Rusia e trullosur nga bombardimet në ish-Jugosllavi (IV)

March 29, 2019 12:17

Rusia e trullosur nga bombardimet në ish-Jugosllavi (IV)

Shaqir Vukaj*         

(Vijon nga numri i kaluar (lexo – KETU)

28.03.1999

Sot përsëri një ditë tepër e tensionuar. Megjithëse ditë pushimi,  të gjithë jemi në punë, që nga këshilltari Jorgo Bllaci (megjithëse i sëmurë), sekretari i parë Ligor Cullufe, shoferi Arben Shahi. Ndjekim gjithë ditën lajmet, lexojmë të gjitha gazetat, përpiqemi të informohemi sa më shumë, të mbajmë sa më shumë kontakte…

Gjatë ditës së sotme nuk kishte intervista e deklarata. Duket janë mjaftuar me ato të ditës së djeshme. Megjithatë edhe sot kishte ngjarje mjaft të rëndësishme, ndër të cilat po veçoj disa prej tyre:

Lajme mbi rrëzimin e avionit ushtarak amerikan F117 nga forcat kundërajrore jugosllave, sikur u ka dhënë zemër rusëve. Të gjitha kanalet televizive e radiot e ndryshme këtë e komentojnë si ngjarje të jashtëzakonshme. Më në fund, thonë të gjithë në lajme, ushtria jugosllave e mbrojtja e saj kundërajrore filluan të ndjehen … e ta tregojnë veten.

Sot u nis për në Hungari, Jugosllavi, Itali e SHBA një delegacion i së Djathtës Demokratike Ruse, i përbërë nga ish – kryeministri i Rusisë, Gajdar, ish- zv/kryeministrat Njemcov e Çubais etj. Sipas programit ata do të takojnë Millosheviçin. Thuhet se do të priten nga Papa si dhe nga disa politikanë me peshë në Itali. Në SHBA do të takohen me Sekretaren e Shtetit M. Ollbrajt. Rrugës për në Beograd do të kenë një takim me Hollbrukun në Budapest.

Dua të theksoj se, në përgjithësi, këta janë shprehur më realisht për zhvillimet në Jugosllavi dhe se kanë një vizion pak më demokratik për zgjidhjen e problemit të Kosovës, por gjithmonë brenda kuadrit të Serbisë së pjesë e pandarë e saj dhe si djepi i serbizmit.

Lajmet thonë se gjatë rrugës, në Budapest, ata u takuan me Hollbrukun dhe gjithçka shkoi mirë. Siç thuhet, ai i ka thënë se “pavarësisht nga problemet e krijuara në marrëdhëniet e Rusisë me SHBA-në e NATO-n, ne nuk duhet t’i ndërpresim takimet, përkundrazi, duhet të takohemi e të bisedojmë”

***

Edhe sot gjithë ditën u bë propagandë në mbështetje të Serbisë. Ndërmjet tjerave u përsëritën njoftimet se Rusia do të ndihmojë Jugosllavinë me ndihma humanitare. Disa ambasadorë këtu më kanë thënë se kjo është thjeshtë propagandë, sepse, në se Rusia do të dërgojë ndihma në Jugosllavi, do të ndërpriten ndihmat për të (diku më lart kam thënë se Rusia është vendi që merr sot ndihma më shumë se kushdo tjetër në botë). Po ashtu problem është rruga se si do të çohen këto ndihma. Siç më kanë thënë ambasadorët e vendeve kufitare me Jugosllavinë, kjo do të krijonte probleme me to. Ambasadori rumun me ka thënë se një rrugë e mundshme  mund të ishte nëpërmjet Danubit. Por në një rast të tillë rumunët do të kërkonin të kontrollonin anijet që i transportojnë këto ndihma, përndryshe, në se rusët nuk do të pranojnë, atëherë rumunët do të ishin të detyruar t’i godasin dhe t’i mbysin këto anije…

Tashmë regjistrimi i vullnetarëve për të shkuar në Serbi është kthyer në fushatë. Jepen lajme të pabesueshme, të shoqëruara me pamje televizive, ku duket sikur rajonet e ndryshme të Rusisë janë vënë në garë, se kush regjistron më shumë vullnetarë. Njoftohet se në disa qytete janë krijuar qendra të posaçme rregjistrimi vullnetarësh për në Serbi, pra tani gjithçka bëhet e organizuar.

