Replikë me Fatos Tarifën: Feja në shkolla dhe gjuha e dhunës

April 29, 2016 09:51

Replikë me Fatos Tarifën: Feja në shkolla dhe gjuha e dhunës

 

Nga Sadik Bejko

Pas një prononcimi të kryeministrit Rama në favor të futjes së arsimimit fetar në shkollat tona të mesme, debati pro dhe kundër këtij mendimi ka vazhduar i ashpër në shtypin tonë. Ca ditë më parë (22 prill 2016) në gazetën “Mapo”, prof, Fatos Tarifa debatonte me një shkrimin tim në gazetën ‘DITA’ mbi këtë temë. Shija e keqe që ngjallin shkrimet e Z. Tarifa (ka publikuar tri shkrime të stërgjata mbi këtë temë), vjen nga përforcimi stilistik me theks përçmues, përjashtues për tjetrin. Z. Tarifa nuk ia përton të vërë në punë dhe një gjuhë të dhunës, si mjet për të imponuar me patjetër mendimin e vet. Të drejtën e qytetarisë të artikulohen sheshit e kanë të gjitha alternativat, jo vetëm mendimet e pinjollëve ideologjikë apo të trashëgimtarëve fantazma të ish-Institutit m-l të Komitetit Qendror.

Gabimi fillon që në shtrimin e problemit, pra, gabimet janë konceptuale në trajtimin e çështjes nga ana e zotit Tarifa. Nuk operohet më me tezat bardhë e zi si dikur. Në tekstet kur merrnim shkollim unë dhe zoti Tarifa, thuhej që këto apo ato janë forca reaksionare, këto të tjerat janë përparimtare. Feja është reaksionare, shkenca është përparimtare. Këta filozofë janë reaksionarë, këta janë shkrimtarë reaksionarë…etj. Filozofë e shkrimtarë të tillë nuk botoheshin. Kush gjente mundësi t’i lexonte, burgosej.

Feja, kisha shpalleshin e kundërta e progresit, armike të progresit, ishin dragoi, përbindshi në portat e progresit të shoqërisë. Për të mbështetur këto ide, nuk merren më citate nga Marksi dhe Lenini. Sot zoti Tarifa për kishën armike të progresit, për kishën dragua e përbindësh, thërret në ndihmë Bertrand Rasëllin e një radhë mendimtarësh majtistë të tjerë.

Pra, disa konceptime klishe të së shkuarës ngrenë krye te shkrimet e zotit Fatos. Besimtarët etiketohen si të indoktrinuar, fanatikë, me besime false, si njerëz që i ka lënë koha pas etj. Si njerëz që nuk janë në nivelin intelektual të modernitetit. Gati sa nuk thuhet se nuk janë njerëz. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Një të menduar i tillë mund të jetë shprehje e racizmit ndaj besimtarëve praktikantë.

Shumë njerëz të shquar në histori kanë qenë dhe janë edhe sot besimtarë. Ishin besimtarë praktikantë të devotshëm De Gasperi, themeluesi i republikës së sotme italiane, si edhe Adenaueri, dy nga etërit e Europës së Bashkuar krahas me Shtrausin, Çërçillin dhe De Golin. Për të mos thënë se një nga mendjet më gjeniale si Ajnshtajni ka thënë se “Shkenca pa fenë është e çalë, ndërsa feja pa shkencën është e verbër”.

Mesjeta ka qenë epokë e errësirës, e inkuizicionit (siç). Historiani i artit Ernst H. Gombrich, Kenneth Clark, Jacque le Goff etj., e hedhin poshtë këtë narativë mohuese të së majtës mbi Mesjetën. Në këto të quajtur shekuj të errët të Mesjetës qytetërimi i sotëm europian rilindi nga e para duke e rikrijuar në terren tjetër e në kontekst tjetër kohor idealin e klasicizmit greko-romak. Në këto vite mësimet e ungjinjve u pajtuan me filozofinë klasike greke prej mësuesve të kishës dhe kështu themeluan teologjinë si filozofi, si lëndë universitare…

Mesjeta lindi Universitetet. Filozofia e Mesjetës përfshinte filozofët muslimanë AlkindusAlfarabiAlhazenAvicennaAlgazel, AvempaceAbubacer dhe Averroes; filozofët hebrej Maimonides dhe Gersonides dhe filozofët e krishterë AnselmAugustini i Hippos, BoethiusPeter AbelardRoger BaconThomas AquinasDuns ScotusËilliam i Ockham-it dhe Jean Buridan.

