Sapuni për djathë…

February 2, 2014 14:46

Sapuni për djathë…

Të enjten,date 30.01.2014 dy televizionet TCH dhe Klan kishin në objekt arrestimin e një grupi vrasësish me pagesë. Te i pari ishin dy përfaqesues të pozitës e dy të opozitës, ndërsa te i dyti ishte ministri i brendëshem Saimir Tahiri e dy oficerë të lartë të policisë së shtetit përballë një paneli. Duke mendur se në Top Story do të jetë avazi i zakonshëm i luftës mes pozitës e opozitës, mendova të ndjek debatin te ‘’Opinion’’. Ngjarja dhe fenomeni që zbulohej pas saj ishin shumë të rënda prandaj prisja një diskutim serioz për problemet e krimit, të faktorëve që e ushqenin atë. Por nuk ndodhi aspak kështu.

Në këtë panel nuk u diskutua fare për gjendjen e rendit e të qetësisë publike, për përmasat e format e rrezikëshme që po paraqitet krimi e sidodomos mbi efektivitetin e luftës së policisë e të institucioneve të tjera të shtetit kundër tij. Prisja të flitej për rrezikshmërine e krimit të organizuar. Nuk u fol asgjë për faktin se krimi tashmë ka futur në “tregun e punës” si profesion të veçantë, “vrasës me pagesë”. Madje ky treg ka edhe strukturat e tij. E frikëshme. Nuk u fol asgjë për faktin se tani konkurenca mes subjekteve ekonomike e financiar realizohet jo më mjete e njohura të konkurimit por me mjete të terrorit, deri me vrasje. Nuk u fol fare për mos angazhimin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Asgjë për korrupsionin e madh në organet e drejtësisë,në prokurori e në gjykata, situatë që, më shumë se çdo faktor tjetër, ka ndikuar në shtimin dhe ashpërsimin e krimit.

Nuk u fol fare për ndonjë iniciative që duhet të ndërmarrë Presidenti si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si kryetar i KLD, që ka në kontroll të gjithë organet e drejtësisë, si Komandant i Përgjithëshëm i Forcave të Armatosura,që në situata të rënda angazhohen në ruajtjen e rendit publik. Prisja që në këtë panel të diskutoheshin edhe faktorët moral, ekonomik e social që e nxisin kriminalitetin në vendin tonë e masat që duhen marrë për përballimin e tyre. Pse të mos flitej edhe për pasivitetin ‘’vrasës’’ të opinionit qytetar, që nga familja, shkolla, komuniteti në lagje e bllok, kundër krimeveve. Por jo asgjë nga këto probleme. Asgjë nga ç`do të dëshironte ç`do qytetar të dëgjonte.

Analistët tanë, edhe drejtuesin e emisionit, i shqetësonin të tjera probleme. Ishin të ‘’shqetësuar’’ shumë se pse policia nuk futet në Lazarat psh. Si për ti vënë kapakun, edhe për rritjen së valës së krimit e të tritoleve ata kritikojnë policinë se, në kuadër të reformës, kanë larguar shumë kuadro të ‘’aftë’’. Më ka mbetur në mendje ajo ç`ka tha njëri nga analistët, ish kandidat për president, se ‘’policia po n`a e shet sapunin për djathë’’. Në fakt realiteti nuk është ashtu. Janë këta “analistë” që tentuan njëherë tëg na shesin sapunin për djathë para 23 qershorit. Dhe me sa duket nuk e kanë mësuar mësimin e asaj date, sepse vijojnë akoma zanatin.

Letër e nënshkruar
Gani Elezi

February 2, 2014 14:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*