Salihi ndryshon destinacion, do shkojë te Hapoel Tel Aviv

June 1, 2015 12:07

Salihi ndryshon destinacion, do shkojë te Hapoel Tel Aviv

Hapoel Tel Aviv do të jetë destinacioni i ri i Hamdi Salihit, dhe jo Hapoel Haifa. Lajmin e bëri të ditur gazeta më e rëndësishme në Izrael, “Yehidot Aharonot”.

Sipas saj, drejtuesit e klubit izraelit dhe sulmuesi shkodran janë takuar në mënyrë të fshehtë, ndërsa theksohet se, Salihi mund të firmosë këtë javë për Hapoel Tel Aviv-in.

Portali online i gazetës, “Ynet.co.il”, shkruan se Salihi ka venë si kusht një pagesë më të mirë seç i ofron Hapoel Haifa në ofertën e saj, pra më shumë se 80 mijë shekel ose diçka më shumë se 20 500 dollarë neto në muaj. Në fakt, ky është një zhvillim i ri për të ardhmen e shkodranit 32-vjeçar, pasi dukej sikur transferimi i tij te Hapoel Haifa ishte çështje e mbyllur, teksa pritej vetëm nënshkrimi i marrëveshjes nga ana e presidentit Yoav Katz.

Hapoel Tel Aviv është një nga klubet më të famshëm në Izrael, çka do të ishte dhe një “rritje” e Hamdi Salihit në “Tokën e shenjtë”.

Sulmuesi i Kombëtares firmosi fillimisht me Hapoel Akre me të cilën luajti pjesën e dytë të sezonit 2013-2014 (6 gola) dhe pjesën e parë të sezonit 2014-2015 (8 gola).

Më pas u transferua te Hapoel Haifa (4 gola), për pjesën e dytë të sezonit 2014-2015 dhe me golat e tij e ndihmoi skuadrën të mbijetonte në Liga Ha’al.

Karriera – Hamdi Salihi ka veshur fanellën e nëntë klubeve, dy prej tyre në Shqipëri, Vllazninë (35 gola); Tiranën (49 gola), si dhe pesë jashtë vendit: Panionos (Greqi); Sv Ried (42 gola), Rapid Wienna (57 gola), të dyja këto në Austri. Ai ka luajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me D.C. United (7 gola) dhe në Kinë, me Jiangsu Sainty (12 gola), si dhe në Izrael me Hapoel Akre (14 gola) dhe Hapoel Haifa (4 gola). Hapoel Tel Aviv e mbylli sezonin në grupin e skuadrave që luftuan, për të mos rënë nga kategoria maksimale e kampionatit izraelit, Liga Ha’Al, por pa e vënë në diskutim mbijetesën, duke e mbyllur në vendin e tetë nga 14 skuadra.

“Demonët e kuq”, siç thirret në Izrael, Hapoel Haifa e ka fituar 13 herë kampionatin, 16 herë Kupën e Izraelit dhe 5 herë Superkupën. Ata janë fituar Champions League të Azisë në vitin 1967, përpara se të merrnin pjesë në Champions League në Europë.

Besart Abdurrahimi, futbollisti shqiptar nga Maqedonia, por me pasaportë kroate ka luajtur me Hapoel Tel Aviv në sezonin 2013-2014 (4 gola). Aktualisht, ai luan në Belgjikë me Lokerenin.

Shqiptari i dytë në Izreal – Në Izrael, gjatë sezonit të ri do të luajë edhe Elis Bakaj, duke u bërë kështu lojtari i tetë shqiptar që do të luajë në “Tokën e shenjtë”. Më parë kanë luajtur në Izrael: Viktor Paço, Adrian Aliaj, Ismet Manushi, Amarildo Zela, Elvin Beqiri; Besart Abdurahimi dhe Hamdi Salihi.

Bakaj do të firmosë një kontratë 3-vjeçare me Hapoel Ra’anana. Klubi izraelit është skuadra e tretë e huaj në karrierën e tij, pas Dinamo Bucharest në Rumani dhe Chernomorets Odesa në Ukrainë. Sulmuesi 27-vjeçar i Tiranës, sipas shtypit hebre, do të zëvendësojë sulmuesin nigerian Toni Nwakaeme (26 vjeç), që pritet të largohet te Hapoel Be’er Sheva. Trajneri Hapoel Ra’anana, Haim Silbas, ishte në Shqipëri ku e ndoqi në aksion Bakajn gjatë ndeshjes Partizani-Tirana (2-2), me Bakajn që shënoi dy golat për bardheblutë dhe përmend faktin, se ai ka shënuar 14 gola këtë sezon.

June 1, 2015 12:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*