Në këtë fushatë janë angazhuar disa parti, ku dallohen nacional-bolshevikët, nacionalistët, komunistët e liberal-demokratët. Bie në sy veçanërisht rregjistrimi i të rinjve si dhe ish – ushtarakëve të liruar nga reforma në ushtri.

Sipas njoftimeve që u transmetuan sot,  të shoqëruara dhe me pamje, po kalohet nga regjistrimi në organizimin e njësive ushtarake, disa prej të cilave kanë filluar dhe stërvitjet tekniko-taktike për t’u përgatitur për luftë. Thuhet se në Sankt-Petërburg është krijuar një njësi e madhe, e cila, sipas një ushtaraku,  i emëruar komandant i saj, së shpejti do të niset ilegalisht, në grupe të vogla në Evropë e, prej aty, në Jugosllavi. Në Kaliningrad thuhet se është krijuar një njësi e tillë me rreth 3000 vetë, e cila po përgatitet për t’u nisur drejt Ballkanit.

Në njoftimet që transmetohen, thuhet se preferohen ish – oficerë që kanë luftuar në Afganistan dhe Çeçeni.

Duket e pabesueshme, por fatkeqësisht e vërtetë, deklarata e Komandantit të Qarkut Ushtarak të Lindjes së Largme, gjeneralit Çiçikatov, i cili u prononcua publikisht se është gati të shkojë në Jugosllavi, ne krye të një njësie ushtarake vullnetarësh. Dhe këtij gjenerali që komandon grupime të tilla ushtarake, në rajone me siperfaqe disa herë më të madhe se Ballkani, ëe pajisura me të gjitha armët me moderne të kohës së sotme, jo vetëm që  nuk i thotë askush asnjë fjalë për deklarata të tilla, por, me sa shihet, edhe nxitet e lavdërohet nga politikanë të lartë të Rusisë…

Duhet thënë se, krahas atyre që nxisin histerinë e luftës e që organizojnë regjistrimin e nisjen e vullnetarëve, ka edhe prej atyre që e kuptojne situatën dhe e kundërshtojnë këtë veprimtari, me arsyetimin se  “nuk duhet të derdhim gjak jashtë Rusisë”, se “regjistrimi i vullnetarëve është një lojë djallëzore e armiqve të Rusisë që duan ta fusin atë në luftë”, ose “Përse ne, për të plotësuar tekat e një njeriu si Millosheviçi duhet të dërgojmë vullnetarë në Jugosllavi?” etj.

Sipas njoftimeve që jep media ruse, deri tani janë rregjistruar mbi 70 mijë vullnetarë për të shkuar në Jugosllavi, në ndihmë të serbëve kundër NATO-s e shqiptarëve dhe rregjistrimi vazhdon….

Sot rreth orës 13, ndodhi një ngjarje e çuditshme. Nga një maqinë e ndaluar perballë ambasadës, doli një person me nje lloj arme në dorë, diçka në formë granatehedhësi dhe iu drejtua ambasadës për të qëlluar. Arma iu “bllokua“ dhe ai menjëherë u fut në makinën që e priste e ndezur. Policia u përpoq ta ndalonte maqinën, por nga brenda saj, u qellua me breshëri automatiku. Nuk u muar vesh kundër kujt. Gjithshka u transmetua nga të gjitha kanalet televizive, por asgjë konkrete nuk u kuptua. Nuk u njoftua për viktima. Thuhet se po punohet për kapjen e autorëve…

***

U bënë pesë dite nga dita e parë e bombardimeve dhe media ruse vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim. Asnjë fjalë për shqiptarët e Kosovës. Gazetat, radiot e televizionet heshtin. Jepen vetëm pamje nga bombardimet e aleatëve e dëmet që ato po i shkaktojnë popullsisë civile e ekonomisë jugosllave. Asnjë fjalë për dhunën, krimet, vrasjet e shpërnguljet masive të shqiptarëve, për shkretimin e Kosovës.

