Sazani, ishulli i thesareve dhe çudive historike

November 16, 2014 13:11 Updated

Sazani, ishulli i thesareve dhe çudive historike

Arkeologët në shekujt 5 dhe 6 para erës së re, kanë  publikuar të dhëna, ku shprehen se Sazani në fillim u quajtur “gur” (që rrjedh nga fjalia saso-gur). Sipas autorit të vjetër romak Sklymi, ky ishull i është dedikuar hyjneshës Athina, e cila paraqitej në vizatimet e lashta me uniformë të praruar ushtarake. Që në antikitet ishulli thërritej me emrin Sasan, që do të thotë ishulli i Shpresës. I pari që e përmend është autori i antikitetit Skilariaki, i cili thotë: “Më afër maleve Kereune është një ishull i vogël që quhet Sasan. Prej këtej në qytetin Orik (Orikum) lundrimi mban një të tretën e ditës”. Ndërsa gjeografi i shquar Aleksandër Ptolemeu shek.II-të p.e.s përmend ishullin e Sazanit në koordinatat gjeografike të tij  44º 10’ dhe 30º 30’, që janë afër realitetit të sotëm. Detari i shquar romak Plini në shekullin I p.e.s thotë, “Tremijë hapa larg nga Oriku gjendet Ishulli i Sazanit i përmendur si qendër piratësh.

 

Gjatë mesjetës ishulli kaloi në zotërimin Venecian. Gjatë Mesjetës Sazani ishte zotërim i Venedikut, që zotëronte pothuaj pikat më strategjike të Adriatikut, madje dhe të Mesdheut”. Edhe mbreti Ferdinand i Napolit në vitin 1481 e ka përdorur Sazanin si bazë ushtarake.

Në shekullin e XV-të u pushtua nga osmanët. Në fillimin e shekullit të XIX-të, Sazani së bashku me disa ishuj të tjerë jonianë u pushtua nga Anglia, e cila në vitin 1864 ia kaloi Greqisë. Gjatë luftërave Ballkanike, në vitin 1912, për të bllokuar daljen në det të qeverisë së parë shqiptare të Ismail Qemalit, grekët vendosën trupa në Sazan. Në 30 dhjetor të vitit 1914, Sazani u pushtua nga Italia.

 

Në vitin 1920 italianët u përzunë nga Vlora, por jo nga Sazani. Ai u kthye në një vend internimi, më saktë në një “burg natyror” për burrat shqiptarë të besimit mysliman që kundërshtonin fashizmin. Vendimet e Beunit nuk mundën të shkonin përtej Sazanit. Numëroheshin deri 1700 veta të burgosur, të cilët jetonin në kushte mjaft të vështira, si rezultat i mungesës pothuajse totale të ujit të pijshëm. Ata merreshin me punime mbrojtëse, rrethonin ishullin me tela me gjemba dhe minonin territorin e ishullit në ato pak vende tokë që ishulli “takon” detin.

Përkatësia e Sazanit ndaj Italisë është sanksionuar nga Traktati Italo-Shqiptar i 3 gushtit 1920, i ratifikuar nga Konferenca e Parisit në 5 nëntor 1921, edhe pse ishte një tokë tërësisht shqiptare. Ishulli i Sazanit i përkiste ëndrrës së madhe të Italisë, pasi siç thuhej ajo donte t’i kishte të garantuara e të sigurta “dyert e lindjes”.

Megjithatë kohët do të ndryshonin. Më 21 tetor 1944 ishulli merret nga partizanët dhe Sazani bëhet një herë e përgjithmonë tokë shqiptare. Ishulli u çlirua nga Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe.

Nga viti 1997 në ishull u vendosën disa motovedeta dhe anije të forcave detare Italiane të cilat asistonin ne luftën kundër trafiqeve të jashtëligjshme dhe ndihmën për ringritjen e kapaciteteve operative të forcave detare dhe policisë kufitare shqiptare. Në vitin 2009, pas plot 12 vjet qëndrimi në ishull dhe një lufte të suksesshme kundër trafiqeve te jashtëligjshme, forcat detare italiane largohen nga ishulli, i cili në planet e Ministrisë së Mbrojtjes Shqiptare do vazhdojë të shërbejë akoma si bazë detare.

 Sazani jo vetëm që është një vend strategjik ushtarak që kontrollon tërë bregdetin shqiptar edhe kanalin e Otrantos, por ai është edhe një vend i bukur, me resurse të papërsëritshme turistike. Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katror dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer.

Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut. Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra. Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës. Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra. Klima e Sazanit është e butë, mesdhetare.

