Ruçi mbështet artistët: Në 27 vite nuk kemi bërë asgjë për artin

May 30, 2018 11:02

Ruçi mbështet artistët: Në 27 vite nuk kemi bërë asgjë për artin

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka shprehur mbështetjen e tij ndaj artistëve të Teatrit Kombëtar, të cilët i kanë kërkuar mos shembjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar.

Dje, një përfaqësi e Sindikatave të Artistëve (SPAK dhe SASE) kanë zhvilluar një takim me kreun e Parlamentit në ambientet e kryesisë së Kuvendit.

Pas tri muajsh në krye të rezistencës kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, Arben Derhemi, Kastriot Çipi, Robert Budina, Taulanda Jupi dhe Ervin Bejleri kanë parashtruar të gjitha shqetësimet e artistëve, që nga Ligji për Artin e deri tek godina në rrezik e Teatrit Kombëtar.

Për këtë të fundit, ata kanë kërkuar bllokimin e të gjitha veprimeve, deri në momentin e një transparence të plotë; duke përmendur kështu kryerjen e studimeve dhe hapjen e konkurseve.

“Në lidhje me godinën e TK-së, i bëra me dije kreut të Kuvendit se ajo është funksionale dhe do të jetë e tillë edhe 50 apo 100 vjet të tjerë, nëse rikonstruktohet. Është një rikonstruksion që kushton vetëm 2 milionë dollarë. Meqë shteti nuk ka 30 milionë dollarë për të ndërtuar një teatër të ri, atëherë le të mbajë këtë që ka, le ta rikonstruktojë dhe ne do të ishim shumë të kënaqur, aq më tepër që është hapur një sallë alternative. Kur të kemi një shtet më të fuqishëm, që të ketë dinjitet dhe dashuri për teatrin, pasi, i thashë, që po kuptojmë që nuk ka dashuri për artin. Ka një lloj arrogance të pakuptueshme, por është e sigurt që ajo nuk pjell asgjë tjetër veç arrogancës. Dhe z. Ruçi ra dakord me këtë,” shkruan Arben Derhemi.

Kryetari i Sindikatës së Artistëve të TK-së, Arben Derhemi u shpreh optimist nga ky takim me Ruçin. Ai tha se kryetari i Kuvendit të Shqipërisë kishte treguar mbështetjen e tij ndaj të gjitha propozimeve të parashtruara nga artistët, teksa shtoi se Ruçi ndihej keq që në këto 27 vjet është bërë shumë pak për artin e sidomos për teatrin.

“Keni mbështetjen time në mënyrë të sinqertë, pasi ndihem me të vërtetë keq që në këto vite nuk kemi bërë asgjë për artin dhe është e trishtueshme të shohësh artistë të varfër”, citon Derhemi Gramoz Ruçin.

Pas këtij takimi, vetë artistët do të angazhohen në hartimin e një projektligji dhe do të forcojnë urat e komunikimit me institucionin e Parlamentit dhe ministren e Kulturës. Një raport që vetë kreu i Parlamentit premtoi që ta përmirësojë.

s.a/dita

 

May 30, 2018 11:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*