Kundërvënia Rilindje-Mesjetë është e tepruar. Mesjeta e përgatiti Rilindjen. Prapë Kisha i paguante Mikelangelon për Kapelën Sistine, paguante Da Vinçin për “Darkën e fundit”, kryevepra të përbotshme me subjekt fetar, por konceptuar e pikturuar sipas filozofisë humaniste të Rilindjes. Është e vërtet se ka pasur inkuizicion. Kisha është një shfaqje e idesë së shenjtë në tokë. Porosia ka qenë: jepi Çezarit ç’i takon Çezarit, jepi zotit çka është e zotit. Kur kleriku ka dashur të jetë edhe Çezar, ka gabuar… kështu dhe kisha me inkuizicionin.

Fetarja dhe shekullarja nuk mund të jenë njëra djalli, tjetra engjëlli. Vrasje në histori janë bërë dhe për arsye laike, për dominim dhe pushtim, për nacionalizëm, për ideologji. Stalini në dy vjet në kohën e kolektivizmit vrau miliona kulakë. Inkuizicioni i kishës ka vrarë disa qindra mijë, dy luftërat botërore për shkaqe laike, shekullare, kanë bërë batërdinë. Revolucionarët me shtetet e tyre që nga revolucioni francez e deri te revolucionarët e shekullit XX kanë ushtruar terror shtetëror, dhunë revolucionare.

Nuk dua ta justifikoj të keqen. Fernard Brodel thotë se Krishtërimi me kryqëzatat dhe Islami me xhihadin para gjyqit të historisë duhet të bien në gjunjë si dy kriminelë të pranguar, të lidhur kurriz më kurriz. Vetë Mesjeta ka ditur të qortojë veten që me fablotë, anekdotat ku fshikulloheshin klerikët me vese. Dantja, ky “i fundmi i Mesjetës”, fut në Ferrin e tij klerikë, peshkopë e papë.

Këto kanë ndodhur dikur.

Kisha në Europë prej vitesh e vitesh është e ndarë nga shteti. Bashkësitë fetare ushtrojnë në bazë të ligjeve përkatëse jetën e tyre paqësisht, të papërzier me punët e shtetit. Papët sot flasin për paqe dhe paralajmërojnë njerëzit për rreziqet e mundshme. Papa Bergolio paralajmëron për një luftë të tretë. Kisha, feja kundër shkencës dhe progresit…, por sot nuk kemi dëgjuar ndonjë papë a patriark të ketë folur kundër zbulimeve në mjekësi, në informatikë, kundër studimeve e udhëtimeve në hapësirat ndërplanetare, kundër shkencëtarëve si Ajnshtajni…

Kundërvënia fe-shkencë që fillimisht ka ekzistuar, sot për sot përsëritet prej trushpëlarëve nga e djeshmja. Papa Vojtila i përshëndeti shkencëtarët dhe për lindjen e njeriut në epruvetë.

Nuk është e vërtet se njerëzit e rëndësishëm të fesë janë jashtë vëmendjeve të të rinjve të sotëm. Një kërkim ndërkombëtar i bërë prej Universiteteve Jacobs Bremen (Gjermani) dhe Victoria di Velington (Zelanda e Re) vuri shtatë mijë studentë në 37 vende që të gjykojnë për dhjetë figurat më të dashura të historisë së njerëzimit.

