Rruga e mashtruar e Arbërit dhe Dibra e rrënuar

May 22, 2016 11:48

Rruga e mashtruar e Arbërit dhe Dibra e rrënuar

Nga Prof. dr. Ahmet Kamberi

 

Rruga e Arbërit është një projekt i ri mbi një truall të vjetër. Gjurmëtorja e saj ka qenë funksionale që në shekullin II, ndërtuar nga Perandoria Romake për komunikimin me provincat e saj lindore. Roli i saj filloi të zbehej pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe u shua krejt pas Çlirimit të saj. Gjatë pushtimit italian Dibra u lidh me rrugë strategjike ushtarake në tri drejtime: përmes aksit Burrel-Selishtë-Peshkopi- Dibër e Madhe; aksit Burrel- Bulqizë-Maqellarë, me 2 pika fundore: Peshkopi dhe Dibër e Madhe, që vazhdon të jetë më funksionale edhe sot, si edhe aksit Librazhd – Klenjë – Shupenzë. Nga të tria këto akse, ai që është më funksionali edhe sot, është ai Burrel-Bulqizë- Maqellarë, i cili u shkurtua disi me ndërtimin e Rrugës së Dritës, që lidh Milotin me Burrelin (pasi më parë rruga kalonte përmes Rrëshenit). Rruga e sotme Tiranë – Maqellarë ku ndahet në dy drejtime – për në Peshkopi dhe Dibër të Madhe, është e keqmbajtur në mjaft segment, e lodhshme dhe e gjatë. Me shpejtësi të zakonshme duhen rreth 4 orë për të mbërritur në Dibër të Madhe dhe pak më shumë për të mbërritur në Peshkopi, si edhe anasjelltas në Tiranë. Projekti i Rrugës së Arbërit e shkurton këtë udhëtim rreth dy orë.

Dy qasjet standarde

Ka dy qasje kur vjen puna për mbështetjen e një projekti të caktuar. Njëra është qasja teknokratiko – robotike dhe tjetra është qasja e përmbushjes së detyrimeve të ndërsjellta. Baza teknike e vlerësimit është kosto-përfitimi. Por kjo varet nga faktorët që vihen në baraspeshë. Në qasjen teknokratiko-robotike, rëndësinë e dorës së parë e ka fakti se sa shpejt do të kthehen në fitmshpenzimet e projektit të caktuar, në kuptimin që projekti të shlyejë shpenzimet dhe të fillojë të gjenerojë para. Në qasjen e përmbushjes së detyrimeve të ndërsjella, vihen në baraspeshë edhe përmbushja e detyrimeve të ndërsjella të pashlyera. Nëse detyrimet e pashlyera janë me peshë të madhe, shpenzimet, sado të mëdha të jenë, konsiderohen të papërfillshme. Në këtë rast, projekti përfshihet në përparësitë e dorës së parë. Nëse, pastaj, kësaj i shtohet logjika se projekti do të ndikojë në zhvillime të tjera, që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomiko-shoqëror të rajonit të caktuar dhe rrjedhimisht, edhe në të mirë të vendit, kuptohet se përfitimet prej tij janë të pallogaritshme. Kësisoj, zhdëmtohen në njëfarë mase edhe dëmet nga përfitimet e munguara, si rrjedhojë e mospërmbushjes së detyrimeve të ndërsjella. Ky koncept kërkon një shpjegim historik, i cili për qasjen teknokratiko – robotike, nuk vihet në asnjë kandar.

Një shpjegim i shkurtër historik

Vendet normale funksionojnë mbi bazën e përmbushjes së detyrimeve të ndërsjella. Kjo do të thotë se ndërkohë që çdo zonë e caktuar e vendit punon për përmbushjen e detyrimeve ndaj vetvetes, ajo punon edhe për përmbushjen e detyrimeve ndaj gjithë vendit. Në çdo shtet ka zona të caktuara që u bie të rëndohen më shumë në përmbushjen e detyrimeve ndaj gjithë vendit. Në shtetet normale, kjo është një meritë, që u njihet atyre dhe një detyrim që u shlyhet në mënyra të ndryshme. Kjo ndodh, siç u tha kur shtetet funksionojnë normalisht.

