Sa qytete dhe fshatra ka Shqipëria?

Luan Shahollari April 7, 2014 12:55

Sa qytete dhe fshatra ka Shqipëria?

Harta_RrethetReforma administrative-territoriale nuk mund të arrijë objektivat e caktuar nëse nuk do të dihej sëpari numri real i qyteteve dhe fshatrave dhe të popullsisë së tyre në të gjitha komunat, bashkitë dhe qarqet e vendit. Këto qendra banimi përbëjnë bazën ku ngrihen dhe funksionojnë njësitë e qeverisjes vendore me organet e tyre përfaqësuese dhe ekzekutive.

Sipas nenit 5 të ligjit 8652/2000 për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, qytet, shpallet (me ligj) një qendër banimi e cila ka një plan perspektiv zhvillimi urban të miratuar. Kurse fshati krijohet në një territor me mbi 200 banorë me vendim të këshillit komunal.

Po sa qytete dhe fshatra ka Shqipëria sipas këtyre përcaktimeve? Duket si pyetje të cilës  mund t’i jepet një përgjigje të shpejtë. Të shpejtë po, por jo të saktë, pasi në këto dy dekadat e fundit nuk është bërë ndonjë “invetar” nëse ka “firuar” apo është shtuar ndonjë prej tyre.

 

Qytetet

Sipas censusit 2011, për herë të parë në Shqipëri, popullsia që banon në zonën urbane e ka kaluar numrin e popullsisë në zonën rurale në raportin 53, 5% me 46, 5%, kundrejt 42.2 % dhe 57.8 % më 2001, dhe 35.7% me 64.3% më 1989.  Pra, midis viteve 1989-2011, popullsia banuese në zonën urbane është rritur 17.8% duke u pakësuar me të njëjtën përqindje në zonën rurale.

Zakonisht zona urbane përfshin qytetet mbi territorin e të cilëve ngrihen kryesisht bashkitë, kurse zona rurale përfshin fshatrat, mbi të cilat ngrihen komunat.

Sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria deri në vitin 1990 ka pasur 67 qytete, në vitin 2000, 74 qytete, po kaq edhe vitet e fundit (2009).

Nëse u besojmë këtyre të dhënave del se, edhe pas dy e më shumë dekadave, në rrethin e Tropojës ka 3 qytete , në rrethin e Mirditës 4 qytete, në rrethin e Matit 3 qytete, në rrethin e Bulqizës 2 qytete, në rrethin e Kurbinit 3 qytete etj. Kami në Tropojë, Kurbneshi në Mirditë, sa për të sjellë ndonjë shembull, figurojnë si qytete vetëm për faktin se dikur janë shpallur qytete!

Para vitit 1990, qyteti ka qenë një njësi e ndarjes tokësore-administrative të vendit, me këshillin popullor dhe komitetin ekzekutiv e tij prandaj të dhënat kanë qenë të sakta. Mirëpo pas vitit 1990, ndodhën ndryshime të thella politike, ekonomike, sociale dhe demografike. Kështu, shumë qytete që lindën nga qendrat minerare apo industriale në vitet 1950-1980, si rrjedhojë e mbylljes të minierave, uzinave dhe fabrikave të pasurimit, pas vitit 1990 filluan të boshatisen. Papunësia dhe varfëria ishin dy faktorët kryesorë që nxitën largimin e popullsive të tyre drejtuar qendrave urbane apo rrethinave të qarqeve të Tiranës dhe Durrësit.

Tani, në vend të veçorive dalluese që karakterizojnë një qytet, kanë mbetur grumbull pallatesh apo shtëpish të rrënuara dhe pak njerëz, që rrojnë me ndihmë ekonomike. Statusi “de jure” i tyre është qytet pasi janë shpallur kështu me ligj nga Presidiumi i Kuvendit Popopull (para 1990) kurse në fakt ky status është shuar prej kohësh.

 

Fshatrat

Po sipas INSTAT, ka pasur 2848 fshatra në vitin 1990, 2962 fshatra në vitin 2000, dhe po kaq edhe tani! Po a mund të besohet që jetë rritur numri i fshatrave pas vitit 1990 deri në vitin 2000 dhe ky numër të ketë mbetur në vend në këto tre pesëvjeçarët e fundit? Në fakt, logjikisht i bie që të ketë ndodhur fenomeni i kundërt: që numri i tyre të ketë rënë për shkak se dallgët e lëvizjeve të popullsisë më shumë kanë prekur zonat rurale.

Gjatë viteve 1989-2011 numri i popullsisë ka rënë në 10 qarqe dhe është shtuar vetëm në 2 prej tyre: në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit.

Ritmi më i lartë i çpopullimit ka prekur fshatrat malore me burime jetese të kufizuara  të zonës verilindore (Shkodër, Kukës, Dibër) por edhe të zones jugë-lindore (Korçë, Gjirokastër) e të zonave të tjera. Sipas Censusit (regjistrimit) të popullsisë të vitit 2011, për herë të pare, qarku i Gjirokastrës është renditur i fundit me 72,176 banorë ose 2.6% të popullsisë banuese gjithsej në shkallë vendi, duke ia kaluar edhe qarku i Kukësit me 85,292 banorë ose 3%.

Me qindra fshatra, që dikur kishin qindra apo mijra banorë secili tani nuk kanë as 200 persona për t’u quajtur qendra të tilla banimi. Madje ka edhe “fshatra” ku popullsia e tyre numërohet me gishtat e duarve. Në shumë krahina apo komuna popullsia ka rënë në nivelet e fshatrave të vegjël. Sipas të dhënave të Censusit 2011, 70 komuna kishin mesatarisht secila nga 1,498 banorë, 24 të tjera nga 801 dhe 11 nga 385 banorë.

Kuptohet se sa e gjatë do të ishte lista me fshatrat që u ka mbetur vetëm emri. Prandaj është e nevojshme që të lehtësohet invetari me emërtime të tilla fshatrash.

Ka edhe një dukuri tjetër: shumë fshatra kanë marrë një zhvillim të tillë urbanistik, social-ekonomik dhe demografik që gjithnjë e më tepër po u ngjajnë qyteteve. Kështu psh Golemi i Kavajës apo Ksamili i Sarandës tani janë fshatra apo qytete? Përgjigjen e saktë të kësaj pyetjeje dhe të tjerave në raste të tilla vështirë se mund ta japin institucionet publike përkatëse.

 

Përfundim

Për një rindarje administrative-territoriale dhe krijimin e njësive të reja të qeverisjes vendore sëpari është e nevojshme të njihet numri i qendrave të banuara sipas kritereve të tanishme  ligjore për shpalljen e qyteteve dhe fshatrave. Pra, duhet bërë një “invetar” i këtyre vendbanimeve në të gjitha komunat, bashkitë e qarqet e vendit.

Por kjo nuk mjafton, pasi kriteret ligjore nuk janë të plota dhe të qarta për të dalluar një zonë urbane nga një rurale apo të ndërmjetëme. Prandaj, për të mbushur boshllëkun ligjor dhe institucional për emërtimin e qendrave të banuara qytet dhe fshat duhet të hartohet një ligj i veçantë me disa kritere bazë demografike, urbanistike, historike dhe social-ekonomike. Për caktimin e këtyre kritereve duhet të përshtatet legjislacioni i vendeve europiane këtë fushë.

Duke parashikuar se, në të ardhmen, nuk do të ketë qytet dhe fshat pa një plan rregullues të miratuar nga Këshilli i Ministrave do të ishte më e drejtë që edhe miratimin e shpalljes së tyre dhe të ndryshimit të statusit të tyre ta bënte i njëjti organ. Në këtë mënyrë kjo do të parandalohej krijimi i qendrave të banuara me shkelje urbanistike dhe pronësore dhe do të kishim fshatra dhe qytete sipas kritereve bashkohore.

 

*  *  *

Historik i Shkurtër i Ndarjes Administrativo-Territoriale të Shqipërisë

1912 – 1924

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, qeveria shqiptare pranoi organizimin administrativ të sanksionuar në “Kanunin e Përshtatshëm të Administratës Civile të Shqipërisë” të shpallur më 22 nëntor 1913, sipas të cilit vendi ndahej në prefektura me në krye prefektin. Më tej ishin nënprefekturat të drejtuara nga nënprefekti dhe krahina e drejtuar nga krahinori. Prefekturat ishin tetë: Berati, Dibra, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Shkodra dhe Vlora.

1925 – 1945

Organizimi dhë funksionimi i administratës vendore u përcaktuan sipas “Ligjit organik të bashkisë” të miratuar më 1921 dhë më pas, me Kodin Civil të miratuar në shkurt të vitit 1928. Njësia fillestare ishte fshati që drejtohej nga kryeplaku, i cili përgjithësisht zgjidhej nga mbledhja e popullit të fshatit. Bashkia ngrihej në qytete ose qendra rurale banimi me mbi 200 familje. Bashkia kishte në krye këshillin bashkiak të zgjedhur nga populli për çdo tre vjet. Bashkia drejtohej nga kryetari i zgjedhur nga populli. Në vitin 1928 u shtua edhe komuna si njësi e administrimit vendor. Ajo përfshinte disa fshatra dhe drejtohej nga kryetari, pranë të cilit qëndrontë këshilli i komunës i përbërë nga kryepleqtë e fshatrave.

Në vitin 1927 Shqipëria kishte 10 prefektura, 39 nënprefektura, dhe 69 krahina me 2351 fshatra.

Në vitin 1934 kishte 10 prefektura, 30 nënprefektura, 160 komuna me 2351 fshatra. Në vitin 1940 kishtë 10 prefektura, 30 nënprefektura, 23 bashki, 136 komuna dhë 2551 fshatra.

