Rruga e mundimshme deri te ngritja e Flamurit

November 26, 2017 09:33

Rruga e mundimshme deri te ngritja e Flamurit

 

Bashkim Qeli*

Historia e popullit shqiptar, është një vazhdë pambarim luftërash e përpjekjesh, kundër pushtuesve të huaj, për liri, pavarësi e përparim shoqëror.  Në këto luftëra ka spikatur patriotizmi i tij i lartë, shpirti i paepur luftarak, trimëria dhe guximi. Qindra vetë luftërash të paprera, kundër hordhive dhe pushtuesve të ndryshëm, që vërshuan mbi vendin tonë, në fillim pushuesit romak, sundimi Bizantin, sllav, bullgar, serb dhe më pas ata turq. – “ Perandori të tëra erdhën dhe ikën- thotë Edit Durham – por ata kaluan mbi shpinën e shqiptarit, si uji mbi shpinën e rosës,.. ai e pranoi nënshtrimin vetëm formalisht, dhe ruajti zakonet dhe individualitetin e tij të theksuar. “

Rilindja Kombëtare ishte një lëvizje e gjerë dhe e fuqishme çlirimtare, që u zhvillua në të gjithë vendin dhe në  kolonit e ngulmimet shqiptare e arbëreshe jashtë atdheut, që nga vitet 30 të shek. XVIII, gjer në vitin 1912, kur u shpall shtet i pavarur kombëtar. Në krye të kësaj lëvizje, u vunë udhëheqës të guximshëm e të vendosur, patriot, iluminist, demokrat, që mbi interesat e atdheut  nuk vinin gjë tjetër. Ata ditën të orientohen me zgjuarsi në situatat të ndërlikuara të gjendjes ndërkombëtare. Për realizimin e programit të çlirimit kombëtar dhe vënies së vendit në rrugën e përparimit e të demokracisë, Rilindasit, pa e mohuar faktorin ndërkombëtar, e mbështetën shpresën e tyre tek forcat e brendshme, në radhë të parë të masave popullore të fshatit e të qytetit. Ata i dhanë lëvizjes kombëtare një strategji dhe taktik të përshtatshme e të aftë për të realizuar programin e tyre të gjithanshëm. Në të u përfshin, lufta politike e ideologjike, veprimtari kulturore e arsimore dhe nisma diplomatike. Periudha më revolucionare, në historinë e popullit tonë, ishte ajo e rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila u kurorëzua me një ngadhënjim të ligjshëm me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë më 28 nëntor 1912. Që nga kjo kohë populli ynë e ka quajtur 28 nëntorin, “ Ditën e Flamurit” dhe e ka lidhur qytetin  “Hero” të  Vlorës , ku  u shpall Pavarësia, simbol  të lirisë, i sovranitetit të atdheut dhe i unitetit të shqiptarëve, që kishin luftuar brez pas brezi me armë në dorë, me penë dhe diplomaci, për krijimin e një Shqipërie, e cila të përmblidhte brenda kufijve të saj tokat shqiptare dhe gjithë popullin shqiptar me doket e zakonet, traditat dhe gjuhën e tij të përbashkët amtare, Gjuhën Shqipe.

Lufta e popullit shqiptar, për liri mori një përmbajtje të re, që nga viti 1830, kur filloi një epokë e re historike, lufta çlirimtare nën udhëheqjen e Rilindësve, e cila u karakterizua me parulla të ndërgjegjshme politike e shoqërore, gjë që  dëshmonte se lufta e  populli shqiptar kishte hyrë në një fazë të re revolucionare,  në atë të Rilindjes Kombëtare, të epokës  që duhej të mbyllej me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. “ Rilindja Kombëtare Shqiptare  – thuhet në historinë Shqipërisë – ishte një lëvizje me penë dhe pushkë, me përmbajtje ekonomike, politike dhe kulturore, që synonte çlirimin e atdheut  nga sundimtarët e huaj, bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet kombëtar autonom ose të pavarur

Një etap e rëndësishme në rrugën e lavdishme, për liri e pavarësi ishte LSHP. Në vitet 1878 -1881, kjo organizate politiko – ushtarake mbarëshqiptare e tregoi veten, falë heroizmit e patriotizmit  masiv të masave popullore, se mund të mbronte tërësinë tokësore të atdheut të kërcënuara nga lakmitë e shovinistëve fqinjë. Por diplomacia evropiane, e kombinuar me dhunën ushtarake dhe shovinizmin ballkanik, nuk mund ta pranonin zgjidhjen drejt lirisë kombëtare shqiptare. Por këtë zgjidhje ata, mund ta pengonin përkohësisht, por jo ta fshinin nga faqja e dheut.

