Rriten të ardhurat me 12.6%; TVSH taksa që sjell më shumë të ardhura

November 21, 2014 22:50

Rriten të ardhurat me 12.6%; TVSH taksa që sjell më shumë të ardhura

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) duket se ka qenë taksa që ka siguruar më shumë të ardhura në arkën e shtetit. Kjo është konfirmuar dhe një herë në të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave për 10 mujorin e vitit 2014.

Sipas këtyre të dhënave financat kanë arkëtuar për 10 mujorin 299 miliardë lekë, me një rritje prej 33.5 miliardë lekë, apo 12.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Zëri që ka dhënë kontributin më të madh në shtimin e të ardhurave vijon të jetë TVSH, që ka kontribuar në 40% të shtesës totale.

Por gjithashtu është përmirësuar dhe performanca e tatim fitimit dhe akcizës, ndërsa tatimi mbi të ardhurat vijon të jetë i vetmi zë me rritje negative në buxhet. Të ardhurat nga TVSH ishin 103 miliardë lekë për janar-tetoin 2014, me një zgjerim prej 15.3% me bazë vjetore.

Nga kjo TVSH e rimbursuar ishte 5.7 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatim fitimi janë rritur me 41%, në 17.3 miliardë lekë. Të hyrat nga akciza kanë kërcyer me 15% në 18 miliardë lekë, duke ndryshuar ndjeshëm ritmet e zgjerimit, teksa në muajt e parë të vitit ky zë ishte negativ.

Ndonëse të dhënat përfundimtare nuk janë publikuar ende, në tetor vlerësohet të ketë pasur një rritje të importeve të cigareve, në pritje të hyrjes në fuqi të akcizës së re, një dukur kjo që u konstatua dhe në dhjetor të vitit të kaluar.

Tatimi mbi të ardhurat mbetet zëri i vetëm me performancë negative në buxhet, duke u ulur me 5.6% në 22.6 miliardë lekë, reflektim i kalimit nga tatimi i sheshtë prej 10%, në atë të përshkallëzuar nga 0-23%, që solli ulje për pagat nën rreth 100 mijë lekë.

Të ardhurat nga pushteti vendor dhe dhe ato nga fondet speciale (sigurimet shoqërore e shëndetësore) janë rritur përkatësisht me 14.7% dhe 16%. Rënia ka zëri i të ardhurave jo tatimore, me 8.6%, kryesisht si rrjedhojë e rënies së transferimit të fitimit nga Banka e Shqipërisë.

Ulet defiçiti dhe pse rriten shpenzimet buxhetore

Një tjetër tregues pozitiv i këtyre të dhënave është ulja e defiçitit buxhetor edhe pse ka patur një rritje të shpenzimeve buxhetore.

Dy janë zërat kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e shpenzimeve. Së pari, shpenzimet për fonde speciale (subvencionimi i skemës së dështuar të pensioneve), të cilat u rritën me 8 miliardë lekë, apo rreth 8%.

Ky zë zë gati një të tretën e shpenzimeve totale buxhetore, duke përbërë një barrë të rëndë për buxhetin dhe duke bërë emergjente fillimin e zbatimit të reformës së pensioneve. Zëri i dytë që ka rritur shpenzimet në raport me dhjetëmujorin e një viti më parë është ai i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, megjithëse ky proces ka ndalur që nga muaji korrik, duke mbetur në shifrën e rreth 26 miliardë lekëve, nga 35 miliardë lekë që është plani për gjithë vitin.

Një faktor që ka lehtësuar shpenzimet buxhetore, por jo ekonominë, është tkurrja e shpenzimeve kapitale.

Për 10 mujorin ato ishin rreth 37 miliardë lekë, nga 67 miliardë lekë që ishte plani fillestar i gjithë vitit, që është rishikuar tashmë në 55 miliardë lekë dhe rreth 17% më pak se 10 mujori i një viti më parë.

Në rënie kanë qenë dhe shpenzimet për interesat e borxhit, me 5.6%, si rrjedhojë e uljes së interesave të letrave me vlerë afatshkurtër gjatë këtij viti.

Rritja e të ardhurave me ritme më të larta se e shpenzimeve ka sjellë dhe një ulje të deficitit buxhetor, që ishte 38.3 miliardë lekë për janar-tetor 2014, nga 54.5 miliardë lekë të njëjtën periudhë të një viti më parë.

November 21, 2014 22:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*