Temperatura mesatare vjetore është 16,2 gradë Celsius. Mesatarja e janarit është 10 gradë Celsius dhe e korrikut 23,4 Celsius. Sasia mesatare e reshjeve është 715 mm në vit. Ishulli nga pikëpamja e ekosistemit është një park i vërtetë, shumë i pasur dhe i mbrojtur, si rezultat i të qenit vazhdimisht zonë ushtarake. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera. Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.

Në Sazan ndodhen  7 specie amfibësh, nga të cilat 3 janë specie të rralla. Ishulli përmban 15 specie zvarranikësh nga të cilët 13 specie zvarranikësh janë të rrallë. Disa nga këto amfibë dhe reptilë janë: Hardhucë luspore me gushë blu, hardhuca jeshile ballkanase, zhapiku evropian i bakrit, nepërka amodite gjendet në pjesën tokësore të afërt, por mungon në Ishullin e Sazanit. Mungesa e kësaj nepërke prezanton një interes të lartë shkencor sepse tregon formimin dhe ndarjen e ishullit përpara shfaqjes së kësaj specieje.

 

Kërcënimi, Ja pse thoshte Enver Hoxha se çelësat e Otrantos i kemi ne!

Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura. Një pjesë reliktesh nënujore si amfora e objekte të tjera janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë sarkeologjik në Durrës. Gjatë kohës së luftës së ftohtë ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katera siluruese, artileria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Gjatë luftës së ftohtë ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për ushtrinë në rast lufte. Për këtë arsye njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe. Udhëheqësi i asaj kohe e quante ishullin e Sazanit si një nga pikat me nevralgjike jo vetëm të Shqipërisë dhe të Ballkanit, por edhe të gjithë Evropës, duke thënë shprehjen e famshme dhe të frikshme njëkohësisht se “çelësat e Otrantos i kemi ne”.

 

Ish-banorët e ishullit: Jeta jonë në Sazan, e vështirë, por edhe e bukur dhe romantike

Të japësh një panoramë të plotë për ishullin e Sazanit, duhet të gërmosh në arkiva, që nga historia e hershme, për të mbërritur në dëshmitë e njerëzve që kanë jetuar e punuar atje në kohën e socializmit në bazën ushtarake detare, të cilët, siç thonë, ruajnë kujtime të bukura dhe mbresëlënëse. Ata kujtojnë një qytet i vogël të ngritur aty me të gjithë infrastrukturën e domosdoshme që ka një qendër banimi, me lokale shërbimesh dhe objekte të tjera social-kulturore. Në këtë qytet në mes ujërave të thella të Adriatikut, jeta bëhej njëlloj si kudo në qytetet e tjera të Shqipërisë. Kishte shoqëri të ngushtë, dasma, vdekje.

Për të thënë të vërtetën, thonë ata, jeta në ishull ishte e vështirë. E para, se ishe i izoluar, kishe ndonjë hall a fatkeqësi në tokë, do të prisje kur të nisej anija (luftarake), që nisej vetëm dy herë në javë për në Vlorë. Po kështu kur kishte ndonjë urgjencë do të ngrije në këmbë të gjithë ishullin, do merrej leje për lëvizjen e mjeteve deri në ministri, por edhe deti mund të ishte me dallgë. Vështirësi kishte edhe me ujin, ai vinte me autobote dhe përdorej me kursim, sidomos për të larë.

Lamtumirë Sazan!

Në shënimet e detarit të vjetër ushtarak, Diogjen Gjergji, gjejmë këtë fragment ditari, ku ai flet për largimin e një pjese të efektivit dhe të teknikës luftarake nga ishulli, në të cilin duken vlerat e një shoqërie dhe komuniteti të bashkuar mes vështirësish dhe sakrificash si pune dhe jetese. Ja ç’shkruan ai ndër të tjera:

Më 3 janar 1965, do të largoheshim përfundimisht nga ishulli i Sazanit. Në mbrëmje vijnë në anijen time Robert Bali, Kristaq Çito e më vonë Perikli Xhixho, pasi ata duke u gdhirë e nesërmja, do të niseshin për Durrës. Vjen edhe Paskal Kote e Mihallaq Papadhopuli për t’u takuar, për t’u ndarë. Kur afroi koha që do të iknin, Perikliu më thotë: Dhiogjen, kurrë nuk të harroj. Fillova të qaja si fëmijë. Berti e Kristaqi më pushtuan si ata. Dëgjova Kristaqin që tha: Lëreni, ka të drejtë! Në atë moment erdhi edhe Polo Guga, pa gjithë skenën e më tha: Po, ti ç’ke, në Flotë do jemi! Do të takohemi prapë.