Në përfundim u vu re se katër ndër dhjetë  figurat më të dashura të historisë ishin fetarët Nënë Tereza, Martin Luter Kingu, Jezu Krishti, Buda dhe gjashtë të tjerët ishin laikët Ajnshtaini, Gandi, Linkolni, Njutoni, Edisoni, Mandela (gazeta ‘Shqip’ 25 prill 2016). Të sotmen duhet ta konceptojnë jo ndaras si mendjet e kalcifikuara bardhezi, por si një botë me trashëgimi të ndërthurur të laikes dhe të fetares. Nuk ka asnjë hendek të pakapërcyeshëm midis fetares dhe laikes në ditët e sotme.

Vërtet mund të ketë rënë numri i besimtarëve praktikantë, sipas Tarifës, po sipas prof. Kosta Barjabës besimtarët në botë janë miliarda (shih gazeta “Dita” 22 prill 2016)… Dhe sikur të jetë në rënie numri i besimtarëve në kohët moderne, siç thotë z.Tarifa, njeriu i sotëm i ka të depozituara në thellësitë e tij nënshtresat e mendimit dhe të sjelljeve fetare. Historiani i qytetërimeve Kenneth Clark thotë që edhe te ateistët është infiltruar fetarja, si një trashëgimi e shekujve.

Feja duhet dhënë në shkollë edhe sikur të mos jetë më asnjë institucion fetar në faqe të dheut. Ajo është në themel të tipareve të qytetërimeve që kanë egzistuar në lashtësi edhe të atyre që janë të gjalla sot. Duke ecur në këtë pikëpamje të vartësisë së plotë të qytetërimeve nga feja që i përcakton, Samuel Huntington shpiku teorinë e egzagjeruar të përplasjes së qytetërimeve.

Njeriu duhet t’i dijë tiparet e feve të ndryshme. I dituri di të veprojë e të zgjedhë me kokën e vet, jo të ecë si i verbër duke përsëritur mendime klishe mbi gjërat.

Shtampat e mësipërme, (edhe të tjera), të gdhendura në trurin e shumë njerëzve nga shkollimi i para 1990-ës, janë të vështira për t’u shkulur. Janë vërtet të ngulura thellë që kur i përsëritin dhe profesorë si z.Tarifa. Të jesh ‘reaksionar’, dmth konservator, sot nuk është aq e tmerrshme. Në Angli e në SHBA partitë konservatore janë të ligjshme, fitojnë zgjedhjet, qeverisin.

Ismail Kadare në librin “Mosmarrëveshja” shkruan: “Debati për mitin dhe çmitizimin… ka qenë ndër më të padenjët për nga çoroditja e tij”. Kadareja shton se në debate të tilla thyhet me qëllim kodi i komunikimit, duke i përdorur me qëllim të mbrapshtë termat. Kështu dhe me z. Tarifa fetarja trajtohet si dukuri negative, mësimet e saj si trillime me dragonj e përbindsha që do të në helmojnë nxënësit tanë dhe shekullarja si e kundëta e fetares, si shpëtimtarja.

Me përjashtime të disa periudhave të fillimit të mijëvjeçarit të parë, feja nuk është përzier në punët e shekullarëve. Dukuritë dalluese të qytetërimit perëndimor janë: katolicizmi, feudalizmi, rilindja, reformacioni, kolonializmi, iluminizmi, shteti-komb. Ky qytetërim ka prodhuar ideologji politike të tilla si: liberalizmi, socializmi, komunizmi, fashizmi, demokracia kristiane. Këto zhvillime nuk janë ndaluar nga dragoi fetar kishëtar, siç mendon z. Tarifa. Me ndonjë përjashtim, feja ka qenë jashtë këtyre zhvillimeve. Ajo ka ruajtur mëvetësinë, ka mbijetuar duke u përshtatur me kohët që vinin.

Harold Bloom, profesor i Yale University, librin e tij “Si të lexojmë dhe pse” (1999) e mbyll me një kapitull ka u referohet urtësive të rabinëve të Mishnas hebraike. Këtë libër ku merren në analizë disa nga librat më të mëdhenj të shekujve, libra në poezi, prozë dhe dramë, ai e mbyll me mendimin: “Traditat normative judaike, të krishtera, islamike dhe shekullare do t’u thonë se puna e Jehovait nuk duhet braktisur…”. ‘Puna e Jehovait’ është puna krijuese e shkrimtarit, poetit, dramaturgut. Pra, në të kundërt me z. Tarifa ky profesor i Yale University nuk i përjashton dhe më e rëndësishmja nuk i kundërvë me njëra-tjetrën traditat, ato janë të nevojshme edhe në kohët moderne, ato janë dhe plotësuese të njëra tjetrës.

