Rrëzë dhe Lunxhëri, si gjerdan gurëçmur, janë një e të pandarë!…

Odhise Porodini February 15, 2015 14:00 Updated

Rrëzë dhe Lunxhëri, si gjerdan gurëçmur, janë një e të pandarë!…

Si në të kaluarën, ashtu edhe sot, diskutohet në se këto dy krahina janë një trevë e vetme, apo ekzistojnë ndryshime midis tyre. Me sa kam vëzhguar, në të dy krahinat ka pikëpamjen jo të njëjta. Disa shpjegojnë se ato kanë ndarje e dallime midis tyre, ndërsa të tjerë pohojnë se pavarësisht nga emra të ndryshëm që kanë apo nga varësitë administrative, ato përbëjnë një trevë të vetme. I të njëjtit mendim jam edhe unë, duke patur parasysh prejardhjen e përbashkët, zakonet, traditat, mentalitetin, psikologjinë, kulturën, shtrirjen gjeografike, marrëdhëniet midis nesh, etj. Por gjykoj se argumentet që do të sjellim për disa fusha të caktuara, do të krijojnë bindjen se krahina e Rrëzës dhe ajo e Lunxhërisë i përkasin një treve të vetme.

Gjeografi

Është fakt se të dyja këto krahina shtrihen në të njëjtat shpate masive malesh, që nisin nga ai i Golikut në veri, vazhdojnë me ato të Shëndelliut e Odries së Labovës, më tej me vargmalet e Lunxhërisë e gjer në ekstremin jugor me Marotan e Stegopulit dhe malet e Selckës, Nisoi e Korita.

Kjo hapësirë, ku vargmalet, priten si me shpatë nga dy gryka: gryka e Mezhgoranit apo e Këlcyrës në veri dhe nga gryka e Selckës në jug. Në secilën nga këto gryka derdhen edhe dy lumenj: Vjosa në veri dhe lumi i Suhës në jug. Këta kufi natyrore të lënë përshtypjen sikur edhe natyra ka dashur që këto dy krahina t’i bëjë bashkë.

Nga vargmalet që përmendëm më lart  burojnë ujërat jetëdhënëse, duke filluar nga Gurra e Leklit, ajo e Hormovës, e Labovës, nga burimet e Hosit dhe vazhdojnë me ato të Serpenit, Gurra e Këllëzit, burimet e Dhoksatit, Qestoratit e gjer te burimet e Lepushetit të famshëm mbi Saraqinishtë e Stegopul.

Nga burimet e Hosit  furnizohen jo vetëm fshatrat e Karjanit, Kakozit, Valaresë dhe  Gjirokastrës e më gjerë, por edhe Labova, sidomos për vaditjen e tokave të Mavrambelit e të Nënëgurëve.

Në këtë trevë, duke patur të njëjtën lartësi mbi nivelin e detit dhe një reliev përgjithësisht kodrinor, mbizotëron klima mesdhetare. Rrjedhimisht, në pjesën poshtë të kodrave dhe në fusha rritet frutikultura dhe bimët e arave. Ndërsa në brezat lart fshatrave shtrihen masive kullusore, më tej shkurret, e mbi to, lart, pyjet jo fort të dendura. Në malet e kësaj treve rritet çaji, trëndelina, sherebeli e bimë të tjera medicinal.

Histori

Qysh në lashtësinë  e hershme, në gjithë hapësirën e trevës sonë kanë jetuar fiset ilire të Kaonëve, të cilët, sipas të dhënave arkeologjike, i kanë shtrirë banimet e tyre në këto dy krahina nga Antigonea në jug të trevës, e gjer në Mavrambel e Lekël, në veri të saj.

