DOSSIER: Sadik Premtja, të vërtetat dhe trillimet mbi ‘trockistin e fundit’

November 22, 2014 20:14

DOSSIER: Sadik Premtja, të vërtetat dhe trillimet mbi ‘trockistin e fundit’

Historia e këtij rrëfimi erdhi krejt rastësisht. Një paradite vjeshte të këtij viti, duke pirë kafe me Idajet Hoxhën, ish-diplomat në Paris, ra fjala për Sadik Premten. “Unë e kam njohur Sadikun”, më tha krejt natyrshëm ai. Dhe pasi më tregoi disa episode sesi e ka njohur, pranoi që këtë histori ta rrëfejë për herë të parë në ‘DITA’.

Sadik Premtja është një emër shumë i njohur i historisë së lëvizjes komuniste në Shqipëri. I lindur në Gjorm të Vlorës dhe i njohur me pseudonimin ‘Xhepi’, ai ka qenë një nga pjesëmarrësit e paktë në mbledhjen e themelimit të PKSH më 8 Nëntor të vitit 1941. Por disa muaj më vonë, së bashku me ‘Qorrin’, alias Anastas Lulon, do të përjashtoheshin nga PKSH dhe do të eliminoheshin si fraksionistë. Por, ndërsa Qorri u vra, Sadik Premtja mundi të shpëtonte gjallë dhe të arratisej në Francë në vitin 1944, ku jetoi deri sa vdiq në prill të vitit 1991. Përveç disa radhëve në Historinë e PPSH-së, ku Premtja përshkruhej me notat më të zeza, asgjë nuk është folur apo shkruar për të më tepër paskëtaj. Heshtja e ka mbuluar gjatë gjithë kohës emrin e tij. Mirëpo, pas afro 40 vjet harrese, ai u nxor nga kujtesa e regjimit të kaluar për t’u përdorur si një nga pretekstet për të dënuar disa ‘armiq të partisë dhe të popullit’ në gjysmën e parë të viteve ’80 të shekullit të kaluar. Por edhe ky ‘rikthim’ i Sadik Premtes ishte krejtësisht i fshehtë, si diversantët, si pretekst për të dënuar ca ‘armiq’ si puna e Kadri Hazbiut e Llambi Peçinit… Për jetën dhe aktivitetin e Sadik Premtes në mërgim deri më tani informacionet kanë munguar thuajse krejtësisht. Këtë pjesë të jetës së tij na e sjell për herë të parë Idajet Hoxha, ish-Sekretar i Parë dhe Konsull në Ambasadën e RPSH në Francë dhe i akredituar pa seli në Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg, ku ka punuar për 63 muaj me radhë në gjysmën e dytë të viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980.

Trockisti i fundit

Sadik Premtja ishte emigrant politik ndër më të vjetrit në Francë. Banonte në Paris 19, në një nga zonat tregtare dhe të varfra, krahasuar me luksin e Parisit. Pothuaj gjatë gjithë kohës ka punuar nëpunës, ekonomist në një shoqëri multinacionale FNAC, e cila merrej me shitjen e artikujve shkollorë, elektronikë dhe pajisjeve për përdorim të përditshëm etj…

Sadik Premtja kishte kulturë franceze, ndofta i vetmi nëpunës nga radhët e shqiptarëve emigrantë që banonin në Paris, që kishte lënë Shqipërinë për shkaqe politike. Ai ishte intelektual dhe rreth tij vërtiteshin shumë kosovarë, më tepër për t’i marrë mendime dhe për të qenë në shoqërinë e tyre me shqiptarë, pavarësisht nga pikëpamjet. Ishte amortizues i pikëpamjeve apo ashpërsisë së njerëzve që e rrethonin.

Ai i ishte nënshtruar fatit. Fati e hodhi në anën e të mundurve. Gjatë gjithë kohës në Paris, nuk iu afrua ndonjë fuqie (të paktën nuk kishte asnjë sinjal) apo partie politike për të bashkuar forcat për tentativë kundërshtuese kundër regjimit në Shqipëri.

