S.O.S. Shpirti rebel

Nga Ilir Metaj September 7, 2014 11:20

S.O.S. Shpirti rebel

“Ndërsa llojet e muzikës në përgjithësi tentojnë të tregojnë që çdo gjë është “ok”, muzika rock tregon që jo çdo gjë është “ok”, por t’i mund ta ndryshosh këtë”./ Bono – U2

 

Intro

Muzika rock nuk është thjesht një mënyrë konsumi në gamën e gjerë të zbavitjes apo kalimit të kohës. Muzika rock është një filozofi tek e cila gjithkush është i lirë të provojë të kërkojë veten e t’i bashkohet nëse kjo vetë gjendet aty.

Fillimet e rreshtimit të vrullshëm e krejt të vullnetshëm në “detashmentin rock” përkojnë jo rastësisht me mesin e viteve 1950. Vite që rridhnin në dukje nën të njëjtën shushurimë të një naiviteti konformist e të pafajshëm si vitet paraardhëse.

Por dukej kështu derisa muzika rock hyri vrullshëm e pa leje në tablo, duke shkundur gjithçka përreth e duke zbuluar nën pluhur idealet e vërteta të një rinie rebele, të një rinie që kërkonte ndryshim, e gatshme të derdhte energjinë e zjarrtë të shpirtit të vet në altarin e këtij ndryshimi.

Ritmi rock u bë kështu tam-tam-i i një fryme të re që ftonte gjithkënd rreth vetes për t’u nisur në rrugën e re, ne rrugën e panjohur të rinisë që nuk vegjeton po reformon, që nuk bie dakord por rebelon në kërkim të të bukurës, madhështores, asaj që ta ngre shpirtin lart e nuk të lejon të zvarritesh në pritje të shuarjes.

Kur botës iu desh të përballej me çështje si racizmi, lufta për njeriun e lirë, ekologjia, uria, korrupsioni etj, muzika rock ishte aty duke prodhuar tingujt që flisnin të njëjtën gjuhë e duke prirë gjithmonë një hap përpara skalioneve.

Muzika rock i transformoi këto beteja në një mision jete për rininë mbarëbotërore. Brezat e ndryshëm të muzikës rock nuk është se krijuan një sistem më vete, as ndonjë fondacion politik apo social, por thjesht mbajtën gjallë mosbindjen dhe mosdëshirën për të pranuar që “ajo që kemi është mjaftueshëm e mirë”.

Nuk është se mënyrat e tjera të predikimit për të arritur qëllime të larta, siç edhe muzika rock, janë joefikase. Ka politikanë që organizojnë mitingje, ka filozofë që shkruajnë libra, ka vullnetarë që organizojnë seminare apo workshop-e, por asnjë prej tyre nuk e ka mundësinë e komunikimit shpirtëror me 10-15 milionë njerëz të grumbulluar në një tur botëror, sikurse e ka një grup i muzikës rock.

Librat, seminaret, takimet etj, kanë rëndësinë e tyre të padiskutueshme, por gjithmonë nën një tis protokollar ngadalësie e qetësie etike, shumë më ndryshe nga masiviteti, vrulli, energjia e shkujdesja e rock-ut të rebelëve.

Të rinjtë e sotëm në botë, ashtu sikurse edhe brezat e kaluar vazhdojnë të mos pranojnë që “ajo që kemi është mjaftueshëm e mirë”. Ata, nën trashëgiminë e kolonave zanore të Rolling Stones, Beatles, Black Sabath, Pink Floyd, Scorpions, U-2, Metallica, Muse, etj vazhdojnë sot e gjithë ditën të përballen fort me sistemin duke e detyruar atë të lëvizë para me sukses nën ritmin e revolucioneve kulturore, sociale dhe jo vetëm. Shpirti rebel i rinisë rockere i indukton sistemit aspiratën e tyre për një botë më të mirë. Kjo është në fund të fundit edhe filozofia e muzikës rock . Ky është misioni i saj mbajtur gjallë nga shpirti i të rinjve rebelë në gjithë botën.

