Sahati, një nga “shtatë mrekullitë” e Korçës

Vepror Hasani March 8, 2015 13:30

Sahati, një nga “shtatë mrekullitë” e Korçës

Ka qenë një fjali e vetme, e thjeshtë, madje në dukje e rastësishme, e kryeministrit Rama gjatë inaugurimit të kullës së re, ku ka thënë se radhën tani e ka rindërtimi i sahatit të Korçës, lajm që ka gëzuar dhe entuziazmuar jo vetëm banorët e “Kasabasë”, por të të gjithë Korçës për një nga vlerat më të rralla të munguara të këtij qyteti historik, emblemën identitare të tij, sahatin legjendar mesjetar, një nga “shtatë mrekullitë” e Korçës. Por gëzimin e ka shtuar një lajm tjetër i këtyre ditëve, Artan Lame, kreu i ALUIZNI-it, njëkohësisht arkitekt, i ka propozuar grupit që po merret me rindërtimin e Pazarit të Vjetër në Korçë edhe rindertimin e Kullës së Sahatit, pavarësisht se ajo nuk ndodhet në territorin e Pazarit.

Për lexuesin, që, për arsye të ndryshme, nuk ka njohuri për këtë vepër të kthyer në pluhur e hi nga shkaqe të shumta, historike, politike, shoqërore, por edhe natyrore dhe njerëzore, në këtë shkrim do të mundohemi të paraqesim historinë e tij në shekuj.

Kush e ndërtoi Sahatin!?…

Sahati i qytetit të Korçës u ndërtua në saj të bashkëpunimit vëllazëror mes tregtarëve myslimanë të qytetit të Korçës dhe tregtarëve të krishterëve të Voskopojës, me të cilët kishin patur bashkëpunim të hershëm, miqësi të vazhdueshme dhe krushqi të pandërprera mes tyre. Duke filluar që nga viti 1762, voskopojarët vinin në pazarin e Korçës dhe mësonin zanatet e tregtimit dhe mjeshtëritë. Madje voskopojarët, edhe kur u zhvendosën nga Voskopoja dhe erdhën në Korçë, siç thotë studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi “… pasi u vendosën në qytetin tënë, të ardhur këtu pas prishjes së Voskopojës, u asimiluan aq mirë me ne, me anë të krushqive dhe janë çquar dhe po çquhen aq si tregtarë edhe si profesionistë të çdo dege në mest tonë, sa edhe si shqiptarë e qytetarë të mirë”. Gjithashtu Ilo Mitkë Qafzesi thotë se voskopojarët duke u vendosur në Korçë zgjodhën për vend shtëpie mëhallën e quajtur e “Voskopojarëve”, pranë pazarit edhe përveç kësaj u veshën me dollma e me xhybe si tyxhari shqiptar korçar i asikohe”. Madje duket se në shenjë mirënjohje , voskopojarët porositën një gravurë për Kasabanë, qytetin e vjetër të Korçës. Gravura është e vitit 1767 dhe u skicua në Vjenë prej voskopojarit Theodhor Sina Grundo, nën përkujdesjen e murgut të shenjtë Parthen të manastirit të Shën Prodhromit Voskopojë, me shpenzime prej tregtarit gjithashtu voskopojar të asaj kohe, zotit Andrea Tirka. Gravura është e gdhendur në dru. Së fundi, më 1784 u ngrit sahati i “Kasabasë”, ku investua prej rufetit të bakejve me anëtarë myslimanë në bashkëpunim vllazëror me zejtaro-tregtarët e Voskopojës.