Sadik Premtja

Sadik Premtja

Ai që në fillimet e jetës në Paris, iu fut punës, në pamundësinë që të kishte dhe familjen pranë. Në vitin 1945 ai bëri tentativë për të krijuar familje me një vajzë shqiptare nga Vlora, por nuk ia arriti qëllimit. E gjeti rehatinë me një bashkëjetesë me një spanjolle apo portugeze, nuk jam plotësisht i saktë në këtë që po them. Por pak e rëndësishme është kjo. Në kundërshtim nga sa vepruan të tjerët, për Sadik Premten nuk kishte të dhëna se kishte bërë ndonjë shkollë të organizmave të spiunazhit, sikurse bënë disa krerë të Legalitetit e Ballit Kombëtar. Nuk kishte informacione që ai të kishte bashkëpunuar me ndonjë spiunazh apo të kishte trokitur në dyert e tyre, sikurse bënë disa drejtues të Ballit Kombëtar apo Legalitetit, të cilët u muarën me dërgimin e diversantëve në Shqipëri nga toka, nga ajri dhe nga deti. Ai qëndroi në pozicionin e tij të majtë, kryetar i grupit të trockistëve, atje ku e kishte hedhur historia, pastaj si trockisti i fundit, i cili, pa se si po fironin një e nga një anëtarët e grupit të tij trockist, deri sa ngeli vetëm, kur vdiq në prill të vitit 1991.

Sadik Premtja, sa qe gjallë, ruante pikëpamje të majta. I interpretonte ngjarjet në Shqipëri sipas koncepteve të tij, të cilat nuk ia kish ndryshuar koha. Ai përfaqësonte grupin trockist, i cili përbëhej nga dy-tre veta deri sa shteruan. Ai ndiqte lëvizjet politike në Shqipëri por bënte komente të matura, megjithëse personat që e rrethonin nuk kishin nivelin e tij politik dhe kulturor. Premtja qëndronte në mesin e tyre dhe kishte nevojë për të jetuar me njerëz. Megjithëse nuk duartrokiste për jetën në Shqipëri, nuk shfaqi inate e tendenca, paçka se çfarë mund të kishte pasur në kokë.

Ai kishte zgjedhur për të kaluar ditët e pleqërisë në kafenetë La Rotande, Luksemburg, Saint Michel. Në atë mjedis ndodhej jo shumë larg dhe Odeoni, Panteoni, në lindje: Universiteti i Sorbonës, Lagja Latine dhe Lumi i Senës. Më tej, në lindje, pasi kalon Lumin e Senës ishin Pallatet Mbretërore, Kompleksi i Muzeut të Luvrit, Parku i Tyilërisë, qendra e madhe tregtare Samariten etj. Këtë jetë do ta dëshironte kushdo. Dhe me Hasan Lepenicën, kryetar i Ballit Agrar, shijonin misrat apo gështenjat që piqte në një nga rrugët që të çonin te porta kryesore e Luvrit.

Sadik Premtja nuk ishte larguar ndonjëherë nga Parisi dhe nga kafet e preferuara të tij në Lagjen Latine, në të cilat kalonte po thuaj paraditet e ditëve të shtuna dhe të diela.

 

Idajet Hoxha

Idajet Hoxha

Armiku që vetëm heshtëte

Në Bulevardin Saint Michel, në krahun e djathtë në nr.78, ishte libraria me libra shqip dhe shtypin shqiptar. Kjo librari frekuentohej shumë nga shqiptarët dhe administrohej nga Kryetari i shoqatës së Miqësisë Francë Shqipëri, Abraham Behar. Në fund të Saint Michel ndodhet Bulevard Montparnasse, dhe kafe La Coupole që është frekuentuar nga shumë njerëz të shquar të botës politike dhe kulturore. Diku afër kësaj kafeneje me emër dhe Kullës prej qelqi Montparnasse, e cila ka 13 kate nën tokë dhe 56 kate mbi tokë, ka qenë zyra ku ka punuar Sadik Premtja.

Kur ndodhnin fenomene, ngjarje politike në Shqipëri, të cilat i ndiqte si nga shtypi, nga gazetat që vinin në librarinë shqiptare apo nga radiot, Sadik Premtja nuk shprehej vetë, por kur i përmendej emri në gazetë thoshte: “Eh! Kur kam qenë në Shqipëri kam qenë dikushi, dhe tani ma përmendin emrin, se kam qenë i rëndësishëm e ndiejnë frikën!”

Në Korrik 1977 mua më kishin emëruar në Ambasadën shqiptare në Paris, në pozicionin diplomatik Sekretar i Parë i Ambasadës me detyrën e Konsullit të Përgjithshëm i Shqipërisë në Francë, Belgjikë, Hollandë, Luksemburg dhe UNESKO, të cilat i mbulonte ambasada në Paris.

Para se te nisesha për në Paris, m’u desh të njihja situatën politike në vendin ku do ushtroja detyrën dhe për t’u njohur me grupimet e ndryshme të emigrantëve, tendencat e tyre, në se kishin aktivitet antishqiptar etj. Në arkivat shqiptare kishte një dosje me kapakë të vjetër, në brendësi të së cilës përshkruhej aktiviteti i Sadik Premtes si fraksionist në Partinë Komuniste. Më ka bërë përshtypje së në atë dosje nuk ndodhej asnjë e dhënë që ta komprometonte në veprimtari antishqiptare. Kjo nuk mjaftonte që unë të mos tregoja vëmendje. Aq më tepër se në ato ditë para se të shkoja unë në Paris, ishte qëlluar fasada Jugore e Ambasadës shqiptare në Paris me armë të rënda, bazuka, përdoruesit e të cilave kishin shkuar nga Belgjika në bashkëpunim dhe me disa të ikur nga Shqipëria që banonin në rrethinat e Parisit. Për fat nuk pati viktima. Pra kriminelët ekzistonin, bile dhe të pajisur me armatim të rëndë, të cilët kishin goditur nga rruga Longchamps, në të cilën, ishte vënë re, se kalonte shpesh herë dhe presidenti i Francës D’Esteing.

 

Një kafe në Saint Michel

Nga disa kosovarë që kishin frekuentuar Ambasadën në Paris, Sadik Premtja kishte mësuar se unë isha nga Vlora. Ai kishte thënë:

-Duhet të jetë djali i një të njohurit tim që është gjeneral në Shqipëri.

Personi që ma komunikoi këtë mendim të Sadikut dëgjoi përgjigjen time:

-Babai im, po të kishte sy, do të bënte dhe një luftë tjetër. Ai kishte qenë në luftën e Janinës në vitin 1913 dhe në luftën e Vlorës më 1920. Babai im nuk arriti të bëhet gjeneral. Ai ishte verbuar nga rrufeja qysh në vitin 1934, dhe duke qenë dhe i verbër, nuk kishte si ta merrte pushkën për të dalë në mal, u vra nga ballistët në Qershor 1944.

Kur personi që dëgjoi deklarimin tim kontaktoi me Sadik Premten, ia tha deklarimin tim dhe ai i ishte përgjigjur:

-Mund të jetë e vërtetë. Unë nuk kam qenë në Shqipëri kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk e kam dëgjuar si ngjarje. Megjithatë është një nga fiset që unë do dëshiroja të kisha miqësi! Janë fisnikë. Në vendlindjen e tij kam pasur miqësi. Nuk di nëse ekziston akoma!!?

Mua ma kishte prezantuar në largësi Sadik Premten, ish këshilltari i Ambasadës Dilaver Pinderi në kohën kur e pamë në një nga kafet rreth Lagjes Latine. Kur erdhi Eqerem Gaxholli, mua mu desh që për kuriozitet t’ia prezantoja Sadikun në largësi. Për ta bindur shokun tim Eqeremin se ai ishte Sadik Premtja, u paraqit natyrshëm rasti dhe miqësisht i bëra një lojë, nëse do ta quajmë kështu:

Rastësisht, një të shtunë na vjen në ambasadë kosovari V. nga fshatrat e Pejës… Ne e dinim se shkonte dhe në Portën Daufinne, në konsullatën jugosllave. Ai erdhi pa njoftuar dhe më kërkoi mua. Zbres nga kati tretë dhe e takoj. Bëra shaka me të. I thashë:

-Me siguri ke qenë në Portën Daufinne dhe e ke pirë kafen atje. Unë nuk do të gostis me kafe, por vetëm me konjak Skënderbej.

-Ti bën shaka, e di unë. Atje isha vërtetë se kisha një problem vize. Ma kanë ndaluar të futem në Kosovë. Kam vite pa i parë të afërmit e mi. Këtu erdha si te vëllai.

Erdhi kafazi, Maksi Baze, që bënte dhe detyrën e kamerierit dhe i solli kafe dhe konjak. Pas një gjysmë ore ai u bë gati të dilte dhe i thashë:

-Kafen do ta pimë bashkë në kafen Glob, në Saint Michel.

Kafja Glob ndodhej gati përballë librarisë shqiptare në Bulevardin Saint Michel. Ai doli, ndërsa unë u ngjita në zyrë. I them Eqerem Gaxhollit, i cili, në atë kohë ishte Sekretar i Parë i Ambasadës:

-Dalim të takojmë dhe bisedojmë me atë kosovarin që erdhi poshtë?

Pas një çerek ore dolëm. Morëm makinën dhe e parkuam diku në një rrugicë, afër kafe Glob. U futëm në kafe, porositëm nga një freskuese dhe pas pak erdhi kosovari V. Qëndruam rreth një gjysme ore me të dhe u çuam. U ndamë. Me Eqeremin morëm makinën dhe shkuam te kafe Saint Michel, e cila ndodhej rreth 300 metra më në lindje. U futëm dhe zumë një vend në një pozicion që i kishim kthyer shpatullat derës. I them Eqeremit:

-Tani do të vijë V. dhe do të shkojë te Sadik Premtja.

Shkuam dhe zumë vend nga fillimi i sallës. I prezantova Sadik Premten. “Sadiku është ai personi me kapele të zezë me strehë që është në tavolinën e fundit në sallë së bashku me disa shqiptarë të tjerë”, i thashë.

Në fillim Eqeremi nuk e besoi, pastaj, pas disa minutash nga pasqyra që kishim përballë, vumë re se në sallë u fut V. dhe e mori drejtimin për te tavolina ku ishte Sadik Premtja, Hasan Lepenica, një person nga Kopliku me mbiemrin Elezi dhe dy të tjerë që nuk i njihnim. Sadiku, Lepenica dhe Elezi nga Kopliku, pothuaj e kalonin kohën në atë kafe çdo të shtunë dhe të diel, ndërsa të tjerët vinin për ta dëgjuar se Sadiku kishte muhabet të ëmbël. V. takoi duart dhe ata i thanë:

– Shko takoi dhe tek ata komunistët se u ngelet qejfi! I ndodhur në një pozitë të vështirë, për të mos u ekspozuar se ishte takuar me ne, erdhi dhe na dha dorën. Pastaj ai u ul te tavolina e Sadikut me të tjerët.

-Tani bindesh që ai personi ulur me kapele të zezë me strehë është Sadik Premtja? – e pyes Eqeremin.

-Tani bindem. Nuk ma merrte mendja se do të më bëje një prezantim kaq të saktë e figurativ – tha Erqeremi. Eqerem Gaxholli kishte mbaruar Universitetin e Sorbonës në Paris dhe i njihte ato vende me pëllëmbë e me histori. Ne qëndruam dhe ca në kafe dhe u çuam të parët e u kthyem në Ambasadë.

Sadik Premtja u ruhej grumbullimeve të shqiptarëve. Nuk shkonte as në festat e Pavarësisë, as në ndonjë aktivitet të shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri. Bile disa persona nga të shoqatës, kishin njohur personat që mund të organizonin sherre dhe i përzinin nga tubimet duke i kërcënuar me policinë e vendit.

 

Sadik Premtja dhe Kadri Hazbiu

Sadik Premtja numëronte muajt kur do dilte në pension dhe gati çdo ditë dhe çdo fundjavë vinte nga Parisi 19 dhe ulej në kafet e kryqëzimit të Saint Michelit. Aty afër ndodhej dhe libraria me literaturë nga Shqipëria. Nuk dihet se çfarë kishte Sadiku në mendje, por nuk ishte vënë re as një tentativë për të dalë nga gjendja që iu krijua qysh kur iku nga Shqipëria. Nuk mërzitej kur ndonjëri bënte shaka kur, si si padashje, i zinte në gojë fjalën fraksionist! Gjatë kohës që unë kam qenë në Francë, Kadri Hazbiu ka ardhur dy herë, kemi dalë bashkë nëpër Paris dhe asnjëherë nuk është folur, bile as na ka shkuar mendja për Sadik Premten. Ne na shkonte mendja të shikonim gjëra të bukura me qenë se na u dha mundësia, dhe jo të ktheheshim në vite pas.

Sadik Premtja duke qenë i mençur, shkonin shumë vetë dhe i merrnin mendimin. Ai nuk ishte agresiv. Në tavolinë ulur me shqiptarët e tjerë, bënte biseda larg politikës. Ne na duhej ta njihnim, paçka se ai nuk kishte aktivitet kundërshtar të deklaruar…

Në Zyrën Konsullore në Paris ishte e shënuar adresa e banimit të Sadik Premtes. Ai banonte në Parisin 19, në afërsi të Pazarit të Pleshtit. Numri i telefonit të shtëpisë në vitin 1982 ishte 2067232. Kjo praktike ishte ndjekur sepse shpesh, anëtarë të familjeve nga Shqipëria kërkonin në Ministri të Jashtme apo në rrugë të tjera, adresat për komunikim dhe ne s‘kishim shkak për të mos ua dhënë adresat. Disave u dërgoheshin gazetat në adresën e shtëpisë.

 

Sadik Premtja nuk e dinte se ishte plagosur!

Unë jam kthyer nga Franca në nëntor 1982. Kur kam qenë atje, nuk kam dëgjuar mbi ndonjë tendencë për gjoja eliminimin fizik të Sadik Premtes. Në këto vite, pas 1990, janë bërë disa shkrime nga të afërm të Sadik Premtes, ku bëhet fjalë se i kanë bërë atentat me anë të Sigurimit të Shtetit!

Nuk besoj se do të ketë njeri që të marrë detyrën të vrasë një njeri në Paris të cilin e ka inat Qeveria, dhe të shpëtojë pa u zbuluar nga policia e Parisit. Sadik Premtja ka qenë banor i Parisit dhe jo i Tiranës apo i Vlorës, ku shumë policë janë të politizuar dhe para se të të shikojnë në fytyrë, të shikojnë nga duart dhe nga xhepat! Pretendohet se Sadikun e ka shpëtuar nga atentati një person, fis i Avni Rustemit. Për këtë person jap këto sqarime:

Ai që pretendohet se është fis i Avni Rustemit quhet Sabaudin Dino. Është libohovit por jo fis i Avni Rustemit. Ai dikur mund ta ketë quajtur veten udhëheqës të Ballit Kombëtar, por nënvizoj se me Sadik Premten ishin në armiqësi, ndofta për shkak të ideve, ose dhe për faktin se nuk kishin natyrë e kulturë të njëjtë. Sabaudini punonte kamarier te Les Balcanes në Lagjen Latine, nuk kishte nivelin t’i bënte shoqëri Sadik Premtes. Sabaudinit ja merrte klientët nga salla e restaurantit kamerieri dropullit Jorgo (Georges) Kuruni, i cili kishte aftësinë të fitonte, të punonte pa rrogë nga pronari, duke pranuar të mbulonte jetesën me bakshishin që i linin klientët bazuar në kënaqësinë që u krijonte.