Zoti Tarifa në tekstin e tij (gazeta ‘Mapo’, 22 prill 2016) me rreth pesë faqe A4 ka dhe një paragraf të gjerë ku sjell “të mirat” që kanë ardhur nga feja. Edhe kjo është çoroditëse. Në tre tekste të tij që janë fund e krye kundër dragoit fetar që i rri progresit te porta, thuhen edhe dy tri fjalë të mira për “armikun”.

Le të rrijë z. Tarifa te mendimi i vet sepse siç nënvizonte Ajnshtajni “është më e lehtë të thyesh një atom sesa një paragjykim”. Nuk mund t’ia marrësh për keq z. Tarifa a kujtdo qoftë punën në mbrojtje të pikëpamjeve të veta. Zoti Tarifa le të ketë cilindo mendim për laiken, për fetaren. E keqja vjen kur shtampat a klishetë nuk na lënë të shkojmë te gjykimi i kthjellët dhe kur thyhet kodi i komunikimit duke i përdorur mbrapsht me qëllim termat.

April 29, 2016 09:51
Komento

21 Komente

  1. sopiqoti April 29, 10:21

    Ne sholle mesimi klasik i fese NUK DUHET te hyje.Aty e ka vendin shkenca.Historiku mbi morin e besimeve qe eksistojne sot ne bote duhet te perfshihet ne lenden e historise.DITEROI ka thene : “..prifterinjt e hoxhallaret si predikues te fese jane si ato lzogj qe qendrojne ne majen e germadhave te keshtjellave shume vjecare.>”

    Reply to this comment
  2. Albi April 29, 10:25

    Kam pershtypjen qe eshte ky zoteria qe ngaterron konceptet. Laike nuk do te thote ateiste. Stalini dhe Hitleri kishin bere shkolla fetare. Ajnshtajni, te cilin e permend disa here, ishte ateist. Bota e qyteteruar po shkon drejt defetarizimit dhe nuk mund te logjikosh me numrat e botes se trete. Numri nuk tregon te verteten. Sa per kundershtimin e shkences kam pershtypjen qe nuk e ka idene se c’behet sot. Feja po e lufton shkencen ne cdo cep te globit me shume se kurdohere.
    Shkrim nga nje fetar i thekur dmth.

    Reply to this comment
  3. bujari April 29, 10:57

    bravo profesor Sadiku nje ese sa filozofike dhe hyjnore ,ne kete boshllek shpirteror humnere qe kemi ka nevoje dhe per zera te tille .Ateistet me te medhenj kane qene diktatoret qe bejne idhuj veten ,pushtetin ,parane ,…

    Reply to this comment
    • Mergimtari April 29, 19:28

      O Bujar o vella,

      po ce o, mendjen e Fatosh Tarifes do mbush profesor Sadiku?! Po mendja e Fatosit eshte mbushur me sevo, my friend.
      Sevo vinte ne epr reparte ushtarake masokohe, pasi kishin nxjerre tere ato grupet armiqesore prej radheve te tyre, Sevo vinte dhe jepte tezat e reja kunder Beqir Ballukut, e Hitpos e Memet Shehut, te cilet i kishte psur shefa por Partia e mesonte se duheshin pare si armiq mbas kesaj dhe Sevo ashtu bente…!
      Mire e thote Sadik Bejko: dje babai e shante Fene me formula anti reaksionare, sot, Fatoshi, meqe studioi e sherbeu si mambasador ne Ameriken imperaliste, xhandarin nderkombetar te popujve, sic na mesonte Ati Yne Shqiperteror, vazhdon te na thote se Feja eshte Opium per popullin …shqiptar…
      I gjori, i shkreti, ka perenduar perpara se te nisej per ne Perendim, por ka rilindur lindor sapo u kthye afer trojeve te trasheguara te dijes ateiste…
      Ku di Fatos Tarifa sec eshte Shpirti, sado qe shkrimet e tij i ben me shpirt, dhe te dashures, sic edhe ne, “ah moj shpirte” i thote, dhe Partine me shpirt e ka dashur dhe do, dhe kapitalizmin me shpirt e do se parate ia do te plota, por pa tarife nuk rri dot.
      Eshte tarifa vete, o vella Bujar dhe Sadiku ia thote me terezi te mos e lendoj se Sadiku ehste intelektual i formuar per keto gjera, e do Fatosin me shume se Fatoshi do veten e tij. Se, Sadiku beson tek Njeriu, te Dija si Shkence dhe ndjesia si besim, dhe i do gjithe njerezit Sadiku, se njeriu prandaj eshte krijuar…
      Po ate thuaj, lere tarifen ne rrugicat qe s’duan diell…

