Rusët një ditë pas fillimit të bombardimeve kundër Serbisë

March 27, 2019 12:16

Rusët një ditë pas fillimit të bombardimeve kundër Serbisë

Shaqir Vukaj*

 Vijon nga numri i kaluar (Lexo KETU)

25.03.1999

Moska sot i ngjan një qyteti të zymtë. Propaganda, lajmet e medias e, veçanërisht, të stacioneve televizive, deklaratat e intervistat e shumta të ditës së djeshme, kanë bërë efektin e vet. Tek shumë njerëz është krijuar përshtypja se sulmi ndëshkues i NATO-s kundër objekteve ushtarake jugosllave, është njëkohësisht sulm kundër Rusisë…

Që në mëngjes, të gjitha stacionet televizive dhe të radiove flasin vetëm për këtë problem. Gjithçka është përqendruar në Jugosllavi. Aty është NATO, SHBA, e gjithë bota, për mirë e për keq… Aty janë shqiptarët, që, për Moskën, nga njëra anë janë ngatërrestarët e gjithë kësaj zallamahije e, nga ana tjetër, të fundit për sa i takon rëndësisë…

I gjithë shtypi, në faqet e para trajton vetëm këtë problem. Media ruse vetëm për këtë flet. Të duket sikur punohet me komandë dhe se lajmet e njoftimet përpunohen në të njëjtën qendër e pastaj, i shpërndahen medies.

Reagimi i opinionit rus është kategorik dhe tepër negativ. Bombardimet dënohen si një agresion i hapur kundër një vendi të pavarur. Dënohen hapur NATO, SHBA e, bashkë me to, edhe shqiptarët. Asnjë fjalë për atë që ka ndodhur në Kosovë për fatin e shqiptarëve. Dhembja e Rusisë është vetëm për Serbinë, për serbët…

Sot që në mëngjes, filluan grumbullimet e njerëzve në mitingje “spontane”, ku oratorët dënojnë NATO-n, SHBA-ne e, jo rrallë, shqiptarët. Rreth orës dhjetë, turmat, nga anë të ndryshme të Moskës drejtohen drejt Sadovoje Kalco dhe brenda një kohe të shkurtër, ambasada amerikane, që ndodhet në këtë rrugë, rrethohet nga të gjitha anët.

Një trotuar i ngushtë e ndan ndërtesën e ambasadës nga njëra prej rrugëve më të zhurmshme të Moskës, njëkohësisht unaza kryesore e qytetit dhe një ndër rrugët më të gjëra të këtij qyteti gjigand që ditën arrin në rreth 15 milionë njerëz. Rruga tepër e gjerë, gradualisht kthehet në shesh, ku, siç thuhet, brenda një kohe tepër të shkurtër, janë grumbulluar mbi 100 mijë vetë… duke bllokuar krejtësisht qarkullimin.

Policia ruan, por nuk merret vesh kë ruan, ambasadën apo demonstruesit, një pjesë e të cilëve duken tepër agresivë, sidomos disa të rinj. Marrim vesh se në mes të tyre janë tifozët e skuadrës Spartak i Moskës, të cilët në ditë ndeshjesh janë të rrezikshëm, tepër të rrezikshëm Me sjelljet e problemet që krijojnë të kujtojnë tifozët anglezë të para disa viteve… Por sot nuk ka ndeshje. Kush i organizoi dhe si u grumbulluan kaq herët?.

Një pjesë e turmës që, sa vjen e shtohet, është tepër agresive. Vazhdojnë të vinë grupe të ndryshme me pankarta e parulla në duar, me shkrime anti-NATO, anti-SHBA e, ndonjë prej tyre edhe antishqiptare. Nuk e di se si m’u kujtua pranvera e vitit 1961. Atëherë kam qenë student në Moskë. Pikërisht para kësaj ndërtese demonstrohej edhe atëherë në mbrojtje të Kubës… si tani në mbrojtje të Jugosllavisë … (Dy gjëra krejtësisht të ndryshme që nuk ia vlen t’i komentosh). Atëherë, të paktën gjithçka bëhej haptazi. Punonjës të qendrave të punës, studentë të shkollave të larta, nxënës shkollash, grumbulloheshin para kësaj ndërtese, në mënyrë të organizuar, me një grafik të përcaktuar në detaje. Flisnin përfaqësues të organizatave të partisë, rinisë, bashkimeve profesionale, instituteve, shkollave etj, dënonin SHBA-në, mbronin Kubën e largoheshin, për t’u zëvendësuar nga të tjerë….

