Sanremo dhe fati i emigracionit shqiptar në Perëndim

February 13, 2018 12:04

Sanremo dhe fati i emigracionit shqiptar në Perëndim

Nga Artan Fuga

Nga pikëpamja e sociologjisë së komunikimit, pra e njërës prej shkencave, fitorja e Sanremos nga djali me origjinë nga Fieri, përtej mbresave individuale, tregon:

1- Shqiptarët e sotëm janë të asimilueshëm dhe të tretshëm me kulturën e tyre në qytetërimin e sotëm modern europian. Pse duhej kjo prova? Sigurisht, prova dhe testime duhen gjithmonë.

2- Ka mbaruar faza e integrimit minimal të emigracionit shqiptar të valës së viteve ’90 në vendet europiane dhe perëndimore, çka u krye me sukses. Nuk ka të bëjë me gjendjen ekonomike të këtij emigracioni, por me faktin se ai është pjesë e shoqërisë perëndimore.

3- Të gjitha pretendimet së në Shqipëri e ka fajin populli, kultura, tradita, dhe se politika varet prej tyre, dalin krejt pa baza, populli e ka genin kulturor kolektiv për t’u integruar dhe për të përvetësuar shoqërinë demokratike.

4- Ka ardhur brezi i dytë i emigrantëve të valës së parë, pra fëmijët e tyre, çka përbën një dukuri të re sociologjike dhe kulturore. Ky brez ngrihet mbi shpatullat e prindërve të tyre dhe mund të sulmojë majat e kulturës, administratës dhe shoqërisë perëndimore.

5- Përtej nacionalizimave dhe ksenofobisë në Europë kundër shqiptarëve si myslimanë, të dhunshëm, agresivë, etj., atje ku ka performancë dhe ekselencë, të gjitha barrierat bien.

6- Rreziku bëhet eminent sepse sikurse e tregon realiteti, i integruar rrënjësisht në shoqërinë perëndimore, shqiptari i gjeneracionit të dytë, i aftë të shpalosi vlerat kulturore dhe artistike sipas modelit të vendit pritës, humb cdo identifikim me kulturën e popullit të tij kur bën artin e vet. Pra gjen performim dhe liri përtej kulturës së vendit të tij. Në këtë pikë, në kushtet e sotme, sa më shumë brezi i dytë integrohet në kulturën europiane, me këtë valë ikjesh, aq më shumë ata akulturohen duke u zhveshur nga kultura artistike, arti, dhe trashëgimia kulturore shqiptare.

7- Për çdo shqiptar të ri që integrohet në lartësitë e shoqërisë europiane, imazhi i keq i vendit të tij përbën një barrë dhe një frenim në arritjet e tij, i jep koston e një përpjekjeje më të madhe për të përballuar vështirësitë.

Shqipëria e sotme gur në qafë dhe peshë e rëndë në kurriz për brezin e ri që nuk ka rrugë tjetër veçse të integrohet në Perëndim, pasi kanë shkuar atje me familjet e tyre.

8- E pamundur një ëndërr kthimi për të gjitha ata talente në të gjitha fushat që kthimin në atdhe do të duhej ta paguanin me çmimin e dorëheqjes nga profesionet e tyre.

February 13, 2018 12:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*