U ndava me ta me mall e me emocion të madh. Pas orës 24:00 të asaj nate, jepet sinjali i përgatitjes së anijeve që do të shkonin në Durrës. Të gjithë u zgjuan, kuadro e detarë edhe të anijeve që do të ngeleshin në Sazan. Askush nuk shkoi në shtëpi. Do përcillnim shokët e anijet, të cilët do të shkonin në një bazë detare, në bregdetin e atdheut.  Dolën me radhë nga baza: minaheqësja, dy gjuajtësit detarë, dragaminat, katerat silurues… Baza dhe vetë ishulli i Sazanit u duk sikur u lëkundën e lëvizën nga vendi. Buçiti ai ishull nga sirenat dhe fishekzjarrët (raketat shenjëdhënëse). Ishin momente prekëse. Sazanit, iu shkëput nga trupi i tij, një pjesë e mirë, prandaj dhe u duk se ra tërmet disa ballësh. Momente ndarjeje mjetesh e njerëzish. I gjithë ishulli, reparte e familje në këmbë, shikonin këtë largim historik e përcjellje të karvanit detar drejt veriut, i cili tashmë qe vendosur në formacion lundrimi të përbashkët. Ato lundruan derisa ne nuk i dallonim më. Lundrim të mbarë, shokëve tanë! Lundrim të mbarë, anijet tona!

U ndamë, por shoqëria mbeti e paprekur. Përsëri na dukej sikur ishulli rënkonte së bashku me grykën e Xhehnemit, atë të Arushës, shpellës së Haxhi Alisë dhe i tërë gjiri i Vlorës për atë largim. Edhe lepujt e famshëm të Sazanit kishin lënë strofullat e tyre dhe shikonin këtë skenë të papërsëritshme. Shikonin ato “gjemi” që lundronin drejt veriut, në Detin Adriatik. 

 

Guidë, Sazani, resort turistik, një ëndërr me sy hapur!...

Në vitin 2001 një grup pune me emra të njohur arkitektësh dhe specialistësh të fushës së turizmit, hartuan një nga projektet më ambicioze turistike, që mund ta shndronin Sazanin, në një nga pikat më të lakmuara turistike të Mesdheut. Ky projekt iu dorëzua Kryeministrit të asaj kohe Ilir Meta, por që fatkeqësisht u mbulua vetëm me heshtje, që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Deri në ditët e sotme edhe qeveria aktuale, që pohon me të madhe se ka një strategji, që synon që turizmin ta shndërrojë në industrinë primare zhvilluese të bregdetit shqiptar, gjithçka është një retorikë fjalësh dhe projekti I dikurshëm , nuk dihet nëse ekziston edhe në letër. Nëse Qeveritë do të kthenin vështrimin nga  Sazani, kjo dhunti e natyrës do të shndërrohej në “ishulli i thesarit”, që do të tjetërsonte bregun nga Veriu në Jug. Duke u njohur me detaje projektin, mësohet se ishte  parashikuar që Sazani të shndërrohej në një resort turistik ekskluziv për të gjithë Mesdheun, për të mikëpritur kureshtarë dhe pushues. Me një kapacitet akomodues prej 3 deri në 4 mijë shtretër, aty nuk do të mungonte as edhe porti modern i jahteve, i ngritur mbi gërmadhat e portit ekzistues ushtarak të ishullit. Për ta kthyer ishullin edhe në një ambient argëtues për të pasurit, u mendua ndërtimi i një kazinoje, e cila do të qëndronte jashtë ambienteve të populluara lokale, duke shmangur kështu krijimin e problematikave sociale, të një vendi në zhvillim e sipër. Ishte parashikuar edhe ngritja e një muzeu, për të futur në muret e tij historinë e këtij ishulli, përfshi edhe ekspozimin e një koleksioni të uniformës së Ushtrisë Shqiptare, duke filluar që nga epoka e mesjetës. Për ta bërë të shfrytëzueshëm gjatë gjithë vitit këtë resort turistik u ngrit ideja e ndërtimit të një qendre për kongrese, konferenca, kurse trajnimi, madje dhe për spektakle muzikore. Ish-qyteza e ushtarakëve, krejt e braktisur, do të shndërrohej në një qendër administrative, për të ofruar argëtim, gjallëri dhe jetë nate në ishull, përmes një rrjeti të tërë baresh, restorantesh, klube nate, salla kinemash dhe aktivitete të tjera tregtare. Por të gjitha këto tani për tani mbeten vetëm një ëndërr, një ëndërr me sy hapur!…

