Samiti i Pragës dhe Shqipëria

Fatos Tarifa July 25, 2013 12:11

Samiti i Pragës dhe Shqipëria

(vijon nga numri i djeshëm) 

Vjeshtë, 2002

Në shtator 2002, u bë e qartë se edhe Rumania dhe Bullgaria e kishin të sigurtë se do ta merrnin në Pragë ftesën e anëtarësimit të tyre në NATO. Më 25 shtator, Nënkomiteti për Europën në Komisionin për Marrëdheniet Ndërkombëtare të Dhomës së Përfaqesuesve të Kongresit amerikan zhvilloi një diskutim për Rezolutën Nr. 468 mbi sigurinë transatlantike dhe mbi forcimin e NATO-s. Kryetari i atij Nënkomiteti, kongresmeni republikan Elton Gallegly, i cili ishte edhe autor i rezolutës në fjalë, propozoi një amendament, në të cilin renditeshin shtatë vende (Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia) si “kandidatë që i kanë plotësuar në mënyrë të kënaqshme kriteret e vendosura nga NATO përmes procesit të Planit të Veprimit për Anëtaresim (MAP)”. Gallegly përmendi edhe tre vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nisur me Kroacinë, për të cilën vuri në dukje se ky vend ndodhej ende në fillimet e procesit MAP. Për Maqedoninë, ai vuri në dukje se shkaku kryesor që e kishte prapësuar kandidaturën e saj ishte konflikti ndëretnik në atë vend.

Lidhur me Shqipërinë, kongresmeni Gallegly vlerësoi se ky vend kishte bërë një përparim mbresëlënës, po të mbahej parasysh pikënisja e saj disa vjet më parë. Sidoqoftë, shtoi ai, pasiguria politike në vend, e përjetuar jo vetëm në vitin 1997, por dhe në fillim të vitit 2002 (me konfliktin në kryesinë e Partisë Socialiste dhe dorëheqjen e Kryeministrit Ilir Meta), e kishin dëmtuar kandidaturën e saj. Në Shqipëri, u shpreh kongresmeni Gallegly, ekonomia vazhdonte të ishte e dobët, burimet financiare të pakta, ndërsa forcat të saj të armatosura, pavarësisht angazhimit serioz të qeverisë shqiptare për reformimin e tyre, nuk ishin bërë ende aq progres sa të mund të diskutohej kontributi i tyre në NATO.

Në përfundim të fjalës së tij, z. Gallegly u shpreh se Shtetet e Bashkuara dhe Kongresi amerikan i përgëzonin dhe i inkurajonin këto tre vende për progresin e bërë dhe mbeteshin të angazhuara për t’i mbështetur në përpjekjet e tyre për t’u anëtarësuar në NATO në raundin e ardhshëm të zgjerimit të saj që, me siguri, ishte parashikuar nga Aleanca.

 

 

“TRE musketierë” në aksion

Në këto kushte, për mua  dhe kolegët e mi ambasadorë të Kroacisë dhe Maqedonisë në Uashington, Ivan Grdesic dhe Nikola Dimitrov, nuk mbetej mënyrë tjetër veçse të koordinonim përpjekjet tona dhe të zhfrytëzonim lidhjet që kishim secili nga ne për të sensibilizuar opinionin zyrtar dhe atë publik amerikan mbi kauzën tonë të përbashkët: anëtarësimin e vendeve tona në NATO në samitin që do të pasonte Pragën.

Më 1 nëntor 2002, tri javë para se të mbahej Samiti i NATO-s në Pragë, ndërsa Janet Bogue, Zëvendës Ndihmëse e Sekretarit të Shtetit, na kishte njoftuar zyrtarisht mua, Ambasadorin kroat Ivan Grdesic dhe atë maqedonas Nikola Dimitrov, se tre vendet tona nuk do të merrnin ftesë në Pragë, ne, të tre ambasadorët së bashku, siç vura në dukje më sipër, kërkuam një takim të veçantë me Zëvendës Sekretarin e Shtetit, Richard Armitage, dhe u pritëm prej tij. Në takim merrnin pjesë edhe Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit Robert Bradtke, i cili mbulonte marrëdhënëniet me NATO-n, si edhe Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore Paul Jones.

Në atë takim, Ivan Grdesic, Nikola Dimitrov dhe unë i kërkuam z. Armitage, ashtu si edhe Ambasadorit Fried në zyrën e tij, po atë ditë, që Departamenti i Shtetit t’i sugjeronte Shtëpisë së Bardhë që, në fjalën që do të mbante Presidenti George W. Bush në Samitin e Pragës dhe në deklaratën përfundimtare që do të miratonte ai samit, tre vendet tona të përmendeshin më vete, në paragrafë të veçantë, duke vlerësuar progresin e bërë nga të tre vendet në procesin e integrimit në NATO dhe duke e lënë të hapur për to mundësinë e anëtarësimit në këtë organizatë në samitin e radhës.

Richard Armitage e vlerësoi shumë të dobishëm dhe në kohën e duhur atë takim. Ai u shpreh se bashkëpunimi midis qeverive të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për çështje të rajonit, si edhe bashkëpunimi ynë si ambasadorë të këtyre vendeve në Uashington, ishin të domosdoshëm dhe ndihmonin për t’i bërë më të dukshme dhe më bindëse jo vetëm aspiratat, por dhe përpjekjet e vendeve tona për anëtarësim në NATO, edhe pse anëtarësimi në këtë organizatë do bëhej mbi bazën e meritave të veçanta të çdo vendi.

Pas takimit me Zëvendës Sekretarin Armitage dhe me sugjerimin e tij, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher, doli atë ditë, më 1 nëntor 2003, me një komunikatë për shtyp. Nën titullin “Dialog mbi zgjerimin e NATOs” (NATO Enlargement Dialogue), kjo komunikatë e Departamentit të Shtetit lexonte:

“Zëvendës Sekretari i Shtetit  Richard Armitage priti sot Ambasadorin shqiptar Tarifa, Ambasadorin kroat Grdesic dhe Ambasadorin maqedonas Dimitrov për të diskutuar mbi Samitin e NATOs që do të mbahet më vonë këtë muaj në Pragë. Zëvendës Sekretari rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një raund të fuqishëm zgjerimi në Pragë dhe që dyert e NATOs do të mbeten të hapura për ato vende që nuk do të ftohen në Pragë. Ai përshëndeti progresin e bërë nga çdo vend për të realizuar Planin e Veprimit për Anëtarësim (Membership Action Plan) lidhur me aspiratat e tyre për të hyrë në NATO. Ai mirëpriti, gjithashtu, angazhimin e tyre për të bashkëpunuar dhe mbështetur kandidaturat e vendeve të njëri-tjetrit, duke riafirmuar se çdo vend do të vlerësohet në bazë të meritave të tij individuale”.

E publikuar vetëm tre javë përpara mbajtjes së Samitit të Pragës, në të cilin, tashmë, dihej se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia nuk do të merrnin ftesën e anëtarësimit në NATO si shtatë vendet e tjeta të grupit Vilnius, teksti i komunikatës mbi takimin tonë me Richard Armitage bëri përshtypje kudo. Ai u shpërnda nga Zyra e Programeve të Informimit Ndërkombëtar (Office of International Information Programs) të Departmentit të Shtetit. Teksti i kësaj komunkate u mor dhe u shpërnda më tej nga Associated Press (AP) si edhe nga Radio Free Europe/Radio Liberty (RFE/RL). Ai u përkthye në gjuhë të ndryshme dhe u citua në shumë dokumente dhe botime që bënin fjalë për zgjerimin e NATOs dhe për forcimin e sigurisë në rajonin e Ballkanit. Ndër dokumentet që i janë referuar kësaj komunikate, duke e cituar të plotë tekstin e saj, është edhe një studim i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Strategjike (Institute de Relations Internationales et Stratégiques) në Paris, publikuar në janar 2003. Studimi titullohet L’Albanie et son environnement regional (“Shqipëria dhe mjedisi i saj rajonal”).

Kur pas nënshkrimit të Kartës së Adriatikut, në Tiranë, më 2 maj 2003, unë, ambasadori i Kroacisë në Uashington Grdesic dhe ambasadori i Maqedonisë Dimitrov, filluam të bashkëpunojmë edhe më ngushtë mes njëri tjetrit, me Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe me Zyrën për Çështjet Europiane në Departamentin e Shtetit, Richard Armitage, sa herë do na shihte bashkë, do na drejtohej me entusiazëm:

“Ej, si janë “tre musketierët” tanë?”

Ishte Dick Armitage ai që na “pagëzoi” miqësisht me këtë emër, i cili do ta bëhej më vonë i njohur në qarqet politike e diplomatike të Uashingtonit si epitet të përbashkët të ambasadorëve të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në përpjekjet për t’u siguruar tre vendeve tona ftesën për të hyrë në NATO.

Që nga ajo ditë dhe vazhdimisht më vonë, Ivan Grdesic, Nikola Dimitrov dhe unë do të ishim, së bashku, kudo (korridoreve dhe zyrave të Departamentit të Shtetit, në takime me anëtarë të Dhomës së Përfasuesve dhe të Senatit të Shteteve të Bashkuara, në organizata think-tank, në takime dhe pritje me ambasadorët e vendeve kryesore të NATO-s dhe të Bashkimit Europian në Uashington) duke folur për reformat në të cilat ishin angazhuar qeveritë e vendeve tona dhe përpjekjet e tyre për të merituar ftesën për anëtarësim në NATO në raundin që do të pasonte zgjerimin e kësaj organizate më 2004.

 

“TALKING POINTS” PËR PRESIDENTIN MOISIU

Në prag të Samitit të Pragës, me insistimin tonë u arrit që, përmes ndërhyrjes së Ambasadorit Dan Fried, të merrej nga Shtëpia e Bardhë premtimi se kryetarët e tre shteteve tona do të ftoheshin të merrnin pjesë në këtë samit dhe, për më tepër, do të priteshin, së bashku, në takim nga Presidenti Bush.

Duke i njoftuar Presidentit Alfred Moisiu këtë lajm, përmes këshilltarit të tij për çështjet diplomatike, z. Muhamed Kaplani, mora kurajon t’i sugjeroja  kryetarit të shtetit disa teza, apo “talking points”, të cilat mendoja se do t’i ishin të dobishme në bisedën me Presidentin amerikan. Në fakt, nga takimet e shpeshta me Ambasadorin Dan Fried në Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe me z. Bruce Jackson, isha informuar për çështjet që eventualisht mund të bëheshin subjekt i bisedës mes Presidentit Bush dhe presidentëve Alfred Moisiu, Stjepan Mesić dhe Boris Trajkovski gjatë takimit të tyre në Pragë. Kjo arsye më shtyu (dhe motivoi tek unë kurajon) që të bëja diçka, të cilën, ndoshta, s’e kanë bërë dhe s’do ta bënin asnjë nga kolegët e mi ambasadorë të Shqipërisë që kam njohur.

Më ka qëlluar, në një rast, të dëgjoj kryeministrin Fatos Nano të shprehej me sarkazëm mbi punën e këshilltarëve të tij dhe ata të çdo kryeministri apo presidenti shqiptar në periudhën postkomuniste. Ai, në të fakt, vinte në dukje një të vërtetë kur, në mënyrën e tij, thoshte se ai vetë dhe drejtuesit e tjerë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare i zgjidhnin këshilltarët e tyre për t’u dhënë atyre këshilla dhe jo për të marrë këshilla prej tyre. Përjashtim, kanë qenë, siç i kam njohur unë, ambasadori Ksenofon Krisafi, kur shërbente si këshilltar diplomatik i kryeministrit Fatos Nano, dhe Koço Danaj, kur ishte këshilltar i kryeministrit Ilir Meta.