Pa shkuar shumë larg në histori, pa përmendur rolin e rëndësishëm të Dibrës në përpjekjet dhe luftërat për pavarësimin e Shqipërisë, Dibra është përgjakur keqas në vitin 1913 dhe 1920 për mbrojtjen e kufijve shtetërorë, ka dhënë kontributin e saj të çmuar në Luftën NÇL për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashisto-nazistë. Mjerisht, qendrën e saj me Dibrën e Madhe (ose qytetin e Dibrës), Fuqitë e Mëdha ia falën Jugosllavisë. Shumica e qytetarëve të Dibrës u zhvendosën në Tiranë dhe kanë luajtur një rol të çmuar në zhvillimin e këtij qyteti. Po, ç’ndodhi me ata që mbetën atje, matanë? Si shteti jugosllav, ashtu edhe qeveritë e Maqedonisë së sotme e braktisën atë në vetminë e saj. Shumë qytetarë të Dibrës kanë emigruar në Amerikë. Qyteti jeton ditë të vështira. Ai është qoshka e braktisur e Maqedonisë Perëndimore dhe zona e harruar nga vendi amë. A nuk e njeh detyrimin e tij ky vendi amë ndaj kësaj cope të shkëputur nga trupi i tij, e që dikur ka udhëhequr Lidhjen e Prizrenit? A e kupton kush se ç’mundësi do t’i hapeshin këtij qyteti dhe rrethinave, nëse qytetarëve të atjeshëm do t’ju mundësohej ardhja brenda 2 orësh në kryeqytetin e Shqipërisë? Po jo vetëm këtyre. Nga Rruga e Arbërit do të përfitonin të gjithë shqiptarët e Maqedonisë Perëndimore.

Si i ka shlyer vendi detyrimet ndaj Dibrës e Bulqizës

Etapa e parë. Pas çlirimit të vendit nga pushtuesit, Dibra nisi të gjallërohej si i gjithë vendi. Që në vitin 1946 u bë lidhja e Kukësit me Peshkopinë me një rrugë automobilistike që u ndërtua nga rinia vullnetare. Shteti nuk kishte mjete financiare për ta bërë vetë, por thirri në ndihmë rininë dhe e bëri. Në vitin 1947 u hap miniera e kromit në Bulqizë. Bashkë me të do të ndërtohej një qytet i ri i minatorëve. Bulqiza i dha vendit aq të ardhura nga kromi, sa mund të thuhet pa e tepruar, se me to u ndërtua gati gjysma e Shqipërisë. Brenda një kohe të shkurtër, Peshkopia u shndërrua në një qytet të bukur e funksional dhe i mbushur me lule e gjelbërim. Zona të ndryshme shkurrore të Dibrës u shndërruan në plantacione moderne drurësh frutorë: mollë, qershi, kumbulla, arra e vreshta. Ata që i kanë shijuar mollët starkinga e gold të Dibrës, rrushin hafuz-ali e qershitë e ëmbla trushullore, nuk mund të mos i kujtojnë pa u ndier keq për mungesën e tyre.

Përveç shkollave fillore në çdo fshat, që në vitet e para pas Çlirimit, u ngritën shkolla 7-vjeçare në çdo qendër lokaliteti dhe më pas, disa gjimnaze ose shkolla të mesme bujqësore. Që në vitin 1950 në qytetin e Peshkopisë u çel shkolla e mirënjohur pedagogjike, një nga shkollat më në zë të vendit. Ajo nxirrte mësues për gjithë zonën verilindore të vendit. U çel edhe një shkollë e mesme bujqësore, e cila nxirrte agronomë të mesëm për gjithë Shqipërinë verilindore, aq të domosdoshëm për bujqësinë intensive të kohës. U ndërtua shtëpia e kulturës dhe biblioteka e qytetit. Peshkopia kishte një nga estradat profesioniste më të mira të vendit. Më pas do të ndërtoheshin edhe pallati i kulturës dhe ai i sportit.

Në vitin 1950 në Peshkopi u ndërtua spitali i rrethit me pavijone sëmundjesh të brendshme, pediatrie, kirurgjie, sëmundjesh infektive, dispanseri antituberkulare, laborator klinik e bakteriologjik. Funksiononin gjithashtu materniteti, poliklinika, farmacia dhe klinika dentare. U ndërtua Stacioni i ujrave termale, i cili më pas u zgjerua dhe u pajis me hotel të veçantë. U hapën infermieri në të gjitha lokalitetet. Brenda pak vitesh u ndëruan spitale rurale në Bulqizë, Shupenzë, Klenjë, Lurë, Sllovë, Selishtë, Reç, Zall-Dardhë, Zerqan e në Kala të Dodës, me maternitete, klinika dentare e farmaci. Çdo fshat u pajis me infermiere-mami. Në vitin 1971 u ndërtua spitali modern i Peshkopisë, ai që ka mbetur edhe sot dhe është rikonstruktuar.