      Reply to this comment
  4. rezarti April 29, 11:18

    More Sadik, pse fute ne ceshtje te cilat po tregon se je plotesisht i paafte per t’i trajtuar.
    Emrat e te majteve dhe te djathteve qe permend ti nuk mund te mbulojne faktin qe shkenca dhe feja kane qene dhe jane ne kundershtim te papajtueshem me njera tjetren.
    Nuk eshte nevoja te flasim ketu per krimet dhe perndjekjet qe u ka bere feja shkencetareve ne te gjitha epokat as per djegien ne turat e druve te shkencetareve ne sheshet e qyteteve te Europes.
    Te gjitha fete pretendojne se thone te verteten, por ae si ti se sot akoma ekzistojne qindra fe? Cila prej atyre qindra feve ka monopolin e se vertetes? Krishterimi? Islami? Judaizmi? Budizmi? Fete e fiseve qfrikane apo ato te Polinezise apo te kontinentit Amerikan.
    Ligrat e shenjte jane te vjeter, por mitologjia gjermanike duket se eshte me e vjeter dhe politeizmi indian akoma me i vjeter. Nga rrjedh autori i
    Krishti eshte bir i Zotit dhe eshte edhe ai i pavdekshem si vete Zoti dhe zoti beri Adamin nga brinjet e Eves.Bota u krijua 6 mije vjet me pare. Keto jane teza themelore te doktrines, pa te cilat gjithe ngrehina e krishterimit nuk mund te qendroje me kembe.A besoni ju ne ato teza zoti Bejko?
    Une jam i sigurt qe nuk besoni ne mitet sepse po te besonit ne mitet nuk mund te besoni ne shkence e ne perparim.
    Feja (shen Augustini), mendon dhe porosit “Mos shih jashte se e obskurantiste qe ndalonte kerkimin shkencor, vrojtimin dhe eksperimentin, Kisha ndaloi me rreptesi per 10 shekuj (nga shekulli 4 deri ne te 14tin zhvillimin e shkences, deri sa me Rilindjen europeine pushteti politik dhe ekonomik i Vatikanit re nen presionin e monarkeve te Europes.
    Ti ngateron e dyshimin ne ekzistencen e forcave te panjohura (qe jane detyra te kerkimit shkencor) qe do te ekzistoje sa kohe te jete njerezimi me fete dhe dogmat fetare. Te gjithe shkencetqret (dhe te gjithe ata pa perjashtim, jane ANTIFETARE) dyshojne ne punen ne rezultatet dhe interpretimin qe u bejne zbulimeve te tyre. Sepse dyshimi jo dogmat fetare qendrojne ne bazen e shkences. Ndersa feja predikon pagabueshmerine e dogmave te saj, shkenca perkundrazi nuk njeh autoritet pervec eksperimentit qe feja i trembet.
    Per shkencen dhe shkencetaret e verteta mbi realitetin e botes fizike dhe shpirterore eshte e pafundme ndaj edhe kerkimi shkencor do te vazhdoje sa te ekzistoje njerezimi, ndersa per fene tende e gjithe e verteta u zbulua 2 mije vjet me âre dhe asgje nga ato “te verteta” nuk mund te ndryshoje edhe pse tshkenca kq treguar se aro nuk kane te bejne fare me te verteten.
    Dhe me se fundi, o zoti Bejko, te rekomandoj te lexosh edhe ato qe i ka shkruar nene Tereza nje kardinali hollandez nga fundi i jetes se saj:
    “Lum si ti qe te do Zoti. Sa per mua, une kam vene veshin por nuk e degjoj ate, kam hapur syte por nuk e shikoj….( e ke nje shkrim te gjate per kete ne revisten amerikane TIME te vitit 2008)