Unë gjithmonë e kam konsideruar detyrë funksionale të një ambasadori që ai t’u propozojë ide dhe t’u sugjerojë eprorëve të tij (ministrit të jashtëm, kryeministrit të vendit, madje edhe presidentit të republikës) nisma diplomatike që kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis vendit të tij dhe vendit pritës ku ai shërben. Për hir të së vërtetës, më duhet të pohoj se Ilir Meta dhe Fatos Nano, kur këta ishin në krye të qeverisë shqiptare, kanë qenë vazhdimisht të interesuar dhe të hapur të më dëgjonin kur u sugjeroja pikëpamjet e mia, madje edhe kur, në mënyrën time, bëja ndonjë vërejtje për punën e qeverisë apo për veprimtarinë dhe metodat e punës të ministrisë së jashtme. Rexhep Meidani, si president, po ashtu, i dëgjonte mendimet e të tjerëve. Presidenti Alfred Moisiu dëgjonte më pak, dëgjonte vetëm Muhamet Kapllanin, këshilltarin e tij diplomatik dhe, siç kam venë re me keqardhje, në ndonjë rast, edhe një politikan famëkeq, si Fatmir Mediu, në atë kohë, deputet opozitar në legjislaturën e dominuar nga Partia Socialiste.

Mua më ishte thënë se, në Pragë, Presidenti Bush do të dëshironte të dëgjonte nga presidentët e Shqipërisë, të Kroacisë dhe të Maqedonisë, se këta nuk e konsideronin një humbje për vendet e tyre mosmarrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në atë samit. Për këtë arsye, i sugjerova Presidentit Moisiu që t’i komunikonte Presidentit Bush se shqiptarët dhe qeveria e tyre, “si pjesëmarrës që nga fillimi në këtë përpjekjeje kolektive për t’i sjellë demokracitë e reja të Europës në institucionet euroatlantike, gëzoheshin që shtatë nga vendet e Grupit Vilnius do të merrnin, në Pragë, ftesën për anëtarësimin e tyre në NATO”. Me këtë rast, formulova për Presidentin Moisiu idenë se vendimi për të pranuar në NATO shtatë prej vendeve të grupit Vilnius ishte një sukses i madh jo vetëm për këto vende mike të Shqipërisë, por edhe për tre vendet e tjera të këtij grupi (Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë), të cilat nuk e morën këtë ftesë në atë kohë, pasi “suksesi i çdo vendi demokratik në Europë është sukses për të gjitha demokracitë europiane” dhe se “populli shqiptar, populli kroat dhe ai maqedonas ishin vërtet të entuziasmuar për sukseset që arriti Samiti i Pragës”.

Më tej, i sugjerova Presedentit Moisiu që t’i bëhej e njohur Presidentit Bush se qeveria shqiptare nuk e konsideronte, në atë kohë, të padrejtë vendimin për ta lënë Shqipërinë jashtë listës së vendeve që u ftuan të bëhen anëtare të NATOs. Ne ishim të bindur se shtatë vendet e grupit Vilnius që e morën këtë ftesë në Pragë e meritonin atë, ndërsa vendi ynë ende nuk i kishte përfunduar reformat që kushtëzonin pranimin në këtë organizatë.

I sugjeroja z. Moisiu, gjithashtu, që t’i vinte në dukje Presidentit Bush se vendimi që u mor në Pragë konfirmonte më së miri se të gjitha demokracitë e reja të Europës kishin tashmë të njëjtin shans, si edhe kombet e Europës Perëndimore, të bëheshin pjesë e strukturave euroatlantike. Në Pragë, NATO i kishte artikuluar qartë dhe pa ekuivok synimet e saj: ajo do të pranonte në rradhët e saj ato vende, të cilat ishin të përgatitura për të marrë përsipër detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga anëtarësimi në këtë organizatë dhe do t’i ndihmonte vendet e tjera të përgatitetish për raundin e ardhshëm të zgjerimit.

Përvoja e punës në Uashington, kontaktet e vazhdueshme me këshilltarët e Presidentit Bush, me diplomatë të Departamentit të Shtetit dhe anëtarë të Kongresit amerikan si edhe instikti im politik më thonin, në atë kohë, se Presidenti Bush do të dëshironte të dëgjonte në Pragë nga Presidenti i Shqipërisë se të tre vendet e Ballkanit që nuk u ftuan të bëhen anëtarë të NATOs në atë samit, do të bashkëpunonin më shumë këtej e tutje për t’i kontribuar bashkërisht paqes dhe stabilitetit në rajon dhe, bashkë me të, sigurisë së rajonit euro-atlantik. Nisur nga kjo, i sugjerova Presidentit Moisiu t’i pohonte presidentit amerikan që, pavarësisht se pranimi në NATO bëhet mbi bazën e meritave individuale të çdo vendi, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia do të punonin së bashku, ashtu sikurse tre vendet balltike dhe vendet e grupit Vilniut më parë, për të rritur aftësitë, kapacitetet dhe kontributin e tyre kolektiv në forcimin e paqes dhe të sigurisë në rajon.

 

 

SHQIPËRIA, KROACIA DHE MAQEDONIA PAS PRAGËS

Samiti i NATOs në Pragë ka qenë një ngjarje me shumë rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Tiranës, Zagrebit dhe Shkupit, nga njëra anë, dhe Uashingtonit e Brukselit, nga ana tjetër. Deklarata e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve që morën pjesë në këtë samit, më 21 nëntor 2002, theksonte, në paragrafin 6 të saj, ashtu siç kishim kërkuar ne në takimet me Ambasadorin Fried dhe Zëvendës Sekretarin e Shtetit Richard Armitage, edhe pse ne një paragraf të gjatë dhe jo në tre paragrafe të veçantë, sa më poshtë:

“Ne përgëzojmë Shqipërinë për progresin e rëndësishëm që ka bërë me reformat, për rolin e saj konstruktiv në promovimin e stabilitetit në rajon dhe për mbështjen e fortë që i jep Aleancës. Ne përgëzojmë ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë për progresin e rëndësishëm që ka bërë në procesin e reformave, për mbështetjen e fortë që u ka dhënë operacioneve të Aleancës, si edhe për hapat e rëndësishme që ka ndërmarrë për përballimin e sfidave të brendshme dhe për progresin e bërë në drejtim të demokracisë, stabilitetit dhe pajtimit etnik. Ne do të vazhdojmë t’i ndihmojmë këto dy vende, duke përfshirë edhe MAP [Membreship Action Plan] për të arritur stabilitet, siguri dhe zhvillim, në mënyrë që ato të mund të përmbushin detyrimet për anëtarësim. Në këtë kontekst, ne kemi rënë dakord, gjithashtu, të rrisim kontributin tonë për të ndihmuar vazhdimësinë e reformave në Shqipëri dhe për të ndihmuar më tej sektorin e mbrojtes dhe atë të sigurisë në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë përmes pranisë së NATOs. Ne i inkurajojmë këto dy vende t’i shtojnë edhe më tej përpjekjet e tyre. Ato mbeten në vemendjen tonë për anëtarësim në të ardhmen. Kroacia, e cila ka bërë progres inkurajues me reformat, gjithashtu mbetet në vemendjen tonë për anëtarësim në të ardhmen. Progresi në këtë drejtim do të varet nga përpjekjet e mëtejshme të Kroacisë në rrugën e reformave dhe nga përmbushja prej saj e detyrimeve ndërkombëtare që ajo ka, përfshirë edhe Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për ish Jugosllavinë (ICTY). Plani i Veprimit për Anëtarism do të mbetet mekanizmi me anë të të cilit do të vlerësohet progresi i vendeve aspirante. Vendet që u ftuan sot, nuk janë të fundit”.

Nga ana e tyre, kryetarët e shteteve të dhjetë vendeve të Grupit Vilnius, në një Deklaratë të përbashkët që publikuan në Samitin e Pragës, draftin e të cilit e kishim hartuar  në Uashington të dhjetë ambasadorët e vendeve të Grupit Vilnius, theksonin (në paragrafin 3) se:

“Ne e mirëpresim vendimin e Këshillit të Atlantikut Verior për të ftuar Bullgarinë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Rumaninë, Slovakinë dhe Sloveninë të fillojnë bisedimet për pranimin në NATO. Ky vendim është një sukses për të gjitha vendet tona dhe një sukses për demokracinë. Ai është, gjithashtu, një njohje e përpjekjeve shumë të mëdha të vendeve tona për reforma. Ne besojmë se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia janë pjesë esenciale e komunitetit euro-atlantik dhe duhet të ftohen të nisin bisedimet për anëtarësim sa më parë që është e mundur. Ne jemi të përkushtuar të përshpejtojmë procesin e reformave në secilin prej vendeve tona, si edhe të punojmë së bashku për të mbështetur aspiratat e Shqipërisë, të Kroacisë dhe të Maqedonisë për anëtarsim në NATO”.

 

 

Fatos Tarifa July 25, 2013 12:11
Komento

3 Komente

  1. Mehmet Metaj July 25, 12:57

    Z. Fatos Tarifa ne shkrimin e tij-autobiografik me titull: “Saga e Shtëpisë së Bardhë” ku ai përpiqet” të flas për “punën e madhe që ai ka bërë për të mbajtur të forta marrëdheniet e Shqipërisë me Shtëpinë e Bardhë” dhe sidomos për të promovuar shokun e tij ish-kryeministrin rrebel, apo Robert Çomçakizin, Sh. Fatos Nano’n që e bëri ambassador të pamerituar tonin ne SHBA (?!!).
    Dhe ja ky Fatosh-i për të na u prezantuar si “poliglot” dhe “diplomat” na citon dhe shprehjet në origjinal në anglisht që dhe keto i citon gabim-për të a thënë alias Qeverisë së Re të PS-së se “jam edhe unë” dhe se “jam dhe shumë i zoti” dhe të tillë gjembaç e çimka të trashëguar nga nomenklatura e vjetër ka shumë që janë në politike dhe dalin herë pas here, se këta hileqar të favorizuar nga sistemi kan tentuar të mësojnë nga një gjuhë të huaj, por nuk dine mirë shqip dhe s’ka se sit e din mirë gjuhën e huaj pale diplomacine siç pretendon mesuesi i fshatit Babrru Sh. Fatosh Tarifa, që “ i mbahet dhe goja të shkretit”.
    Ky Tarifa i Nanos para se ti tekej Nanos ta katapultonte ambasador në USA s’ka qëne asgjë dhe meqë e bëri Nano ambasador siç bëri tyrli lloji Harasanesh dhe Shpëtim Idrizesh por dhe njerëz karrierist pa asnjë vlerë, pas fitores së PS-së ky na del si “rastësisht” të na tregoj “Sagën e Shtëpisë së Bardhë” dhe e devijon evokimin e panevojshëm here tek injorimi i Kastriot Islamit, që s’ja vlen të merresh më me të, e shumë herë tek mburrja e vehtvetes.
    Unë desha thjesht të nënvizoj se është turp për ne si komb që na kan përfaqësuar në TD dhe sidomos në SHBA njerëz liliput si ky Fatosh Tarifa i Nanos dhe…ka shumë të tillë që do tu “ngjallen” puplat tani që erdhi PS-ja në pushtet duke thënë se ne jemi tuajt dhe jemi të zotë për te zene vende përsëri por besoj se s’do tu ecë më, boll me mediokër të tillë që vijnë nga zyra e Birosë dhe janë sahanlëpirës pa asnje vlerë dhe përpiqen të “marrin atë që s’ju takon” duke ju servilosur çdo pushteti !!!

    Reply to this comment
  2. Mâle osdrimi July 25, 16:48

    Shiheni ckostum e kollare ka vene bolja

    Reply to this comment
  3. Lex Rex July 25, 16:51

    Vetepelqimi ose vetepanegjirizmi I Tarifes arrin kulmin tek pjesa ”Talking points per presidentin Moisiu”. Vizitat e personaliteteve te larta jashte shtetit pergatiten ne bashkepunim me Ministrine e Jashtme, e cila merr sugjerime edhe nga perfaqesite perkatese diplomatike. Pra ajo qe Tarifa e konsideron si ”diçka qe nuk e kane bere dhe s’do ta bënin asnjë nga kolegët e tij” ambasadorë të Shqipërisë eshte thjesht pune e karakterit rutine. Mburrjet per vetveten ne kete rast vijne jo vetem nga megalomania e Tarifes por edhe injoranca e tij ne lidhje me menyren e funksionimit dhe bashkepunimit te institucioneve shqiptare.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*