrekullueshme…
    SHUME B U K U R…!

    Reply to this comment
  3. N.V. September 11, 21:11

    Nje nga takimet ne diten boterore te Vespa -s…https://www.youtube.com/watch?v=s4nQQiMsGO0

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*