Sa shanse ka ITALEXIT?

December 5, 2016 13:54

Sa shanse ka ITALEXIT?

Italia votoi kundër në referendumin mbi rishikimin e Kushtetutës.

Pas rreth 23 vitesh regjimi fashist (1922-1945) dhe disfatës në Luftën e Dytë Botërore, do të ishte Kushtetuta e vitit 1948 që do të hidhte bazat e një republike demokratike në Itali. Hartimi i Kushtetutës, që u krijua në optikën e një peshe historike dhe frike mbi një ripërtëritje të mundshme apo ringjallje të regjimit fashist, mundësoi shpërndarjen e një peshe të barabartë mes 2 dhomave të parlamentit.

Por, ky pushtet thuajse identik mes dy dhomave, ka krijuar ndër dekada një klimë jo shumë të stabilizuar në politikën italiane, duke e paralizuar atë shpeshherë. Që prej Luftës së Dytë Botërore, pra rreth 70 vite më vonë, Italia ka njohur më shumë se 60 qeveri të ndryshme. Edhe pse fuqia e tetë ekonomike në botë dhe fuqia e tretë ekonomike në Eurozonë, paqëndrueshmëria në sferën politike e ka karakterizuar gjithmonë Italinë.

Dalja nga kjo problematikë, e lidhur edhe me një sërë ndryshimesh të tjera, do të synohej nga reforma që kryeministri italian Renzi do të propozonte.

Reforma prekte kryesisht Senatin. Numri i senatorëve do të zvogëlohej nga 315 në 100. Nuk do të zgjidheshin më drejtpërdrejt nga elektorati por do të caktoheshin nga këshillat rajonalë, ose nga Presidenti i republikës (pesë prej tyre). Pushteti do të kufizohej, pasi nuk do të votonin më ligjet e karakterit rajonal apo komunal, etj. Kushtetuta e re parashikonte gjithashtu edhe ndryshime të reja që preknin provincat dhe kompetenca në fusha të tjera, që do t’i riktheheshin sërish qeverisë si: transporti, infrastruktura energjia etj.

Për qeverinë, reforma i jepte fund sistemit prej dy dhomash të parlamentit, ku miratimi i ligjeve kërkonte aprovimin nga të dy dhomat. Një mekanizëm, i vlerësuar se rëndon dhe ngadalëson punën legjislative, duke e bërë vendin thuajse të paqeverisshëm, sidomos duke konsideruar se që prej vitit 1996, të dy dhomat kanë njohur shumicë të ndryshme.

Për kundërshtarët e reformës, humbja e pushtetit të Senatit do ta çonte Italinë drejt një sistemi presidencial autoritar.

Sipas ligjit të ri elektoral, do të mjaftonte marrja e 37% të votave për të marrë 54% të vendeve në parlament. Pa kundër-pushtetin e një Senati të vërtetë, shefi i partisë që do të merrte 37% të votave jo vetëm që do të kishte shumicën në parlament, por ai mund edhe të zgjidhte presidentin e republikës dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sipas preferencës së tij. Shkrirja e provincave dhe rishpërndarja e kompetencave shkojnë në të njëjtën logjikë të përforcimit të pushtetit qendror. Dhe një presidencë e fortë ngjall frikën tek kundërshtarët e reformës në një vend tashmë të shënuar nga kujtimet e fashizmit.

Në rast se largohemi nga të dy kampet e pozicionuara politikisht, mendimi dhe opinioni i konstitucionalistëve të pavarur në vend shkonte drejt një rezerve, që përfshinte një studim të efektit të reformave, pasi ato të gjejnë zbatim në terren. Pra, rezervim që lidhej me vlefshmërinë e tyre vetëm pasi të shikonin se ç’rezultate konkrete do të jepnin.

Por, për shumicën e italianëve, që kanë një besim shumë të ulët ndaj klasës politike në vend, ekspertët vlerësonin se nuk është e lehtë deshifrimi i meritave të një reforme, mbi të cilën atyre iu duhet të shprehen. Lënda, sipas tyre është e komplikuar, nenet e Kushtetutës për t’u korrigjuar të vështira për t’u kuptuar dhe të dy kampet, janë treguar të pandershëm në argumentimet e tyre.