Një koordinim e sinkronizim i përsosur i të gjithë propagandës ruse. Gjithçka që thuhet është në favor të serbëve. Ku janë ata njerëz, gazeta apo kanale televizive, vërtetë të pakta, tepër të pakta, por që para fillimit të bombardimeve e kanë ngritur nganjëherë zërin e kanë folur e shkruar të vërtetën për ne, për gjendjen e rëndë të vëllezërve tane në Kosovë, për padrejtësitë shekullore ndaj nesh?.

Te jenë të vërteta fjalët që qarkullojnë në radhët e diplomatëve të akredituar në Moskë, se me fillimin e bombardimeve, udhëheqja ruse e, personalisht vetë presidenti Jelcin, kanë organizuar një takim me drejtuesit kryesorë të mjeteve të informimit publik, ku u janë dhënë udhëzime e porosi për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj këtij problemi?. Siç më kanë thënë disa ambasadorë, aty janë dhënë udhëzime për të ruajtur të njëjtën linjë, duke e trajtuar atë si agresion kundër një vendi të pavarur  e se kjo duhet bërë për interes të Rusisë.

 

29.03.1999

Të gjitha mjetet e informimit masiv njoftojnë se sot filloi stërvitjen Flota Ushtarako – Detare e Rusisë. Fllota e Veriut do të nxjerrë në det anije aeroplanmbajtëse dhe nëndetëse bërthamore. Po ashtu filloi stërvitjen në ujra të hapura Flota e Oqeanit të Qetë.

Në njoftimin zyrtar që u dha me këtë rast nuk jepen hollësira, por, sipas një komenti të kanalit televiziv NTV, kjo stërvitje e madhe është e lidhur me situatën e krijuar në Ballkan, si rezultat i bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë.

Të jetë propagandë apo stërvitje e vërtetë për t’i bërë presion NATO-s?. Edhe njëra, edhe tjetra. Por, për mendimin tim, kurrësesi përgatitje për konfrontime ushtarake me NATO-n. Rusia, realisht, nuk do dhe nuk ka këllqe për aventura të tilla. Një pjesë e udhëheqësve të Rusisë, ku unë do të veçoja presidentin Jelcin, janë kundër veprimeve të tilla. “Skifterët“ bëjnë punën e tyre, flasin e propagandojnë, kërkojnë të hiqet embargo ndaj Jugosllavisë, t’i jepen asaj armatime moderne, madje edhe komplekse raketash S-300, të rregjistrojnë vullnetarë për të shkuar në Kosovë e janë gati ta fusin Rusinë në luftë.  Me sa shihet këto i pëlqejnë e i shërbejnë edhe disa politikanëve  të moderuar rusë…

Në një deklaratë të ministrit të jashtëm Ivanov, marrim vesh se grupi i Gajdarit, Njemcovit etj. që u nis dje për Jugosllavi e prej aty në Romë e Vashington, nuk ka marrë asnjë  lloj mandati as nga Ministria e Jashtme e as nga Presidenti. Para nisjes, në intervistat që dhanë  në aeroport, ata u shprehen se janë takuar me ministrin e jashtëm Ivanov dhe se kanë komunikuar e marrë aprovimin e Presidentit.

Kujt t’i besosh!

Nuk jepen hollësira për këtë vizitë, por duke marrë shkas prej saj, kanali televiziv NTV transmetoi një intervistë ekskluzive për teleshikuesin rus të Vuk Drashkoviçit, ku, ndërmjet tjerave ai tha:

– SHBA dhe NATO kanë për qëllim t’i shkëpusin Kosovën Serbisë dhe t’ia bashkojnë Shqipërisë, duke krijuar kështu Shqipërinë e Madhe, një shtet mysliman në qendër të Evropës.