Pushtimet osmane të mesjetës i kanë  bashkuar banorët e këtyre krahinave në një luftë të ashpër e të vazhdueshme. Kalatë e ngritura në Lekël, Shëndëriadhë e gjetkë, i kanë angazhuar banorët e tyre në një qëndresë të fortë, të udhëhequr nga strategët ushtarakë të Latovishtës së hershme dhe kapedanët e tjerë si Spiro Stoja nga Labova, për të cilin populli thuri këngën: “Vrave sa të zuri dora, kapedan Spiro Labova, lule more Spiro Stoja”.

Në periudhën e sundimit turk ka qenë e përbashkët për të dyja krahinat edhe lufta për arsimin e gjuhën shqipe. Krahas gjuhëtarëve patriot tunxhi,otë Pandeli Sotiri nga Selcka dhe Koto Hoxhi nga Qestorati, jehonë të madhe pati brenda dhe jashtë vendit edhe hapja e shkollës së parë shqipe në Labovë, në prill 1910 nga patrioti Nane Panajot Meksi.

Por bashkëveprimi i banorëve të fshatrave të trevës sonë spikati në mënyrë më të organizuar gjatë Luftës së Parë Botërore e sidomos në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Në fillim le të sjellim në kujtesën tonë luftën italo-greke, kur fshatrat e krahinës së Rrëzës: Kodra, Lekli, Hormova, Labovat e Tërbuqi, u përfshinë në vorbullën e kësaj lufte për shkak të frontit  që ishte aty. Për pasojë u dogjën e u shkatërruan jo vetëm shtëpitë e pasuritë e tyre, por edhe jeta ndihej në rrezik. Për t’i shpëtuar kësaj gjendjeje, ashtu si në Luftën e Parë Botërore, që për hormovitët u bënë strehë e mbështetje labovitët e tërbuqotët, në luftën italo-grekë hapën shtëpitë e tyre  dhe pritën me bujari labovitët e ardhur  në Karjan, kakoz, Gjat, Nokovë e më gjerë.

Gjatë LANÇ, në të cilën u përfshinë totalisht të dyja këto krahina, si baza të rëndësishme të saj, veç njësiteve guerile, të cilat vepronin në aksione të përbashkëta nga Lekli e gjer në fshatrat e Lunxhërisë, u krijuan edhe formacionet partizane me djem e vajza të trevës sonë. I tillë ishte batalioni partizan “Misto Mame”, në të cilën u bashkuan çetat partizane: “Prokop Meksi”, që vepronte në krahinën e Rrëzës, ajo e “Koto Haxhit” e “Mihal Durit”, “Lato Brahos” dhe e “Sabaudin Gabranit”, që vepronin në Lunxhëri, Libohovë e gjer në Gjirokastër.

Etnokulturë

lunxhKulturën materiale e shpirtërore të banorëve të kësaj treve, e cila, në të gjithë kompetentët e saj, është e njëjtë për të dy këto krahina. Le t’u referohemi, së pari, zakoneve në rastet e lindjeve, martesave dhe vdekjeve. Është fakt se këngët e djepit  dhe ato të dasmës janë të njëjta, si në krahinën e Rrëzës, ashtu dhe të Lunxhërisë, ashtu sikurse edhe vajet në rastet e vdekjeve.

Përsa i përket veshjeve tradicionale, veçanërisht për gratë, përjashto fshatrat e Lunxhërisë së Sipërme gjer në Selckë, që e kanë të njëjtë, fshatrat e tjera si Gjati, Kakozi, Karjani, madje dhe Suha kanë po atë veshje si të krahinës së Rrëzës.