Makth

Po rinia jonë, ku është në këtë aradhë? Do vazhdojë të sodisë indiferente se si shpirtin rebel, po e zëvendëson duhma mpakëse e tallavasë?

Për fat të keq, sot ka fare pak gjurmë nga trashëgimia tronditëse e rinisë të viteve ‘90. Ritmi i shpirtrave që po zgjoheshin në kërkim të ndryshimit, të derdhur me zjarr në tingujt rock të atij brezi aq të pastër, aq të munduar, aq të sakrifikuar e aq poetik, duhet mund t’i gjesh nëpër pluhurin e fonotekave. Tashmë kitarën e ka zëvendësuar klarineta…. elektronike.

Të rinjtë në botë vazhdojnë të këndojnë “Shock to the system!”

Rinia jonë sot këndon “Jashaaaaaa.”

Të rinjtë në botë i organizojnë mbrëmjet e maturës nëpër palestra, duke kërcyer e kënduar nën ritmet live të grupeve rock.

Maturantët tanë i organizojnë mbrëmjet e maturës nëpër restorante luksoze, me pjatat e mishit apo të peshkut përpara, nën ritmin e tallavasë të DJ të lagjes.

Të rinjtë nëpër botë tejmbushin stadiumet në koncerte rock, në një kohë që në Shqipëri , Def Leppard e Whitesnakes u ndjenë keq tek panë që skenën e koncertit të tyre në “Qemal Stafa” organizatorët e kishin bërë pas portës, sepse pjesëmarrësit ishin aq të paktë në numër. Me siguri atë natë Joe Elliot dhe David Coverdale ishin të pafatë sepse do ketë patur ndonjë koncert paralel të Genës apo Sinan Hoxhës me kompani. Jashaaaaaaa…..

“Mbajeni zjarrin ndezur!”

Të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë.

Më shumë për muzikën rock, për poetikën rock, për legjendat e muzikës rock, për revolucionet kulturore, për rëndësinë e shpirtit rebel, për mosbindjet e të rinjve ndaj “kjo që kemi është mjaftueshëm mirë”, për historinë, rëndesinë dhe misionin e muzikës rock.

Duhet të bëjmë përpjekjet të futemi në organizimet e përvitshme botërore të koncerteve rock. Ka mjaft shembuj: Wacken Open Air, Rock Am Ring (Gjermani), Unirock Open Air (Turqi), Vagos Open Air (Portugali), Metal Camp (Slloveni), Masters of Rock (Çeki), Tuska Open Air (Finlandë), Download Festival (Angli), Roskilde Festival (Danimarkë), Rock on the Range, Ozzfest (SHBA) etj, etj.

Mediat duhet ta përthithin këtë si misionin e tyre kulturor. Ka ardhur koha që mediat t’i bëjnë një shërbim të ardhmes së këtij vendi përmes kulturës. Deri tani për muzikën rock ka patur hapësirë dhe mundësi promovimi për grupet e reja vetëm në Top-Fest, por për fat të keq vihet re që edhe kjo hapësirë ka ardhur në zvogëlim e sipër, me gjithë përpjekjet e disa të rinjve të paktë idealistë, që po i rrinë besnik ëndrrës së tyre rock me çdo kosto.

I keni parë sa të bukura i kanë edhe fytyrat këta djem?

Një apo dy stacione radio janë tepër pak. Së fundmi është për t’u përgëzuar e mbështetur fort përpjekja e Elton Dedës me “Rockstock Festival”. Por duhet shumë më shumë. Duhet ta pranojë si misionin e saj kulturor, pse jo, edhe qeveria. Shenjat janë optimiste tek vihet re që këtë verë ka patur disa inisiativa të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në orientimin e festave verore të të rinjve drejt muzikës rock. Në çdo rast, këto tregojnë që shpirti rebel është ende gjallë. Duhet vetëm ta shpluhurosim.