– Klark ka deklaruar se ne do ta shkatërrojmë ushtrinë jugosllave dhe, në vend të saj, do të krijojmë një ushtri të fuqishme shqiptare.

Presidenti amerikan Klinton na është drejtuar para dy ditësh me kërkesën për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve dhe për të pranuar autonominë e Kosovës brenda Serbisë dhe për të ndërprerë bombardimet. Qëndrimi ynë është i prerë e kategorik: pa ndërprerë bombardimet, ne nuk pranojmë të bisedojmë zyrtarisht me askënd.

Marrim vesh se në kuadrin e përpjekjeve të Rusisë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, nesër do të niset për Beograd kryeministri rus E. Primakov, i shoqëruar nga ministri i mbrojtjes Sergejev dhe ai i jashtëm Ivanov. Sipas njoftimeve të dhëna, ky delegacion, prej Beogradit do të shkojë në Bon,  ku do të diskutojë me zyrtarë të lartë të Grupit  të Kontaktit.

Për herë të parë, që nga dita e parë e fillimit të bombardimeve, sot në lajmet e orës 12, kanali televiziv NTV dha një lajm për situatën tepër të rëndë humanitare në Kosovë. Lajmi shoqërohej me pamje të regjistruara në Kosovë dhe me intervista të shqiptarëve. Pamje rrëqethëse. Shqiptarë që i dëbojnë, që i vrasin, qe i përdhunojnë…

Të lumtë NTV, them me vete.

30.03.1999

Përsëri një ditë e mbushur me ngjarje e veprimtari intensive

Sot mora pjesë, si i ftuar në mbledhjen vjetore, tashmë tradicionale, të Dumës Shtetërore dhe Këshillit të Federatës të Rusisë. Sipas një tradite të viteve të fundit, presidenti Jelcin çdo vit organizon  një takim të veçantë me deputetet e Dumës Shtetërore dhe të Këshillit të Federatës, ku ftohen dhe ambasadorët e akredituar në Rusi. Edhe këtë vit ai iu drejtua deputetëve dhe senatorëve me një mesazh mbi gjendjen në vend dhe drejtimet kryesore të politikës së Federatës Ruse.

Takimin e hapi kryetari i Këshillit të Federatës, J. Strojev, i cili, ndër të tjera tha se “Mesazhi i përvitshëm i presidentit bëhet në kushte të jashtëzakonshme, që lidhen me vështirësitë e brendshme dhe me agresionin e NATO-s kundër Jugosllavisë”.

Siç pritej, Jelcini foli për “agresionin” kundër Jugosllavisë, por toni ishte më i zbutur, jo shumë agresiv, madje, për zhvillimet në Rusi, deri diku i moderuar e paqetues. Ai, në ndryshim me dëshirën e shumë deputetëve, foli kundër ekstremistëve, madje i akuzoi rëndë ata. Për të, kryesorja ishte gjendja e brendshme, kapërcimi i krizës që po kalon Rusia, uniteti brenda vendit etj. Indirekt ai akuzoi qeverinë, ndërsa Dumën Shtetërore e quajti si shkaktare të krizës. Nga fjala e tij, më tërhoqen vëmendjen:

“- Mesazhi vjetor mbahet në një moment dramatik, kur është ndërmarrë një agresion i hapur ushtarak kundër një vendi sovran, në kundërshtim me normat e OKB-së.

– Kriza e shkaktuar, nuk duhet parë e trajtuar emocionalisht, por me gjakftohtësi. Rusia nuk do të futet në luftë, në konflikt.

-Sot nisa në Beograd kryeministrin dhe disa ministra dhe mendoj se ata do të zgjidhin shumë probleme.

– Sot, më shumë se kurrë ndjehet ekstremizmi. Ka njerëz që duan, që ne të kthehemi prapa tek centralizmi e planifikimi, tek Lufta e Ftohtë, madje ka nga ata që hartojnë plane revanshi.