    Reply to this comment
  5. CENI April 29, 12:37

    Mire me tha nje shok:
    E ndriti Shqiperia me shkollen, me universitetin, me fiziken, kimine, biologjine e matematiken e tani do te marre edhe mesimin e feve.

    Dehe e gjitha kjo ne shekullin 21. Me duket se shkon prapa ora e Shqiperise.

    Reply to this comment
  6. studenti April 29, 13:51

    Shkrime shume, komente sa te duash. Flasit te gjithe ato jashte shkollave e hic fare nuk pyet njeri se : Ore keta studentet duan te mesojne histori fetare plus tjerave apo jo? Kjo do ishte nje rast i mir per nji Referendum. Por ku te votojne studente e pedagoge e jo anetar partish si te Referendumi i Rames.

    Reply to this comment
    • Albi April 29, 14:53

      Ke nje fare te drejte o studenti. Normalisht duhet pyetur edhe populli per kete pune se jemi kthyer si ne komunizem qe thoshte i pari dicka dhe te gjithe i vinin pas avazit.
      Por nga ana tjeter duhen degjuar edhe sociologet/filozofet/antropologet te cilet po i thone atij te gjatit te mos nxitohet me keto ide. Njerezimit iu deshen gati 15 shekuj te clirohej nga zgjedha e dogmave fetare dhe laicizmi e shekullarizmi jane arritjet me te medha te shekullit qe kaloi. Nuk mund te zhbehen ne menyre aventureske nga politikane si ky i yni apo Erdogani sepse mund te kene pasoja te paparashikueshme.

      Reply to this comment
  7. Sindorela April 29, 14:20

    Po ç’merresh me Sevon apo me Ylviun, me Fatosin e me yllkat tjera, po me marksizem enverizem jane gatuar ata ç’pret prej tyre

    Reply to this comment
  8. Mehmet Metaj April 29, 15:16

    Mendoj se nuk duhet te jemi kategorik qe ne shkolla as qe ne shkolla nuk duhet te flitet per fene/fete as dhe qe te futet feja si “lende me vehte” ala Edi rama qe s’di se c’ben, dhe une nuk do “anoja” as nga Z. Tarifa qe rreket te jete i gjithedijeshem as dhe nga Prof. Bejko, qe sjell argumenta bindes, por do te mendoja nese do te ishim nje vend e shtet normal, qe ne shkolla ne kurrikulat e historise te jete-shtohet-apdeitohet dhe feja si njohje-teologjike, por jo si lende me vehte, se kush do te thellohet per njohjen e saje le te studjoj vete se jemi ne shekullin e kibernetikes dhe hitech-ut dhe ne google gjen cdo gje kush do te “nxere” nuk ka nevoje per cdo gje te shtojme kapituj dhe tekste. Dhe me e thjeshte akoma le te marrim nje model te nje vendi qe ka nje kurrikul-pervoje te tille ne shlkolla dhe s’ka nevoje te shpikim apo te jemi-behemi dhe ketu autoqefale sic thote Noli..

    Reply to this comment
  9. andromeda April 29, 15:43

    O zotëri Sadiku! Po çfarë mund t’i mësojë feja nxënësve të shkollës? A e di ti more zotëri se hoxhallarët shqiptarë edhe sot e dënojnë me vdekje një ateist. tamam si ISIS. Po këto hoxhallarë nuk pranojnë ende që toka është e rrumbullakët dhe se është ‘tobe estafkurillah’ që gruaja të jetë e pambuluar. Faja është mishërim i injorancës e sëka të bëjë me dijen dhe përparimin. Merr shembull vendet skandinave dhe mos merr shembull Amerikën si ti ashtu dhe ai Edi rr.k.-ja.