Në Peshkopi funksiononin disa ndërmarrje prodhuese, midis të cilave: fabrika e konservave dhe reçeleve, fabrika e makaronave si edhe ajo e mobiljeve prej druri, pa zënë në gojë Stacionin e makinave bujqësore e traktorëve. Kishte edhe një minierë mermeri në Muhurr. Ndërtimi i Rrugës së Dritës (Milot-Burrel) dhe mirëmbajtja shumë e mirë e gjithë rrugës që e lidhte me Tiranën, e kishin lehtësuar udhëtimin shumë të gjatë përmes rrugës së vjetër me kalim nga Rrësheni.

Dibra, kishte një rol të nderuar në jetën ekonomike e sociale të vendit.Një projekt i madh – ndërtimi i Hidrocentralit të Skavicës – u diskutua gjatë, por nuk u vu kurrë në zbatim. Arsyetimi bazë, pse ai nuk u zbatua ishte se vërtet ai do të ishte një projekt shumë i dobishëm për Shqipërinë, por Dibrën do ta shkatërronte. Ai do të mbulonte me ujë luginën më prodhimtare bujqësore të Dibrës. Dibrës do t’i cungoheshin krahët. Zonat e saj të shpatit jug-perëndimor Reçi, Lura, Selishta do të duhej t’i shkonin Matit e Mirditës. Kalaja e Dodës mund t’i kalohej Kukësit. Me fjalë të tjera, Dibra e Poshtme, me histori, kulturë e katandi do të zhbëhej. Dibrës do t’i mbeteshin fshatrat e shpatit malor verilindor dhe Maqellara me qendër Peshkopinë. Zonat e mbetura Shupenzë, Gollobordë e Zerqan do të duhej t’i lidheshin Bulqizës. Një tollovi e tërë për një zonë gjeohistorike dhe ekonomike shumë të rëndësishme të vendit.

Etapa e dytë. Në kapërcyell të shembjes së sistemit të diktaturës së proletariatit, ndodhën shumë mbrapshti, që u frymëzuan nga tundja e “Çekut të bardhë” nga udhëheqësit e rinj politikë dhe thirrja e tyre për nivelin zero. Ndërtimet 45-vjeçare që përbënin bazën prodhuese bujqësore, blegtorale e industriale, përfshirë edhe objektet social-kulturore, u identifikuan foshnjërisht me komunizmin. Diktatura e proletariatit, që mendohej të ishte një sistem tranzicioni nga feudalizmi drejt socializmit, kishte rënë vetëvetiu. Ajo, edhe pse e pati çuar vendin në prag të qytetërimit modern, kishte dështuar në “Përmbushjen e kërkesave materiale, sociale e kulturore gjithnjë në rritje të popullsisë”, ashtu siç e kërkonte programi i vet. Por thirrja “Të zhdukim komunizmin”, e llogaritur për qëllime të tjera, i çoi edhe dibranët, si të gjithë shqiptarët, në marrëzinë e sulmit të furishëm të shkatërrimit të të gjithë infrastrukturës e bazës prodhuese bujqësore, blegtorale, artizanale e industriale. Nuk u kursyen as objektet social – kulturore e shëndetësore. U masakruan plantacionet e drunjëve frutorë (vreshta, kumbulla, mollë, qershi e arra). U shkatërruan ato dy-tri fabrika që kishte Peshkopia dhe punishtet e artizanatit, madje, edhe shkolla në ndërtim e infermiereve. U prishën e u grabitën fermat bujqësore. U coptua e u barbarizua miniera e kromit  në Bulqizë. U shkatërruan depo, magazina etj. Gjithçka që harta_e_rruges_te_arberitmbante vulën e mençurisë së tyre, të djersës, mundit e sa e sa sakrificave të tjera të tyre, u kthye në gërmadhë, u grabit ose u asgjësua. Më në fund i erdhi rradha edhe pyjeve e shtretërve të lumenjve…

Por, shumë shpejt njerëzit e kuptuan se kishin mbetur pa mjete jetese. Filloi braktisja e vendbanimeve, ku s’mund të jetohej më. Njerëzia, u dynd për në zonat afër kryeqendrës, duke menduar se atje mund të jetohej më mirë. “Lëvizja e lirë” dhe “ekonomia e tregut”, siç ua mësuan udhëheqësit e rinj, i çoi të nguleshin në tokën e tjetrit, ku ndërtuan si u tha mendja. Votat e tyre ishin të nevojshme për të ndërtuar sistemin e korruptuar kokë e këmbë, të cilin po përjetojmë sot. Për këtë nuk mori njeri përgjegjësi, se përgjegjësia në Shqipërinë e sotme konsiderohet fjalë e huaj, që nuk përkthehet dot.