– Ne na duhen si të majtët dhe të djathtët, por ekstremizmi që po ngre krye duhet të ndalet

– Shumë njerëz mendojnë se Rusia sot është e dobët, se ajo nuk është e zonja të rregulloje punët e veta, por ata të gjithë gabojnë. Rusia nuk duhet konsideruar shtet i dorës së dytë.

– Në mijëvjeçarin e tretë Rusia do të hyjë e fortë dhe kjo do të jetë epoka e Rusisë”

Në morinë e lajmeve e njoftimeve të ndryshme që jepen lidhur me Jugosllavinë, ështe njoftuar se është ndaluar në Baku (Azerbaixhan) një avion rus, në bordin e të cilit u gjënden gjashtë avionë MIG-21 të çmontuar si dhe disa raketa të prodhimit rus, të cilat sipas zëdhënësit të presidentit azerbaixhanas, Alijev, ishin nisur për Jugosllavi. Mbas kësaj, rusët dhanë disa herë lajme kontradiktore. Herë u tha se ishin nisur për Azi, here për Afrikë e herë për në Evropën Qendrore,  drejt Sllovakisë e R. Çeke. Por përfaqësuesit zyrtarë të këtyre të fundit e hodhën poshtë. Për të gjithë u bë e qartë se avioni ishte nisur për Jugosllavi, pavarësisht në se ishte nisur nga mafia ruse apo nga ndërmarrjet ushtarake ruse që merren me tregtimin e armatimeve, pra nga shteti rus.

Sot Presidenti i Azerbaixhanit, G.Alijev, tha se do ta lironte avionin rus, por me kusht qe ai të kthehej në Moskë!

Gazeta “Sevodnja” botoi një intervistë të ministrit të jashtëm ,Ivanov. Zoti ministër na zbuloi para opinioni publik rus “djallëzitë e sjelljet teatrale” të shqiptarëve. Të jetë një njeri i painformuar nga gubernat e thella të Rusisë edhe mund t’i falen gafa të tilla, por atij, në asnjë mënyrë,  nuk i falen gjëra të tilla. Turp të ketë para historisë, sepse gjithçka e bën per t’i ardhur në ndihmë Millosheviçit…

Në kohën kur gjithë bota flet për vrasje e dhunë në Kosovë, për shpërngulje masive e gjenocid, madje edhe kur kanali televiziv rus NTV jep pamje rrëqethëse nga Kosova, ai deklaroi : “Flitet shumë për gjenocid nga ana e serbëve në Kosovë, por këto janë më shumë sjellje teatrale të shqiptarëve për të bindur botën se aty po bëhet gjenocid”. E më poshtë vazhdoi: “Nënshkrimi i marrëveshjes në Paris nga shqiptarët, ka qenë një veprim djallëzor i tyre, i paramenduar dhe i nxitur nga amerikanët për të krijuar pretekste që NATO të bombardonte Jugosllavinë….Gjatë tërheqjes së vëzhguesve të OSBE-së nga Kosova, vendet e NATO-s kanë lënë atje disa të tillë me detyra speciale. Ata sot në bashkëpunim me shqiptarët e terroristët e UÇK-së, sinjalizojnë shtetet e NATO-s për përqendrimet dhe lëvizjet e ushtrisë jugosllave, në mënyrë që NATO të godasë aty ku duhet”.

***

Zhvillimet në Rusi gjatë ditës së sotme janë kontradiktore me ato që dëgjuam sot nga goja e Jelcinit. Siç u njoftua sonte në darkë, një pjesë e Flotës së Detit të Zi, e përbërë nga shtatë anije ushtarake, ndërmjet të cilave dhe nëndetëse, do të niset nga Deti i Zi, përmes Bosforit dhe Dardaneleve për në Detin Adriatik. Për këtë,  u tha në njoftimin zyrtar, Rusia i ka kërkuar zyrtarisht Turqisë, që në bazë të Marrëveshjes së Montrosë të  vitit .1936, anijet ushtarake ruse duhet të lejohen të kalojnë nepër ngushticat turke.