Kombi shqiptare tregoi edhe më shumë vitalitetin e tij etnik dhe kulturor të kalitur në shekuj lufte për liri e pavarësi, në agimet e shek. XX, kur lëvizja kombëtare shqiptare hyri në etapën përfundimtare të ngadhënjimit të saj. Përvoja historike shumë shekullore e kishte bindur tashmë popullin shqiptar dhe udhëheqësit e tij politik, ushtarak dhe kulturor se vetëm me forcat e veta dhe pa e lidhur ekzistencën e tij me ndihmën e huaj, mundë zinte vendin e merituar në gjirin e popujve te lirë e sovranë.  Kështu vullneti liridashës dhe patriotik i popullit shqiptar, ndërmori frontalisht në shumë fusha luftën e armatosur, luftën politike dhe diplomatike për shkollën dhe kulturën kombëtare, për të dalë nga errësira e zgjedhës së huaj, në dritën e lirië, të pavarësisë dhe të përparimit shoqëror.

Tek patriotët shqiptar u formua bindja , se vendi nën regjimin osman, jo vetëm nuk mund të kishte asnjë përparim, por  ishte rrezik të zhdukej  bashkë me perandorinë Osmane, gjendja e së cilës ishte shumë e rëndë, ajo ishte në agoni.- “ Turqia – thotë S. Frashëri – në këtë udhë që ka zënë, nuk rron dot shumë kohë.”  Lufta italo – turke, e cila kishte filluar që në shtator 1911, po e dobësonte edhe më shumë Perandorin  Osmane. Fuqitë imperialiste të Evropës ishin gati ta copëtonin e të rrëmbenin pjesë sa më të mëdha prej saj. “ Aneksimi Italian i Tripolit – siç thoshte  I. Qemali – tregon,  se parimi i tërësisë tokësore të Perandorisë nuk respektohej më.” 4)  Kjo tregonte, se kishte ardhur moment I duhur për të siguruar pavarësinë e Shqipërisë, dhe si të vetmen rrugë shpëtimi, këtë radhë atdhetarët gjetën atë të kryengritjes së armatosur, të bazuar në forcat e veta, e që, ndryshe nga kryengritjet e mëparshme, do të ishte mbarë shqiptare.

Kjo kryengritje gjeti pasqyrim në shtypin e kohës. Gjatë arij viti dolën disa organe shtypi Brenda dhe jashte atdheut. Më të rëndësishmet ishin gazeta “ Koha” e M. Gramenos,që dilte në Korçë, gazeta “Drita”  në Manastir, që drejtohej nga Mustafa Hilmiu ( Muço Qulli), gazeta e “Shkupit” ne Shkup,, gazeta “ Liria e Shqipërisë”  në Sofie,  “ Dielli “ në Boston. Të dhënat e shtypit tregojnë se përgatitjet për kryengritje e përgjithshme të vitit 1912, filluan me njëherë pas marrëveshjes së gushtit të vitit 1911, të krerëve të kryengritjes dhe qeverisë Osmane, sepse kjo e fundit nuk po i plotësonte kërkesat. Gazeta “ Liria e Shqipërisë “ shkruante  se ajo nuk kishte ndërmënd ti jepte ato të drejta, “ jo  tërë Shqipërisë por as Malësisë së Madhe” 5), e cila rrëmbeu armët kundër pushtuesit gjatë atij viti. Shtypi shqiptariI asaj kohe i ka bërë jehonë të madhe. “ O burra bashkohuni o shqiptar.”6), shkruante gazetari jani Vruho në gazetën “Dielli” të Bostonit. Ndërsa gazeta “ Liria e Vllazërimit” në Sofie shkruante – “ Kështu na dëshiron zemëra të bëjmë dhe stërniprit .. e shpirtmadhit Skënderbe, dhe të bashkohemi të gjithë për të punuar për lirinë em Shqipërisë.”7) Viti 1912 u bë viti vendimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Me parullën “ Ja vdekje, ja Liri” popullin shqiptar u hodhë në kryemgritje të përgjithshme të armatosur për të hedhur poshte zgjedhën osmane.  Një mësim të rëndësishëm u nxor nga kryengritjet e mëparëshme ishte se: – kryengritja e armatosur për çlirimin kombëtar mund të kurrorëzohejme sukses vetëm, e vetëm në rast se ajo do të merte karakter mbarëkombëtar.

Lëvizjes Kombëtare Shqiptare I duhej tëe siguronte njësimin e rrymave të ndryshme që vepronin në gjirin e lëvizjes. Kështu, ndëras rryma demokrate revolucionare e kryesuar nga nga I. Qemali, L. gurakuqi, I. Buletini, Ded Gjon Luli,  Th. Gërmenji, Hil Mosi, D. Hima e Sulejman Luzati etj, ishin për rrugën e luftës së armatosur, ndërsa rryma reformiste e oportuniste e kryesuar nga Mitat Frashëri, Medi Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica etj, ishin përkrahës të xhon turqve, që do ët zvarriste në pafundësi çështjen kombëtare.

Edhe shtypi patriotik i mërgimit kishte filluar të jepte kushtrimin për kryengritje të armatosur: – “ Pushka – bënte thirrje gazeta “Dielli” – është e vetmja rrugë që duhet të përdorim për të fituar të drejtat tona.” 8), ndërsa gazeta “ Liria e Vllazërimit” në Sofie I drejtohej vegjëlisë  se – “ deshëm dhe do të duam që të zgjojmë opingën, se po s’ morri frymë vegjëlia, kurr s’vjen liria e një kombi.” 9) Që nga fundi i shkurtit e fillimi i marsit 1912,  u ngrit flamuri i lirisë dhe u dukën flakët e para të kryengritjes së përgjithshme.

Kështu që nga  Kosova, Malësia e Shkodrës, Mirdita, Dibra, Elbasani, Korça, Labëria, Vlora, Gjirokastra dhe Çamëria, filluan veprimet e armatosura, të udhëhequr nga kapedanë të njohur dhe nga udhëheqës politik rilindës, morën karakterin e kryengritjes së përgjithshme. Në këtë drejtim një punë të madhe bënë I. Qemali, L. Gurakuqi, H. Prishtina, Th. Gërmenji, Ç. Topulli etj. Në përfundim të këtyre veprimeve u mbajt në Kuvendi I Junikut më ( 21-25 maj 1912) që bëri bashkimin kombëtar të forcave kryengritëse me një program të vetëm politik e ushtarak, ndërsa Kuvendi i Sinjës ( 23 korrik1912) vendosi për realizimin  me armë në dorë kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare duke miratuar një memorandum të nënshkruar nga 50 komandantë çetash të Shqipërisë së Jugut.

Pas këtyre ngjarjeve të mëdha politike, kryengritja e përgjithshme I zgjeroi më tej veprimet luftarake, flakët e saj u përhapën me shpejtësi në të gjithë trojet shqiptare. Moment i rëndësishëm ishin luftimet në qafën e Prushit, suksesi i të cilave , siç i ka vlerësuar H. Prishtina” gjallëroi kryengritjen në Kosovë”, luftimet në Qafën e Trapit, ku në luftime morën pjesë edhe gratë, çlirimi I Krujës, luftimet e Boletinit, të Qafëzezit në Kolonjës, çlirimi I qyteteve të Kosovës dhe të Shkupit, ku hynë si fitimtarë 30 000  kryengritës. Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912 in detyroi edhe dy fuqitë e mëdha Austro – Hungarinë dhe Italinë të shpreheshin në pro krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, por me pikësynimin e tyre për ekspansion ndaj shtetit të ri që do të krijohej në Ballkan.

