SAKRIFICA / Partitë bëjnë të pamundurën për t’u shtirë sikur duan reformë zgjedhore

June 1, 2020 21:43

SAKRIFICA / Partitë bëjnë të pamundurën për t’u shtirë sikur duan reformë zgjedhore

TIRANË – Burime të mirëinformuara për Gojët e Liga bëjnë me dije se pas muajsh të tërë stërvitjeje dhe perfeksionimi, përfaqësuesit e partive politike në tryezën e reformës zgjedhore kanë arritur nivelin e doktoraturës në sajimin e incidenteve false dhe akuzave reciproke për bllokimin e reformës.

Siç dihet nga të gjithë, të mefshët dhe si të mpirë vitin e kaluar, Dhamiani dhe Bylyk Oerdbashi në fillim ja lanë të gjithë konferencat për shtyp gocës së Azemit, duke dalë nga dera e pasme e negociatave, ndërsa me vrullin djaloshar që e karakterizon, goca e Azemit premtonte se do t’i vinte plugun gjithë politikës së vjetër.

Fakti është, shtojnë burimet, që Dhamiani dhe Oerdbashi e kishin të qartë se nuk donin të ndryshonin asgjë nga sistemi aktual zgjedhor. Ndërsa goca e Azemit ngjirej para reporterëve, dy armiqtë e betuar uleshin në një lokal modest në rrugën “101 Dëshmorët e Ballit”, për të diskutuar sesi të bënin sikur debatonin dhe kapeshin për flokësh, për pika të reformës zgjedhore që asnjëri prej të dyve nuk kishte ndërmend t’ja pranonte tjetrit.

“Dëgjo, o komunist i fëlliqur, o gjysmë opinge”, i thoshte përkëdhelisht Bylyku Dhamianit, proletarit të cilit sapo i kishin thënë mjekët bankarë se llogaritë e tij vuanin nga obeziteti i theksuar, “unë do propozoj votën e emigrantëve, ti do hidhesh përpjetë e do më kapësh për jake”.

“Mirë e ke, pëdëist i ndyrë, kulish i doktorit,”  kukurisej Dhamiani, “pastaj unë do propozoj votimin gastronomik, ndërsa ti kundërpropozo numërimin gastro-enderik. Aty pastaj, të dy përplasim grushtat në tavolinë, shahemi nga robt’ dhe largohemi furtunë nga mbledhja”.

Takim pas takimi, sesion pas sesioni, Dhamiani dhe Bylyku krijonin të tilla përplasje, saqë ambasadorët e huaj i shpeshtuan takimet tek e tek me ta. Arritën deri aty sa ua thanë hapur:

“Nëse nuk bëhet reforma zgjedhore, kurrë mos u bëftë! Vetëm sherre si ato që keni bërë, mos i bëni më! Do vriti more djem, jeni të rij!”

 Kohë pas kohe, sipas udhëzimeve nga lart, Dhamiani dhe Bylyku i shastisnin dhe i nxirrnin nga shinat ambasadorët, duke propozuar njëri sistemin danez, tjetri skemën finlandeze; njëri kapjen suedeze, tjetri fluturimin holandez.

Çfarë ndodhi më pas? Në momentin që diplomatët i kërkuan Edit dhe Lulit të ndërronin negociatorët pasi i kishin shumë të dhunshëm, Dhamiani dhe Bylyku filluan të shtiren sikur po gjenin gjuhën e përbashkët.

Kur ambasadorja amerikane Juri Kim i pa së bashku duke biseduar tërë seriozitet në takimet e fundit, u mahnit.

“Ptu ptu marshallah, mos ju ha më sysh!,” tha Juri e entuziazmuar dhe iu kthye gocës së Azemit, “hë mi, ti që bëje si gore pesë muaj rresht! E shikon si gjendet gjuha e përbashkët?”

Incidenti i fundit ndodhi pasditen duke u errur 31 maji. Teksa të gjithë prisnin arritjen e marrëveshjes, Dhamiani befas u çakërdis dhe iu kthye Bylykut:

-Batakçi!

-Mbaj gojën, se te bataku nuk të fal! – reagoi Oerdbashi.

-Matrapaz!

-Matrapik!

-Kokëqepë!

-Kokëpagure!…

Ndërsa Juri e Soreca u larguan të çmeritur, Borchardi i ngriti gishtin e mesit gjithë sallës, ndërsa konsulli austro-hungarez ndezi llullën mendueshëm….

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike. Negociatat politike ca më shumë 

June 1, 2020 21:43
Komento

4 Komente

  1. Tori June 2, 06:07

    Sa mire qe i pershtaten lojes dhe ambasadoret e “nderuar” !

    Reply to this comment
  2. lom deliu June 2, 09:46

    Tori….Partite dmth Liderret dhe sherbetoret e tyre dhe tellallet e listave te mbyllura qe i sheh ne tv si ojqista e anal-ista e bejne per paret qe vjedhin ….kjo eshte e qarte po ambasadoret ???? edhe ata paguhen.. per brockullat e presionin fashist ???

    Reply to this comment
  3. Ladi June 2, 18:19

    Po po, sherr i madh. Mashtruesit tallin b…, ambasadoret ne fillim kujtojne se do bejne namin dhe do ta bejne Shqiperine parajse perendimore, pastaj shqiptarizohen me keq se ne. Dhe ne fund, mbarojne mandatin me ca para me shume dhe historia nis nga e para. Kurse shqiptaret, ose punojne te partia, ose protestojne per partine, ose ikin nga syte kembet….

    Reply to this comment
  4. KORÇARI June 17, 16:36

    Dita ,të lumtë ,sepse me anë të humorit ke cekur tema shumë të rëndësishme .
    Po qesh me humorin e hollë që keni bërë , që mos qaj me realitetin e hidhur që shikoj.
    JU LUMTË !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim