Schroeder-Putin, përqafimi që vuri në siklet Berlinin

April 30, 2014 19:24

Schroeder-Putin, përqafimi që vuri në siklet Berlinin

Ndërsa katër vëzhgues gjermanë janë në duart e pro-rusëve (bashkë me 9 të tjerë të OSCE-së) në Ukrainë, Gjermania “merr flakë” për një foto: një përqafim i ngrohtë mes Gerhard Schroeder-it dhe Vladimir Putin është kthyer në furtunën e ditës në Gjermani.

Në një kohë që Gjermania ndjek me frymën pezull fatin e pengjeve gjermane të milicive pro-ruse, ish- kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, festoi të hënën 70-vjetorin e tij në Shën Pjetërburg, si i ftuar nderi i presidentit Vladimir Putin. Në klimën e kundër-pozicionimeve mes Perëndimit dhe Moskës, e shenjuar edhe nga apelet e ashpra të Berlinit për lirimin e 13 pengjeve të OSCE-së, ish-lideri i partisë gjermane SPD, ka shkaktuar kritika të forta nga të gjitha palët politike në Gjermani. Një përqafim i lumtur mes miqsh të vjetër është sebepi. Schroeder, ndodhej në Rusi për një mbledhje të këshillit të mbikëqyrjes të “Nord Stream Ag” dhe menjëherë më vonë u ftua në pallatin Jussupoë. Me një buzëqeshje të madhe, ai takoi Vladimir Putinin jashtë pallatit. Fotoja e realizuar në atë moment tregon shefin e Kremlinit dhe ish-kancelarin gjerman në një përqafim të ngrohtë, pak para se të merrnin pjesë në festën e ditëlindjes mbrëmjen e së hënës.

Miqësia e tij me Putinin, është përfolur shumë edhe në të kaluarën. Kancelar nga viti 1998 deri në 2005-n, politikani socialdemokrat, pak pasi u largua nga posti qeveritar mori detyrën e presidentit të bordit të kompanisë ruse më të madhe të gazit “Gazprom Nord Stream”, bashkimi i kompanive ruso-gjermane për ndërtimin e gazsjellësit më të rëndësishëm që kalon nëpër Evropë. Rreth 100 të ftuar ishin të pranishëm në festën e organizuar pikërisht nga kompania.

Imazhi ka nxitur polemika të shumta në Berlin, në atë pikë sa vetëm pak orë nga publikimi në media, një burim qeveritar u shpreh: “Z.Schroeder nuk përfaqëson qeverinë gjermane. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se ai e ka lënë politikën vite më parë”.

Ekzekutivi i madh i koalicionit të drejtuar nga Angela Merkel ka shprehur distancimin nga pozicioni i Schroeder-it. Por, ky në rolin e numrit 1 të konsorciumit të “Gazprom”, mbetet megjithatë një ish-kancelar.  Dhe pikërisht në këto orë që Gjermania po përjeton ankthin e pengmarrjes së bashkatdhetarëve nga separatistët që kanë kontribuuar në sanksione të reja kundër Moskës, duke nxitur edhe zemërimin e Putinit.

Zv/kryetari i grupit parlamentar të CDU-së, Andreas Schockenoff deklaroi: “Është plotësisht e papërgjegjshme nga ana e një ish-kreu shteti jo më aktiv në politikë. Kancelarja dhe ministri i Jashtëm po sforcohen prej javësh që të stabilizojnë situatën në Ukrainë dhe të mbajnë të bashkuar BE-në, ndërsa Putin përpiqet të destabilizojë dhe përçajë Evropën. Fotot e festës së ish-kancelarit janë një propagandë në favor të Putinit, këtë e di edhe Schroeder, i cili është përgjegjës. Ndërsa të rinjtë tanë vuajnë për bukë edhe ujë në Ukrainë, Schroeder feston me shampanjë dhe  haviar”.

“Është e shëmtuar të shohësh përqafimin e Schroder dhe Putinit pikërisht ndërsa disa ushtarë gjermanë po mbahen peng nga fanatikët mbështetës të Rusisë në  Ukrainë”, komentoi e përditshmja gjermane “FAZ”, ndërsa “Der Spiegel” shkroi se fotoja e bën politikën gjermane të duket “absurde”. Sipas saj Gjermania edhe pse shprehu distancimin  nga Moska, mban një sjellje të kujdesshme sepse ekonomia e saj është e lidhur me fill të dyfishtë me importin e gazit rus. Dhe nuk mungojnë në opinionin publik, ndjenjat e simpatisë ndaj liderit të Kremlinit siç kanë zbuluar sondazhet e fundit./ Dorina Gjuzi

 

 

April 30, 2014 19:24
Komento

2 Komente

  1. AP April 30, 20:13

    Kemi arësye të gëzojmë kur rusët dhe gjermanët përqafohen si miq . Mjerë Bota po u përleshën këta titanë ! Të tjerët në Evropë janë garnitura !

    Reply to this comment
  2. fat man May 1, 23:48

    Nuk e kuptojme se cfare duan ushtaret gjermane ne Ukraine qe jane marre peng nga seperatistet, jo te mbahen peng por te merren edhe ne pyetje e te pergjigjen pse ndodhen aty dhe cfare detyre kane nga shteti i tyre dhe CIA. Lereni Schroeder ne punen e tij si president i Gazprom dhe te festoje ditelindjen e tij, per sa kohe ka qene Kancelar te gjithe i kane hequr kapelen sidomos USA dhe ka qene Nr.2 per nga rendesia ne bote. Tung

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*