Ata që kanë shkruar se ka dashur t’i bëjë atentat Llambi Peçini, me shumë i kanë bërë dëm se sa i kanë rritur vlerat Sadik Premtes. Kushdo që shkon në Paris, duhet të mendojë se rrallë mund t’i takojë të shkojë përsëri me paret e shtetit. Unë kam qenë atje dhe jemi parë me Sadik Premten në të njëjtën sallë dhe kemi respektuar pozicionin e njeri-tjetrit, duke pirë kafen secili me shokët e tij dhe në tavolina të ndryshme. Të vërtetën e zgjidh ditari i Sadik Premtes. Është goditur me sëpatë apo me kobure!? Një variant është se Sadiku shpëtoi se atentatorit i është thyer bishti i sëpatës!

Nëse ka mbajtur ditar, duhej të dorëzohej e të ruhet në një muze, për arsye se ka brenda konfliktet e kohës, ka vlera për ata që kanë dhe s’kanë afri shpirtërore me të. Patjetër në të do të jenë përshkruar dhe “atentatet” e viteve 1956 dhe 1961.

 

Dëshmitarët në gjyqin e Llambi Peçinit

Nëse ndonjë lexues krijon idenë se Llambi Peçini ka tentuar të vrasë Sadik Premten, duhet të mendojë se një njeri me mend kurdoherë do të pëlqente të jetonte në liri e në Paris, sesa në errësirën e burgut. Unë kam qenë jo pak por 63 muaj në Paris dhe asnjëherë nuk më është shtruar detyra për të bërë atentate. Unë nuk kam pasur detyrë të eliminoj terroristë, e jo më Sadik Premten, i cili me sa dimë ne, atje ku e kishte hedhur fati nuk i bënte keq njeriu.

Ka mënyra të tjera, që të kenë pak vërtetësi, për të ngjallur urrejtje për Sigurimin e Shtetit dhe njerëzit që ishin në pushtet. Sadik Premtja nuk e dinte se “ishte plagosur”! Këtë fakt e dinin ata që u pillte mendja e shikonin ëndrra me viktima… këtu në Tiranë!

Sipas mendimit tim dhe si njeri i fushës së shërbimeve inteligjente, shpreh mendimin se “plagosja” e Sadik Premtes apo tentativa për ta vrarë me kacave (spatë e vogël) të cilës i u thye bishti, është pjesë e skenarit të Grushtit të Bardhë, të zhvilluar në Tiranë në vitet 1981-1983. Për këtë akuzë të prodhuar në ndonjë zyrë burgu në Tiranë, nuk ka asgjë inteligjente. Është besuar sepse është prodhuar dhe servirur nga politikanë “të dalë nga klasa punëtore”. Për këtë është akuzuar një ish paraardhës imi që kishte qenë në Paris, shumë vite të shkuara, se kishte tentuar të vriste Sadik Premten. Në fakt Sadiku “nuk e ka ditur se i është bërë atentat” e të ishte plagosur, se do kishte qenë objekt sensacioni i gazetave në Paris. Imagjinata e njerëzve që janë futur nga dritarja jo nga dera, në fushën e shërbimeve inteligjente, aq arrin.

Për ta “dokumentuar” akuzën, thërrasin në hetuesinë e Llambi Peçinit dy persona nga Dukati, më 23 Mars 1983, çobanin e kooperativës Ahmet Kullurin dhe brigadierin e blegtorisë Mit’hat Peçuli, të cilët konfirmuan se… kishin parë Llambin në stanet e Rovenës, (Llambi mund të kishte shkuar dhe në Mumuc) më 22 Mars 1982, ku Llambi kishte treguar: Si ishte bërë atentati ndaj Sadik Premtes në Paris! (Këto radhë janë marrë nga libri “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij” f. 168 të autorit Kastriot Dervishi).

Eh!, sikur t’ia tregonin këtë histori Sadik Premtes kur ishte gjallë. Do qeshte… me këtë fantazi injorantësh.