    Reply to this comment
  10. Mehmet Metaj April 29, 16:24

    Dhe pervec theologeve dhe/apo filozofeve te permendur duhet shtuar dhe filozofi Rumun Mircea Iliade, qe ka studjuar posacerisht dhe ka modeluar perqasjen tone ndaj njohjes se feve….

    Reply to this comment
  11. Kasandra April 29, 17:49

    Shqiptaria përkundrejt fesë
    Duke u marrë më shumë me idera, terma dhe emra harrohen parimet dhe objektivi i fesë dhe i klerikëve apo aktorëve fetarë, siç quhen në literaturën moderne. Ato janë të shkruara në librat fetarë dhe zbatohen sot e kësaj dite në jetë. Ata kanë institucione, organizata dhe shkolla fetare por duan më shumë. Pse? Të gjithë aktorët fetarë janë shumë aktivë për të shtuar numrin e besimtarëve të tyre, për të rritur influencën e tyre dhe për të kapur terren në pushtet me të gjitha mënyrat dhe mjetet madje duke konkuruar me parti politike fetare që me ardhjen e tyre në fuqi vijnë edhe ligjet fetare mesjetare të cilat pengojnë ecjen përpara të shoqërisë, i presin rrugën lirisë, demokracisë dhe progresit, i ndajnë njerëzit në skllevër të Zotit dhe luftëtarë të qytetërimit. Pak a shumë kjo ka ndodhur në Turqi 80 vjet pas fitores së shtetit laik të Qemal Ataturkut.
    Shtetet e mëdha kanë këllqe të lëshojnë pak e të përfitojnë shumë në marrëdhëniet me aktorët fetarë, por vendet e vogla asfiksohen para vrullit të forcave të bashkuara fetare dhe lidhjeve të tyre të brendshme dhe të jashtme. Shembullin më të hidhur kemi Shqipërinë që ia futën ujin nën rrogoz, e telekosën, luajtën shfaqjen spektakolare me ambasadat dhe vaporët dhe i vunë flakën mundit dhe sakrificave gjysëm shekullore të popullit për t’i hapur rrugën sundimit të tyre dhe biznesit që na furnizon deri me kosha plehërash. Këtë e pranuan hapur me mburrje. Shkatërrimi i la njerëzit pa punë dhe i detyroi të marrin rrugën e kurbetit. Sot situata është më e ndërlikuar, aktorët fetarë dhe politikë janë të shumtë e me shumë ngjyra dhe rreziku më i madh për shqiptarinë gjë që bën të domosdoshme ruajtjen e pushtetit dhe të arsimit laik në të gjitha trevat, ndryshe kthehet politika e vjetër e njësimit të tyre me fenë e shtetit administrues.
    Fetarët përfaqësojnë dhe mbrojnë komunitetet e tyre kurse shteti dhe arsimi publik kujdesen dhe mbrojnë interesat e të gjithë shoqërisë, besimtarë dhe jobesimtarë apo laikë, prandaj feja është e ndarë nga shteti dhe nga arsimi.
    Lëndët shkollore në shtetet laike i përfshijnë të gjitha aspektet e historisë dhe kulturës njerëzore në masën përkatëse. Përtej këtij caku shkelen parimet e shtetit laik dhe të drejtat e liritë e qytetarit civil që nuk e pranon indoktrinimin fetar të fëmijës së tij, futet grindja midis feve që i kanë të ndara hesapet dhe heronjtë, futet sherri në shkolla dhe në shoqëri, minohet uniteti i saj. Këto janë përpjekje për ta kaluar në histori idealin tonë se feja e shqiptarit është shqiptaria. Vallë nuk i di Z. Kryeministër këto?! Kasandra.