Kënga dhe vallja, me përjashtim të ndonjë nuance të parëndësishme, si në melodi, stil, madje dhe tekstet janë të njëjtat për të dy krahinat. Një dukuri e njëjtë shfaqet edhe në ritet e festave fetare. Bile, në disa raste është konstatuar një pjesëmarrje e ndërsjellët e banorëve të këtyre krahinave. Në Manastirin e Drenovës në Mingul, gjatë festimeve të Shën Sotirit më 6 gusht të çdo viti, përveç lunxhiotëve, merrnin pjesë edhe nga Labovat e më tej. Nga i ndjeri Sotir Kosta, kam mësuar se në këtë rast, duke patur edhe festën e emrit të tij, djemtë që vinin nga Labova e që këndonin bukur, si Xhelo Vasili, Peço Porodini, Thanas Nika, Peço Çekani etj., pas mbarimit të ceremonisë tek manastiri, i thërriste në shtëpinë e vet, ku shtronte gosti, me këngë e valle. Ndërkohë dilte në oborr dhe u thërriste gjitonëve: “Më kanë mbushur shtëpinë bilbilat e Labovës, ndërsa thëllëzat e Dhoksatit më kanë rrethuar shtëpinë” (ishte fjala për vajzat e fshatit). E njëjta gjë ndodhte edhe kur festohej dita e Shën Mërisë, më 15 Gusht, në Manastirin e Tërbuqit, apo edhe në atë të Kodrës, ku përveç banorëve të fshatrave të Rrëzës, vinin edhe nga Lunxhëria. Kur kam qenë në moshën 8-9 vjeç, së bashku me nënën time, kemi shkuar nga Karjani në Manastirin e  Kodrës, për të cilin ruaj edhe një fotografi që kemi bërë aty. Madje kujtoj edhe hollësi të asaj feste të bukur popullore, ku At Gjergj Suli nga Lekli këndonte këngën: “Lekli gjashtë mëhallë, kurr’e kurr’ s’ia nxora mallë”,etj.

Demografi

Dukuria më sinjifikative në këtë drejtim  është ajo e fiseve me të njëjtin mbiemër, të shpërndarë në fshatrat e dy krahinave, fise të cilat kanë ekzistuar apo që janë edhe sot. Konkretisht, fisi me mbiemrin Prifti, ndodhet në Lekël, Labovë, Karjan, Gjat e Dhoksat. Fisi me mbiemrin Noti në Labovë, Erind e Saraqinishtë. Fisi me mbiemrin Duka-në Labovë e Qestorat. Fisi me mbiemrin Vasi në Tërbuq, Karjan, e Mingul. Fisi me mbiemrin Xhori në Labovë, Gjat e Dhoksat. Fisi me mbiemrin Zisi në Tërbuq, Karjan e Tranushishtë. Fisi me mbiemrin Kutra në Labovë, Karjan e Kakoz . Fisi me mbiemrin Spiri në Karjan, Mingul dhe Këllëz, Fisi me mbiemrin Koçi në Kodër, Lekël, Gjat, Dhoksat e Stegopul. Fisi me mbiemrin Dedi në Tërbuq dhe Erind.

Edhe shpërnguljet e ndodhura të fiseve e të familjeve të ndryshme nga njëra krahinë në tjetrën brënda trevës sonë, flasin për atë fakt se ata e kanë ndjerë veten si në fshatin e krahinën e tyre edhe në fshatin  e krahinën që janë  vendosur. Kështu ka ndodhur në familjen e Peço Priftit, nga Labova e madhe e vendosur në Dhoksat, familja e Sevo Qerimit nga Karjani e vendosur në Lekël, familja e Pano Spirit nga Karjani,  e vendosur në Mingul, familja e Nikajve nga Karjani, e vendosur në Labovën e Vogël, etj.

Por lidhjet më të fuqishme e më të qëndrueshme janë siguruar nëpërmjet martesave midis dy krahinave. Djemtë dhe vajzat e krahinës së Rrëzës e të Lunxhërisë e kanë kërkuar dhe gjetur njeriun e zemrës, më së shumti,  brenda trevës së tyre, për shkak të shumë vlerave të përbashkëta.