Italexit ?

Ikja e Renzit, shqetëson BE-në, kryesisht në aspektin e lidhjes së fortë që ai shfaqte ndaj idesë dhe idealit evropian, duke e veçuar atë nga i gjithë spektri politik. Në periudhën jo shumë të favorshme dhe optimiste në të cilën gjendet Evropa, lideri italian u profilizua si një figurë me personalitet të veçantë teksa goditi si rrallëherë Evropën dhe funksionimin e Bashkimit Evropian.

Por, goditjet e tij ndonëse mund të mbartin doza reale kritike, mbi formën operuese të Bashkimit Evropian, ato shprehnin qartazi dëshirë për një integrim më të fortë dhe më të thelluar evropian. Idetë e tij, mbështesnin rritje të rolit qytetar nëpërmjet elementëve të demokracisë direkte, siç do të ishte zgjedhja e Presidentit të Komisionit Evropian direkt nga qytetarët evropianë, apo edhe lançimi i grupit evropian të refleksionit, të përbërë nga 6 vendet themeluese të Unionit. Merita këto, që nuk mund të anashkalohen në profilizimin e tij të qartë si evropian.

Kundërshtimi ndaj Evropës ka ardhur kryesisht nga e djathta, në veçanti populistët e Ligës së Veriut (aleatët e Berluksonit). Ky i fundit nuk ka munguar në këtë skenë teksa sugjeronte se dalja e Italisë nga Euro, do të ishte një zgjidhje e mirë për vendin.

E vetmja forcë pro evropiane është Partia Demokratike, e cila nuk e kishte dhe nuk e ka të lehtë të akomodojë zgjedhësit e saj, teksa politikat shtrënguese ekonomike që imponohen nga Evropa, kanë goditur elektoratin e saj. Nga ku kemi edhe lëvizje të logjikshme, që përpiqen të shpjegojnë në opinion publik italian se, këtu nuk bëhet fjalë të jemi apo të mos jemi në Evropë, por për të kundërshtuar politikat evropiane të ndërtuara mbi shtyllën neoliberale.

Një sërë ekspertësh kishin paralajmëruar se, në rast se në Itali fiton kampi kundërshtar i Renzit, atëherë vendi pritet të zhytet në një klimë të paqëndrueshme politike. Dhe në këtë klimë paqëndrueshmërie frika kanalizohej ndaj faktit se, Lëvizja e 5 Yjeve e Bepe Grilos, populiste dhe euroskeptike, mund të shfaqet si favorit në zgjedhjet e ardhshme, që mund të organizohen së shpejti.

Dhe se, iniciativa e parë e një qeverie të drejtuar nga M5S, do të jetë referendumi mbi mbajtjen ose jo të Italisë në zonën Euro. Pra, një skenar i përafërt me Brexit, të Britanisë së Madhe.

Mirëpo, Italia nuk mund të krahasohet me Britaninë e Madhe. Nuk duhet harruar se, ndryshe nga Britania e Madhe, që u anëtarësua në Komunitet relativisht vonë dhe vetëm një vit më pas, do të kërkonte të dilte menjëherë nga ky Komunitet, Italia është një prej vendeve themeluese të Komunitetit Ekonomik Evropian.

Manifesti i parë për Evropën e Lirë dhe të Bashkuar, i konsideruar nga historianët, si një prej teksteve themelorë të Federalizmit Evropian, do të hartohej pikërisht në kushtet më të paimagjinueshme nga forcat anti-fashiste, nga idealistët italianë si Spineli dhe Rossi, që vuanin në qelitë e burgjeve të regjimit fashist, në ishullin e Ventotenes. Teksa idealistët italianë hartonin plane dhe projekte që do të bënin të shmangej lufta në kontinentin Evropian, bashkimi i Evropës do të shoqërohej me një mbështetje shumë të lartë të opinionit publik italian. Mbështetje, që ka spikatur sistematikisht në çdo sondazh dhe anketim të Eurobarometer.