 

 

 

November 16, 2014 13:11 Updated
Komento

14 Komente

  1. logjistika November 16, 17:03

    mirenjohje per gjithe usharaket qe sherbyen me familjet e tyre ne kete ishull,
    duke treguar vleret me te larta njerezore me punen e tyre plot perkushtim,
    dhe ne radhe te pare efektivit te logjistikes qe ju krijoi kushte megjithe veshtiresite e kohes per te plotesuar gjithmone mungesat
    mirenjohje dhe punes me shume sakrifice e te palodhur te inxhinjerit elektrik FITIM BEHRI,i cili me ekuipazhhin polumbar e specialistet e infrastruktures ,ben te mundur riparimin e kabllit nenujor te domosdoshem per ndricimin e ambjenteve…

    Reply to this comment
  2. emigranti November 16, 17:10

    Po per Xha Skendon (Skendo Veshin nga Gumenica e vlores ish pjestar i grupit partizan qe cliroi Sazanin e qe qendroi aty deri ne vitet 70), pse nuk thua nje fjale.Po per Stefan Zogun nga Zagoria, oficer kembsorie qe qendroi ne Sazan mbi 10 vjet e qe rriti aty nbi 5 femije. Ata jane historia e ishullit dhe jo Dhiogjeni me Polon qe nuk kane qendrua r me shume se dy vjet.Anija nga Sazani ne Vlore vinte cdo dite dhe jo dy here ne jave sa tua ti.

    Reply to this comment
    • Dardan November 16, 19:54

      Ate punen e anijes e di dhe une, ishte dite per dite. E mesuam ne te Postes se Pirgut kur sillnim me anijen e vogel (emri s’me kujtohet) ushqimet nga Vlora ne gjithin e vogel te Postes se Pirgut.
      Na ngjall shume emocione ajo zone por nuk po vazhdoj me tej sepse e di qe kam dale nga hullia e artikullit te me siperm.
      Nje gje doja ta pyesja ate qe shkroi artikullin , Mire shprehja “celsat e Otrantos i kemi ne” ishte shprehje e famshme por perse kjo shprehje paska qene edhe e frikshme?

      Reply to this comment
  3. argita+xeni November 16, 17:55

    emigrant…vertet POLO GUGA nuk qendroi shume ne SAZAN por ishte nder te paret ne mbrojtjen e nendetesave ne kohen e prishjes me BS ,dhe kur kishte dal ne pension vinte dhe na jepte mesim ne pashaliman dhe ishte njeri shume i pergatitur,megjithate RESPEKT per te gjithe kuadrot dhe ushtaret qe kane sherbyer ne SAZAN ESHTE VEND I BUKUR ,KAM SHRBYER 27 MUJ NE DRAGAMINE

    Reply to this comment
  4. edi November 16, 18:37

    vend fantastik,u rrita ne sazan dhe po te me jepej mundesia do te shkoja prap

    Reply to this comment
  5. Lleshi November 16, 20:42

    Shiko , shiko , shiko ….! Tani e morra vesh se Lufta nacional Clirimtare i paska shtuar territor Shqiperise , duke cliruar Sazanin dhe shfuqizuar marreveshjet nderkombetare per perkatesine e tij ndaj Italise ?!!!

    Shiko , shiko ! Po ky eshte krim ndaj integrimit more ! Nje nga krimet e shumta te Ushtrise NACL , qe i paska marre me force Sazanin Italise ?!?! Ua morri oficereve me shkolle te larte italiane dhe ua dha barinjve Shqiptare ? Po ku ka byth..e te rri ky krim ?

    T’ia kthejme urgjentisht Italise ishullin , se keshtu futemi pjese – pjese ne Europe ! Me ishullin e Sazanit futemi nepermjet Italise , me VorioEpirin futemi nepermjet Greqise dhe me VorioGegnin futemi nepermjet Serbise …!

    Ja keshtu futet Shqiperia ne Evrope ! Jo po do mbrojme krimet anti integrim neve te partizaneve te UNACL-se dhe te Veros !

    Reply to this comment
  6. treporti November 17, 01:31

    Ne shekujt V dhe VI para eres sone nuk kishte lindur as Herodoti,babai i historise e jo me arkeologet shqiptare!

