Rusia anulon projektin e gazsjellësit jugor, shqetësohet Serbia

December 2, 2014 11:34

Rusia anulon projektin e gazsjellësit jugor, shqetësohet Serbia

Presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska do të anulojë ndërtimin e gazsjellësit duke fajësuar Bashkimin Evropian.

Gazpromi rus anuloi projektin e ndërtimit të gazsjellësit jugor për furnizimin me gaz të Evropës jugore, një rrjedhojë e qartë e përplasjeve ndërmjet Moskës dhe perëndimit rreth zhvillimeve në Ukrainë.

“Projekti është mbyllur. Kaq”, u tha gazetarëve shefi ekzekutiv i Gazpromit Alexei Miller

Njoftimi pasoi deklaratën e presidentin rus Vladimir Putin,i cili tha të hënën se Moska do të heqë dorë nga ndërtimi i gazsjellësit nëse Bashkimi Evropian është kundër tij.

Presidenti rus duke folur në Ankara, pas takimit me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, tha se në vend të gazsjellësit “Rrjedha e jugut”, Rusia dhe Turqia mund të ndërtojnë një qendër të gazit për Evropën Jugore.

Gazsjellësi 40 miliardë dollarësh, është dashur të kalojë nëpër Detin e Zi në Bullgari dhe më tej në Greqi dhe Itali, ashtu si edhe në Serbi, Hungari dhe Austri. Por, Putin tha se ai nuk mund të ndërtohet për shkak të kundërshtimit të qeverisë bullgare.

Fuqitë perëndimore i vunë sanksione ekonomike Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë dhe Evropa synon të zvogëlojë varësinë e saj nga gazi rus.

Presidenti rus tha se mos ndërtimi i gazsjellësit jugor është kundër interesave të Evropës, ndërsa nënvizoi që “nëse Bullgaria është e privuar nga e mundësia për të vepruar si shtet sovran, atëherë le të kërkojë kompensimin e humbjeve nga Komisoni Evropian”. Ai ju referua qëndrimeve të Bashkimit Evropian se gazsjellësi jugor, nuk është në përputhje me ligjet e BE-së për konkurrencë dhe energji.

Anulimi i projektit – shqetëson Serbinë

Ndonëse autoritetet serbe ende presin njoftime zyrtare për vendimin rus për ndërprerjen e ndërtimit të gazsjellësit jugor, ekspertët në Beograd thonë se ky vendim do të dëmtojë Serbinë.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandërr Vuçiç, e cilësoi lajm të keq për Serbinë, por sipas tij “qytetarët nuk duhet të brengosen për furnizimet me gaz”.

Ai u tha medieve serbe se “Serbia nuk i ka kontribuar assesi këtij vendimi. Shtatë vjet ka investuar në këtë projekt, por po paguan çmimin e konflikteve të mëdha”.

Ndërsa, ekspertë politik dhe ekonomik serbë thonë se ndërprerja e projektit do të ushtrojë ndikim në politikën serbe dhe se Serbia do të mbetet pa alternativë të furnizimit me gaz.

Serbia është vënë në mes të synimeve për integrimet në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore./VOA/

December 2, 2014 11:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*