Italia mbart profilin e një vendi themelues të Bashkimit Evropian, që ka mbështetur gjithmonë një integrim të thelluar evropian, ndryshe nga rasti britanik. Rënia e mbështetjes popullore ndaj BE-së, do të shfaqej vetëm me fillimin e krizës ekonomike, por kjo do të ishte në vazhdën e një tendence që është vëzhguar edhe në vende të tjera të Evropës, të prekura nga ky fenomen.

Në lidhje me angazhimin politik, Italia shfaqet si një prej shoqërive më të mobilizuara dhe më të angazhuara të Evropës. Nuk duhet harruar, se vetëm pak kohë më parë, pikërisht nga terreni idealist italian, kemi një iniciativë nga një koalicion prej 50 grupesh të shoqërisë civile, intelektualë dhe aktivistë evropianë, që do të kërkonin një Manifest të ri për Evropën, një kurs të ri për Evropën. Duke kërkuar që Evropa të reformohet, që niveli i demokracisë të zgjerohet duke prekur direkt qytetarët e saj, që shtyllat e politikave ekonomike neoliberale duhet të rishikohen.

Ndërkohë, opinioni publik italian i pyetur menjëherë pas rezultateve që prodhoi Breksit, do të tërhiqte vëmendjen mbi përqindjet e larta, pro thellimit dhe pro integrimit evropian. 82% e tyre do të shpreheshin se ishin dakord që bërthama e vendeve themeluese të Bashkimit Evropian duhet të ndërmarrin iniciativa të menjëhershme, për të krijuar rreth Eurozonës një Evropë më të integruar politikisht dhe ekonomikisht; (57%) e tyre do të shpreheshin kundër braktisjes së Euros; 59% e tyre u shprehën pro krijimit të ushtrisë evropiane; 59% pro krijimit të një posti ministri Financash dhe Ekonomie evropian; dhe 67% pro zgjedhjes direkt nga popujt evropianë të Presidenti të Komisionit Evropian.

Për më tepër, 63% e tyre janë shprehur se në rast se do të ketë një referendum si Breksit në Itali, 63% e tyre do të votonin pro qëndrimit në Union.

Edhe pse ikja e Renzit, shqetëson politikën evropiane, është ende herët për të skicuar skenarë të ngjashëm me Breksit. Ende nuk dihet se si do të rikonfigurohet situata politike, pas dorëheqjes së Renzit. Shqetësimi evropian shkon kryesisht ndaj faktit se, mund të komplikohen negociatat mes Italisë dhe BE-së, mbi deficitin publik dhe borxhin, pa përjashtuar këtu ndikimin e kësaj krize në tregjet evropiane.

Bepe Grilo ndërkohë ka deklaruar se, është pro anulimit dhe fshirjes së borxhit, pak a shumë në të njëjtat linja retorike që përdorte edhe SYRIZA teksa bënte fushatë për marrjen e pushtetit në Greqi. Shqetësimin e rrit ajo që tashmë ekspertët e kanë konsideruar si “minë me shpërthim të vonuar”, pra brishtësia e sistemit bankar italian. Agjencia e katërt financiare në botë (DBRS) nuk do të ngurronte ta vendoste Italinë nën vëzhgim, duke e kërcënuar me ulje të vlerësimit të saj, pikërisht për shkak të rreziqeve të paqëndrueshmërisë politike.

Por, përtej veçantisë që paraqet sistemi politik në Itali, kriza ekonomike që ka përfshirë vendin, po njësoj si edhe kriza që ka prekur vendet e tjera të Jugut, si Greqi, Spanjë, apo edhe Portugali, në thelb po përforcon gjithnjë e më shumë një reflektim të imponuar, mbi politikat shtrënguese ekonomike evropiane, që kanë konfirmuar dhe vazhdojnë të konfirmojnë se, janë të afta të gjenerojnë cikle të vazhdueshme krizash demokratike.

Im.Ta.

DITA

 

December 5, 2016 13:54