    Reply to this comment
  7. Bato Mokra November 17, 08:26

    @Llesh

    Ne Kongresin e Drejtshkrimit ne vitin 1972, teksa po mirreshin vendimet, u ngrit rrembyeshem delegati i Mirdites dhe kundershtoi me force vendimin qe po merrej; nga fjalet e huaja me dy l, si patollogji, gjeollogji etj, te hiqej nje l e te shqiptoheshin shqip, patologji.
    -Po pse nuk je dakort?- e pyeti drejtuesi i seances delegatin e Mirdites.
    -Si te jem dakort, tha ai.- Une gjysmen e emrave te Mirdites e kam me fjalen Llesh. Pse si do t’u them tani e tutje LESH?!
    O Llesh, o ironik, o mentar (ka pushue do dite mendja nder ju, me u zatete ne Diber, pasi kishte pa le ne Shkoder) LESH, E SHKUAR LESHIT po jane keta int(r)egruesit e sotem, qe si thone plakat e Mirdites “Mo zot’ ma keq”. Lavdi clirimtareve partizane, qe na e kthyen Sazanin, po s’i shkrepi as Ilirit e as Fatosit (sidomos ketij) per ta bere kazinone me te famshme ne Mesdhe (ah, sa vuajme per vende te para, si per xhami, kisha etj), lavdi te gjithe atyre ushtareve e oficereve qe jetuan dhe mbrojten atdheun atje ne karakollin e pare!

    Reply to this comment
    • Kavojsi November 17, 09:10

      LAVDI atyre bijve te shqipes o Bato Mokra ! Lavdi e perjeteshme ! Si kujton ti se te ndihesh qofte edhe 30% shqiptar , nuk mund te mos nderosh dhe respeektosh vepren e atyre djemve !
      Por ne poshtersine dhe armiqesine qe ka kapluar politiken e ketij vendi , ku barishtet antishqiptare kane gjetur klimen per te mbire dhe lulezuar , nuk te mbetet tjeter vecse te besh ironi ! Ha..ha..ha.. ne fakt nuk eshte koha per te qeshur …

      Reply to this comment
    • Lleshi November 17, 09:16

      Bato Lavdine tyne ata e vulosen me gjakun e derdhur per Shqiperi dhe Lleshi , nuk ka asnje shanc qe te mos i nderoj !

      Reply to this comment
  8. Mark uk November 17, 08:49

    Po kujt i intereson puna e ktyre kaperrave.

    Reply to this comment
  9. shpatar November 17, 10:57

    Mesa kuptoje nga komentet qenka me kollaje te bejne politike se sa te vlersojne nje Ishull shqiptare .Historia e tije ka rendesine e vecante si toke shqiptare .Detyra e brezave eshte qe kete ishull me emrin Sazan ta transformojne per vlerat turistike qe ka .Aktualisht ishulli eshte i pa pershtacem per akrivitet turistik .Mungon energjia elektrike ,uje i pishem dhe infrastruktuar. Ata qe kane banuar si civile dhe ushtarak me pare kane sakrifikuar vite nga jeta e tyre .

    Reply to this comment
  10. Arif November 17, 11:03

    Me shume respekt per kete njeri qe ka shkruar keto rradhe mbi sazanin dhe qe sjell ne vemendje edhe ata djem oficere te rinj qe jetuan e ndetuan jeten e tyre aty, shume e shume te tjere pervec emrave te pervecem qe permendeen tek ditari i Z. Dhionis. sa i takon komenteve te mesiperme negative, keshilla ime do te ishte qe ndoshta ne duhet te kemi pak me shume respekt per njerezit e ketij vendi, ata njerez qe i besuan vertete moralit te punes e mbi bazen e tij ngriten e edukuan familjet e tyre, e jo ketij palo brezi injorantesh e gangsteresh qe rriten sot, familejt e te cileve sigurisht qe kane me shume para se ato familje qe jetuan ne sazan, por qe nuk kane gjene me elemntare qe duhet te kene : vleren ndaj punes, dhe perkushtimin ndaj tjetrit ne te mire e ne te keq. Nuk po flas per ate pjese te popullates qe ka mbetur ende bageti saqe edhe e USA te vije te jetoje po bageti ka per te mbetur pasi e ka te trasheguar ne gen.

    Reply to this comment
  11. Sylaj August 6, 13:50

    Plotesisht po pajtohem me ty zoteri Arif.
    Detari me emein Diogjen,pershkruan me ndjenjat e tija nje kohe te qendrimit te tije ne ate ishull,per qka ne duhet ta rrespektojme.Qdo koment tjeter ,e posaqerisht ata pa permbajtje sikur disa qe i lexova jane te pavlera dhe pa takt njerezor e kultural.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*