Dihet se atëherë këto mitingje e protesta organizoheshin nga shteti, nga partia, Bashkimet profesionale etj. Pra, gjithçka ishte nën kontroll të plotë. Po tani kush i organizon?. Ç’qëllime kanë organizatorët?. Deri ku mund të shkojnë veprimet e tyre, që në çdo moment mund të dalin jashtë kontrollit!

A e kuptojnë udhëheqësit e Rusisë së sotme se ç’mund të ndodhë?. Apo i organizojnë vetë? Vështirë. Të paktën Presidenti Jelcin e përkrahësit e tij e kuptojnë dhe i druhen shkallëzimit të këtyre veprimeve, mbasi në çdo moment ato mund të kthehen kundër tij. Unë kështu mendoj…

Në lajmet e drekës jepen njoftime se shembulli i Moskës po përhapet me shpejtësi në të gjithë Rusinë. Edhe në rajone të tjera ku nuk ka ambasada amerikane e konsullata e s’kanë para kujt të demonstrojnë. Në disa qytete turmat grumbullohen para konsullatave, aty ku ka të tilla, ose thjesht nëpër sheshet kryesore të qyteteve, bërtasin kundër NATO-s, SHBA-së e, jo rrallë, lëshohen parulla kundër shqiptarëve. Thuhet se po regjistrohen vullnetarët e parë për të shkuar në Serbi për të luftuar kundër NATO-s e shqiptarëve…

Duke ndjekur me kujdes deklaratat e intervistat e politikanëve rusë, më krijohet përshtypja se sot ka një farë zbutje, një lloj ulje toni e egërsie. Ndoshta e kanë kuptuar që dje e kaluan kufirin, apo, ndoshta, i frikësohen grumbullimeve të mëdha që mund të dalin jashtë kontrollit…

Mbas atyre deklaratave emotive të Presidentit Jelcin, bërë mbrëmë para dhe mbas fillimit të goditjeve të NATO-s kundër objekteve ushtarake në Jugosllavi, në takimin që pati sot me Ministrin e Jashtëm Ivanov dhe që u transmetua nga shumë kanale televizive, ai nuk ishte aq i ashpër si disa herë të tjera. Madje mund të thuhet, deri diku i arsyeshëm. Sigurisht brenda kontureve të politikës e qëndrimeve të Rusisë. Ndoshta ai ka filluar të shqetësohet nga turri që kanë marrë shumica e politikanëve rusë nga grumbullimet e turmave në të katër anët, nëpër sheshet e qyteteve të Rusisë e, sidomos, nga qëndrimet e deklaratat e ushtarakëve…

Gjatë këtij takimi ai theksoi se Rusia, moralisht është mbi Amerikën, se e konsideron agresionin e NATO-s si një gabim tepër  të madh të Klintonit, që nuk ka për t’u harruar. Në vazhdim, ai përmendi veprimet e ndërmarra deri tani nga Rusia si ndërprerja e vizitës së Primakovit në SHBA, biseda e tij me Klintonin dhe me presidentët e tjerë, si dhe ndërprerja e kontakteve të Rusisë me NATO-n. Kjo e fundit përmendet për herë të parë. Me sa duket, Rusia do të ndërpresë çdo lloj  marrëdhënie me të…

Edhe Ministri i Jashtëm Ivanov, në një intervistë që u transmetua nga kanalet televizive, e kishte ulur pak tonin. Njëlloj si më parë, veprimet e NATO-s i cilësoi si agresion , madje agresionin  e parë mbas Luftës së Dytë Botërore dhe që nuk ka asnjë justifikim. Ai bëri të ditur se Rusia u është drejtuar anëtarëve të Grupit të Kontaktit për t’u mbledhur në Moskë, për të diskutuar ndërprerjen e sulmeve ushtarake kundër Jugosllavisë.

Kryeministri Primakov sot ishte disi më ndryshe. Para kamerave televizive ai foli më tepër për probleme ekonomike, duke theksuar detyrat që dalin për mobilizimin e burimeve të brendshme, për vazhdimin dhe thellimin e reformave etj. NATO-n e Jugosllavinë vetëm sa i zuri në gojë, sigurisht me epitetet që përdoren nga të gjithë politikanët e lartë rusë.

