Rritja e akcizës shkakton rritje të evazionit fiskal te cigaret

August 19, 2015 17:35

Rritja e akcizës shkakton rritje të evazionit fiskal te cigaret

Qeveria shqiptare arriti të zhdoganojë vetëm 1083 tonë cigare gjatë gjysmës së parë të këtij viti, shifra më e ulët në shumë dhe shumë vite. Në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2014, importet e ligjshme të cigareve kanë rënë me 7.3 për qind ndërsa në krahasim me 2013, rënia është 21 për qind.

Rënia e importit të ligjshëm të cigareve është një histori që përsëritet sa herë që qeveritë, nën presion për të rritur të ardhurat, kanë rritur akcizën e duhanit. Presupozohet që konsumi i duhanit ka kërkesë joelastike. Si ves, konsumi i duhanit pëson rënie shumë më të vogël në raport me rritjen e çmimit. Por kjo ndodh vetëm në teori. Në praktikë, në rastin e Shqipërisë, konsumatorët kanë alternativa më të lira ndaj konsumit të cigareve të taksueshme, sido që me cilësi më të keqe.

Shqipëria është një vend ku gati gjysma e popullsisë jeton në fshat dhe rrjedhimisht, një pjesë e madhe e konsumatorit ka mundësi të mbjellë duhan. Dhe ndërsa çmimi i cigareve është rritur

Vetëm se përgjatë dy viteve të fundit, akciza e cigareve është rritur me shpejtësi të paprecedent dhe rënia e importit të taksueshëm të cigareve ka qenë gjithashtu i paprecedent.

Për një nga kompanitë e importit të cigareve me të cilat foli BIRN, duhani i hapur i prodhuar në vend ka zëvendësuar një pjesë të konsiderueshme të konsumit për shkak se rritja e shpejtë e çmimit të akcizës nga 70 lekë për paketë që qe në vitin 2013, në 110 lekë për paketë në vitin 2015, ka nxjerrë nga tregu i paketave një pjesë të popullsisë, e cila nuk është në gjendje të përballojë çmime kaq të larta duhani.

Qeveria argumenton nga ana e saj se nuk është thjeshtë që konsumi është zëvendësuar nga paketat e importit te duhani i hapur i vendit, por se politika e saj ka synuar uljen e konsumit.

Realiteti i rrugëve shqiptare tregon ndërkohë që konsumi i duhanit të hapur është rritur dhe se një numër tregtarësh kanë siguruar sakaq pajisje të prodhimit të cigareve të cilat janë në gjendje të mbushin qindra cigare në minutë dhe që shiten te konsumatorët për 50 apo 100 lekë për 20 cigare, ose sa gjysma e çmimit të cigareve të importuara. Duke e pranuar këtë realitet, Ministria e Financave njoftoi në maj të këtij viti se do të shtrëngonte masat për të ndaluar importet e letrës së cigareve, e cila shërben më pas për të prodhuar cigare me duhan të pataksuar.

“Ministria e Financave bën të ditur se gjatë analizimit të importeve të cigareve për periudhën katër mujore Janar- Prill 2015, u konstatua një ulje e importeve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga analizimi i situatës së tregut të cigareve, u konstatua se gjatë kësaj periudhë 4-mujore është rritur importi i lëndës së parë që përdoret për prodhimin e paketave të cigareve, ku konstatohet se vetëm për 4 muajt e parë të vitit 2015 janë importuar rreth 74% e gjithë sasisë vjetore të vitit 2014”, deklaroi Ministria e Financave në atë kohë.

Por masat e ndërmarra në këtë drejtim si dhe kontrollet e shpeshta e konfiskimet e duhanit të hapur të shitur nëpër rrugët e Shqipërisë nuk e zgjidhën problemin.

Të dhënat statistikore të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se importi i cigareve ka qenë mbi 4 mijë tonë në vit në vitet 2008-2010 kur akciza e cigareve qe 40 apo 50 lekë për paketë. Por në vitin 2011, kur qeveria e kohës e rriti akcizën menjëherë në 70 lekë për paketë, importet e ligjshme ranë në 3249 tonë. Edhe atëherë duket se pati një rritje të konsumit të duhanit të hapur ndërkohë që rritja e çmimit të cigareve solli krijimin e një hendeku me disa vende të rajonit si Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia, ku çmimi qe ndjeshëm më i ulët. Ministria e Financave në atë kohë shprehu shqetësimin se në zonat kufitare si në Shkodër apo Kukës, pati një rritje të ndjeshme të kontrabandës në shkallë të ulët, që do të thotë, tregtarë të vegjël që marrin disa steka cigaresh përtej kufirit për t’i shitur në territorin shqiptar.

Në vitin 2014, kur qeveria e rriti akcizën e cigareve nga 70 në 90 lekë për paketë, importi i cigareve ra në më pak se 3 mijë tonë nga 3700 tonë që qe në vitet 2012 dhe 2013. Por gjatë gjysmës së parë të këtij viti, kur akciza u rrit sërish nga 90 në 110 lekë, importi i ligjshëm i cigareve ra në 1083 tonë, 7.2 për qind më poshtë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe niveli më i ulët i importeve në shumë kohë.

Qeveria u kap e papërgatitur për këtë situatë, pasi pati parashikuar rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga akciza më e lartë. Deficiti buxhetor i krijuar si pasojë e rritjes së konsumit të duhanit të pataksuar dhe ecurisë së keqe të të ardhurave të qeverisë nga taksat e tjera e detyroi qeverinë të ulë shpenzimet e planifikuara për këtë vit me një akt normativ. Por shkurtimi i planifikuar me rreth 120 milionë euro duket i pamjaftueshëm për të mbuluar deficitin e krijuar në të ardhura ndërkohë që ky shkurtim shpenzimesh pritet të rëndojë edhe në rritjen ekonomike të vitit aktual./Gj.E.-BIRN

August 19, 2015 17:35
Komento

3 Komente

  1. Arben August 19, 19:23

    MIRE E KENI MORE MIQ, POR HAJT MBUSHJANI MENDJEN RAMES.

    Reply to this comment
  2. Darius August 20, 00:02

    Rama ka MOTER …NUSHI-n,vetem ajo ka 15 lloje cigaresh qe shet ne Albanistan.
    Vella Edushi i beri dhe Reklame me pagesa Doganale on line,a thua se vetem ajo kishte bisnes ne Albania.
    Ai vend pervec napalmit do gerryer me 7 kate nen dhe.!!!

    Reply to this comment
  3. Kris 1 August 20, 12:44

    Piktori ee rriti aksizen per te mbrojtur shendetin e popullit.
    rriti cmimin e energjise qe njerezit te flene naten.
    Tashti duhet te rrisi taksat doganore per Cdo lloj letre qe njerezit mos e pine me te dredhur.te taksohen parcelat e mbjella me duhan.per evidentimin dhe kontrollin te krijohet policia duhanore.
    te ndalohet prerja e shqopeve dhe tregetimi I llullave.
    Ndalimi I duhanit eshte nje nga prioritetet per pranim nje BE.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*