Rritja e pensioneve me 2 % nis nga 1 gushti

July 10, 2014 12:07

Rritja e pensioneve me 2 % nis nga 1 gushti

Skema e rritjes së pensioneve merr formë zyrtare. Duke nisur nga data 1 gusht, rreth 606 mijë pensionistë në të gjithë vendin bashkë me përfitimin mujor do të marrin edhe shtesën që i korrespondon rritjes. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të qeverisë, e cila vendosi të rrisë me 2 për qind përfitimet mujore të pensionistëve në të gjithë vendin. Skema e rritjes përfshin jo vetëm pensionet e plota, por në të njëjtën masë do të rriten edhe pensionet e pjesshme, të reduktuarat, pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit dhe familjare, si dhe pensionet për vjetërsi shërbimi, si në qytet ashtu edhe në fshat. Në një dalje publike për mediet menjëherë pas mbarimit të mbledhjes së qeverisë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Velaj ka deklaruar se në të njëjtën masë do të rriten edhe pensionet suplementare për ushtarakët, policinë e shtetit, punonjësve të gardës, shërbimit informativ të shtetit, policisë së burgjeve, zjarrfikësit dhe shërbimit të kontrollit të brendshëm, të punonjësve me tituj shkencorë, si edhe trajtimet e veçanta financiare të pilotëve, ish-detarëve, të ish punonjësve të industrisë ushtarake, trajtimet e veçanta financiare të ish-minatorëve. Kjo me qëllim që asnjë pensionist në vend të mos mbetet i përjashtuar nga skema e rritjes së pensioneve. “Ndonëse rritja e indeksit të çmimeve të konsumit, siç është deklaruar këto ditë nga INSTAT-i, ka qenë në masën 1.6 për qind, Qeveria vendosi që pensionet të rriten në masën 2 për qind, pra më shumë se sa inflacioni. Në këtë mënyrë, nuk do të kemi vetëm indeksim, pra rritje nominale të pensioneve, por edhe rritje reale të pensioneve”, ka deklaruar Veliaj. Sipas detajimeve të bëra publike konkretisht bëhet fjalë për rreth 606 mijë qytetarë, nga të cilët përfitojnë rritjen 427 mijë janë pensionistë të qytetit, 150 mijë janë të fshatit. Ndërkohë që rreth 29 mijë janë përfitime të tjera për kategoritë e sipër-përmendura. Gjatë këtyre ditëve vendimi pritet ti kalojë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ekspertët e cilit në bazë të formulave të përcaktuara për secilën nga kategoritë e pensionistëve do të përcaktojnë edhe rritjen konkrete në lekë që do të marrë secili pensionist. Shpërndarja e pensioneve të rritura do të ndjekë një plan të caktuar, çka do të thotë se do të hartohet një grafik në bazë të cilit pensionistët do të marrin përfitimin mujor dhe shtesën që u takon me zbatimin e vendimit të rritjes. Edhe pas kësaj rritjeje çdo pensionist, krahas të ardhurave nga pensioni do të vazhdojë të marrë edhe kompensimin e të ardhurave të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave. Një tjetër pikë në të cilën është ndalur ministri Veliaj është edhe reforma e pensioneve, e cila do të zbresë në komisionet parlamentare për diskutim dhe aprovim të saj. Reformë e cila do të japë efektet që gjatë vitit të ardhëshëm ku parashikohet që në skemë të marrin pension social rreth 5 mijë persona që në skemën aktuale nuk kishin të drejtë që të përfitonin pension.

Detaje

•Ky vendim parashikon që të rriten në masën 2 për qind pensionet e plota, të pjesshme, pensionet e reduktuara, pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit dhe familjare, pensionet për vjetërsi shërbimi si në qytet ashtu edhe në fshat.

•U vendos gjithashtu që të rriten në të njëjtën masë edhe pensionet suplementare për ushtarakët, policinë e shtetit, punonjësve të gardës, shërbimit informativ të shtetit, policisë së burgjeve, zjarrfikësit dhe shërbimit të kontrollit të brendshëm, të punonjësve me tituj shkencorë, si edhe trajtimet e veçanta financiare të pilotëve, ish-detarëve, të ish punonjësve të industrisë ushtarake, trajtimet e veçanta financiare të ish-minatorëve, pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë.