Rrjedhojat e shpërfilljes së shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella nga shteti

Shumë fshatra mbetën gjysmë të braktisura dhe të varfëruara. Nuk e vlen që prodhimet bujqësore e blegtorale të prodhohen më shumë se për konsum familjar. Sepse, as nuk mund t’i ruash dot e as nuk ke ku t’i shesësh. Në mungesë të një rruge të përshtatshme, dibranët mund të vijnë rrotull vetëm brendapërbrenda rrethit të vet. Peshkopia, qyteti i luleve dhe i blerimit, është shndërruar në një qytet të zhveshur, ku edhe blirët që hijeshonin dhe hijezonin bulevardin e qytetit janë cunguar si mos më keq. Gjen vetëm të vetëpunësuar në shërbime të vogla dhe të punësuar në administratën e shtetit. Asnjë mundësi tjetër punësimi nuk ekziston. Analfabetizmi është në rritje. Rrethi ka numrin më të madh të arsimtarëve të paarsimuar. Spitalet rurale janë mbyllur, por nuk funksionojnë në rregull as si qendra shëndetësore. Asnjeri s’mund të pretendojë të japë shpjegime se si e ku lindin gratë. Nuk e kam besuar, kur dikush më tregonte se lindjet e fëmijëve në një zonë, i priste një veteriner. Potencialit të madh prodhues bujqësor e blegtoral, por edhe industrial të Dibrës i është zënë fryma.

Shihni ç’i është punuar minierës së kromit në Bulqizë. Si ka qenë ajo minierë dhe si është katandisur? A gjendet njeri të përgjigjet për këtë dëm kolosal të ekonomisë kombëtare, por edhe të vetë Bulqizës e Dibrës? Shihni si janë masakruar pyjet shekullore të Selishtës, Tërnovës, Zerqanit, Valkardhës dhe Temlës së Peladhisë! Shihni, si është masakruar në mënyrën më të turpshme e të paparë perla e Shqipërisë dhe e Dibrës, Parku Kombëtar i Lurës! Cilit udhëheqës politik në Shqipëri, i dridhet ndonjë qime për krime të tilla të shëmtuara, që në mos i ka inkurajuar, i ka lejuar të kryhen në dritën e diellit e në sy të të gjithëve? Më ne fund, mund të bëhet edhe pyetja: Cili ishte qëllimi i qeverive shqiptare të këtij çerekshekulli, ndaj Dibrës? Ta braktisin atë në vetminë e saj? Duke i grishur dibranët në votime me tundjen e flamurit të dalë boje të Rrugës së Arbërit, qeveritë e këtij çerekshekulli nuk e mënjanojnë dot këtë dyshim.

Dy fjalë më përtej

Kur e shohim Lurën – atë mrekulli natyre që të linte pa mend – të masakruar me egërsi shkatrrimtare, e mbysim dhimbjen me një “Oh, bre!” Kurse të parët tanë edhe pse të paditur e analfabetë e ruajtën dhe e mbrojtën atë me fanatizëm për shekuj e shekuj, si një vend ku të shërohej shpirti. Kur shohim se si janë masakruar pyjet e Valkardhës, Zerqanit, Tërnovës, Okshtunit e Selishtës, e na vjen për të qarë, themi: “E po s’ke ç’u bën të fortëve, e kanë mirë me qeverinë”. Kur shohim si u katandis miniera e kromit në Bulqizë, ku djem të rinj janë vrarë si në luftë, ku ca të ardhura i merr njëri e tjetri, e ca të tjera s’dihet se nga shkojnë, themi: “E, po, kështu e ka ekonomia e tregut” dhe rrudhim supet. Kur shohim se po na mbeten fëmijët analfabetë, themi: “S’ke ç’bën, ku t’i gjesh mësuesit me arsimin përkatës”. Kur shohim e dëgjojmë se si lakohet e përdridhet projekti i Rrugës së e Arbërit, për të na thënë më së fundi se nuk paska para për ta realizuar; ndërkohë që sa e sa projekte- të cilët nuk kanë të krahasuar për nga rëndësia me të – janë realizuar e po realizohen deri më sot në Shqipëri. Mirëpo, s’ka para për këtë, kur ka për projekte shumë më të parëndësishme, s’ke ç’i bën kësaj, e ske ç’i bën asaj, ç’mbetet të bëjmë? Të zgjasim qafën dhe më? Të mos bëzajmë? Jo! Zëri le të vijë duke u bërë gjithnjë e më i fuqishëm.