 

Përgatiti për botim Xhevdet Shehu

 

November 22, 2014 20:14
Komento

8 Komente

  1. avrizuja November 22, 22:20

    GAZETARI XHEVDET SHEHU NUK KA ARRITUR TE KUPTOJE SE SHQYPNIA PO KERKON TE FUTET NE BE-NE ANTIKIMUNISTE DHE DEMOKRATIKE

    dhe per kete arsye miletit sot nuk i intersojne fare kallezimet e DUDUMEVE te Partise se Punes si Idajet Hoxha per te zbuluar ne dhe te huaj ARMIKUN e jashtem, sepse o milet koha e tregoi se ARMIKU ishte vete Mehmet Shehu me gjithe ushtrine e gjaneraleve pas tij qe enver Hoxha i vrau dhe i masakroi si nje sadist i vertete. Prandaj edhe i bejme gazetes DITA nje pyetje fare llogjike:

    KUJT I DUHEN KETO INTERVISTA ME DUDUMET FANATIKE TE ENVER HOXHES?

    Reply to this comment
  2. avrizuja November 22, 22:22

    GAZETARI XHEVDET SHEHU NUK KA ARRITUR TE KUPTOJE SE SHQYPNIA PO KERKON TE FUTET NE BE-NE ANTIKIMUNISTE DHE DEMOKRATIKE

    dhe per kete arsye miletit sot nuk i intersojne fare kallezimet e DUDUMEVE te Partise se Punes si Idajet Hoxha per te zbuluar ne dhe te huaj ARMIKUN e jashtem, sepse o milet koha e tregoi se ARMIKU ishte vete Mehmet Shehu me gjithe ushtrine e gjeneraleve pas tij qe Enver Hoxha i vrau dhe i masakroi si nje sadist i vertete. Prandaj edhe i bejme gazetes DITA nje pyetje fare llogjike:

    KUJT I DUHEN KETO INTERVISTA ME DUDUMET FANATIKE TE ENVER HOXHES?

    Reply to this comment
  3. Bragjini November 22, 22:51

    E lexove deri ne fund o komentues i leshit?!Mire bere!Tani ik dhe ti bej ndonje gje me jeten tende.

    Reply to this comment
  4. Pëllumb zaimi November 23, 01:27

    Xhota? Një intervistë interesantë për figurën e Sadik Premtes? E kemi njohur pak si “fraksionisti” apo “xhepi” por,vetëm kaq? Nëpërmjet kësaj interviste kuptova më shumë rreth tij, rreth pozicionit politik dhe si qytetar francez? Figurë interesante megjithatë më duket se dhe ambasadori nuk ka arritur ta njohë mirë? Nderime xhota! P/s mundohu të zbërthesh dhe z. E. Gaxholli (n.q.s jeton), ambasadorin pas Idajetit se çfarë mësoi më tej rreth Sadik Premtes? Tung!

    Reply to this comment
  5. labi November 23, 23:05

    ore! ende me keto plehra te komunizmit do merremi ne?????

    Reply to this comment
  6. "Horri i Bulevardit" November 24, 06:56

    Per Sadik Premten, eshte hedhur ne publik, vetem versioni i Enver Hoxhes dhe brezi yne, nuk mund te thone asgje me teper, se skane cfare te thone, kush jep versione te tjera, jane vetem thashetheme kafenesh.
    Harresa ne kohe, zhduk shume gjurme, qe japin te verteten, kjo ndodhi edhe me Sadik Premten.

    Reply to this comment
  7. labinot November 24, 09:31

    Kyy Xhepi paska ndejtur urte.Po ku i gjinte Enver Hoxha keta armiq te rrezikshem,qe rrinin te gjithe urte??Po Sejfulla Maleshova nuk ndejti urte deri sa e lane shtrire ne dyert e spitalit te Fierit te vdiste nga apandesiti.!

    Reply to this comment
  8. faro March 12, 23:53

    Eqerem Gaxholli eshte burre, trim, inteligjent!
    Pergezime Gaxholli!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*