Sajme: Këmbësorët dhe biçikletat, me rrip sigurimi ndryshe gjobiten

May 22, 2016 18:39

Sajme: Këmbësorët dhe biçikletat, me rrip sigurimi ndryshe gjobiten

 

Ai që ka menduar se masat e ashpra kundër kundravajtësve të qarkullimit rrugor nuk kanë sesi bëhen më drakoniane se kaq, e ka gabim. Ka qenë një seri aksidentesh gjithsesi pa fatalitete, që kanë detyruar ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri të miratojë dy dispozita të reja që do të futen me urgjencë në Kodin e qarkullimit rrugor, thonë Gojët e Liga.

Por le ta nisim së pari me aksidentet. Ndër më spektakolarët ishte përplasja e ditës së martë mes këmbësorëve Albert Tyryfyli dhe dhe Ndrageta Çaushbashi, që po kalonin vijat e bardha të rrugës përballë njëri-tjetrit. Duke mos arritur dot të ndanin me instinkt se nga cili krah do kalonte secili përpara se fikej semafori jeshil i këmbësorit, dy të rinjtë u përplasën me pasoja serioze: Ajo u dëmtua rëndë në sedër, ndërsa ai në cilësinë e gjumit të natës, që pas asaj ngjarjeje. “U përplasëm, po keq fare”, shpjegoi Tyryfyli për shoqninë, “m’u ngjesh e tëra dhe s’kërkoi të falur hiç. Kam përshtypjen se më kish fiksim”. Tjetër këndvështrim kishte e dëmtuara. “Unë”, tha Ndrageta për shoqninë duke perënduar sytë, “sikur kam magnet për çunat mi goc’?! Si erdhi e u përplas ashtu ai?”

Një tjetër ngjarje nga seria e aksidenteve të ngjashme, ishte ajo e ditës së xhuma, kur pala 22 cantimshe e pantallonit të biçiklistit Sherbet Zeheri, ngeci në zinxhirin e biçikletës së Hurma Kumbullës në rrugën Bardhyl. “Mezi e çkoqita palën e pantallonit nga zinxhiri, aq sa polici rrugor kujtoi se qëllimisht nuk doja të largohesha nga biçikleta e Hurmasë. Mirë kjo, po ku ka sapun e detergjent që ta heqë grason tani?”, shpjegoi për mediat Sherbeti, “e vetmja shpresë që kam, është që të blej një pako detergjent dhe të më bjerë dhuratë brenda, një palë pantallona!”

Këto dhe episode të tjera të trazuara, të raportuara me urgjencë tek ministri, detyruan Sajmen të dalë me zgjidhjen radikale: këtej e tutje, edhe këmbësorët dhe biçiklistët duhet të përdorin rripin e sigurisë kur ecin në rrugë. “Jemi ne, të njëjtët qytetarë që kur dalim jashtë shtetit respektojmë një më një ligjet dhe rregullat e Perëndimit”, deklaroi me pathos ministri, “ndërsa në rrugët tona shkaktojmë hatara dhe gjëma. Vetë unë kam ecur deri vonë pa rrip sigurimi. Prandaj nuk ka më tolerime”.

 

Sajme duke ecur në rrugë pa rrip sigurimi

Sajme duke ecur në rrugë pa rrip sigurimi

Drafti u ka kaluar specialistëve, që duhet thënë se kanë hasur jo pak vështirësi implementimi. “Deri diku, mund t’i gjendet ilaçi rripit të sigurimit në biçikletë”, pohoi i stresuar oficeri i policisë rrugore Semafor Kuqi, “Por po përpunojmë modele dhe dizajne për të kuptuar sesi mund t’i vihet, dhe sa mund të funksionojë rripi i sigurimit për këmbësorët”.

“Por ama, shqetësimi i ministrit është shumë i drejtë”, ngriti zërin oficeri, i bërë ujë në djersë nga sikleti.

***

Gojët e Liga është rubrikë satirike. Çdo ngjarje ose personazh që përputhet me realitetin është rastësore

 

May 22, 2016 18:39
Komento

1 Koment

  1. Linux May 26, 00:32

    Shiheni kryeministrin Britanik me ministren e brendshme dhe krahasoni me ministrin e brendshem langaraq Tahiri

    http://vid.alarabiya.net/images/2016/05/22/aab14ba3-d831-4c23-bc83-a8d54c290010/aab14ba3-d831-4c23-bc83-a8d54c290010_16x9_788x442.jpg

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*