Ministri i Mbrojtjes Sergejev, duke folur për këtë problem, tha se trupat e NATO-s që ndodhen në Maqedoni, po përgatiten për një operacion tokësor. Ai shprehu bindjen se ushtria jugosllave do t’i kundërpërgjigjet me dinjitet edhe një sulmi të mundshëm tokësor.

Përpiqem të ndjek të gjitha lajmet, në të gjitha kanalet televizive. Të gjithë, pa përjashtim, flasin në mbrojtje të Serbisë e të Millosheviçit. Shqiptarët, pothuajse nuk zihen në gojë. Edhe në ndonjë rast të veçantë, për ta flitet si për separatistë, irredentistë,  terroristë etj. Gati sa nuk quhemi shkaktarët kryesorë të asaj që po ngjet në Jugosllavi. Edhe shtypi i sotëm ishte më proserb, më anti-NATO e më antiamerikan.

Në lajmet e mesnatës, kanalet televizive, RTR, NTV dhe TV6 lidhen direkt me sheshin e improvizuar para Ambasadës Amerikane, ku ndodhen disa dhjetëra mijëra njerëz. Siç deklarojnë disa prej tyre, ata janë përgatitur të qëndrojnë aty gjithë natën. Disa prej tyre janë agresivë. Transmetohen direkt pamje, ku turma godet ambasadën me gurë, shishe boje etj. Policia e pranishme nuk merr  asnjë masë…

Sot gjatë gjithë ditës, kanalet televizive të Moskës sikur ishin në garë me njëri tjetrin se kush e kush të ftojë më parë ambasadorin jugosllav, B. Millosheviç, për të dhënë intervista. Të gjithë theksojnë se ai është vëllai i Sllobodanit. Kujtojnë se i bëjnë nder e i rrisin vlerat… Në disa prej intervistave që ka dhënë, ai ka përshëndetur qëndrimin e Rusisë dhe ka falënderuar popullin rus për solidaritetin që po tregon në mbështetje të Serbisë. Ai ka garantuar se Jugosllavia do të luftojë deri në fund. Por njëkohësisht ka shtuar se ajo pret ndihma më të mëdha e konkrete nga Rusia.

Sonte vonë në darkë u transmetua thirrja e Patriarkut të Moskës dhe gjithë Rusisë, Aleksei, lidhur me situatën në Jugosllavi. Thirrja ishte e njëanshme, në mbështetje të serbëve. Pavarësisht nga terminologjia kishtare e përdorur dhe fjalët e zgjedhura me kujdes, ajo nuk tingëlloi si një thirrje për pajtim e paqe, por nxitje kundër NATO-s, Perëndimit e shqiptarëve. Ja disa pjesë prej saj:

“Një grup shtetesh, pa marrë asnjë lloj legjitimiteti nga komuniteti ndërkombëtar, i kanë dhënë vetes të drejtën të gjykojnë se çfarë është mirë e çfarë është keq, kush duhet dënuar e kush duhet falur. Po tentohet të na mësojnë me mendimin se forca është kriteri i së vërtetës dhe moralit. Presioni brutal politik dhe ekonomik, që gjithë këto vitet e fundit kanë ushtruar shtetet e Perëndimit për interesat e tyre, u shndërrua në dhunë të hapur….

I bëj thirrje popullit serb dhe shqiptarëve kosovarë të ndërpresin konfliktin dhe menjëherë të fillojnë dialogun. Është krejtësisht e qartë se serbët asnjëherë, nuk do të pranojnë shkëputjen nga atdheu  i tyre të krahinës së Kosovës, e cila që në lashtësi ka qenë dhe mbetet qendra e tij shpirtërore…”

Sot u organizua një konferencë e përbashkët shtypi, nga Ministri i Jashtëm Ivanov dhe Shefi i Shtabit të Përgjthshëm,  Kvashnjin. Është hera e parë që dalin në një konferencë të përbashkët diplomacia dhe ushtria. Duket kanë vendosur të dalin bashkë para opinionit, me të njëjtat mendime. Për mendimin tim, kjo është vendosur sot, sepse në shumë raste ata kanë shprehur mendime e qëndrime të ndryshme, ku ushtarakët janë treguar më “të avancuar”. Sot për sot, nuk merret vesh se kujt i peshon fjala më shumë. Duket se ushtarakëve, por, po të vazhdojë kështu do të jetë tepër e rrezikshme…

Ndërmjet të tjerave ata thanë se “Jugosllavia ka ushtri të madhe e të fuqishme, dhe se ajo nuk ka nevojë për ndihma në njerëz, se ne nuk do të marrim armët për të luftuar, se Rusia kërkon rregullimin paqësor të problemit”. Në vazhdim, ata paralajmëruan se “Moska mund të ndërpresë sanksionet e të filloje furnizimin e Jugosllavisë me materiale të ndryshme, përfshirë edhe armatime”. Megjithatë tonet e përdorura nga të dy nuk ishin aq të larta e kërcënuese.

Në të gjitha emisionet e lajmeve u përsërit deklarata e kryeministrit grek Simitis, ku, ndër të tjera, thuhej se: “Sulmet ushtarake nuk do të sjellin asgjë, se atij i vjen turp nga veprimi i NATO-s kundër Jugosllavisë”.

Si shumë po puqen rusët e grekët për këtë problem!

Në propagandën anti – NATO e proserbe, Moska përpiqet të shfrytëzojë ç’të mundet. Si ngjarje të mëdha, ajo konsideron protestat e serbëve para ambasadës amerikane në Shkup, pamje nga të cilat u transmetuan disa herë.

Në darkë marrim vesh se në katër anët e Rusisë, në Moskë, Sankt Petërburg, Voronjezh, Rostov mbi Don e në shumë qytete të tjera, janë krijuar Komitete të Posaçme që do të merren me regjistrimin e dërgimin e vullnetarëve në Serbi. Thuhet se vetëm ditën e parë janë regjistruar disa mijëra vullnetarë. Njëlloj si në Luftën e Parë Botërore… Dhe më interesantja është se në krye të këtyre Komiteteve janë ushtarakë rusë, gjeneralë aktivë. Siç tha një gjeneral, kryetar i njërit prej këtyre Komiteteve, atje duhen vullnetarë që kanë shërbyer në aviacion, mbrojtje kundërajrore etj.

Në të katër anët e Rusisë kanë vazhduar protestat kundër NATO-s në mbrojtje të Serbisë. Në Novosibirsk demonstruesit kanë djegur derën e jashtme të konsullatës së RF Gjermane, i vetmi anëtar i NATO-s që ka konsullatë në këtë qytet. Në Vlladivostok është rrethuar konsullata e përgjithshme e SHBA-së dhe para mureve të saj vazhdon regjistrimi i vullnetarëve për Serbi. Në Sankt Petërburg, para konsullatës amerikane, demonstruesit, në shenjë proteste kanë djegur flamurin amerikan. Po aty, në shesh, regjistrohen vullnetarë për Serbi, ndërmjet të cilëve edhe studentë.

Si për të zbutur situatën, prononcohen publikisht edhe disa politikanë me mendje më të freskët, më të matur e më të ekuilibruar, të cilët  kërkojnë të ulin tensionet. Ish – kryeministri i Rusisë, Çernomerdin u shpreh se “Udhëheqësit rusë nuk kanë përdorur të gjitha mjetet për të bindur Millosheviçin”. Lideri i lëvizjes Jablloko, Javlinski tha se “ më në fund Rusia po bën gjëra me vlerë, duke ftuar në Moskë Grupin e Kontaktit. Kryesorja është që Rusia të mos  përfshihet në luftë, të mos dërgojë vullnetarë në Jugosllavi, që Jugosllavia të mos furnizohet me armatime. Në nuk duhet të paguajmë gabimet e serbëve. Ne nuk duhet të mbrojmë serbët që vrasin shqiptarët, ose të themi, siç bëjnë disa, që serbët le të bëjne ç’të duan me shqiptarët”.

Kozirevi, ish – Ministri i Jashtëm i Rusisë, iu kundërvu haptazi propagandës zyrtare ruse dhe udhëheqësve të Rusisë, duke deklaruar “Si mund të quash agresorë vendet më të civilizuara të botës, si mund t’i quash ato agresorë dhe njëkohësisht të vazhdosh të bashkëpunosh me agresorët, si mund të kërkosh para nga agresorët?”.

Nga burime të ndryshme thuhet se Duma Shtetërore do të mblidhet nesër ose pasnesër për të diskutuar rreth sulmit të NATO-s kundër Jugosllavisë dhe se mendohet që ajo  do të dalë me vendime e thirje kundër NATO-s e SHBA. Me përbërjen e sotme, ajo është e gatshme edhe për veprimet më të paparashikueshme për të ndihmuar Serbinë…

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse

(Vijon)

 

March 27, 2019 12:16
Komento

1 Koment

Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*