    Reply to this comment
  12. SHPRESEHUMBURI April 29, 18:15

    NJE TJETER RREZIK EMINENT PER SHQIPTARET,KU NJE PROFESOR I TEOLOGJIS , DUKE ABUZUAR E LIDHUR E LIDHUR GJITHECKA ME SISTEMIN E KALUAR,DUKE SHFRYTEZUAR ANET E DOBETA TE ATIJ SISTEMI , PERPIQET TE NA MBUSHE MENDJEN ME IDJOTESITE E TIJ , TE VESHURA ME LOGJIKE ,PA LOGJIKE . TURP , NJE MIJE HEREB TURP , PER NJE NJERI,QE I THOTE VETES PROFESOR , QE MUNDOHET TE SHTOJE KAOSIN DHE CORODITJEN NE SHOQERINE TONE TE SOTME ! ZOTI BEJKO , DO TE BGEJE MIRE, TE SHKOSH E PROPOGANDOSH IDETE
    “E TUA” , NE CDO SHKOLLE PRIVATE FETARE DHE TI PERHAPESH ATO NE CFARDO FLETORE KOMUNITETESH FETARE ,POR TE LUTEMI SHUME ,LARGOHU , SA TE MUNDESH ME LARG , NGA RINIA DHE E ARDHMJA E KETIJ VENDI , SE KESHTU JE DUKE BERE NJE KRIM NDAJ KETIJ POPULLI . NUK TE NDALOJME TE SHPREHESH IDETE E TUA , NE SHTYPIN E RADIOT E KOMUNITETEVE FETARE ,POR REVOLTOHEMI KEQ , KUR DEL E NA BEN PARADEN E GEJVE , NE GAZETA KAQ TE LEXUARA , POR QE IDHULL KANE PARANE , JO VLERAT E ATYRE QE THUHEN.

    Reply to this comment
    • Altimi April 30, 08:11

      Ti zoteri prezantohesh si dikush qe ka humbur shpresen , pra je nje kufome, si i tille je pa vlere ne koment.
      profesor Sadikun e kane idhull breza te tere, ka tituj dhe vlersuar si profesionist edhe jashte shtetit ku diplomat dhe vlerat nuk jane fallco si Tarifa ” profesor”

      Reply to this comment
  13. Tirana April 29, 20:05

    Sadik mos u merr me Tarifen se ai eshte sia ata qente qe iu sulet cdo njeriu qe i del perpara. Eshte njeri i erret nuk i duron dot mendjet e ndritura. Punist ne origjine, ne formim, ne bindje, ne sjellje.

    Reply to this comment
  14. Niku April 29, 22:20

    Ore Sadik, ne shkolle nuk duhet te futet feja. Une e largoj femine tim nga ajo shkolle qe ka si lende fene. Lerini budallalleqet dhe meruni me gjera te vlefshme. Ketu ka faj edhe Rama. Shqiperia prodhon me shume probleme se sa konsumon.

    Reply to this comment
  15. nikoll April 29, 23:56

    Bejko, shume diletant..,

    Reply to this comment
  16. nikoll April 30, 01:43

    Thenien e Ajnshtajnit se – “Shkenca pa fenë është e çalë, ndërsa feja pa shkencën është e verbër”, si rregull gjithmone e keqinterpretojne, kryesisht nga cektesia logjike,nganjehere edhe qellimisht. Ka dhe nje mundesi qe perkthehet keq duke konfonduar fene me besimin ne kuptimin e pergjithshem,jo thjesht me besimin fetar. Per ata ,qe e lexojne Ajnshtajnin jo per efekte te jashtme,per snobizem, kjo shprehje ka kuptimin:_ “Shkenca pa besimin (ne ate qe ben) është e çalë, ndërsa besimi( ne ate qe ben, ne objektivin) pa shkencën është i verbër.”
    Ajnshtajni vete e ka shpjeguar diku tjeter kur thote se shkencetari duhet te besoje, me besimin e nje fetari te vertete,ne objektin qe studjon ,qe te mund te kete sukses.

    Besoj se Bejko hyn ne ata qe nuk e kuptojne Ajnshtajnin. Prandaj eshte mire te mos merret me gjera qe nuk i di mire sepse ngaterron edhe te tjeret.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*