“Come gather around people wherever you roam

And admit that the waters around you have grown

And accept it that soon you’ll be drenched to the bone

If your time to you is worth savin’

Then you better start swimming or you’ll sink like a stone

For the times they are a-changin’ . . . Bob Dylan

Nga Ilir Metaj September 7, 2014 11:20
Komento

8 Komente

  1. xhani September 7, 11:30

    Rock it loud Ilir. Shkrim shume i bukur dhe teme qe mungon neper media edhe sado qe eshte shqetesim mjaft i thelle e i ndjere. Ah brezi 90. E ku vine me ata djem e vajza pasionante aq te paster vertete dhe aq te talentuar. Tani rinine e ka mbytur iphoni dhe tallavaja edhe kafja ulur gjithe diten ne lokal. Parazite. Dembele. Shpirti rebel ka humbur per fat te keq Ilir. Nuk ka me shance.

    Reply to this comment
  2. Enkeleida September 7, 11:38

    te lumte mendja dhe dora Ilir !!!!!!!!!! Mire e thua, po kujt ia thua !!!!!!

    Reply to this comment
  3. scorpions September 7, 11:43

    Ah c’ma kenaqe shpirtin me kete shkrim or Ilir Meta. Sa me shume si ty do zoti.

    Reply to this comment
  4. rockforever September 7, 11:55

    kush do e mbaj gjalle shpirtin e viteve 90 ?! keta kafexhinjte virtual ?! keta jane brezi jashaxjinjve o shoku. jane ende brezi i 90 qe e mban gjall kete vend dhe i jep shpres per me mire.

    Reply to this comment
  5. matura 90 September 7, 12:00

    Ishin te rinj te paster e mbase pak naiv. Po ai brez nuk perseritet me ne ato cilesi aq te mira. Ai brez e ndryshoi Shqiperin. Edhe atehere kishte arixhinj e klarineta po nuk kishin vend mes te rinjve po degjoheshin vetem atje ku kane vendin. Rock, poezi dhe shpirt te paster. Ah ai brez i arte e i sakrifikuar. Dhe per cfar? Per te patur pasardhes kete brez tallavaje. Ah te dh…

    Reply to this comment
  6. HELIDON September 7, 12:32

    FIKS FARE. MATURANTET TANE ZIHEN SHKOLLE ME SHKOLLE KUSH TE ZERI RESTORANTIN ME LUKSOZ E KUSH TE POROSITE MEUNE ME TE MIRE DHE PASI HARXHOJNE LEKET ME USHQIMIN QE MBUSHN ZORRET EDHE MBREMJEN E MATURES ME ATO PAK LEKE QE U KANE NGELE MARIN DJ E LAGJES EDHE JASHAAAA ME BUZET TE NGJYERA ME VAJ USHQIMI E MAJONEZE. JASHAAAA U BEFSHI SE NA E SHPIFET .

    Reply to this comment
  7. lona September 7, 13:03

    Jam dakort me shkrimin.
    Duhet te kete hapesire dhe perkushtim per muziken qe mbushi rinine tone nga ministria perkatese apo nga TV kombetare dhe private .
    Si mos te revoltohesh me tallavate qe mbushin lokalet dhe pubet sot.
    Kam nostalgji te vecante per ato kohera

    Reply to this comment
  8. nbr September 7, 13:07

    Muzika është shprehje e ndjenjave të cilat reflektojnë mendësinë.
    Sipas këndvështrimit për botën që të rrethon, sasi-thellësinë e vetënjohjes, do të jetë edhe cilësia e muzikës që prodhon dhe dëgjon.
    Kështu që, botëkuptimin dhe tejkqyrjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve e pasqyron muzika që kumbon në çdo qoshe të këtij vendi të vogël e të prapambetur.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim