Rrugëtimi shekullor i Babadimrit

Ermir Hoxha January 6, 2014 11:38

Rrugëtimi shekullor i Babadimrit

Çdo fundvit Babadimri është në zenitin e tij; rreth tij rrotullohet gjithcka. Ai është personazhi më i përfolur, që pothuajse bën bujtësin në çdo shtëpi.

Dhe i fundit imazh në sytë e vocrakëve teksa u rëndojnë qepallat për gjumë, është pikërisht ai i tij, krrusur nga pesha e rëndë e thesit me dhurata. Edhe pse me një status e origjinë të papranueshme për ideologjinë komuniste, ai sistem nuk e “ekzekutoi” plakarushin filantrop; përkundrazi, i dha dhe një përmasë komuniste, pasi kur takohej me fëmijët çdo fundviti, ai ua kushtëzonte dhuratat në bazë të notave dhe sjelljes.

Madje, presupozohej se thesin me dhurata ja kish mbushur partia, e ai ishte një “i dërguari” i saj për të shpërblyer fëmijët e dalluar në shkollë. Më pas, ky personazh vijoi të kishte një peshë specifike në shpirtërat e njerëzve, duke u kuotuar ndjeshëm si ngacmues me efekt narkotiku, në këndelljen e turmave në prag të ndërrimit të viteve. Por si ka qenë rrugëtimi në shekuj i kësaj figure?! Ka patur diçka reale tek ai?! “Akuza” që i bëhet sot, është ajo e një mashtruesi sa real aq dhe virtual, në funksion të një komercializmi të pashpirt. Por ai meriton këto akuza, një krijese aq e pafajshme në dukje?!

Po! Babadimri, ose Santa Klausi, siç njihet ndryshe, që identifikohet dhe majë slitash duke udhëtuar rrëpirave të dëborta, tërhequr ose disa kaproj ose një lukuni qensh, për të mbërritur në destinacionet e duhura të shpërndarjes së dhuratave, ka patur një fillesë reale. Ai ka qenë Shën Nikolla i Anadollit, që ka jetuar në shek. 4-të. Peshkop i krishterë, ai u bënte dhurata bujare të varfërve; dhe gëzonte një nam të madh për këtë. Gjatë mesjetës, fëmijëve u bëheshin dhurata në emër të tij, pikërisht në datën 6 dhjetor, që ishte dita e tij, e cila u kalua më pas në 24-25 dhjetor nga Reforma Luteriane, e cila kundërshtonte nderimin e shenjtorëve. Martin Luteri u rrek ta mbështeste traditën e dhuratave tek Krishti, por Shën Nikolla mbeti popullor si figura qëndrore e kësaj tradite. Ndaj, në shumë vende europiane, 6 dhjetori vazhdon të jetë i vlefshëm. E duket se kësaj figure dhe Krishtlindjeve, u shtohen dhe elementë të Odinit, perëndi gjermanike, siç janë mjekra e gjatë dhe kali gri, në endjet e netëve, por kjo mund të jetë dhe thjesht një përkim rastësor.

 

Evoluimi

Babadimri, vijoi të jetonte i personifikuar në disa figura të kulturave të ndryshme si: Babagjyshi i Krishtlindjeve në Angli, Sinterklaas-i në Holandë, apo Tomte në Norvegji. Në shek. 19-të, filloi të merrte trajtë për t’u bërë ai që është sot, duke u shndërruar në personazh skicash, poemash e tregimesh. Karikaturisti Thomas Nast bëri një seri skicash; dhe besohet se prej tij buron ideja se Santa Klausi rron në Polin e Veriut; pra një arratisje nga Anadolli në çatinë e akullt të botës; ose nga Lindja në Perëndim. Ndërsa shfaqja e Santa Klausit nëpër dyqane, fillon më 1890 në SHBA.

Vjen Shek. 20-të dhe është Lyman Frank Baum me veprën ‘Jeta dhe Aventurat e Santa Klausit’ të vitit 1902, që i shtoi shumë elementë, si drerët apo shtëpinë në luginën Hohoho. Më pas, më 1930, është Haddon Sondblom, i cili e vizaton për reklamën e Coca-Cola-s. Dhe ndodh që, popullariteti i imazhit pjell legjendën se Santa Klausi është shpikje e kompanisë dhe se ngjyrat e tij, janë ato të kompanisë.

 

 

Fenomenologjia

Ka shkolla sot që ofrojnë trajnim për të luajtur rolin e Santa Klaus-it. Shumë shërbime postare pranojnë letra që i dërgohen Santa Klaus-it; dhe përgjigjet i shkruajnë punonjësit e postës ose vullnetarë. Kjo inkurajohet për vlera edukative si letërshkrim, shkrim-këndim etj.

 

Kritikat

Sigurisht, jo të gjithë janë të molepsur pas figurës së Babadimrit. Ka prej atyre individëve, që thjesht për arsye racionale, nuk pranojnë t`jua ushqejnë fëmijëve dashurinë për të.

Sakaq, kundërshtitë më të forta, hasen dhe nga grupime të ndryshme fetare, qoftë të krishtera e qoftë islame. Kjo figurë kundërshtohet nga Kalvinisto-Puritanët, Dëshmitarët e Jehovait e të ashtëquajturit krishterë seriozë, të cilët janë kundër nderimit të shenjtorëve, kundër festimit, kundër paganizmit, e sidomos kundër kulturës moderne, që i shndërron të tilla figura në simbole të komercializmit, por dhe kundër profilit virtual të mjekërbardhi, që sipas këtyre grupimeve, bëhet një mashtrim i panevojshëm për fëmijët.

Ermir Hoxha January 6, 2014 11:38
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*