1945 – 1992

Pas vitit 1945, u bënë shumë ndryshime në strukturën e ndarjes administrative dhe në numrin e çdo elementi strukturor të kësaj ndarjeje.

Në vitin 1945 u ruajt  ndarja administrative me 10 prefektura dhe 61 nënprefektura, por u suprimuan komunat dhe bashkitë.

Në vitin 1946 u bë ndarja e re administrative me 10 prefektura, 39 nënprefektura dhe u fut në mënyrë të pjesshme lokaliteti.

Në vitin 1947 lokaliteti mori përparësi duke zëvendësuar komunën. Kështu, ndarja përbëhej nga prefektura, rrethi, lokaliteti me fshatra e qytete.

Në vitin 1953 qarku zëvendësoi prefekturën.

Në mes të viteve ‘50 u bë riorganizimi i ndarjes administrativo-territoriale në katër qarqe: Elbasan, Gjirokastër, Korçë, dhe Shkodër, me nga 3-4 rrethe në çdo qark. Berati, Durrësi, Fieri, Kukësi, Kruja, Lushnja, Mati, Peshkopia, Skrapari, Tirana, Tropoja, Vlora dhe qyteti i Tiranës dolën më vete në nivel rrethi. Ndarja vazhdoni me lokalitetet, fshatrat dhe qytetet.

Në korrik të vitit 1958  u suprimua qarku dhe u krijuan 26 rrethe. Qyteti i Tiranës ruajti nivelin e rrethit. Sipas kësaj ndarjë, kishte 26 rrethe, 203 lokalitete, 2655 fshatra, 39 qytete dhe disa nga këto kishin lagje.

Në vitin 1990 kishte 26 rrethe, 539 fshatra të bashkuara, 2848 fshatra, 67 qytete, 306 lagje qytetesh. Qyteti i Tiranës përbëhëj nga 3 rajone, të cilat përfshinin disa lagje.

1992 – 2013

Në vitin 1992, në bazë të nënit 1 të ligjit nr.7572, dt.10.06.1992 “Për organizimin dhë funksionimin eë pushtetit lokal” Këshilli i Ministrave në qershor 1992 bëri ndryshime në ndarjen administrativo-territoriale. Ai përcaktoi 36 rrethe, 44 bashki dhe 313 komuna. Në nivel rrethi, bashkie dhe komune u ngritën këshillat lokalë me të zgjedhur nga populli dhe kryetarët e bashkive dhe komunave si organ ekzekutiv të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Më pas, në bazë të ligjit nr.7608, dt.22.09.1992 “Për prefekturat”  u krijuan 12 prefektura si njësi që drejtohen nga prefekti i emëruar nga Këshilli i Ministrave. Çdo prefekturë përfshinte 2 – 4 rrethe.

Nga viti 1992 deri në vitin 2000 janë bërë disa ndryshimë të pjesshme në ndarjen administrativo-territoriale pa ndryshime strukturore. Në vitin 2000 Shqipëria kishte 36 rrethe, 65 bashki dhe 309 komuna. Në vitin 2000 me ligjin nr.8653, dt.31.07.2000 u suprimuan rrethet si njësi administrative dhë u krijuan rishtas qarqet. Pas vitit 1992, bashkitë ngrihën me bazë qyteti. Në raste të veçanta ato përfshijnë një qytet dhe fshatra. Komunat si rregull përfshijnë fshatra. Në raste të veçanta ka komuna që përfshijnë edhe një qytet.

Aktualisht Shqipëria ka 12 qarqe, 309 komuna dhe 65 bashki.

Luan Shahollari April 7, 2014 12:55
Komento

2 Komente

  1. fat man April 8, 00:56

    Shkrimi i mesiperm eshte perpjekur te na jape nje pamje te shtrire ne vite per ndarjen administrative te Shqiperise. Me te drejte thuhet qe nga zonat veri-lindore dhe jug-lindore ka pasur largime masive te banoreve duke zbritur per nje jete me te mire ne qytetet e medha, vecanerisht Tiranes dhe Durresit. Nuk e kuptoj pse autori nuk e merr ne konsiderate emigracionin masiv te ndodhur pas viteve ’90, ku rreth 1 milion shqipetare jane larguar ne shtete te tjera si, ne Greqi, Itali, Gjermani, Angli, Amerike e kudo. Ky eshte nje fakt domethenes qe numri i popullsise ne Shqiperi ka renie dhe jane zhdukur realisht dhjetra fshatra e me tej nga inventari i pabere i shtetit shqiptar.

    Reply to this comment
  2. ARUSHA April 8, 07:11

    KA QYTETE TE MIREFILLTA ;;;KA QYTEZA ;;;KA FSHATRA TE MIREFILLTA ((NE JUG );;;KA KATUNE ;;KA KOMUNA ;;KA EDHE NJI KULLE NE MAJ TE MALIT (VERI) !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*