Në kanale të ndryshme televizive pamë edhe përgatitjet e kësaj flote për t’u nisur për udhëtim.

Po ashtu u njoftua se edhe Flota e Veriut ka dalë në det të hapur për stërvitje.

Ushtarakët rusë vazhdojnë të tregojnë dhëmbët. Vallë ta bëjnë në kokën e tyre? E pamundur. Këtu, sipas Kushtetutës Ruse, presidenti është gjithçka. Asgjë nuk mund të bëhet pa dijeninë e tij. Mund të bëhen llafe, deklarata, intervista, por kurrsesi të lëvizen trupa ushtarake, për më tepër të vihet në gatishmëri e gjithë Flota Ushtarako – Detare e Rusisë, qe nga Deti i Veriut, në Oqeanin e Qetë e deri në Detin Mesdhe.

Vizita e kryeministrit Primakov në Beograd vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Në një intervistë që dha Primakovi, mbas kthimit nga Beogradi, ndërmjet të tjerave tha se : “Bisedimet kanë qenë tepër të vështira. Ato kanë zgjatur mbi gjashtë orë, por kanë qenë rezultative. Njëkohësisht ato janë një sinjal pozitiv për NATO-n. Millosheviçi është gati që, në rast ndërprerjeje  të bombardimeve, problemi të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve. Gjatë bisedimeve është e domosdoshme që të mbrohen interesat e të gjitha grupeve etnike e fetare në Kosovë. Me ndërprerjen e bombardimeve, Millosheviçi është gati të ulë numrin e trupave ushtarake në Kosovë, me kusht që të çarmatoset UÇK-ja. Ai është gati të zgjidhë problemin e refugjatëve të cilët mund të kthehen në Kosovë. Qendrimet dhe veprimet e Millosheviçit duhen konsideruar si një qendrim i mire.

Gjatë kohës që po fliste Primakovi, ministri i jashtëm Ivanov që ishte në krah të tij, ndërhyri dhe tha se : “Pas fillimit të bombardimeve gjendja brenda NATO-s është përkeqësuar. Veprimet e situata e krijuar, kanë permbysur të gjitha bisedimet e mëparshme. Tani duhet ndërmarrë një hap tjetër për bisedime me Beogradin, por për këtë duhet ndërprerë agresioni i NATO-s kundër Jugosllavisë”

Gjatë kësaj vizite, ai shoqërohej, ndërmjet të tjerëve, edhe nga ministri i mbrojtjes, Sergejev, shefi i Sherbimit të Zbulimit te Jashtëm, Shefi i Drejtorisë  Qendrore të Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm etj. Mjaft e dyshimtë prania e këtyre të fundit, por edhe kuptimplote….

Siç bëhet e ditur nga disa agjenci lajmesh, me t’u nisur avioni i Primakovit nga Beogradi, aeroporti u godit nga avionët e NATO-s, ç’ka, për disa është sinjal i fortë kundër Rusisë për qëndrimet e saj.

Prej Beogradit ai shkoi në RF Gjermene, ku pati një takim me Shrederin. Primakovi la të kuptohej se kishte mbetur i pakënaqur nga takimi me të. Sipas burimeve dipllomatike, Shrederit nuk i kishin pëlqyer aspak ato që Primakovi i quante si “avancime në qendrimin e Millosheviçit”.

Sipas komenteve të para, kjo vizitë e kryeministrit rus në Beograd, nuk dha ndonjë rezultat, madje më shume komentohet si dështim.

Për të sqaruar opinionin rreth kësaj vizite si dhe për zhvillimet e fundit rreth Jugosllavisë, përsëri dolën bashkë diplomacia dhe ushtria, ministrat përkatës Ivanov dhe Sergejev.  U përsëritën pak a shumë ato që  janë thëne gjithë këto ditë.

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse

(Vijon)

March 29, 2019 12:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim