Schultz dhe Mugabe: dy qasje të kundërta ndaj pushtetit

November 29, 2017 11:45

Schultz dhe Mugabe: dy qasje të kundërta ndaj pushtetit

Ilir Barjaba

Ditët e fundit në skenën botërore ndodhën dy skenarë. I pari, në Gjermani, i dyti në Zimbabwe. I pari është qasja e një demokrati, i dyti sjellja e një diktatori ndaj pushtetit.  I pari nuk është zgjidhur ende, i dyti ndërkohë ka mbaruar. Në qendër të këtyre skenarëve janë dy liderë, socialdemokrati gjerman Martin Shultz dhe diktatori afrikan Robert Mugabe. Schultz dhe Mugabe i ofruan publikut dy qasje të kundërta ndaj pushtetit. Por jo vetëm kaq.

1.

Në Gjermani, pas zgjedhjeve të para pak muajve, votuesit i dhanë një mandat të katërt, ende të diskutueshëm, kancelares Merkel. Dhe votuan për të qenë në opozitë, Partinë Social-Demokrate të udhëhequr nga Martin Schultz. Socialdemokratët gjermanë paguan me një kosto të lartë elektorale guximin e tyre për të qenë të sinqertë me popullin gjerman dhe për të kundërshtuar politikat populiste antiemigrant të të djathës ekstreme. Për këtë të fundit votat u shtuan me vrull, ndërkohë që partitë e Merkel dhe Schultz pësuan rënie të shpjegueshme. Schultz qëndroi i tërhequr ndaj ofertave për të bashkëqeverisur, në emër të respektimit të votës së qytetarëve gjermanë. Por edhe në emër të pritjes dhe përgatitjes së partisë së tij për të qeverisur, kur qytetarët gjermanë ta dërgojnë në pushtet. Madje, i bindur se kur të vijë partia e tij në qeverisje, jo ai, por dikush tjetër, do të bëhet kancelar i Gjermanisë.  Socialdemokrati Schultz nuk u kap pas shpresës për pushtet, si i mbyturi pas fijes së flokut. Por pranoi sfidën dhe respektoi premtimin për të qëndruar në shtëpi. Ndërsa kur qytetarët gjermanë i kërkuan publikisht dhe masivisht të hyjë në koalicionin qeverisës, në emër të interesave të Gjermanisë, përsëri nuk u nxitua, por kërkoi të konsultohet me anëtarët e partisë së vet.

Në Zimbabwe, pas sosjes së një durimi shumëvjeçar, populli dëboi me forcë nga pushteti presidentin e vet. Mugabe nuk shfaqi asnjë shenjë durimi e pendese ndaj revoltës popullore. Iu kundërvu asaj. U shfaq nëpër tribuna dhe ekrane i rrethuar nga eskorta që e mbronin nga populli i vet. Dha më në fund dorëheqjen me shpirt në dhëmbë, kur nuk kishte rrugë tjetër. Sepse të gjithë qytetarët ishin kundër tij.

2.

Kush është diktatori Mugabe? 93 vjeçar dhe prej 37 vjetësh në pushtet si President e pak vite Kryeministër. Udhëheqës politik i vendit prej 42 vjetësh. Ky personalitet ofron dy pamje. Pamja e parë ofron një revolucionar e politikan në ngjitje, të respektuar nga populli i tij. Marksist nga formimi fillestar ideologjik. Dhjetë vjet i burgosur si antiqeveritar.

Kryeministri i parë i vendit pas pavarësisë. Fillimisht me një legaci për t’u krenuar për masat për nxitjen  e politikave arsimore e shëndetësore. Më vonë u shndërrua nga një ish marksist, në një udhëheqës  që zbatoi  politika ekonomike konservatore. Me merita të njohura në luftën kundër racizmit dhe përhapës i një fryme pajtimi midis racave ndërluftuese në vendin e vet. Ndërkohë, pamja e dytë ofron të kundërtën. Një politikan që degradoi dhe përfundoi në një plak që kacavirrej pas kolltukut presidencial me të gjitha mënyrat. Nga një pajtues i palëve të betejave raciale të para vitit 1980, në një frymëzues të dhunës së popullsisë me ngjyrë ndaj të bardhëve  gjatë dy dekadave të fundit. Nga një reformator konservator në politikat ekonomike, përfundoi në një gangster që frymëzonte grabitjen e tokave të të bardhëve dhe vrasjen e tyre. Nga një luftëtar i pavarësisë, në një dhunues të opozitës.  Nga një luftëtar për zgjedhje të lira, në një grabitës të zgjedhjeve dhe dhunues të tyre. Nga një internacionalist, në një nacionalist ekstrem. Nga hero i luftës çlirimtare, në një president të korruptuar, rrënues të ekonomisë së vendit të tij, diskriminues i pakicave dhe vrasës i kundërshtarëve politikë.

3.

Po Martin Schultz kush është? Një udhëheqës 62 vjeçar, social-demokrat nga formimi e veprimi, lider i Partisë Social-Demokrate prej disa muajsh para zgjedhjeve. Deputet në parlamentin gjerman për mbi dy dekada. President për dy mandate i Parlamentit Europian dhe që refuzoi kandidimin për herë të tretë. U tërhoq fillimisht nga kandidatura për kancelar i vendit të vet për të maksimizuar fitoren për socialdemokratët. Doctor Honoris Causa në disa universitete të njohura. Politikani më popullor para zgjedhjeve, i kuotuar nga testimet e opinionit publik edhe më lart se Merkel.  Një luftëtar i palodhur kundër pabarazisë dhe padrejtësisë sociale.  E nisi karrierën si socialdemokrat dhe ka mbetur i tillë. Nuk u transformua dhe nuk u deformua nga pushteti dhe ofiqet në nivelet e larta të vendim-marrjes europiane. Nëse do të shkojë në bashkëqeverisje me kundërshtarët politikë, do ta bëjë këtë se ia kërkojnë qytetarët gjermanë dhe anëtarët e partisë së tij. Me të cilët bashkëdrejton realisht.

4.

Çfarë ka prodhuar Mugabe me qeverisjen e vet? Dhe cili është vendi që ka prodhuar Mugaben?  Zimbabwe është një shtet me 16 milion banorë dhe me një PBB rreth 33 miliard USD. PBB për frymë është rreth 2,200 USD. Koeficienti i pabarazisë është mbi 50, pra tepër i lartë. Koeficienti i Zhvillimit Njerëzor është rreth 0.5, duke zenë vendin e 154 në botë, pra diku nga fundi. Një vend me fusha të gjera pjellore, por bujqësi të prapambetur. Me pasuri të shumta natyrore, me nikel, bakër, ar, platin dhe diamante, por i pazhvilluar e tepër i varfër. Dhe varfëria vetëm rritet prej rreth dy dekadash. Me një ekonomi që rrënohet prej dekadash dhe ku mjedisi vetëm degradohet. Ku nuk ka demokraci dhe zgjedhjet grabiten. Ku as që bëhet fjalë për qarkullim të elitave. Ku udhëheqësit dorëhiqen vetëm kur binden se qytetarët do t’i tërheqin zvarrë rrugëve.

5.

Çfarë kanë prodhuar politikanë të tipit Schultz në Gjermani  (se ai vetë nuk ka qenë ndonjëherë qeverisës ekzekutiv në vendin e vet)? Dhe cili është vendi që ka prodhuar Schultzin. Dhe Merkelin po të doni?  Gjermania është sot vendi më popullor i Bashkimit Europian. Ka një popullsi rreth 82 milion banorë.  PBB ka arritur rreth 4 trilion EURO dhe PBB për frymë rreth 50 mijë EURO, ose rreth 25 herë më të madhe sesa e Zimbabwes. Koeficienti i pabarazisë është rreth 30, pra mesatar, ndërsa koeficienti i Zhvillimit Njerëzor rreth 0.93, duke zenë vendin e katërt në botë. Vitet e fundit Gjermania është bërë lokomotiva e Bashkimit Europian dhe e ekonomisë europiane e botërore. Një magnet tërheqës i të gjithë popujve të botës që aspirojnë për mirëqenie e demokraci dhe vendi më popullor i pritjes së emigrantëve, pas SHBA-së.  Merkel dhe Schultz pranuan të sfidohen edhe për shkak të humanizmit të tyre, mbrojtjes së emigrantëve  e refugjatëve.

6.

Gjermania dhe Zimbabwe, ashtu si edhe Schultz dhe Mugabe, janë shtysa për krahasim e reflektim. Demokracia nuk mund të bashkëjetojë me varfërinë. Mungesa e demokracisë e bën një vend edhe më të varfër dhe varfëria e bën një vend më pak demokratik. Elitat politike, për të penguar qarkullimin e tyre, në disa raste riprodhojnë vetveten. Kjo është asfiksuese, madje tragjike, për zhvillimin e një vendi, i cili hyn në një rreth vicioz. Detyra e popujve nuk është as të qajnë nga gëzimi, as të trullosen nga dëshpërimi nëpër sheshe, siç bënë ditët e fundit të gjasme-qeverisurit nga Mugabe. Ata nuk duhet të presin që diktatorët të ikin vetë. Popujt duhet të punojnë ditë e natë dhe pambarimisht për transformimin demokratik dhe largimin me votë të udhëheqësve të korruptuar e të degraduar. Hendeku midis pasurive përrallore natyrore dhe nivelit të lartë të varfërisë mund të zbutet e zhduket duke u qeverisur jo nga diktatorë dhe elita të konsumuara e stërvjetëruara, por nga udhëheqës dinamikë, vizionarë dhe të shkolluar. Udhëheqësit apo ish-udhëheqësit karizmatikë kanë dalë mode. Qeverisja kërkon teknicienë dhe profesionistë, që vijnë, shërbejnë dhe ikin me dinjitet. Si eficiença, ashtu edhe inefiçenca e qeverisjes, janë meritë ose dështim i elitave.

 

November 29, 2017 11:45
Komento

2 Komente

  1. Teli November 29, 14:12

    C’jane keto krahasime?

    Reply to this comment
  2. teni November 29, 19:09

    KETO KRAHASIME JANE “SHPELARRJE TRURI PER NJEREZIT E VARFER E PA PRESPEKTIVE”!I HOLLE KY SHKRIM POR I PAKUPTUESHEM PER LEXUESIN PASI ,C’FARE LIDHJE KANE NJOHURITE E KETIJ SHKRUSI ME REALITETIN E NJE LEXUESI TE THJESHTE!MUGABE KA ENDER QE TE VDESE NE KARRIKEN E PRESIDENTIT ,PO E NJEJTE ESHTE EDHE QENDRIMI I SCHULCZ-it PER TU BERE KANCELIER I GJERMANISE!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*