SA MBJELL, JO SA…

Nga Faslli Haliti September 25, 2013 16:12

SA MBJELL, JO SA…

Si u sëmur xhaxhai dhe vëllai i madh iku ushtar, më ra mua barra të lëroja tokën; të mbillja, të prashisja, të korrja, deri dhe të shkoja për të bluar nga mulliri në mulli me thesin me misër në kurriz..

Edhe pse në moshë të njomë, s’e kuptoja zellin dhe pasionin, dashurinë time për të lëruar tokën. Nuk isha i bëshëm. Përkundrazi isha trupvogël. Madje xhaxhai më thërriste Koni. Gjatë lërimit seç ç’ndjeja një gufmim në shpirt kur shihja gjoksin e ardhur të tokës që gufonte, kur plugu e çante e i përmbyste plisat që krijonin gërsheta, anash, në të djathtë të qeve. Ugari i zi avullonte në diellin e vakët të prillit dhe mbulohej me një avull që pluskonte si mjegull. Prapa  meje gjatë brazdës më ndiqnin pulëbardhat që gjuanin krimbat e dheut që nxirrte plugu. Unë, herë pas here, ktheja kokën, shikoja zogjtë e bardhë që uleshin mbi gërshetat e brazdave me krahët lart e që më dukeshin si fjongot e bardha të motrës mbi ugar duke më krijuar një. ndjenjë kënaqësi dhe çlodhjeje.

Bujqit thoshin se unë më shumë dëshiroja të shihja pulëbardhat që më ndiqnin prapa se sa të lëroja arën. Në të vërtet unë si adoleshent që isha, më pëlqente edhe të lëroja edhe të shikoja zogjtë e bardhë që më vinin pas me klithma që mbase ishin edhe zënka zogjsh për gjuajtje krimbash.

Një ditë, pas një vesë shiu prilli në arën e ledhit, plugova si fëmijë i çmendur. Përroi  e kishte mbathur me ledh arën te Mani i Shefës dhe unë bëra kërdinë, përmbysa gati tre-katër dynymë tokë. Pushime për të çlodhur qetë i bëra të  shkurtra, madje dhe vetë, drekën e hëngra ne këmbë pothuaj. Pas ngrënies së ngutshme të bukës torbën e vara në një degë të manit, që të mos mbushej me miza. E shikoja sipërfaqen e pluguar dhe më dukej shumë e madhe, mbase nga që isha ende i vogël për një punë kaq të rëndë. Ugari nxinte. Aty – këtu plisat e njomë të arës çonin avull nën rrezet e diellit të vakët të prillit. Po e ndjeja veten bujk si xhaxhai. Sikur të ngrihej xhaxhai nga shtrati të shikonte sa tokë kisha përmbysur do të më thoshte, aferim nipçe, aferim, të lumtë decka,  po ma kalon edhe mua. Ti do bëhesh bujk më i mirë se unë. Po po, më i mirë se unë e se gjithë bujqit e kësaj ane do të jesh. «Po, po, thashë me vete, i mirë i mirë, po më i mirë se Jani Lala që çan brazdën pe të drejtë, si t’i vinte rrezen e diellit në vend të spangos për të mbajtur drejtimin. Jani Lala për mua ishte bujku që unë e kisha model që s’i gjendej shoku në botë e jo më midis ne bujqve të fshatit. Kishe qejf t’i shikoje rreshtat e  misrit apo pambukut të tij, dylbi të drejtë.

Po një mbas dite, në vend të xhaxhai më erdhi Demir Daka, fqinji, me të cilin i kishim arat afër me njeri-tjetri. «Punë të mbarë, më tha Demiri». Ai e pa ugarin e lëruar dhe picërroi pak sytë sipër të matur shtrirjen e sipërfaqes së lëruar.

-E shikon xha Demiri ç’hata kam bërë, kam përmbysur dynjanë e tokës. S’e kap dot syri gjithë këtë ugar që unë ka lëruar e përmbysur sot.

Demir Dakën e mbanin për dembel të madh ose më mirë e mbanin për dembelhane. Thuhej se ai rrinte shtrirë në mys të arës, me pëllëmbën te veshi e bërrylin të mbështetur në tokë. Thuhej se kështu e zinte gjumi duke kënduar këngën e tij të famshme:

 

Tarnana, tarnana,

Tarnana Tahir aga.

 

Meqë Demirin e përflisnin si dembel, unë doja t’i tregoja atij se, ja edhe një kalama si unë, punonte e nuk rrinte si ai në mys të arës me bërrylin ngulur në tokë si pykë e t’ia kriste gjumit duke i lënë qetë të përtypeshin gjithë ditën në mes të arës. Por xha Demiri, jo se e nuhati, ku rrihja unë, po nuk e duroj krekosjen, vanitetin time, nuk e gëlltiti që unë një bythe kalamani  po i shisja pordhë atij që ishte në moshën e babai tim. Në vend që për sipërfaqen e lëruar të më thoshte të lumtë çuka, siç e kishte zakon ai të thoshte kur ishte në humor të mirë, përkundrazi, më tha:

«Dëgjo, or çuni i Halitit, nuk është puna sa  lëron, por sa mbjell e sa korë, sa arrin të fusësh në gazhdare…»

Nuk e desha veten, kur e dëgjova të më fliste kështu, pa më thënë qoftë edhe një fjalë të mirë dhe, pa më përgëzuar me shprehjen e tij të famshme, «të lumtë çuka». Rashë në përhumbje. Pastaj u pikëllova, po plasja nga inati. Gjithë ai burrë, sa një buall, nuk më tha të paktën «të lumshin krahët», siç e  kishin zakon të thoshin, pothuaj, gjithë bujqit,.

Nisa të them me vete: … po sikur të ndodhte vërtetë që ugari të thahej ende pa e mbjellë. Vapa  po shtrëngonte çdo ditë e më shumë. Dielli  po digjte. Po afrohej zhegu… Sikur vërtetë të mos arrija ta mbillja atë ugar që shtrihej sa s’ta zinte syri…?

Unë lërova vërtetë, por nuk mbolla. Toka nuk kishte pikë vlage. Ishte e kotë të harxhoje farën. Ishin vite zie dhe një kokër misri ishte jetë njeriu. Pramdaj gjithë ajo arë s’u mboll, por mbeti ugar ku tërbonn kërkutat dhe rrodhja.

Si, si më tha Demir Daka atë  pasdite prilli, buzë ugarit?:

«Nuk është puna sa lëron, por sa mbjell».

Lërova sa u këputa, por nuk mbolla…!

Edh pse dembel, i doli fjala Demirit…

 

Nga Faslli Haliti September 25, 2013 16:12
Komento

2 Komente

  1. IDJOTI BATHORES September 26, 09:26

    BRAVO! Arti matet me pak ka thene nje kritiku i madh rus.Ky shkrim ka vlera shume me teper se tere paçavuret e FEVZINJVE ne keto 22 vjet.

    Reply to this comment
  2. lisdushku September 26, 10:39

    Mbolle o poet,mbolle…!Mbolle ugaret e poezise,Ajo fare u rrit e u harlis dhe mbushi sheshet e shqiperise ne 1991.Medet!Zbriti shpellari me kose ne dore dhe i perpiu.
    Por prape rimbiu dhe u harlis,jane 1 milion vota ,jane 1milion kallinj te arte qe mbushen hambaret plot e perplot.Aferim djem,punoni tani!Edhe pse 23 vjet te mbrapshte.Cte bej me poeti Faslli Haliti per ju?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*