Rritja ekonomike, BERZH: 3.7% në 2017, rishikim me rritje

November 8, 2017 17:50

Rritja ekonomike, BERZH: 3.7% në 2017, rishikim me rritje

Sipas raportit më të fundit të BERZH, Shqipëria do të ketë rritje ekonomike 3.7% në 2017, parashikim ky me rritje 0.2% krahasuar me raportin e mëparshëm në maj të këtij viti. BERZH ia atribuon këtë rritje projektit TAP dhe ndikimit të tij në ekonominë shqiptare. Ndërsa sa i përket rritjes në 2018, BERZH ruan të njëjtin parashikim si në maj, me 3.7%.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rishikuar ndjeshëm parashikimet e rritjes ekonomike të vitit 2017, me nivele më të larta, falë eksportit, një ringjallje në investime dhe çmime më të forta të mallrave që mbështesin një ngritje të gjerë.

Në shpjegimin për Shqipërinë, raporti thotë se “parashikimi afatshkurtër mbetet pozitiv, ndaj kemi vendosur të ngremë parashikimin për rritjen ekonomike të vitit 2017, bazuar nga performanca e fortë në pjesën e parë të 2017-ës. Ndërsa në vitin 2018, pa ndryshim, në kurriz të kërkesës së brendshme private dhe punimeve të tjera të pritshme në investime direkte në fushën e energjisë, përfshirë edhe TAP”

Rritja mesatare në rajonin e BERZH-it shihet në 3.3% këtë vit, një rritje prej 0.9 pikë përqindjeje kundrejt parashikimit të mëparshëm nga maji dhe krahasuar me rritjen e vetëm 1.9% në vitin 2016.

BERZH ndjek ekonomitë e 37 vendeve në zhvillim, ku financon projekte dhe mbështet reformat që promovojnë ekonomi të qëndrueshme dhe miqësore ndaj mjedisit.

Ritmi i rritjes është rritur në 27 nga ekonomitë e BERZH këtë vit, hera e parë që një rritje kaq e gjerë shihet që nga viti 2010. Të gjitha ekonomitë në rajon, përveç Azerbajxhanit dhe Maqedonisë, kanë pasur rritje pozitive në gjysmën e parë të viti.

Disa vende, veçanërisht Rumania dhe Turqia, po gëzojnë norma rritjeje krahasuar me nivelet para krizës të mesit të viteve 2000.

 

 

November 8, 2017 17:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*