Natyrisht kjo nuk është një dukuri e rastit, por me një prejardhje të hershme. Nga kërkimet e bëra, rezulton se martesat në këto dy krahinat, më së paku u përkasin tre e më shumë brezave. Të paktën, nga mbi 40 martesa të evidentuara në të dy krahinat, kanë një shtrirje gati në të gjitha fshatrat e trevës. Kështu në Labovë-Karjan janë lidhur rreth 15 martesa, Labov-Kakoz 2, Lekël -Karjan 4, Labovë-Gjat 4, Erind-Labovë 1, Erind-Tërbuq 1, Labovë-Nokovë 4, Labovë-Mingul 1, Labovë-Dhoksat 1, Qestorat-Labovë 1, Karjan-Kodër 1, Tërbuq-Karjan 2 martesa etj.

S’ka dyshim se martesat dhe krushqitë e lidhura, lindja e një brezi të tërë nipër e mbesa  nga këto martesa, i kanë sjellë edhe më afër banorët e këtyre dy krahinave, kanë bërë  që të ndihen si një e tërë, pa asnjë kufi ndarës, qofshin këta kufi natyralë, apo njerëzorë.

Për të ruajtur e çuar më tej këto vlera të përbashkëta, shtrohet si një kërkesë e nevojshme që shoqatat tona “Odrie Golik” dhe “Lunxhëria”, gjatë veprimtarive të tyre Atdhetare-Kulturore, të sigurojnë një bashkërendim edhe më të shpeshta e më të organizuar midis tyre. Ndërsa në të ardhmen të shihen edhe mundësi të tjera përafrimi.

 

Krahinë nga më të bukurat e Jugut të Shqipërisë

Përgjatë luginës së lumit Drino, me drejtim veri-jugë, shtrihet vargmali Shendelli-Lunxheri-Bureto. Krahina e Rrëzës dhe e Lunxhërisë shtrihet në rrëzë të malit të Lunxhërisë dhe kodrave në perëndim të tij. Përbëhet nga një varg fshatrash: Labova e Zhapës, Dhoksati, Qesorati, Erindi, Kakosi, Karjani, Tavani, Minguli, Nokova, Këllëzi, Gjati, Hundëkuqi, Tërbuqi, “Andon Poçi”, Krina, Latovishta, Tranoshishta, Suha, Selcka, Stegopuli, Gjonoshat, “Asim Zeneli”, dhe qendrat arkeologjike të Antigonesë dhe të Jermës. Gjeografikisht në krahinën e Lunxhërisë bëjnë pjesë edhe Hormova e Lekli, që administrativisht i takojnë rrethit të Tepelenës. Lartësia e Malit të Lunxhërisë është 1851 m, kurse e pllajës së Çajupit është 1200 m. Qafa e Çajupit është udhëkalim nga Zagoria për në luginën e Drinos. Pllaja e Çajupit është vend i njohur për ujët e ftohtë të saj dhe klimën e shëndetshme. Në kodrat afër Gjirokastrës është Kalaja e Shëntriadhës, që ka marrë emrin nga kisha që ndodhej atje dikur. Mbi lumin Drino ndodhet Ura e Subashit, që lidh Lunxhërinë me krahinën e Kardhiqit dhe rrugën kombëtare.

 

Rezerva të mëdha turistike

Rrëza dhe Lunxhëria të vendosura në faqen e malit me të njëjtin emër përballë Gjirokastrës është një prej krahinave më të pasura në Shqipëri burime, bukuri natyrore, monumente kulture, kisha, manastire dhe sidomos banesa origjinale e madhështore të ndërtuara me gur të zi. Banorët e kësaj zone njihen në të gjithë Jugun për traditën e pasur folklorike, panairet tregëtare, kulinarinë dhe mikpritjen. Megjithatë emigracioni i tejzgjatur ka bërë që zona pothuajse të braktiset dhe rrjedhimisht të lërë në hije resurset turistike. Krahina ka shumë për të ofruar, por vështirë që më të rinjtë të kthehen për t’i dhënë gjallëri zonës dhe mundësi turizmit. Lunxhëria gjendet ende jashtë hartës së destinacioneve turistike në jug të vendit. Megjithë potencialin e rrallë në fshatrat e malit të Lunxhërisë mungojnë shërbimet akomoduese dhe politikat që mund të nxisin turizmin.