Na u regjën veshët së dëgjuari hajdutët duke bërtitur nga mëngjesi në mëngjes: “Kapini, more, hajdutët, se s’po u lënë gjë në faqe të dheut”;duke dëgjuar vrasësit që ulërasin: “Ndëshkojini more vrasësit se po ju farojnë krejt”; po na qorrohen sytë së pari ibret-mbledhjet e burrave e grave që u kemi dhënë, ose na kanë marrë votën për të na bërë ligje e qeverisur; po na thartohen trutë së dëgjuari, së pari e së lexuari, specialistët që po na “qërojnë” të mirën nga e keqja; na u sterrua shpirti së dëgjuari për dhënien e padrejtësisë nga drejtësia.

Kjo na qenka demokracia me të cilën u zëvendësua diktatura e proletariatit? Jo! Të dashur njerëz. Kjo nuk është demokracia, ky është sistemi i korrupsionit total. Sistemi, mbështetësit dhe përkrahësit e të cilit janë të “fortët e të gjitha kategorive”. Të fortët që bëjnë ligjin në rrugë, që bëjnë ligjin në administratën shtetërore, kudo e kurdo në shoqërinë tonë. Përkrahësit e mëdhenj të këtij sistemi janë edhe përfituesit e drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga padrejtësitë e çdo lloji. Kjo nuk është demokracia që kërkon e ëndërron qytetari normal. Kjo është DEMOKRATURË – një tip demokrature e gjallë në veprim. Kushtetutë kemi, zgjedhje bëjmë rregullisht, liria e fjalës dhe të drejtat tjera themelore të njeriut janë të garantuara në letër. Megjithatë, mund të shajmë lirisht mbarë e mbrapsht cilindo. Mund të shpifim lirisht çfarë të duam për këdo. Disa mund të shkatërrojnë, të shpërdorojnë a të përvetësojnë lirisht pronën publike ose të tjtrit. Disa mund edhe të vrasin lirisht. Një elitë politike në pushtet e në opozitë manipulon të gjitha institucionet për të ruajtur privilegjet dhe për të përfituar grykësisht të tjera, të tjera e të tjera në pambarim, në kurriz të qytetarit qafëzgjatur, në kurriz të vendit dhe ndonjëherë në të mirë të të huajve.

Megjithatë, demokracia është një prirje historike. Duke punuar pa u lodhur me mençuri, me urtësi, me ndershmëri, me dituri, me mirëkuptim e durim, një ditë do ta kemi. Por unë do të dëshiroja të shtoja edhe nja nja dy fjalë më përtej. Demokraci në këtë vend, do të ketë kur të bëhen zgjedhje të lira, të ndershme e të drejta (jo me mashtrim e presion, me shitje e blerje votash a me vjedhje të tyre). Deri më sot, të tilla zgjedhje ne nuk i patëm. Demokraci në këtë vend do të ketë kur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të vlerësohen dhe të respektohen për gjithkënd; kur të sundojë ligji, para të cilit të gjithë të jenë të barabartë; jo ligji i xhunglës;jo drejtësia e blerë. Këtë sundim të ligjit deri më sot ne nuk e patëm. Demokraci në këtë vend do të ketë kur atë të mos na e bëjnë të huajt, por ta bëjmë ne vetë. Këtë deri tani ne nuk e bëmë. Demokraci në këtë vend do të ketë kur të heqim dorë nga armiqësimi me natyrën, së cilës kusur s’i kemi lënë pa punuar. Demokraci në këtë vend do të ketë kur të mësojmë t’i peshojmë tjetrit punët e jo fjalët; kur të mësojmë t’u japim besimin e të mbështesim burra e gra të sprovuara në mençuri, në ndershmëri, besnikë ndaj Shqipërisë dhe zgjedhësve të vet, jo hileqarë por të drejtë, të vendosur e të vetëdishëm për detyrimin e përmbushjes së detyrimeve të ndërsjella dhe që nuk rreken pas pasurimit të tyre të pamerituar. Të tillë deri më sot ne të pakët i patëm. Do të ketë De kur shkollat e këtij vendi të nxjerrin njerëz të ditur, specialistë e profesionistë të zotë, jo diploma për zbukurim e spekullim. Këto të fundit ne i patëm vërtet me tepri.

May 22, 2016 11:48
Komento

1 Koment

  1. Ani May 23, 01:38

    “u ndërtua nga rinia vullnetare.”
    “Shteti nuk kishte mjete financiare për ta bërë vetë, por thirri në ndihmë rininë dhe e bëri”

    Pleh enverist!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*