Kur punon në drejtim të kundërt të sahatit!…

Që nga koha kur qeveria shqiptare interesohej për sahatin e Korçës, nëse punonte allaturka apo allafrënga, kishin kaluar disa vjet. Në krye të bashkisë së Korçës kishte ardhur Vasil Avrami (Në atë kohë kryebashkiakët emëroheshin). Fill pas ardhjes së tij, sahati i Korçës nisi të lihej gjithnjë e më shumë pas dore. Dukej sikur dikujt i interesonte rrënimi i tij. Banorët e Korçës nuk arrinin të kuptonin dot se çfarë po ndodhte. Përse nuk po i kushtohej më vëmendje orës së qytetit? Ata shkonin e qaheshin te gazetat e Korçës, por edhe kur autoritet e bashkisë denononcoheshin në shtyp, sërish asgjë nuk ndryshonte. Vasil Avrami nuk dëgjonte nga ai vesh. Bënte vazhdimisht shurdhmemecin. Nga kronikat e kohës përshkruhet pak a shumë kjo situatë: “Shumë njerëz na janë qarë për punën e sahatit të qytetit, i cili nuk bie në rregull dhe shumë shpesh nuk tringëllit fare, kujt i përket kjo çështje le të kujdeset, se pleqtë tanë nuk e bënë këtë sahat vetëm për bukuri, por edhe për të ditur kohën (“Gazeta e Korçës”, 28 mars 1925).

Ankesa të tilla vinin kohë pas kohe. Të gjitha gazetat shkruanin. Edhe “Zëri i Korçës” e vinte në dukje këtë fakt: “Kemi shumë kohë që nuk e dëgjojmë orën e madhe të qytetit. Dimë se për këtë punë paguhet një njeri për ndreqjen dhe kurdisjen, dhe me gjithkëto në heshtje ndodhet kjo punë. Lutemi kompetentëve të marrin masat e duhura se është turp për Korçën që orë të ketë dhe orë të mos dëgjohet. (Gazeta “Zëri i Korçës”, 28 nëntor 1925).

Për 5 vjet me radhë që nga viti 1925 deri në vitin 1930 nga banorët e Korçës vazhdonin të vinin të njëjtat ankesa. Më 15 nëntor 1930 “Zëri i Korçës”, shkruante: “Edhe tjatër herë kemi folur për nevojën që ka ky qyteti ynë për një sahat të madh publik. Këtë nevojë e kanë ndier jo vetëm banorët, por edhe vizitorët vendasdhe të huaj që vijnë dendur në këtë qytet. Vizitorët sigurisht do të kenë thënë me veten e tyre, “si qyteti i Korçës mos të ketë një sahat të madh publik!” Bashkitë në vendet e qytetëruara kujdesen edhe për gjëra më të vogla dhe jo më për një sahat i cili është tepër i nevojshëm. Sikundër dihet bashkia jonë harxhon çdo mot për nevojat të tjera të qytetit qindra mijë franga ari. Pra nuk do të jetë keq që në buxhetin e ardhme të shënojë dhe një kredi për ndërtimin e një sahati publik. (Zëri i Korçës, 15 nëntor 1930).

Për 5 vjet me radhë nga ana e bashkisë nuk ishte dhënë asnjë përgjigjë. Duket se Vasil Avrami e kishte patur një plan në mendjen e tij. Priste vetëm ditën e volitshme për ta shpallur. Ishin gazetarët e asaj kohe që mundën të zbardhnin gjithçka deri në detaje. Dhe gjithçka nisi të bëhet e njohur për publikun që nga viti 1929. Fillimisht ishte dhënë ky njoftim: “Javën e shkuar urdhëroi arkitekti italian, z. De Fausto. 10998313_732913703491449_6517505194719593788_nZotëri e tij ardhi të merrej vesh me kryetarin e Bashkisë z. Vasil Avrami mbi planin e godinës së re të bashkisë. Pasi ndenji nja dy ditë, u kthye Tiranë, ku do të përgatitë planin brenda një muaji. Godina e re e bashkisë do të ngrihet me dy kate, do të ketë 20 oda, dy salone të mëdhenj dhe përpara një kopësht të madh. Në krye të godinës do të vihet një sahat i madh…” (“Gazeta e Korçës, 30 maj 1929). E pra, Vasil Avrami e kishte shpallur ambicien e tij. Ai dëshironte të ngrinte një sahat tjetër të madh, por jo aty ku kishte qenë, por në anën tjetër të lumit, aty kur dikur shtrihej fshati Peskëpi, e që më pas do të quhej Varosh, i cili do t’i bashkohej Korçës disa shekuj më vonë nga dita e themelimit të qytetit, (1496). Cilat ishin arsyet që Vasil Avrami dëshironte ta transferonte sahatin e qytetit në Varosh, ende kanë mbetur të panjohura.

