Ruçi: Ngremë nënkomisionin parlamentar për KLSH

June 4, 2018 10:23

Ruçi: Ngremë nënkomisionin parlamentar për KLSH

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë prezantimin e strategjisë për periudhën 2018-2022. Në tryezën me temë “Zhvillimi i marrëdhënieve efektive të punës midis institucioneve të larta të auditit dhe parlamenteve”, ishte i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Kryetari i Kuvendit ka paralajmëruar ngritjen e një nënkomisioni për KLSH.

KLSH do të jetë më aktiv, më cilësor, më vizionar. Do ngremë nënkomisionin parlamentar për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, u shpreh kryeparlamentari Ruçi.

FJALA E KRYEPARLAMENTARIT RUCI

I nderuar Kryetari Leskaj,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ju falenderoj që më ftuat në këtë takim, ku prezantohet Plani i ri Strategjik i Zhvillimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitet 2018-2020.

Kuvendi dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, siç sanksionon Kushtetuta, janë partnerë në ushtrimin e kontrollit të ligjshmërisë dhe performancës së qeverisë dhe agjencive të saj, dhe përgjithësisht kontrollin e degës ekzekutive të qeverisjes.

Ky është një mision i rëndësishëm që na ngarkon Kushtetuta, ligjet, interesi publik dhe qytetarët.

Kushtetuta dhe ligji e ngarkojnë Kontrollin e Lartë të Shtetit me një mandat të gjerë për auditimin e të gjithë autoriteteve publike dhe organeve që administrojnë fondet publike.

Kushtetuta përcakton detyrimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për të raportuar në Kuvend mbi auditimet e kryera, rezultatet e tyre, masat e propozuara, rekomandimet e dhëna si edhe performancën e vetë veprimtarisë së tij.

Është pozitiv fakti që Kuvendi dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë bashkëpunuar si partnerë. Komisionet parlamentare dhe deputetët i kanë shfrytëzuar dhe janë mbështetur ne indiciet nga auditimet e Kontrollit në ushtrimin e detyrave të tyre funksionale për kontrollin parlamentar, si edhe në angazhimin për të qenë konkret e aktiv në luftën kundër korrupsionit, abuzimeve dhe difekteve të tjeratë qeverisjes.

Askush nuk është i përsosur, por ne edhe ju duhet të bëhemi gardianë më të vëmendshëm të ligjshmërisë, ndershmërisë dhe eficiencës së qeverisjes.

Qeverisja nga populli, me popullin dhe për popullin garantohet në rradhë të parë nëpërmjet kontrollit parlamentar dhe auditimit të veprimtarisë së saj.

Ligji i ri për Kontrollin e Lartë të Shtetit, miratuar në vitin 2014, ofron më shumë garanci jo vetëm për zbatimin e standarteve ndërkombëtare të auditimit, por edhe për bashkëpunimin efektiv dhe të qëndrueshëm me Kuvendin.

Rezoluta e Kuvendit e vitit 2015 për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe rezolutat e tjera në vijim, rritën kërkesat dhe pritshmëritë e Kuvendit që raportimet tuaja të bëhen më analitike, më cilësore, më të drejtpërdrejta dhe më të pavarura.

Në zbatim të detyrimeve kushtetuese dhe rekomandimeve të Progres-raportit të Komisionit Europian, në vitin 2017 Kuvendi, me një vendim të veçantë, krijoi mekanizmin ndërintitucional Kuvend-Qeveri-Institucione të Pavarura, si një instrument efikas për monitorimin sistematik të ndjekjes e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura ndaj ekzekutivit.

Mekanizmi synon një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kontrollit parlamentar si edhe rolit mbikqyrës e monitories, si komponente tepër e rëndësishme e punës së Kuvendit.

Ky instrument i ri, i ngritur nga Kuvendi, u përshëndet në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë në Prill 2018.

Që në fillim të veprimtarisë së tij, mekanizimi përfshiu raportimin vjetor të institucioneve të pavarura, duke i kushtuar vëmendje të veçantë zbatimit të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në plan-veprimin e miratuar.

Vlen të theksohet se mekanizmi i krijuar nga Kuvendi si edhe plani i tij i veprimit janë në harmoni me parimet e praktikat më të mira europiane për marrëdhëniet efektive midis parlamenteve dhe institucioneve supreme të auditimit.

Ndërkohë, dokumenti i hartuar nga SIGMA, mbi forcimin e bashkëpunimit midis Kuvendit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit mund të shërbejë si një udhërrëfyes për bashkëpunimin tonë të mëtejshëm.

Fakti është se prej janarit 2018, çdo kërkesë adresuar nga Kontrolli Kryetarit të Kuvendit, Nënkryetares apo komisioneve përgjegjëse parlamentare, është vlerësuar me seriozitet dhe korrektesë maksimale dhe i është përcjellë menjëherë institucioneve ekzekutive të qeverisjes.