 

Ja pse i thonë Labovë e Zhapës

Në Gjirokastër janë dy Labova, njëra është Labova e Zhapës, që ndodhet në krahinën e Rrëzës; dhe tjetra ndodhet poshtë malit të Buretos, në krah të Libohovës, dhe kjo quhet Labova e Kryqit.  Për prejardhjen e emrit të Labovës së Kryqit nuk ka ndonjë shpjegim bindës, përveçse banorët e këtij fshati janë të krishterë pranë popullsisë myslimane të Libohovës; ndërsa për Labovën e Zhapës, ky emër është vënë në mes të shekullit të kaluar, kur Vangjel Zhapa qe në kulmin e tij të suksesit dhe qe bërë një njeri me famë të madhe në të gjithë Ballaknin. Për t’u dalluar nga Labova e Kryqit, duke përjetësuar dhe nderuar emrin e birit të tyre, Labova e Rrëzës mori emrin Labova e Zhapës (Labova ku ka lindur Vangjel Zhapa).

 

Kostumi i Lunxhit, i kohëve antike

Një nga vlerat më të rralla të etnografisë shqiptare, që ka arritur të mbërrijë deri në ditët tona në pamjen e saj më origjinale, është pa dyshim kostumi i vajzave dhe nuseve të Lunxhërisë. Vendasit e quajnë këtë veshje të rrallë “lunxhe”. Te kostumi tradicional lunxhiot në pjesët e përparme, në kësulën që vendoset në kokë më xhufka dhe pesë rrathë floriri, në gjerdanin me tri radhë floriri që vendoset në pjesën e gjoksit, në çengelet që vendosen në formë brezi përreth belit, në mëngoret dhe pjesët e tjera, të qëndisurat me ngjyra e motive të ndryshme, rrëfejnë gjurmët e një arti të mahnitshëm. “Lunxhiotët goxha malldarë/florinë s‘dinë ta mbajnë/e bën cohë e kanavadhë”. Këta costume qepeshin tek ustallarë të gjilpërës në Gjirokastër dhe në Stamboll. Duan ustallëk të madh. Vetëm familjet e kamura kishin. Ata i bënin dhe i mbanin pastër, se ato nuk lahen kurrë. Në kohën e sotme as të shkon mendja të bëhen më, sepse nuk gjenden copat, as penjtë, as florinjtë e as ustallarët që dinin si t‘i realizonin ato.  Veshja tradicionale e vajzave dhe nuseve të krahinës së Lunxhërisë është nga më të larmishmet në formë, në ngjyrë, në teknikat e qepjes dhe qëndisjes dhe sidomos në mënyrën e veshjes. Monumentaliteti i saj dallon sidomos te çengelet, një brez që sot është mjaft e vështirë për ta përshkuar për punimet e rralla me fije argjendi, pulla e sumbulla.  Duhet thënë se kostumi i rrallë “lunxhe”, është produkt dhe shprehje e urtësisë, fisnikërisë dhe mençurisë lunxhiote në breza. Për këtë kostum janë gjetur dokumente dhe është thënë se është përdorur që në kohët antike. Madje medohet se edhe Antigona, gruaja e parë e Mbretit të Epirit, Pirros, kur është martuar ka veshur një kostum të tillë. Domosdo kostumi ka qenë një gjë e rrallë, që Mbreti Pirro i dhuroi gruas, ashtu siç ishte i rrallë edhe fakti që ai i vuri qytetit në zemër të Lunxhërisë, emrin e gruas së vetë, Antigonea.  

Odhise Porodini February 15, 2015 14:00 Updated
Komento

1 Koment

  1. Stavroikolla RISTO May 24, 08:42

    Një material i shkëlqyer.që përmbledh bukur dhe me një nivel të mrekullueshëm të shkruari pasurinë e madhe të këtyre trevave magjike të Atdheut.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*