Nuk dihet si e qysh ndodhi, por në fillim të vitit 1930, Vasil Avrami dha dorëheqjen si kryebashkiak. Nuk dihet gjithashtu nëse kjo gjë ndodhi për shkak të sahatit ose jo, por nuk është çudi që të ketë ndodhur edhe për këtë arsye. Vasil Avrami ato ditë sapo ishte kthyer nga Athina, ku kishte qëndruar atje për një muaj resht. Për të gjitha këto, si gjithnjë, informonte shtypi i kohës: “U kthye nga Athina ku kishte vajtur para një muaji kryetar i Bashkisë Vasil Avrami me zonjën”. (“Posta e Korçës”, 17 dhjetor 1929). Po kjo gazetë do të shkruante përsëri: “Ministria e Punëve të Brendshme e pranoi dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë Vasil Avrami dhe ngarkoi zëvëndësin e tij, z. Ymer Fazlli, me të kryerin e asaj detyre gjer sa të emërohet titullari definitiv”. (“Posta e Korçës”, 16 janar 1930). Për shkak të dorëheqjes, Vasil Avrami nuk pati fatin as të inauguronte prerjen e shiritit për ndërtimin e godinës së bashkisë dhe as të shihte sahatin e madh të Korçës mbi tarracën e kësaj ndërtese, i cili nuk u ndërtua atje.

Shpresë…

Bashkia qëndroi mjaft kohë pa kryetar bashkie. Rolin e tij vazhdonte ta luante zëvëndëkryetari i bashkisë Ymer Fazlli. Por së fundi edhe kryebashkiaku i ri u ul në karrigen e kryetarit të Bashkisë Korçë. Ai ishte Rustem Ymeri. Interesimi i tij për sahatin e Korçës u duk qartë që në ditët e para të mbërritjes. Banorët e Korçës që kishin pritur për 5 vjet me radhë, më në fund nisën të ndihen të qetë. Kryebashkiaku i ri po interesohej për gjithçka. Nuk kaloi shumë dhe të gjithë morën vesh se bashkia kishte nisur të hartonte një projekt për rikonstruksionin e sahatit. Lajmi u përcoll edhe përmes shtypit të kohës: “Bashkia e Korçës nxjerr në adjudikatë (njoftim) pakdhënie (tenderim), konstruktimin e shkallëve dhe dyshemeve të ndërtesës së sahatit. Rustem Ymeri, Kryetar i Bashkisë”. (“Gazeta e Korçës”, 31 maj 1933). Në muajin tetor shtypi publikoi edhe një njoftim tjetër: “Bashkia e qytetit tonë nxori në ankand dhe dha rindreqjen e godinës së sahatit. Pas sa marrim vesh rindreqja do të bëhet në mënyrë moderne, duke u goditur pjesa e sipërme krejt me betonarme dhe duke e lartësuar edhe dy metra akoma. Përveç kësaj do të meremetohen dhe muret e vjetër, duke u forcuar me beton dhe hekur, kështu që për pak kohë qyteti ynë do të ketë një kambanë të sahatit nga më të bukurat të Shqipërisë (“Gazeta e Korçës”, 20 tetor 1933).

Korça dhe Sahati, më në fund në një dorë të mirë

Tashmë qyteti e kishte sahatin e tij ashtu si dikur. Njerëzit nisën të dëgjonin sërish tingujt e tij, tregtarët nisën të hapnin dyqanet bashkë me zërin e kambanës së orës, nxënësve të shkollës u kujtonte orën e mësimit, udhëtarve u tregonte orën e mbërritjes në këtë qytet, ku kambana të krijonte përshtypjen se vazhdimisht përcillte mesazhin e saj miqësor: “Këtu jeni në qytetin e Korçës. Mirë se na erdhët!” Që të gjitha këto ishin realizuar falë përkujdesit të kryebashkiakut Rustem Ymeri. Përkushtimi i Ymerit dhe fjalët e mira që thuheshin për të kishin shkuar deri në Tiranë, në qeveri. Mbreti kishte vendosur ta dekoronte. Gazetat e kohës këtë lajm e përcollën kështu: “Prefekti z. Ismail Kryeziu, i autorizuar posaçërisht, i dorëzoi kryetarit të Bashkisë z. Rustem Ymeri dekoratën e “Skënderbeut”, me të cilën denjoi ta dekorojë L.M.T, Mbreti, për aktivitetin e tij të madh që ka treguar disa vjet vazhdimisht”. (“Gazeta e Korçës”, 14 dhjetor 1935).

Më në fund kulla e sahatit u shemb nga një tërmet i vitit 1960. Që nga ajo ditë e deri më sot, askush nuk u kujdes për rindërtimin e tij. Tashmë shpresat janë rinjgallur sërish: Kryeministri Rama premtoi ngritjen e sahatit të Korçës. Shpresojmë të ndodhë sa më shpejt!…

Konstrukorët e Sahatit, gegët e Veriut

sahati-osmanSipas të dhënave, Sahati u ndërtua nga mjeshtrit malësorë. “Ora është e vendosur në një godinë të lartë dhe të ngushtë prej guri. Ajo është ndërtuar më 1784, prej mjeshtrash ndërtimi malësorë nga veriu i vendit, ndërsa këmbanën e orës, e cila peshon afërsisht 40 okë (rreth 50 kg), e ngritën fqinjët tanë voskopojarë”, mësojmë nga një kronikë e kohës. Sahti u ngrit në oborrin e xhamisë së madhe…”.. Kulla e sahatit të Korçës ishte një nga ndërtimet më të bukura të mjeshtrëve malësorë. Madje jo vetëm kaq, një pjesë e tyre (e malësorëve) qëndruan përjetësisht në Korçë, aty ngritën banesat edhe dyqanet e tyre e u bënë miq të përjetshëm me banorët e Korçës. Hallva gege ishte një nga produketet e tyre të famshme që tregtohej në ato vite në Korçë.

Sahat, që punonte sahat!…

Qeveritarët e Korçës e kishin gjithnjë një merak: mos vallë sahati prishej dhe viztorët nuk e gjenin më Korçën ashtu siç e kishin ëndërruar. Kjo gjë nuk duhej të ndodhte. Gjithashtu, qeveritarët tanë kishin edhe një merak tjetër: dëshironin që ora të punonte saktë dhe gjithnjë evropianisht, që kur të huajtë të hynin në qytetin e Korçës të kuptonin që kishin mbërritur në Evropë. Kush më mirë se Korça mund ta bënte këtë prezantim dinjitoz. Mund t’ju duket e pabesueshme, por ky merak i qeverisë ishte tërësisht i vërtetë. Ja çfarë shkruan gazeta “Koha”, 23 tetor 1920: “Me gjithë punërat e mëdha që ka qeveria tonë, pyet zyrtarisht katundarinë (bashkinë) e Korçës, që qysh punon sahati në qytet. Padyshim që u përgjigj katundaria, që punon si në gjithë botën, evropianisht”. Ndoshta përgjigje më të sigurtë as qeveria nuk do ta kërkonte: “Punon si në gjithë botën, evropianisht”.(“Koha”, 23 tetor 1920)

Pas xhonturqve, sahati: nga allaturka në allafrënga

Pas reformave që po ndërmerreshin nga qeveria turke më 1908, intelektualët e Kasabasë (Korçës), duke përfituar nga situata, vendosën që sahatin e qytetit nga një sahat që deri atë ditë kishte punuar në stilin allaturka, ta kthenin në një sahat që punonte me ritmet e Evropës – allafrënga. Kjo kishte qenë një dëshirë e hershme e tyre dhe tashmë e kishin shndërruar në realitet. Këtë fakt e gjejme edhe te kronikat e kohës. Ja çfarë thuhet më konkretisht: “Nga reformat e qytetërimit përfitoi edhe hyqymeti i Korçës, duke ndërruar sahatin allafranga. Kështu pra, nuk do t’u vinj rëndë mërgimtarëve që janë mësuar në Evropë, kur e gjejnë atë lehtësi edhe këtu”. Kjo është dhe një arsye më shumë që sahati i Korçës të lartësohej ashtu si më parë.

