Rritet indeksi i fortësisë financiare për bankat

October 11, 2014 09:06

Rritet indeksi i fortësisë financiare për bankat

Shëndeti financiar i sistemit bankar u përmirësua në gjysmën e parë të këtij viti. Indeksi i fortësisë financiare, tregues që llogaritet me bazë gjashtëmujore nga Banka e Shqipërisë, u rrit në nivelin 90.9, nga 87.5 që kishte qënë një vit më parë.

Ky indeks përbëhet nga treguesit kryesorë të shëndetit financiar të bankave, si cilësia e aktiveve, gjendja e likuiditetit, përfitueshmëria, kapitalizimi dhe rreziqet e kursit të këmbimit dhe normës së interesit. Për gjysmën e parë të vitit 2014, shumica e përbërësve të indeksit të fortësisë financiare kanë kontribuar pozitivisht në ecurinë e tij.

Rritja e indeksit ka ardhur sidomos falë përmirësimit të ndjeshëm të rezultatit financiar, por edhe falë shëndoshjes së kapitalizimit. Për gjysmën e parë të vitit 2014, sistemi bankar arriti një fitim mjaft të lartë, në vlerën e 6.5 miliardë lekëve, kryesisht falë stabilizimit të shkallës së kredive me probleme.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 17.5 për qind, nga 12 për qind që është niveli minimal i kërkuar nga Banka Qendrore. Sistemi bankar paraqitej gjithashtu më likuid dhe raporti mes aktiveve dhe detyrimeve afatshkurtra arriti në mbi 41%, nga 25% që është niveli i kërkuar nga banka e Shqipërisë.

Edhe stress-testet e kryera në gjashtëmujorin e parë kanë konfirmuar se sistemi është në gjendje t’ju rezistojë goditjeve nga mjedisi ekonomik, qoftë edhe në rastin e skenarëve të rënduar.

October 11, 2014 09:06
Komento

1 Koment

  1. Mark uk October 11, 15:21

    Mos e keni fjalen per Gjermanin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*