Deri tani u janë drejtuar komisioneve parlamentare e ministrive përgjegjëse 11 raporte auditimi performance, praktikë që e krijuam për herë të parë në këtë legjislaturë.

Për ta bërë më transparente e të verifikueshme nga ju, publiku, qytetarët dhe media, ky informacion do të jetë edhe në faqen e Kuvendit.

Kuvendi u ka kërkuar institucioneve të pavarura që pjesë e raportimeve të tyre vjetore të jenë edhe rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, masat e marra dhe zbatimi i tyre.

Gjithashtu, zbatimi i nenit 103 të Rregullores së Kuvendit, i cili prej një kohe të gjatë ishte lenë në harresë, bëri të mundur që titullarët e institucioneve të pavarura të raportojnë në seancë plenare mbi veprimtarinë vjetore të institucioneve.

Rikthimi i kësaj praktike është, padiskutim, jo vetëm respektim i Rregullores së Kuvendit, por edhe një qasje pozitive për informimin e llogaridhënien e institucioneve të pavarura ndaj Kuvendit.

Kjo përmirëson imazhin e tyre, rrit vëmendjen për zbatimin e rekomandimeve edhe ndërgjegjeson publikun për rëndësinë e tyre.

Pra, Kuvendi po punon paralelisht për fuqizimin e rolit të tij ligjbërës e kontrollues. Për të dyja funksionet, një shërbim të madh praktik japin edhe rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Fuqizimi i të dy funksioneve të Kuvendit do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e punës së ekzekutivit, nëpërmjet llogaridhënies e transparencës, si dy parime themelore të mirëqeverisjes.

Kjo do të garantojë që fondet publike të shkojnë në përfitim të publikut e qytetarit, duke garantuar shërbime publike efektive, cilësore dhe të përballueshme për të gjithë.

Më lejoni të parashtroj edhe disa propozime konkrete si mund të përmirësohet e fuqizohet më tej bashkëpunimi midis Kuvendit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Së pari, unë do të mirëprisja që Kontrolli i Lartë i Shtetit të jetë më aktiv, më cilësor dhe më vizionar në dhënien e rekomandimeve për përmirësimin e legjislacionit në përgjithësi dhe për atë të investimeve e prokurimeve publike në veçanti.

Thënë këtë, shpreh angazhimin se raportimi i juaj në Kuvend, së paku dy herë në vit, do të plotësohet nga shtimi i instrumentave të tjerë të kontrollit parlamentar, si dëgjesat, seancat e pyetjeve në komisionin përgjegjës të ekonomisë e financave dhe komisione të tjera, si edhe ngritja e komisioneve të posaçme hetimore.

Pra, rekomandimet e Kontrollit të Shtetit do të kalojnë përmes një procesi diskutimesh e debatesh midis Kuvendit, ju si institucion rekomandues dhe institucioneve të tjera e grupeve të interesit.

Nismat ligjvënëse të propozuara nga ana juaj, do të finalizohen nëpërmjet një konsultimi të gjerë publik.

Kjo do të mundësojë që gjetjet e auditimeve dhe rekomandimet tuaja të kalojnë nëpërmjet një procesi të gjerë shqyrtimi, sensibilizimi e llogaridhënieje.

Në këtë mënyrë, rekomandimet apo propozimet për penalizime ndaj shkeljeve e shkelësve të ligjit nuk do ta kenë të lehtë të fshihen apo zvarriten pas teknikaliteteve e justifikimeve të burokratëve përgjegjës.

Duke u bërë më të ashpër dhe rigorozë në zbatimin e ligjeve që vetë kemi miratuar, do ta ndihmojmë qeverinë, institucionet dhe agjencitë që menaxhojnë financat publike të shmangin dhe të luftojnë praktikat korruptive dhe abuzive.

Para dy vitesh Kuvendi ka rekomanduar ngritjen e nënkomisionit parlamentar për çështjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një praktikë që funksionon në shumë vende europiane. Personalisht do të marr të gjitha masat për ngritjen sa më të shpejtë, brenda këtij sesioni, të nënkomisionit.

Gjithashtu, Kuvendi, në përmbushje të detyrimeve ligjore dhe në ushtrim të kontrollit parlamentar, do të realizojë auditimin e llogarive financiare të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe t’i bëjë ato publike.

Në këtë mënyrë, do të zgjidhim dilemën “Kush i ruan rojet?” dhe do të garantojmë Kushtetutën, ligjin dhe qytetarët që Kontrolli i Lartë i Shtetit është edhe vetë një institucion i kontrolluar prej tyre.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë.

l,h/ dita

June 4, 2018 10:23
Komento

1 Koment

  1. Lili June 4, 20:32

    Po publiku ketu si eshte parapare te marre pjese,apo thjesht nuk pyt kush prr cka mendojne qytetaret edhe si munden qytetaret me marr pjese ne keto kontre.
    Kjo sa per kushtin llogaridhenje publikut edhe pjesemaarja e sytetareve ne jeten pu lime

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*