 12963_337152076400949_613131115_n

Sahati, bukuria vertikale e qytetit

Kulla e sahatit të Korçës ishte projektuar me një mendim arkitekturor të qartë. Ajo i rriste vlerat e qytetit të Korçës. Në gjithë shtrirjen horizontale të Kasabasë, kulla e sahatit ofronte një bukuri të veçantë vertikale, duke realizuar kështu thyerjen më të bukur arkitektonike. Megjithatë, më mirë se kushdo tjetër këtë gjë e ka shpjeguar posaçërisht për sahatin e qytetit të Korçës, studiuesi Pirro Thomo, te libri i tij, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 264, ku shkruan: “Kulla e sahatit të Korçës ngrihej në afërsi të pazarit, në oborrin e xhamisë së Iljaz bej Mirahorit. Ajo formonte një kompleks me xhaminë dhe, së bashku me minaren ishin të vetmet elemente vertikale në siluetën e përgjithshme të shtrirë të pazarit dhe të lagjes pranë. Sahati i Korçës ngrihej mbi një kullë mjaft të lartë në formë katrore në plan, e ndërtuar e tëra me gurë të papërpunuar, ku dallonin qoshet e skuadruara dhe mbyllja e fugaturave me gëlqere, që linin në dukje sipërfaqet e gurëve. Mbi këtë bazament të lartë ishte vendosur ora, e cila lajmëronte kohën me anën e kambanës. Mbas rikonstruksionit të vitit 1893 mbi kullë u ngrit një pirg i vogël, që mbante orën dhe mekanizmin e tij”.

Ndërsa sipas Nuçi Naçit, “në vitin 1893, ora e vjetër me këmbanë u zëvëndësua me një orë të tipit më të ri”. Veç sa më sipër, përse Korça të mos e kishte sahatin e vet, kur jo të gjitha qytetet e kishin patur fatin të kishin një sahat të madh publik. Sigurisht, qyteti i Korçë nuk mund të kuptohej pa sahatin e tij.

Sahati i Korçës ishte vërtet një mrekulli. Kulla e tij ishte ngritur me shumë përkushtim nga mjeshtrit malësore që kishin ardhur posaçërisht nga veriu. Pas ngritjes së tij, Korça nuk mund të identifikohej dot më pa atë sahat. Gjithkush që vizitonte këtë qytet, e vështronte sahatin gjithë admirim. Vizitorët që vinin, përveç bukurisë së qytetit merrnin me vete jo vetëm hijeshinë e mënyrës së ndërtimit, por edhe tingujt e sahatit që vazhdimisht dukej sikur përcillnin një mesazh të vetëm: “Këtu jeni në qytetin e Korçës. Mirë se erdhët!”

 

 

Vepror Hasani March 8, 2015 13:30
Komento

3 Komente

  1. beni March 8, 16:29

    Or vepror hasani!
    Ajo xhamia karshi sahatit qe ju e quani xhami e mirahorit perpara ish kishe bizantine e kthyer ne xhami e quhej kisha e shen premtes!
    Mundou te tregosh realitetin se ju ben mire brezit te ri te mesoj historin reale e jo trillime!
    Nuk lexoj ta kesh cituar fjalen kishe ne fotografin e pare por hidhesh direkt tek xhamia e mirahorit?historia ngelet histori e nuk kerkon paskajore!

    Reply to this comment
    • Luka March 9, 10:42

      Qytetin aktual te Korçes e themeloi Iliaz Mirahori me ferman te sulltanit te asaj kohe.
      Qytetaret e Korçes u perjashtuan nga taksat si edhe sherbimi i detyruar ushtarak,si shenje kjo mirenjohje per kontributin e madh qe gjenerali Iliaz Mirahori dha ne çlirimin e Kostandinopojes 1453 prej zgjedhes obskurantiste greko bizantine

      Reply to this comment
  2. tani March 9, 01:12

    ku osh qellimi i ktij artikulli? neotomanizma? dun me kthy qytetin 200 vjet mrapa? ene pasanaj gjith venin? mardhoniet tona me turqin i shef me sy …tjeter europa. turqia nuk don me le shqiperin me hy n europ, se ajo nuk hyn. nuk e dun europianet.politikanet ton kujdes veprimet

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*