Fitoret e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912 u rrezikuan seriozisht nga nga shpërthimi I Luftës Ballkanike, në vorbullën e së cilës armiqtë e Shqipërisë synonin ta pengonin kombin shqiptar për të fituar pavarësinë. Në këto rrethana tepër kritike për vendin, udhëheqja e Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, me në krye Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin dhe Isa Boletinin, vendosi të kryente aktin solemn, – Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Kuvendi I patriotëve në Bukuresht, në fillim të nëntorit 1912 vendosi një zëri që “ të ngrihet në Shqipëri flamuri ynë, të mblidhet një kongres dhe të formohet një qeveri provizore.”

Uniteti i mendimi e i veprimit politik , për këtë akt të lartë të Lëvizjes Kombëtare, u shfaq jo vetëm ndërmjet patriotëve të mërgimit por edhe ndërmjet veprimtarëve të shquar të lëvizjes patriotike brenda vendit. Kështu, që në mesi e tetorit 1912 udhëheqësit e “ Shoqatës së Zezë për Shpëtim”, organizatat patriotike më e përparuar brenda vendit, u mblodh në kuvend në Shkup dhe vendosi një zëri,  që për shkak se “ Turqia ka për ta humbë luftën, të shpëtohet, pra, Shqipëria.” dhe për këtë të thirrej një kuvend kombëtar për të ardhmen e Shqipërisë. Por në rrethanat  kur po përgatitej, thirrja e Kuvendit Kombëtar, trojet shqiptare vazhdonin të dhunoheshin brutalisht, prej ushtrive shoviniste të bllokut ballkanik, të cilat nuk gjenin qëndresë nga trupat osmane, por vetëm atë të forcave vullnetare shqiptare…

Ushtritë serbo – malazeze, të verbuara nga urrejtja ndaj shqiptarët, mbollën kudo që shkelnin terrorin më çnjerëzor, vrasje, djegie, tortura dhe akte të tjera vandalizmi  : – “ ..hakmarrëse dhe të egër, – shkruante një autor I huaj – duke shfrytëzuar faktin që veprimet e tyre ishin të pandëshkueshme dhe viktimat e tyre të pa mbrojtura, ato ( ushtritë serbe) dogjën dhe vranë pa patur mëshirë për moshën dhe seksin.”  Përparimi im ushtrive ballkanike në trojet shqiptare, cenonte interesat e Austro – Hungarisë dhe të Gjermanisë, sepse zgjerimi territorial i shteteve sllave në ballkanike dhe sidomos dalia në brigjet lindore të Adriatikut, do të riste influencën ruse në këtë rajon me rëndësi strategjike të Evropës. Në këto rrethana, diplomacia austriake e morri në “mbrojtje”, “ çështje shqiptare” për të zgjidhur këtë në drejtim të pavarësisë së Shqipërisë. Të gjitha këto ndryshime të diplomacisë evropiane u shfrytëzuan me zgjuarsi nga udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare.

Kështu pas Kuvendit të Bukureshtit, Ismail Qemali, në krye të një grupi patriotësh, u nisë për në Shqipëri. Por përpara se të vinin në atdhe, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe Pandeli Cale, shkuan në Vjenë për të parë qëndrimin e fuqive të mëdha për çështjen shqiptare. Shtypi vjenez menjëherë shpejtoi, të jepte lajmin se patriotët shqiptare do të mblidheshin në Vlorë, për të kuvenduar për çështjen kombëtare shqiptare. Patriotët shqiptar, pasi morën sigurimet inkurajuese, lajmëruan Komisionin Përgatitor të Kuvendit që delegatët të mblidheshin së shpejti në Durrës ose Vlorë.

