Felipe Scolari: Eshtë koha për të fituar Brazili

June 11, 2014 23:30

Felipe Scolari: Eshtë koha për të fituar Brazili

“ Erdhi ora. Të gjithë sëbashku. Është Botërori ynë”.

Me këto fjalë e hapi konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Kroacinë,  trajneri i Brazilit Luiz Felipe Scolari duke dhënë një mesazh jo vetëm për futbollistët por për të gjithë popullin brazilian. Pas plotë 64-vjetësh Brazili do të zhvillojë një tjetër Botëror në shtëpi por në ndryshim nga viti i largët 1950 brazilianët këtë herë e kanë të ndaluar të dështojnë. I pyetur nëse kjo skuadër është e ngjashme me atë që fitoi Botërorin e vitit 2002 në Kore dhe Japoni, Felipao u përgjigj në këtë mënyrë.

“ Mendoj se ky ekip është i ngjashëm me atë të vitit 2002. Në Kore dhe Japoni shumë futbollistë ndryshuan stilin e tyre të lojës për të ndihmuar skuadrën që të fitonte titullin, edhe në këtë ekip disa lojtarë duhet të bëjnë gjëra që zakonisht nuk i bëjnë, për shembull Neymar duhet edhe të mbrojë”.

Më pas numri 1 i stolit të 5-herë kampionëve të Botës tha fjalët më të mira për yllin e skuadrës Neymar duke paralajmëruar në farë mënyre rivalët.

“ Mendoj se do të fle i qetë, nuk e di nëse gjërat e tjera i kam bërë mirë por mund të fle i qetë. Nëse një futbollist si Neymar do të ishte pjesë e kundërshtarëve nuk mendoj se do ta bëja gjumin edhe aq rehat. Ai mund të ndryshojë një ndeshje në cdo minutë të saj. Unë dëshiroj që Neymar të jetë si cdo futbollist tjetër në skuadër në mënyrë të mos marrë shumë përgjegjësi mbi vete por duke ditur temperamentin e tij mendoj se do të bëjë diferencën”.

Objektivi i Brazilit në këtë Botëror është ngritja lart e trofeut megjithatë 65-vjecari dëshiron ti marrë ndeshjet një e nga një.

“ Momentalisht mendoj vetëm për sfidën me Kroacinë. Kemi 7 shkallë përpara dhe për tu ngjitur në majë fillimisht duhet të ngjisim shkallën e parë që është Kroacia”.

Së bashku me Scolarin në konfercën për shtyp ishte i pranishëm edhe ylli Selecaos, Neymar. Futbollisti Barcelonës deklaroi se ai nuk dëshiron të jetë futbollisti më i mirë i Botërorit e as golashënuesi më i mirë pasi ëndrra e tij është fitorja e Kupës së Botës.

June 11, 2014 23:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*