  • Rritjen, sipas përcaktimeve e përfitojnë edhe pensionet dhe trajtimet e veçanta, të cilat caktohen nga data 1.8.2014 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit apo trajtimit të jetë deri më 31.7.2014, përfshirë edhe këtë datë.
  • Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96, të këtij ligji, që kanë datë fillimi nga 1.8.2014 e në vazhdim, nuk caktohen më pak se 12 264 lekë në muaj dhe jo më shumë se 24 528 lekë në muaj.
  • 4. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.8.2014 e në vazhdim, nuk caktohen më pak se 8 398 (tetë mijë e treqind e nëntëdhjetë e tetë) lekë në muaj, por jo më shumë 12 264.

 

•Nga rritja e pensioneve dhe përfitimeve të tjera përfitojnë rreth 606 mijë qytetarë, nga të cilët 427 mijë janë pensionistë të qytetit, 150 mijë janë të fshatit, dhe 29 mijë janë përfitime të tjera për kategoritë e sipër-përmendura.

 

Reforma e pensioneve

Drafti për diskutim në komisionet parlamentare në nisje të javës së ardhshme

Reforma e pensioneve nga java e ardhshme do të kalojë për diskutim në komisionet parlamentare. Konfirmimi vjen nga ministri Erion Veliaj, sipas të cilit brenda pak ditësh në komisionet parlamentare do të diskutohet reforma e pensioneve. Sipas tij, është deklaruar vazhdimisht se reforma do të ruajë të drejtat e fituara dhe në varësi të hapësirës financiare, do të ketë vazhdimisht indeksim dhe rritje të pensioneve ekzistuese. Duke bërë një prezantim të ndryshimeve që sjell reforma e pensioneve, ministri shtoi se do zbatohet një reformë reale e rritjes së pensioneve. “Vlen të theksohet se efektet e reformës kanë filluar të ndihen që tani, pasi heqja e pensionit tavan dhe lidhja e kontributeve me benefitet ka bërë që të rritet interesi i të punësuarve për të qenë pjesë e skemës e për të deklaruar pagën e tyre reale. Këtë e vërtetojnë, jo vetëm dëshmitë e partnerëve socialë, por edhe shifrat e Drejtorisë së Tatimeve. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, numri i të siguruarve në sektorin privat ka qenë 43,879 persona më shumë sesa tremujori i parë i vitit të kaluar”, nënvizoi Veliaj. Një një nga parimet kryesore të reformës është vendosja e drejtësisë sociale dhe bazohet mbi postulatin “haka tek i zoti”, duke i dhënë fund praktikës së deritanishme ku pensioni maksimal arrihej me pagën 380 mijë lek e çdo qindarkë e kontribuar mbi këtë pagë nuk reflektohej në pension. “Ne kemi menduar edhe për kategoritë më vulnerabël e në nevojë, që janë ata qytetarë që rrezikojnë të mos përfitojnë fare pension, dhe kemi vendosur pensionin social për këtë kategori. Vitin që vjen këtë pension do ta përfitojnë rreth 5 mijë vetë”, u shpreh më tej ministri Veliaj. Shtylla e tretë e reformës është rritja e shkallës së mbulimit, ose garantimi që askush të mos jetë më i pambrojtur. Një element është pensioni social. Një tjetër është bërja e skemës atraktive për të gjithë të punësuarit që të behën pjesë e saj e të kontribuojnë mbi pagën e tyre reale. Kjo, sipas Veliaj do të ndikojë në uljen e informalitetit dhe punës së zezë pasi do të kemi aleatë të drejtpërdrejtë edhe vetë të punësuarit. “Por, ne jemi të vendosur e nuk do të heqim dorë nga forcimi i masave administrative përmes Drejtorisë së Tatimeve, Inspektoratit të Punës e gjithë strukturave shtetërore që çdo punëdhënës të paguajë detyrimin që për pagesën e sigurimeve shoqërore”, ka theksuar ministri.

 

Pensionet e emigrantëve

Skema do të përfshijë edhe përfitimet e emigrantëve. Në këtë drejtim, ministri Veliaj ka theksuar se është intensifikuar puna edhe për pensionet e emigrantëve dhe përveç marrëveshjes me Belgjikën, e cila u ratifikua këtë vit nga Kuvendi, ka përfunduar marrëveshjet me Kanadanë, Hungarinë, Rumaninë dhe Luksemburgun. Ndërkohë, po zhvillohen negociata me Maqedoninë, Çekinë, ndërsa parashikohet që Brenda vitit të ardhshëm të përfundojnë edhe marrëveshjet me shtete të tjera si Austria, Gjermania, Spanja etj.

July 10, 2014 12:07
Komento

1 Koment

  1. shqiptari July 15, 21:38

    Ne asnje vend te BE nuk ka pensione qesharake si ne Shqiperi . Qeveria me rritjen 2 % tallet me pensionistet , qe kane punuar ne kushte te veshtira ne te kaluaren .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*