Lajmi i organizimit të Kuvendit Kombëtar, u prit me gëzim dhe hare kudo në qytetet dhe fshatrat shqiptare. Masat popullore ishin shumë entuziaste dhen të papërmbajtura sa, që flamuri kombëtar, u ngrit i pari në Lushnjë në 12 nëntor, populli I Elbasanit e shpalli pavarësinë që në 25 nëntor, ai i Durrësit dhe i Tiranës më 26 nëntor, populli i Kavajës dhe Peqinit më 27 nëntor. Kuvendi Kombëtar i Vlorës bashkoi 63 delegatë nga mbarë trojet shqiptare. Kombi shqiptar ndonëse i goditur rëndë nga tallazet e historisë, dëshmoi edhe nje herë atë realitet, që u kishte rënë në sy edhe studiueseve të huaj sepse populli shqiptar zotëronte, “ një shpirt pavarësie të përjetshëm,” se “ idetë e pavarësisë kombëtare nuk ishin shuar kurrë në Shqipëri”, se populli shqiptar,” përsërit vazhdimisht bëmat e larta të heronjve të pavarësisë shqiptare.” Këtë e dëshmonte edhe një delegate e Kuvendit të Vlorës , – “ Gegë dhe toskë muhamedan  e të krishterë, delegatë  të Kosovës dhe Çamërisë, të Bregut të Detit e të Shkodrës jetike, të Korçës së bukur e të malësisë së Gjakovës, të gjitha krahinat janë përfaqësuar në Vlorë.”

Në fjalën e qetë, të kulluar e kumbuese të plakut të Vlorës, që mbajti në Kuvend Ai tha : -“ Populli shqiptar na zgjodhi e na dërgoi në këtë mbledhje që të këshillohemi për shpëtimin e atdheut.  Shpëtimi është njëi i vetëm  LIRIA” Fjala historike e burrit të shquar të shtetit, i urtë e i mençur u kurorëzua  në vendimin unanim e të njëzëshëm të delegatëve të Kuvendit ; -“ Të gjithë delegatët me një zë venduen që Shipënia, me sot të bëhet më vete dhe e mosvarme.” Shpallja e Pavarësis Kombëtare u përshëndet me gëzim të papërmbajtshëm anë e mbanë Shqipërisë, në kolonit shqiptare në mërgim, arbëreshët e Italisë e të Greqisë dhe nga shumë miq të Shqipërisë në shtete e ndryshme të botës.

Ngritja e flamurit Kombëtar në Vlorë përfaqësonte, së pari – një grusht dërmues kundër shovinizmit ballkanas dhe kundër politikës së pazarllëqeve të pista të shteteve imperialiste të kohës, në kurriz të popujve të vegjël, së dyti – një dëshmi konkrete historike se çdo popull liridashës, në rast se mobilizon forcat me aktive të veta në luftën e shenjtë për pavarësi dhe përparim shoqëror. Këtë të vërtet historike e vazhdon ta jap edhe sot populli shqiptar. Ky popull, ndonëse pësoi padrejtësi të reja nga Fuqitë e Mëdha, edhe pas 28 nëntorit 1912, duke iu shkëputur shtetit të ri, të pavarur shqiptar pjesë nga trungu jetik i trojeve të tij  2/3, mundi të përballojë tallazet e reja, të furishme gjatë Luftës së Parë e të Dytë Botërore dhe të periudhës pas çlirimit. Me këtë dëshmoi edhe njëherë vitalitetin e një kombi të pamposhtshëm, që di të mbrojë e luftojë për idealet e shenjta të atdheut. Këto padrejtësi të bërë nga Fuqitë e Mëdha në vitet 1913 – 1915, ka ardhur koha që të zgjidhen sot në kuadrin e globalizmit dhe integrimit evropian, që të krijohet Kombi Shqiptar, ku të përfshihen të gjitha trojet shqipfolëse, që u lanë jashtë tokës amë.

November 26, 2017 09:33
Komento

1 Koment

  1. rrem vogli jr. November 26, 12:18

    Permendet ne shkrim nje “Levizje kombetare Shqiptare” dhe po ashtu nje Udheheqje e saj.
    A mund te na thuhet ku mbeshtetet kjo.??/
    Dihet qe ne shtepine e Surja Vlores ne janar 1912 u vendos Kryengritja e Pergjitheshme dhe si komandant I saj Hasan Prishtina…quhet ne histori Komploti I Taksimit…. ajo kryengritj u kurorezua me marrjen e Shkupit ne beharin e vitit 1912.
    Vazhdon te shkruhet mbi deshira e jo mbi fakte te dokumentuara…. Kjo nuk eshte Histori dhe jo vetem e padobishme por dhe e demshme per kofuzionin qe krijon.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*